Falënderime
I jam thellësisht mirënjohës shumë studiuesve dhe miqve që me bujari lexuan versionet e hershme të këtij punimi dhe ofruan reagime të paçmuara. Edhe pse unë mbetem i vetmi përgjegjës për pikëpamjet e shprehura dhe çdo gabim që mbetet, unë falënderoj veçanërisht Dr. Youssef Chouhoud, Emad Shahin, Joseph Kaminski, Ovamir Anjum dhe Mohammed El-Sayed Bushra, ndër shumë të tjerë. I jam gjithashtu borxhli kolegëve të mi në Ummatics; është pikërisht dialogu i vazhdueshëm me ta që idetë në këtë ese kanë marrë formë dhe janë pjekur.
Përmbledhje (Précis)
Ky punim zhvillon konceptin e fuqisë së butë umetike si një strategji jetike për ringjalljen dhe ndikimin global të Ummetit mysliman. Duke përshtatur nocionin e fuqisë së butë të Joseph Nye, ai thekson tërheqjen kulturore, udhëheqjen etike dhe ndikimin intelektual për të formësuar narrativat dhe për të avancuar interesat kolektive umetike. Punimi identifikon tetë fusha kyçe (feja, kultura, ligji, arsimi, ekonomia, kujdesi shëndetësor, media dhe teknologjia) si zona për të kultivuar dhe projektuar këtë fuqi të butë.
Ai gjithashtu propozon formimin e rrjeteve të decentralizuara e transnacionale – Bashkëpunimet e Fuqisë së Butë Umetike (CUSP-et) – për të nxitur bashkëpunimin midis rajoneve dhe sektorëve. Qasja thekson si integrimin vertikal (lidhjen e elitave dhe publikut të gjerë) ashtu edhe integrimin horizontal (bashkimin e komuniteteve të ndryshme myslimane) si diçka thelbësore për një Ummet koheziv. Duke u mbështetur në shembuj si bojkotet e konsumatorëve dhe aktivizmi digjital, punimi thekson ndikimin latent të Ummetit dhe bën thirrje për koordinim strategjik për ta përkthyer këtë potencial në ndryshim të qëndrueshëm, me ndikim dhe të orientuar etikisht e të bazuar islamikisht në skenën globale.
Hyrje
Vizioni i Institutit Ummatics, siç përshkruhet në punimin themelor të Dr. Ovamir Anjum, – Çfarë është Ummetika?, është i përqendruar në ringjalljen e Ummetit si një civilizim global që i tejkalon ndarjet e imponuara nga sistemi modern i shteteve-kombe.¹ Ky vizion propozon një ri-imagjinim të unitetit islam, jo thjesht si një strukturë politike, por gjithashtu, më themelisht, si një komunitet global organik dhe i integruar intelektualisht, kulturalisht dhe ekonomikisht. Ky punim synon të eksplorojë një hap të parë thelbësor drejt realizimit praktik të këtij vizioni. Ai adreson një pyetje me rëndësi kritike për umetikën: Si fillon një Ummet i fragmentuar dhe i pafuqishëm të bashkohet në një forcë të unifikuar të aftë për të formësuar fatin e vet?
Një nga rrugët më strategjike dhe të arritshme drejt qëllimit të unitetit umetik është zhvillimi i asaj që unë do ta quaj “fuqia e butë umetike” si një mjet për të kultivuar ndikimin global përmes kulturës, dijes, ekonomisë dhe udhëheqjes etike. Që të shfaqet uniteti politik, Ummeti duhet së pari të zhvillojë aftësinë e tij për të formësuar narrativat globale, për të ndikuar shoqëritë dhe për të ndërtuar institucione me ndikim që komandojnë respekt dhe autoritet. Ky punim argumenton se fuqia e butë është një element thelbësor për këtë proces, duke shërbyer si themeli mbi të cilin mund të ndërtohet një civilizim islam i drejtë, i qëndrueshëm dhe i begatë. Thënë ndryshe, zhvillimi dhe përdorimi strategjik i fuqisë së butë umetike është një kusht i domosdoshëm për lulëzimin e Ummetit.
