Rakan ELMagrbij
HUTBEJA E PARË
Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë e lavdërojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Atij i pendohemi dhe prej Tij kërkojmë mbrojtje nga e keqja e vetes dhe mëkatet tona. Atë që Allahu e udhëzon, askush nuk mund ta humbasë, dhe atë që Ai e lë të humbur, askush nuk mund ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, i Vetmi dhe pa shok, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij. Paqja dhe mëshira qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij e shokët e tij të ndershëm.
Vëllezër besimtarë!
Një nga fatkeqësitë më të mëdha që mund t’i ndodhin njeriut është që ai të sprovohet në fenë e tij, të goditet në besimin dhe zemrën e tij. Njëri prej të parëve tanë të mirë ka thënë:
“Çudi me njerëzit! Qajnë për trupin që vdes, por nuk qajnë për zemrën që ka vdekur, ndërsa kjo është edhe më e rëndë!”
Nga shenjat e sëmundjes së zemrës është adoptimi me mëkatin, bashkëjetesa me të, dhe mosreagimi ndaj tij, as me zemër, as me gjuhë, e as me dorë.
Ftohja e ndjenjave përballë krimeve dhe shkeljeve të mëdha është tregues i qartë se besimi në zemër është zbehur. E kjo, pasha Allahun, është nëna e të gjitha fatkeqësive. Profeti ﷺ ka thënë:
“Kush i lufton ata (të këqijtë) me dorë është besimtar, kush i lufton me gjuhë është besimtar, kush i lufton me zemër është besimtar, dhe pas kësaj nuk ka as sa një grimcë besimi.” ( Sahih Muslim)
Kush i sheh kriminelët duke shkatërruar vendet, duke derdhur gjak të pafajshëm, e zemra nuk i dridhet, sytë nuk i lotojnë, asnjë ndjesi nuk i zgjohet, ai le ta kontrollojë besimin e tij! Le ta kontrollojë zemrën e tij, se mos ka vdekur dhe ai nuk e ka kuptuar…
O umeti i Muhamedit ﷺ!
Kur ndodhi masakra në Bir Maune, dhe u vranë 70 hafizë të Kuranit nga shokët më të mirë të Profetit ﷺ, Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, e përshkroi gjendjen e Profetit ﷺ kështu:
“Nuk e kam parë asnjëherë të pikëlluar aq shumë sa atëherë.”
Po ashtu, kur Profeti ﷺ u tregonte shokëve lajmet nga beteja e Mu’tes, ai tha: “Flamurin e mori Zejdi dhe u vra, pastaj e mori Xhaferi dhe u vra, pastaj e mori Ibn Revaha dhe u vra…” Dhe Enesi rrëfen: “ Ndërsa po tregonte sytë e tij rridhnin lot.”
Këto janë ndjenjat e natyrshme dhe të shëndosha që përjeton zemra e një myslimani, kur dëgjon për dhimbjet e vëllezërve të tij.
Janë po këto ndjenja të cilat i përjetuan edhe sahabët e varfër, kur nuk kishin mjete për të marrë pjesë në xhihad, dhe qanë me lot nga dhimbja që nuk mundën të ndihmonin, e Allahu e përjetësoi atë ndjesi në Kuran:
“Nuk ka përgjegjësi as mbi ata që, kur erdhën te ti që t’i marrësh me vete, u the: ‘S’kam asgjë për t’ju dhënë për t’u hipur!’ Dhe ata u kthyen, ndërkohë që sytë u derdhën me lot nga pikëllimi, pse nuk gjetën çfarë të shpenzonin.” (Teube: 92)
Nga jeta e udhëheqësit të drejtë, Nurud-din Zenkij, është shënuar se një ditë, kur një student lexoi një hadith që zakonisht përcillej me buzëqeshje, ai i kërkoi që ta përcillte me buzëqeshje. Por ai u përgjigj:
“Më vjen turp nga Allahu të më shohë duke buzëqeshur, ndërkohë që myslimanët janë të rrethuar nga frankët në Dumjat!”
O besimtarë!
Vëllezërit tuaj në Gaza po përballen me një luftë barbare, me vrasje, zhvendosje, uri e, rrethim. Dita-ditës shtohet mizoria, thellohet rrethimi, dhe nuk ka shenjë që kjo tragjedi të përfundojë së shpejti.
Fatkeqësisht, për shkak të gjatësisë së kësaj lufte, shumë njerëz janë mësuar me imazhet e tmerrshme, e nuk ndiejnë më dhimbje kur dëgjojnë lajme për viktima, fëmijë e të plagosur.
Jemi në nevojë urgjente për të ringjallur ndjenjat, për të zgjuar ndjeshmërinë, sepse kjo është mburoja e fundit e besimit. Po e humbëm këtë, nuk na ka mbetur as sa një grimcë besimi.
Dikush mund të thotë: “Çfarë vlere kanë ndjenjat? A do të fitojnë vëllezërit tanë vetëm me emocionet tona?”
Ne themi: Jo, emocionet nuk mjaftojnë, por janë bazamenti i çdo veprimi të sinqertë. Po i humbëm ndjenjat, nuk do të lëvizim më as për lutje, as për ndihmë, as për përhapje të së vërtetës.
Çfarë duhet të bëjmë?
Lutu për ta! Sepse Profeti ﷺ ka thënë:
“Ky ummet fiton me të dobëtit e tij me lutjet, namazet dhe sinqeritetin e tyre.” (Essilsetu Sahihah: 779)
Ndihmoi me pasurinë tënde! Sepse Profeti ﷺ ka thënë:
“Kush përgatit një luftëtar, është sikur të ketë luftuar vetë. Kush kujdeset për familjen e tij, është sikur të ketë luftuar vetë.” ( Sahihul Buharij: 2843)
Përhap të vërtetën, ndërgjegjësoji të tjerët, rrëfeje realitetin e Palestinës, përmende lidhjen tonë vëllazërore, ekspozoje hipokrizinë e armiqve. Sepse Profeti ﷺ ka thënë: “Luftoni jobesimtarët me pasuritë tuaja, trupat tuaj dhe gjuhët tuaja.”
Në fund:
Ky ummet është në krizë, dhe secili prej nesh duhet të japë ç’të mundet – qoftë edhe shumë pak.
Mos e nënvlerëso një lutje në errësirën e natës,
një shprehje ngushëllimi,
një ndihmë modeste financiare,
apo një zë që mban gjallë të vërtetën.
Allahu thotë:
“Allahu do t’i ndihmojë ata që e ndihmojnë Atë. Vërtet, Allahu është i Fortë, i Fuqishëm. Ata që nëse u japim pushtet në tokë, e falin namazin, japin zekatin, urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja. Dhe fundi i çdo gjëje i përket Allahut.” (Haxh: 40–41)
E thashë këtë që dëgjuat, dhe kërkoj falje nga Allahu për vete dhe për ju, për çdo mëkat e lëshim. Kërkojeni faljen e Tij, sepse Ai është Falës e Mëshirues.
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org – Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve



