Vëllezër dhe motra në Islam!

Tema e hutbes së sotme është: „Gjenocidi mbi muslimanët Rohinja“ (…)

Ia kujtoj vetvetes dhe juve një pjesë të ajetit 217, të sures el-Bekare:

…وَلاَ يَزَالُونَ يُقَاتِلُونَكُمْ حَتَّى يَرُدُّوكُمْ عَنْ دِينِكُمْ إِنِ اسْتَطَاعُوا…

„…Ata vazhdimisht luftojnë kundër jush, që nëse munden t’ju kthejnë nga besimi juaj…”

Kjo e vërtetë kur’anore do të mbetet deri në Ditën e Gjykimit, rreth saj nuk ka asnjë polemikë, ajo tani po bëhet realitet edhe në Mianmar ku jetojnë rreth 60 milionë njerëz, ku shumica budiste muslimanët Rohinja i shohin vetëm si muslimanë të Bangladeshit të cilët vijnë për t’ua rrëmbyer tokat. Gjeneralët e Juntes ushtarake të Birmanisë e cila për dekada e sundoi këtë vend, konsiderojnë se “këta emigrantë të paligjshëm nuk kanë asnjë lidhje me Mianmarin”. Budistët madje ua mohojnë edhe emrin Rohinja dhe i quajnë Bangladeshas, me shtesën “emigrantë të paligjshëm”.

Në raportet e mediave perëndimore, një diplomat i Mianmarit në vitin 2009, e kishte krahasuar ngjyrën e lëkurës “kafe të errët” të Rohinjave me ngjyrën “e shkëlqyer dhe të butë” të budistëve, dhe kishte thënë: „Në të vërtetë, Rohinjat nuk janë njerëz të Mianmarit, as nuk janë grup etnik i Mianmarit. Ata janë të shëmtuar si përbindësha!”

Rohinjat veten e kosiderojnë popull të veçantë dhe autokton në shtetin Rakhajn të Mianmarit (siç e quajnë krahinën Arakan). Ata deklarojnë se aty janë vendosur para shekullit të XV, se e flasin gjuhën e tyre të posaçme rohinje, se janë muslimanë, si dhe etnikisht janë të afërt me indianët e Bangladeshit dhe Birmanisë.

Sipas një shkencëtari skocez i cili në shekullin e XVIII, i kishte studiuar gjuhët e Birmanisë, vetëm emri “Rohinja” në gjuhën e tyre do të thotë “vendas të Arakanit”, ndërsa vetë Rohinjat janë të prirur të pohojnë se emri i tyre rrjedh nga termi arab “rahma” dhe kjo do të thotë „mëshirë e Allahut“.

Rajoni Arakan gjendet në perëndim të Mianmarit, kufizohet me Bangladeshin dhe në kohën e vendosjes së muslimanëve të parë, sipas disa të dhënave në shekullin e XIV, ishte mbretëri e pavarur. Disa të tjerë theksojnë se muslimanët e parë kanë mbërritur në këto zona rreth vitit 1000, si tregtarë, ushtarë mercenarë, por edhe si këshilltarë të shkolluar të këtyre mbretërve. Shumica e popullsisë së Arakanit sot janë budistë. Bashkëjetesën shumëshekullore të budistëve dhe muslimanëve në Arakan e kishin ndërprerë Birmanezët budistë nga jugu i vendit, të cilën e kishin pushtuar Arakanin, i kishin vrarë pothuajse të gjithë muslimanët, kurse ata që kishin mbijetuar, i kishin dëbuar në Bangladesh. Që atëherë filloi, dhe, më shumë se dy shekuj, po vazhdon persekutimi i muslimanëve Rohinja nga Arakani dhe provincat tjera Birmaneze, i cili tash e ka marrë formën e gjenocidit.

Dhjetëra mijëra muslimanë Rohinja ikin nga diskriminimi dhe vdekja në Mianmar. Në rajonin e Arakanit, i cili ka rreth 3.1 milion banorë, muslimanët Rohinja janë rreth 40 për qind, ose mbi një milion.

Autoritetet pretendojnë se po luftojnë vetëm kundër “terroristëve” të a.q. “Armatë për shpëtim të Rohinjave të Arakanit“ (ARSA). Autoritetet e Birmanisë në vitin 1982, kanë miratuar Ligjin mbi Shtetësinë, i cili ka njohur 135 grupe të ndryshme etnike, por jo edhe Rohinjat, të cilët autoritetet në Birmani nuk i konsiderojnë qytetarë të tyre. Në certifikatat e tyre të lindjes nuk mund të qëndrojë vendi i lindjes dhe ata në praktikë nuk mund të marrin nënshtetësinë e Mianmarit.

Për të raportuar lindjen ose vdekjen e një anëtari të familjes, Rohinjat paguajnë taksa të veçanta. Për tu martuar duhet të marrin leje nga autoritet, ku shumat e këtyre taksave janë të tilla që i përzënë ata në Bangladeshin fqinje për t’u martuar, por as Bangladeshi për ta nuk është tokë e premtuar. Në Mianmar vetëm Rohinjat për pronat e tyre paguajnë taksa shumë të larta dhe shumë shpejt bëhen të pa tokë.

Regjimi ushtarak i Mianmarit për dekada të tëra ju ka ndaluar Rohinjave që të zgjedhin vendin e jetesës. Për të udhëtuar nga fshati në fshat ose në qytet, Rohinjat duhej të merrnin leje të veçanta. E drejta për të lëvizur atyre nga viti në vit gjithnjë e më shumë ju është kufizuar, ashtu që ju është bërë pothuajse i pamundur punësimi dhe puna, e gjithashtu edhe marrja e ndihmës së nevojshme mjekësore …

Rohinjave iu është mohuar edhe e drejta e shkollimit. Nxënësit ose kanë hequr dorë nga shkollimi i mëtutjeshëm ose janë orvatur të largohen nga vendi. Shkollimi i vetëm është ai fillor dhe ndonjëherë i mesmi të cilin eventualisht e marrin në medrese dhe në xhamia të cilat e kanë të ndaluar t’i ndërtojnë.

Shtetas i Mianmarit është ai paraardhësit e të cilit kanë lindur në këtë vend para vitit 1823 dhe para luftës Anglo-Birmaneze. Shtetas të asociuar janë ata që e kanë marrë shtetësinë deri në vitin 1948, kur ai vend e fitoi pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar. Shtetas të natyralizuar janë ata që kanë jetuar në Mianmar para 4 janar 1948, dhe të cilët kanë aplikuar për shtetësi pas vitit 1982. Rohinjat nga autoritetet konsiderohen si emigrantë të paligjshëm dhe ata nuk kanë asnjë të drejtë.

Rohinjat janë përpjekur t’i shmangen fatit të tmerrshëm të bashkatdhetarëve të tyre, me anije nëpër pasazhet Malaje dhe Detin Andaman, për të arritur në afërsi të portit të shpresës në Indonezi, Malajzi apo Tajlandë. Mirëpo, mbeten të bllokuar në anije, pa ujë, pa ushqim, pa barëra, pa ndihmë dhe pa mundësi për të dalë kudo qoftë. Edhe pse në vitet e fundit kanë pranuar shumë muhaxhirë, vendet në të cilat janë drejtuar Rohinjat, refuzuan t’i pranojnë.

Sipas të dhënave të UNHCR-së, vetëm në tre muajt e parë të vitit 2014, në Indonezi dhe Malajzi janë kontrabanduar më shumë se 87.000 Rohinja. Ata janë lanë të uritur, janë keqtrajtuar, madje janë kapur robër në Tajlandë, prej ku kontrabandistët për ta prej familjeve që i kishin lënë pas vetes kishin kërkuar pagesë. Sot rreth gjysmë milion jetojnë në Bangladesh, ndërsa të tjerët në Arabinë Saudite, Pakistan, Tajlandë dhe Malajzi.

Puna e detyruar në Mianmar është praktikë e zakonshme, mirëpo në rastin e Rohinjas ka marrë përmasa që kufizohen me raportin skllavërues të shtetit ndaj kësaj pakice. Pa asnjë shembull në botë, e ndoshta veprimi më cinik i shtetit në projektin e zhvendosjes së Rohinjave ishte ndërtimi i të a.q. “fshatra modele, të destinuara për popullëzim me Birmanezë budistë. Këto janë fshatra në vendin e tyre, të cilat ua ka marrë shteti, i kanë ndërtuar vetë Rohinjat me punë të detyruar. Shteti ua mori edhe tokat bujqësore dhe ua dha familjeve që u vendosën në ato fshatra.