Sigurisht, nuk është një kusht i mjaftueshëm; kërkohen edhe elemente të tjera, si nxitja e një ndërgjegjeje umetike, integrimi diskursiv i Ummetit dhe një sferë publike e përbashkët, menaxhimi më i mirë i dallimeve të thella, e të ngjashme.²
Megjithatë, ajo që bie në sy për fuqinë e butë është se ndërsa ndërgjegjja e përbashkët ka aftësinë të integrojë dhe të ndikojë, ajo mbetet e fjetur derisa të mobilizohet. Fuqia e butë përfshin aftësinë për të aktualizuar potencialin për të formësuar sjelljet dhe rezultatet dhe kërkon përdorimin e burimeve të ndryshme të Ummetit në mënyra sistematike dhe strategjike. Strategjia për t’i përkthyer këto burime në ndikim real është qendrore në këtë punim. Pas një teorizimi bazë të konceptit të fuqisë së butë dhe përcaktimit të instancës së tij umetike, thelbi i punimit ofron rekomandime konkrete për veprim të drejtuara ndaj Ummetit global: për të filluar punën e ndërtimit të tetë strukturave bashkëpunuese specifike për fusha të fuqisë së butë umetike, të nevojshme për avancimin, integrimin dhe konsolidimin e Ummetit.
Koncepti i Fuqisë së Butë
Në një epokë ku ndikimi përcaktohet gjithnjë e më shumë nga perceptimi sesa nga detyrimi, fuqia e butë është bërë një mjet themelor për të formësuar dinamikat globale. Shkencëtari politik amerikan Joseph Nye, i cili e prezantoi i pari konceptin, e përkufizon “fuqinë e butë” si “aftësinë për të ndikuar të tjerët për të marrë rezultatet që dëshiron përmes tërheqjes në vend të detyrimit ose pagesës”.³ Ndryshe nga fuqia e ashpër, e cila mbështetet në forcën ushtarake dhe detyrimin ekonomik, fuqia e butë funksionon përmes tërheqjes kulturore, ndikimit ideologjik dhe legjitimitetit diplomatik.
Nga këndvështrimi i shtetit, fuqia e butë operon në aftësinë e tij për të formësuar preferencat dhe sjelljet e shteteve dhe institucioneve të tjera duke e bërë tërheqëse kulturën, vlerat politike dhe politikat e tij të jashtme. Ky ndikim shpaloset përmes një procesi me dy hapa: së pari, fuqia e butë e kombit burimor u bën apel individëve—si publikut të gjerë ashtu edhe elitave me ndikim—në vende të tjera.⁴ Këta individë, të ndikuar nga joshja e idealeve dhe praktikave të kombit burimor, mund të avokojnë ose të mbështesin më pas politika brenda qeverive dhe institucioneve të tyre që përputhen me ato të kombit burimor. Si pasojë, kombi burimor ndikon në mënyrë indirekte në veprimet e qeverive të huaja, jo përmes pagesës apo detyrimit (“karrota apo shkopi”), por përmes fuqisë së tërheqjes dhe bindjes. Ky mekanizëm nënvizon rëndësinë strategjike të fuqisë së butë në marëdhëniet ndërkombëtare, pasi i mundëson një shteti të arrijë rezultate të dëshiruara duke formësuar dinamikat e brendshme të shteteve të tjera përmes tërheqjes kulturore dhe ideologjike.
Veçanërisht, megjithëse nocioni i fuqisë së butë u teorizua fillimisht në kontekstin e shteteve dhe marëdhënieve ndërkombëtare të shteteve, ai mund të përdoret edhe nga aktorë joshtetërorë. Në peizazhin e sotëm global, një gamë e gjerë aktorësh, përfshirë OJQ-të, korporatat, lëvizjet transnacionale dhe rrjetet informale, janë gjithnjë e më të aftë të ushtrojnë fuqi të butë.⁵ Këto burime joshtetërore të fuqisë së butë po bëhen më të rëndësishme në epokën globale të informacionit dhe madje mund të ndryshojnë nga qëllimet e politikës së jashtme zyrtare kombëtare duke shfrytëzuar burimet e tyre të krijimit të narrativës dhe kulturës. Ndërsa shtetet vazhdojnë të mbeten më me ndikim, aftësia për të formësuar preferencat përmes tërheqjes i përket gjithashtu shoqërisë civile, rrjeteve digjitale dhe komuniteteve transnacionale.⁶ Ndërsa mjetet e informacionit dhe komunikimit shumohen, fuqia e butë nuk është më domeni ekskluziv i ministrive dhe diplomatëve—ajo përdoret gjithnjë e më shumë nga oratorët, inovatorët dhe aktivistët përtej kufijve.⁷
Rrjetet e mirë-organizuara të aktorëve joshtetërorë ushtrojnë ndikim si mbi elitat qeverisëse ashtu edhe mbi popujt më të gjerë në të njëjtën mënyrë siç bëjnë shtetet, nëse jo në të njëjtën shkallë. Përmes nismave si programet e shkëmbimit të lidershipit, tërheqjet intelektuale, bursat dhe konferencat transnacionale, këto rrjete mund të formësojnë të menduarit dhe besnikëritë e vendimmarrësve të ardhshëm shumë kohë përpara se ata të marrin pozita pushteti.
Njëkohësisht, aktorët e shoqërisë civile, producentët e medias dhe lëvizjet bazë mund të formësojnë opinionin publik, i cili nga ana tjetër kufizon ose zgjeron zgjedhjet politike në dispozicion të liderëve kombëtarë. Në këtë mënyrë, rrjetet e organizuara joshtetërore nuk plotësojnë thjesht diplomacinë zyrtare—ato përcaktojnë gjithnjë e më shumë mjedisin kulturor dhe ideologjik brenda të cilit farkëtohet politika.
Përcaktimi i fuqisë së butë umetike
Për botën myslimane, e cila është përballur me fragmentim politik dhe margjinalizim gjeopolitik në epokën moderne, fuqia e butë përfaqëson një pikënisje për zhvillimin e fuqisë globale.⁸
Historikisht, civilizimi islam ushtroi ndikim të pamasë jo vetëm përmes pushtimeve ushtarake, por edhe përmes fuqisë së butë të dijes, kulturës dhe vlerave, duke formësuar shoqëri nga Afrika Perëndimore në Azinë Juglindore. Sot, sfida qëndron në ri-pohimin e një pranie të koordinuar umetike në peizazhin global të fuqisë së butë.
Kjo kërkon një qasje që e integron Ummetin “horizontalisht” duke nxitur bashkëpunimin midis gjeografive brenda fushave kyçe, dhe “vertikalisht” duke lidhur masat dhe elitën brenda këtyre shoqërive me një vizion të përbashkët umetik të ripërtëritjes civilizuese islame.
Në këtë kontekst, pyetja se kush e përdor fuqinë e butë—në emër të kujt dhe mbi kë—bëhet qendrore. Fuqia e butë, kur është e bazuar në një kornizë umetike, duhet të përdoret nga ata individë, institucione dhe rrjete që e shohin veten si kujdestarë (amāna-holders) të trashëgimisë morale, intelektuale dhe shpirtërore të Ummetit. Këta janë Myslimanë të Fuqizuar Globalisht (GEMs) që përfshijnë studiues, artistë, edukatorë, diplomatë, sipërmarrës dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile, besnikëria e të cilëve nuk qëndron te interesat parokiale shtetërore apo klikat elitare, por te misioni etik dhe civilizues i Islamit.⁹ Fuqia e tyre e butë ushtrohet në favor të Ummetit si një e tërë: për të mbrojtur kauzat e tij, për të mbrojtur shenjtëritë e tij, për t’i dhënë zë të heshturve të tij dhe për të avokuar për më të cenuarit e tij—qoftë në Gaza, Kashmir, Xinjiang, apo në lagjet e varfra të qyteteve perëndimore.
Kjo fuqi e butë vepron, para së gjithash, mbi vetë Ummetin, duke ndikuar në idetë, kornizat e të menduarit, aspiratat dhe zgjedhjet e atyre që mbajnë pushtet e burime, si dhe publikun e gjerë, përveç miqve dhe armiqve të tij. Ky vizion i fuqisë së butë nuk është thjesht reaktiv apo mbrojtës, por gjenerues: ai krijon alternativa, ndërton kapacitete, zbut dallimet e brendshme, mobilizon burime dhe e paraqet Islamin si një horizont moral të gjallë për njerëzimin. Ai i reziston si dominimit të epistemeve të huaja ashtu edhe kalbjes së brendshme të sektarizmit, nacionalizmit dhe konfuzionit moral. Në këtë kuptim, fuqia e butë bëhet jo vetëm një mjet strategjik, siç është pa dyshim brenda kornizës së saj origjinale neoliberale, por një amanet i shenjtë—një instrument mëshire, qëndrueshmërie dhe ripërtëritjeje në shërbim të Ummetit global.
Fuqia e butë umetike mund të përkufizohet kështu si aftësia e Ummetit për të ndikuar në sjelljet, normat dhe politikat globale përmes tërheqjes morale dhe kulturore të vlerave islame dhe parimeve etike. Ky ndikim ushtrohet kryesisht nga grupe vetë-organizuese të GEM-ve të cilët janë proaktivë në përdorimin e rrjeteve të tyre globale për të promovuar politika dhe sjellje umetike te masat dhe elitat. Në këtë kuptim, qëllimi i fuqisë së butë umetike nuk është thjesht të transmetojë ide apo të formësojë opinionin publik, por të ndikojë në rezultate konkrete sjelljeje që avancojnë integrimin etik dhe politik të Ummetit.