Madje edhe presidenti i Mianmarit bëri thirrje që “Rohinjat e paligjshëm të shpërngulen në vende të treta”.

Në pastrimin etnik të nisur në vitin 1978, kanë bërë hixhret në Bangladesh 207 172 Rohinja. Në valën e re të spastrimit etnik në fillim të viteve 90-ta të shekullit të kaluar, në Bangladesh kanë ikur 250 000 Rohinja. Pas kthimit përsëri në Birmani, në Bangladesh kanë mbetur 21.500 refugjatë Rohinja. Në qershor të vitit 2012, janë zhvendosur edhe 90 000 të tjerë.

Sipas të dhënave të UNHCR-së, anijet emigrante për Malajzi dhe Indonezi në tre muajt e parë të vitit 2014, u kontrabanduan, u transportuan në Tajlandë, pastaj u abuzuan rreth 87 000 Rohinja. Në anije për Malajzi, Indonezi dhe Tajlandë në pesë muajt e parë të vitit 2015, janë nisur 58 000 Rohinja dhe muslimanë të tjerë birmanezë.

Për rreth 25.000 muhaxhirë, në gjashtë anije është refuzuar zbarkimi në vende të tjera. Ata që u zbarkuan në të shumtën e rasteve u shitën si skllevër, kurse gratë u detyruan për prostitucon. Ushtria e Tajlandës, një numër të anijeve me refugjatë, i zvarriti në det të hapur, duke i lënë në vdekje të “ngadaltë”.

Shfarosja e Rohinjave u intensifikua në pranverën e kaluar, kur turma budistësh, të cilët politikanët lokalë i nxitën në dhunë, i sulmuan fshatrat e Rohinjave. Incidentet thuhet se kinse i nxiti përdhunimi dhe vrasja e një gruaje të re budiste në maj, pas së cilën të paktën 170 muslimanë u vranë dhe 125.000 u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.

Vendet fqinje nuk po tregojnë shumë mirëkuptim. Autoritetet e Bangladeshit, në qershorin e kaluar pa asnjë shpjegim i kthyen refugjatët, duke përfshirë edhe tri anije me qindra muslimanë Rohinja, prej të cilëve 80 ishin fëmijë, të cilët kishin tentuar përmes lumit kufitar Naf të shpëtojnë nga dhuna në vendin e tyre dhe të bashkohet me rreth 300.000 bashkatdhetarë që jetojnë në Bangladesh.

Kushtet në të cilat jetojnë në kampet e përkohshme të refugjatëve janë përshkruar si të tmerrshme. Human Rights Watch pohon se ata po trajtohen mizorisht duke ua kufizuar ndihmat humanitare për t’i penguar ata që të largohen nga Mianmari.

Ndihmat tona të cilat – insha-Allah – do t’i mbledhim sot në sexhade për vëllezërit dhe motrat tona muslimanët Rohinja në Mianmar janë kontributi ynë modest për zbutjen e vuajtjeve të tyre të cilave u janë ekspozuar! Prandaj, sot mos të bëhemi koprracë në dhënien tonë, sepse në pasuritë tona kanë hak edhe muslimanët Rohinja në Mianmar!

O Zot, na forco në rrugën e Islamit! Ndihmoji vëllezërit dhe motrat tona në nevojë kudo që janë, veçanërisht ata në Palestinë, Siri, Irak, Kashmir, Mianmar, Jemen, Libi dhe Egjipt!

Na ruaj nga e keqja e armiqve Tu dhe armiqve tanë! Intrigat e armiqve të Umetit dhe të atdheut tonë ktheji mbi kokat e tyre dhe le të merren me to vetë ata!

Na i mëshiro prindërit dhe paraardhësit tanë të vdekur të cilën neve na e sollën dritën e Islamit!

Na i udhëzo fëmijët dhe pasardhësit tanë dhe e bëri udhëheqës të Umetit dhe gëzim të syve dhe zemrave tona në këtë botë dhe në botën tjetër!

Na mëshiro neve në Ditën e Gjykimit dhe na ndero në xhenet në shoqëri me pejgamberët, me të sinqertit, me dëshmorët dhe me njerëzit e mirë! Amin

وَالسَّلاَمُ عَلَيْكُمْ وَرَحْمَةُ اللَّهِ!

Hatib: Nezim Haliloviq Muderris

Përkthim me përshtatje: Miftar Ajdini

(Breziiri)

Burimi