Për elitat, rezultati i synuar i sjelljes është adoptimi i politikave që i shërbejnë interesave kolektive të Ummetit, kështu promovojnë qeverisjen etike të rrënjosur në parimet islame dhe kontribuojnë në integrim më të thellë nëpër fushat politike, ekonomike e socio-kulturore. Elitat që veprojnë sipas politikave të tilla bëhen agjentë të integrimit umetik, duke marrë legjitimitet si nga populli i tyre ashtu edhe nga autoriteti moral i Islamit. Për popullin e gjerë, fuqia e butë umetike kërkon të kultivojë shprehje të gjalla të etikës islame te individët dhe komunitetet, sjellja, angazhimet dhe kreativiteti i të cilëve pasqyrojnë vizionin moral të Islamit. Një mishërim i tillë publik bëhet vetë një lloj “da’we e fuqisë së butë”, duke tërhequr të tjerët përmes bukurisë dhe koherencës së dukshme të një jete të formuar nga Islami. Përveç kësaj, komunitetet myslimane thirren të refuzojnë narrativat përçarëse, qofshin ato sektare, etnike apo nacionaliste, dhe të adoptojnë e promovojnë diskurse integruese që përforcojnë unitetin dhe përgjegjësinë e ndërsjellë të Ummetit. Sjellja e tyre përafruese, kur është e përhapur, krijon presion nga poshtë-lartë mbi elitat dhe mban ekosistemin moral në të cilin mund të lulëzojnë politikat umetike.
Ndikimi i Fuqisë së Butë mbi Fuqinë e Ashpër
Fuqia e ashpër e minon në mënyrë rutinore dhe të dukshme fuqinë e butë. Shkatërrimi i universiteteve dhe objekteve kulturore, burgosja e zërave pro-palestinezë dhe censurimi i narrativave kundërshtuese janë të dukshme në mediat tona sociale—një kujtesë e kthjellët se si forca mund t’i shtypë ose shtrembërojë themelet e ndikimit. Por kjo marëdhënie lëviz edhe në drejtimin tjetër. Fuqia e butë mund të formësojë vendimet e elitave qeverisëse që përdorin fuqinë e ashpër duke ndikuar se si ata e perceptojnë botën dhe prandaj çfarë politikash zgjedhin të ndjekin. Në shoqëritë ku aktorët joshtetërorë kanë njëfarë hapësire për të vepruar, forca e kombinuar e medias, arsimit, diskursit fetar dhe mesazheve publike mund të ndryshojë gradualisht tonin e jetës politike. Kur ndjenja publike fillon të ndryshojë, bëhet më e vështirë për politikëbërësit të injorojnë pritshmëritë e reja. Edhe qeveritë që janë rezistente ndaj presionit të jashtëm mund ta gjejnë veten duke përshtatur kursin për të ruajtur besueshmërinë dhe kontrollin.
Në mjedise më të mbyllura politike ku shoqëria civile është e kufizuar, fuqia e butë merr forma më delikate—duke operuar jo përmes diskursit publik, por brenda qarqeve elitare, rrjeteve private dhe formimit afatgjatë kulturor e relacional. Në këto kontekste, shtetet mund të përpiqen t’i kontrollojnë mjetet e fuqisë së butë, duke e paraqitur propagandën si patriotizëm ose represionin si stabilitet. Megjithatë, edhe në këto kushte, burimet e fuqisë së butë mbeten të pranishme. Ato dalin në sipërfaqe në letërsi, në mentorim, në punën e qetë të studiuesve, artistëve dhe organizatorëve. Aty ku ende nuk mund të ndryshojnë sjelljen e shtetit, ato ende forcojnë qartësinë morale dhe vendosmërinë kolektive. Në këtë mënyrë, fuqia e butë mund të vazhdojë të operojë, edhe përballë kufizimeve të rënda politike.¹⁰
Praktikisht, Ummeti sot jeton nën një mozaik rendesh politike, secili i formuar nga histori, gjeografi dhe yjësi të ndryshme pushteti. Brenda këtyre konteksteve të larmishme jetojnë pragje të ndryshme mundësish: disa rajone lejojnë hapësira modeste për shoqërinë civile dhe nismën e pavarur; të tjera i shtypin këto hapësira nën peshën e urdhrit autoritar ose varësisë së huaj, ose të dyjave. Megjithatë, nëpër këtë peizazh të thyer, farat e fuqisë së butë umetike vazhdojnë të ekzistojnë, ndonëse të shpërndara dhe të pa-koordinuara. Nga rrjetet lokale të vakëfeve te platformat mediatike, nga institucionet akademike te korridoret humanitare, infrastruktura e ndikimit është tashmë në lëvizje, ndonëse ende jo e harmonizuar. Ajo që nevojitet është një diagnozë rajon-pas-rajoni që i njeh këto kufizime dhe hapje të ndryshme, dhe harton strategji të përshtatura për të kultivuar fuqi të butë që mund të angazhohet në mënyrë kuptimplote dhe përfundimisht të ri-formësojë realitetet e fuqisë së ashpër që përcaktojnë gjendjen aktuale të Ummetit.
Objektivi përfundimtar i fuqisë së butë umetike në angazhimin e elitave qeverisëse është të ndikojë në rezultatet e sjelljes që promovojnë dhe zbatojnë politika të përafruara me një integrim më të madh umetik. Ky ndikim drejtohet drejt ndryshimeve të zbatueshme të politikave dhe përafrimit operacional të strukturave rajonale të qeverisjes. Për shembull, këto rrjete mund të kërkojnë të bindin elitat të adoptojnë politika që mundësojnë integrimin, si ulja e tarifave, liberalizimi i vizave dhe investimet e përbashkëta në infrastrukturë. Ato gjithashtu mund të inkurajojnë pjesëmarrjen në institucione transnacionale—qoftë në financa, media apo etikë—të cilat mund të ankorojnë qeverisjen bashkëpunuese nëpër shoqëritë me shumicë myslimane. Përveç kësaj, ato mund të synojnë të sigurojnë reforma ligjore dhe administrative që lehtësojnë bashkëpunimin ndërkufitar midis institucioneve islame. Së bashku, këto përpjekje mund të punojnë drejt një qëllimi strategjik: zhvillimin e kushteve për integrimin dhe unifikimin e Ummetit në një bllok më koheziv politik, ekonomik dhe civilizues.
Një kualifikim është i nevojshëm këtu: ndërsa fuqia e butë mbart potencial të pamasë për ndryshim përmes formësimit të perceptimeve, ndikimit të elitave dhe krijimit të kushteve të favorshme për ndryshim, ajo gjithashtu përballet me kufizime të qenësishme kur operon pa mekanizmat zbatues dhe aftësitë detyruese të fuqisë së ashpër, si forca ushtarake, autoriteti ligjor dhe kapaciteti qeverisës. Ndryshimi shoqëror transformues që kërkon Ummeti nuk mund të mbështetet vetëm te tërheqja dhe bindja; ai kërkon integrimin strategjik të fuqisë së butë dhe të ashpër për të arritur ndikim të qëndrueshëm—një sinergji e përshkruar si “fuqi inteligjente”.¹¹ Megjithatë, edhe në mungesë të një leve të menjëhershme të fuqisë së ashpër, fuqia e butë mund të arrijë progres të konsiderueshëm duke ndërtuar qartësi morale, duke forcuar vendosmërinë kolektive dhe duke ndryshuar gradualisht peizazhin politik dhe kulturor. Përmes kultivimit të vazhdueshëm të vlerave, koalicioneve dhe udhëheqjes intelektuale, fuqia e butë shtron terrenin thelbësor për transformimin përfundimtar strukturor, duke e bërë atë një themel të domosdoshëm në luftën më të gjerë për integrimin dhe unitetin e Ummetit.
Bashkëpunimet e Fuqisë së Butë umetike (CUSPs)
Përkthimi i këtij vizioni për zhvillimin dhe rritjen e fuqisë së butë umetike në ndikim të qëndrueshëm global kërkon koordinim strategjik përmes mekanizmave të strukturuar por fleksibël. Kjo kërkon krijimin e asaj që mund ta quajmë “bashkëpunimet e fuqisë së butë umetike” (CUSPs)—rrjete transnacionale e të decentralizuara të cilat shërbejnë si nyje operacionale të dizajnuara për të shfrytëzuar aftësitë e ndryshme të Ummetit global dhe për t’i kanalizuar ato drejt formësimit të narrativave, politikave dhe normave globale.¹²
Këto bashkëpunime duhet të jenë umetike në orientim, të rrënjosura në traditën islame dhe të formuara si një shprehje kolektive e vullnetit të Ummetit, jo të detyruara nga interesa fisnore, kombëtare apo fraksionale. Ato nuk janë projekte laike me synime thjesht botërore, por përpjekje me peshë morale dhe qëllim fetar, të ndërmarra në bindje ndaj Allahut dhe në shërbim të urdhrit të Tij për të urdhëruar të mirën, për të folur të vërtetën dhe për të ndërtuar një rend të drejtë. Për këtë arsye, ilmi (dija) duhet të ankorojë çdo aspekt të punës së tyre, dhe ulematë si bartës të traditës shkencore islame duhet të kenë një rol udhëheqës në sigurimin e integritetit të tyre epistemik dhe etik. Prania e tyre do të jetë thelbësore jo vetëm për të formësuar karakterin umetik (të orientuar nga Ummeti) të çdo CUSP-i, por edhe për proceset e tij të brendshme të reflektimit, korrigjimit dhe ripërtëritjes.
Së bashku me orientimin umetik, struktura e decentralizuar e CUSP-ve siguron vazhdimësi dhe qëndrueshmëri afatgjate, duke parandaluar varësinë nga ndonjë institucion apo autoritet i vetëm. Ato duhet të jenë përfaqësuese të gjeografisë së gjerë dhe sektorëve të ndryshëm të Ummetit, duke lejuar përfshirjen e njohurive të veçanta rajonale, ekspertizës profesionale dhe pasurisë linguistike-kulturore. Përveç kësaj, CUSP-et duhet të forcohen me një frymë bashkëpunimi. Në vend që të shmangin mosmarrëveshjet, këto bashkëpunime duhet të jenë në gjendje të menaxhojnë dallimet e thella në mënyrë ekumenike duke adoptuar procedura gjithëpërfshirëse dhe metoda parimore diskutimi që lejojnë ihtilāf-in (dallimin legjitim) ndërsa ruajnë qëllimin kolektiv dhe respektimin e etikës dhe ligjit islam. Së fundi, për t’u mbrojtur nga devijimi i misionit apo kooptimi, CUSP-et duhet të dizajnohen për të qenë vetë-korrigjuese. Mekanizmat e brendshëm për reflektim dhe llogaridhënie duhet të ndërtohen në strukturën e tyre, duke u mbështetur si në diskutimin etik ashtu edhe në rishikimin shkencor.
E gjithë kjo është më lehtë të thuhet sesa të bëhet. Koordinimi vullnetar midis individëve, organizatave dhe rrjeteve të ndryshme është kompleks dhe sfidues. Dallimet në prioritete, mendime dhe kontekste rajonale mund të pengojnë bashkëpunimin, dhe ruajtja e besimit dhe llogaridhënies kërkon përpjekje të vazhdueshme. Bashkëpunimi efektiv kërkon struktura pragmatike qeverisjeje dhe menaxhim konfliktesh për të lundruar mosmarrëveshjet pa thyer unitetin. Pranimi dhe adresimi i këtyre sfidave është thelbësor për ta bazuar vizionin e CUSP-ve në realitete praktike, jo në mendime dëshirash. Megjithatë, të tjerët kanë treguar rezultate të rëndësishme nga koordinimi i mirë-organizuar. Nëse ata mund ta bëjnë, myslimanët, të motivuar nga detyrimi hyjnor dhe të ndihmuar nga lehtësimi hyjnor (tevfīk), duhet të bëjnë më mirë.
Këto CUSP-e do të shërbejnë katër funksione kyçe: (1) përcaktimin e qëllimeve strategjike në sektorët e tyre përkatës, të rrënjosura në imperativat etike të Islamit dhe nevojat e Ummetit global; (2) vlerësimin e peizazhit aktual të fuqisë së butë umetike për të identifikuar mundësitë dhe boshllëqet; (3) hartimin e rekomandimeve dhe ndërhyrjeve të zbatueshme; dhe (4) nxitjen e rrjeteve të besimit dhe bashkëpunimit midis individëve dhe institucioneve të angazhuara për ripërtëritjen umetike. Duke i institucionalizuar këto bashkëpunime, Ummeti mund të fillojë të veprojë me koherencë strategjike, duke projektuar një prani morale dhe intelektuale në skenën globale që është e vetë-gjeneruar dhe e mbështetur nga forca e vet e brendshme, në vend që të jetë e varur nga shtetet-kombe apo vërtetimi i jashtëm.¹³
Kategoritë e Fuqisë së Butë: Një kornizë për strategjinë umetike
Fuqia e butë umetike kuptohet më mirë jo si një koleksion sektorësh të izoluar, por si një arkitekturë me shtresa që përfshin tre nivele: themeli, formulimi dhe projektimi. Ajo fillon me themelin: një botëkuptim i bazuar në shpalljen hyjnore, parimet etike dhe identitetin e përbashkët. Nga aty, ajo kalon te formulimi, ku ky botëkuptim përkthehet në gjuhën e institucioneve, i manifestuar në ligj, arsim, ekonomi dhe mirëqenie publike. Së fundi, ajo arrin te projektimi, domeni i shpërndarjes, ku idetë komunikohen midis komuniteteve dhe kufijve përmes medias, narrativës dhe teknologjisë.
Në këtë strukturë, ne dallojmë midis fuqisë së butë potenciale—tërheqja e brendshme e kuptimeve ose institucioneve islame—dhe fuqisë së butë aktuale, e cila lind vetëm kur ajo tërheqje frymëzon admirim, imitim ose përafrim. Fuqia e butë, pra, nuk është thjesht prania e kuptimit—ajo është kuptim që lëviz, ri-formëson perceptimet dhe përfundimisht transformon sjelljen nëpër shoqëri e shtete.
Për të kaluar nga fuqia e butë potenciale në atë aktuale, Ummeti duhet ta paraqesë Islamin jo vetëm si të vërtetë, por si të bukur, funksional dhe çlirues në jetën e individëve dhe shoqërive. Tetë kategoritë e mëposhtme—feja; kultura, artet dhe sportet; ligji; arsimi dhe aktiviteti intelektual; ekonomia dhe biznesi; kujdesi shëndetësor dhe puna humanitare; media dhe narrativa; dhe teknologjia dhe IA—përfaqësojnë arena kyçe përmes të cilave fuqia e butë umetike mund të kultivohet, drejtohet dhe mobilizohet. Secila luan një rol unik në formësimin e perceptimeve, ndikimin e vendimeve dhe tërheqjen e zemrave e mendjeve—si midis masave ashtu edhe elitave myslimane.¹⁴
1. Feja
Fuqia e butë fetare është burimi themelor nga i cili rrjedh e gjithë fuqia e butë umetike. Islami nuk është thjesht një grup vlerash universale apo ndjenjash shpirtërore. Është një mënyrë gjithëpërfshirëse e jetës (dīn) që përshkon çdo sferë të aktivitetit njerëzor. Ai ofron një botëkuptim koherent, një sistem detyrues etik dhe një kornizë ligjore e morale të shpallur hyjnorisht që qeveris sjelljen individuale, marrëdhëniet shoqërore, dizajnin institucional dhe çështjet ndërkombëtare. Ajo që e dallon fuqinë e butë umetike nga modelet laike apo neoliberale është bazimi i saj jo vetëm te idealet politike, “interesi kombëtar” apo tërheqja kulturore, por te shpallja hyjnore. Kur praktikohet në mënyrë autentike, Islami i tërheq njerëzit përmes qartësisë së tij morale dhe integritetit shpirtëror, ndërsa gjithashtu i udhëheq sundimtarët me kufizime etike dhe legjitimitet fetar. Fuqia e butë fetare animon çdo fushë tjetër të ndikimit umetik—ajo i jep qëllim moral arsimit, kufij etikë medias, drejtësi ligjit dhe një telos orientues teknologjisë dhe ekonomisë. Pa të, projekti rrezikon të bëhet teknik apo pa shpirt; me të, çdo fushë bëhet një akt adhurimi, një formë da’weje dhe një kontribut në mandatin umetik të të qëndruarit dëshmitar ndaj njerëzimit.¹⁵
2. Kultura, artet & sportet
Feja siguron themelin normativ, duke ofruar një botëkuptim të shpallur në mënyrë hyjnore që përfshin ligjin, etikën, qëllimin dhe llogaridhënien përfundimtare. Ajo është burimi i legjitimitetit, kuptimit dhe koherencës në të gjitha sferat e jetës. Kultura, përkundrazi, është shprehja e mishëruar e atij botëkuptimi, duke treguar se si udhëzimi hyjnor jetohet dhe transmetohet përmes estetikës, sjelljes dhe simbolizmit. Shprehja kulturore u jep formë dhe emocion vlerave fetare përmes letërsisë, artit, kinemasë, arkitekturës dhe sporteve. Civilizimet prej kohësh e kanë shtrirë ndikimin e tyre duke eksportuar histori dhe simbole tërheqëse, siç shihet në ndikimin global të Hollivudit apo medias së Koresë së Jugut. Në kontekstin e Ummetit, prodhimet kulturore si dramat historike turke si Diriliş Ertuğrul kanë ringjallur ndërgjegjen historike dhe kanë ofruar alternativa të fuqishme ndaj narrativave dominuese perëndimore.¹⁶
Atletët myslimanë që mishërojnë disiplinën, përulësinë dhe devotshmërinë shpesh bëhen simbole të përsosmërisë etike në arenën globale. Muhamed Ali mbetet një nga shembujt më ikonikë, duke përdorur platformën e tij jo vetëm për të folur kundër padrejtësisë, por për ta përfaqësuar hapur Islamin para botës. Më së fundmi, figura si Khabib Nurmagomedov në artet marciale të përziera dhe Sadio Mané në futboll kanë tërhequr vëmendjen globale përmes besimit të tyre të pa-kompromis, integritetit dhe shërbimit.¹⁷ Sjellja e tyre sfidon stereotipet mbizotëruese dhe ofron një portret bindës të asaj se çfarë do të thotë të jesh si mysliman ashtu edhe konkurrent në nivelin më të lartë. Për Ummetin, dallimi midis fesë dhe kulturës ka një rëndësi të thellë: pa fe, kultura rrezikon të bëhet e pa-ankoruar ose e komodifikuar. Një strategji e qëllimshme kulturore e bazuar në etikën islame mund të gjenerojë një ekosistem global të tregimtarisë, estetikës dhe performancës artistike që i bën angazhimet e Islamit të dukshme, tërheqëse dhe transformuese në imagjinatën globale.
3. Ligji
Ndryshe nga dy kategoritë e mëparshme, ligji i përket grupit të fushave profesionale përmes të cilave botëkuptimi islam manifestohet nëpër institucione dhe jetën publike. Tradita ligjore islame nuk është thjesht një kod fetar për jetën private. Është një sistem gjithëpërfshirës etiko-ligjor që ka qeverisur dhe formësuar civilizimin islam dhe vazhdon të ofrojë një model thellësisht rezonues për të rregulluar jetën publike sot.
Për juristët dhe studiuesit ligjorë islam, fuqia e butë ligjore hap hapësirën për të rimarrë udhëheqjen e mendimit mbi çështjet e ligjit dhe drejtësisë, si në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar. Në nivel vendor, fuqia e butë ligjore umetike është artikulimi i një mënyre jetese që pasqyron angazhimet e bazuara në besim të Ummetit. Ligji bëhet një mjet për të përafruar jetën e përditshme me qëllimin hyjnor, qoftë në çështjet e statusit personal, tregtisë, qeverisjes apo sjelljes ndërkombëtare. Sondazh pas sondazhi konfirmon se myslimanët në vendet e Azisë, Afrikës dhe Lindjes së Mesme mbështesin në masë dërrmuese korniza ligjore të bazuara në besim të rrënjosura në traditën e tyre fetare.¹⁸ Ndërkombëtarisht, ka nevojë për artikulim parimor të kornizave ligjore islame që adresojnë sfidat bashkëkohore si migrimi, pabarazia ekonomike, lufta dhe të drejtat digjitale, jo vetëm për myslimanët, por si kontribute në debatet globale ligjore e etike. Ky është testi i vërtetë i fuqisë së butë: kur arsyetimi islam jo vetëm tolerohet, por kërkohet, jo vetëm i njohur, por formues në formësimin e normave globale.
Për profesionistët ligjorë myslimanë, veçanërisht në fushën e së drejtës ndërkombëtare, ka dy rrugë plotësuese për të përdorur fuqinë e butë ligjore umetike. Së pari, ata mund të fusin logjika islame në diskursin më të gjerë ligjor. Kjo zgjeron peizazhin normativ të së drejtës ndërkombëtare dhe sfidon kufijtë e saj laikë. Së dyti, ata mund të operojnë brenda kornizave ekzistuese ligjore laike me integritet dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, duke ekspozuar kështu kontradiktat dhe hipokrizitë e atyre sistemeve. Rasti i gjenocidit të Afrikës së Jugut kundër Izraelit në GJND është një shembull i habitshëm.¹⁹ Sfida ligjore, e udhëhequr pjesërisht nga avokatë myslimanë të Afrikës së Jugut, nuk e përmendi drejtpërdrejt Islamin. Megjithatë, ajo pasqyronte vlerat islame të drejtësisë, mbrojtjes së jetës dhe llogaridhënies. Duke bërë kështu, ajo i ktheu mjetet e së drejtës ndërkombëtare kundër zbatuesve të tyre selektivë, duke zbuluar zbrazëtinë e normave “universale” kur zbatohen në mënyrë të pabarabartë. Kur myslimanët demonstrojnë se ata jo vetëm mund të lundrojnë, por edhe të formësojnë nivelet më të larta të diskursit ligjor, tradita ligjore e Islamit rishfaqet si një zë serioz civilizues i aftë për të ndikuar se si bota e përcakton vetë drejtësinë.
4. Arsimi dhe aktiviteti intelektual
Fuqia e butë arsimore dhe intelektuale është një kanal kyç përmes të cilit botëkuptimi i Islamit formëson si koherencën e brendshme brenda Ummetit ashtu edhe ndikimin e jashtëm në mendimin global. Kjo fushë shtrihet përtej institucioneve të të mësuarit në projektin më të thellë të prodhimit të dijes—zhvillimin e kornizave konceptuale, fushave të kërkimit dhe zhanreve të analizës që pasqyrojnë traditën intelektuale islame dhe rezonojnë përtej saj.
Për komunitetet myslimane, arsimi i rrënjosur në këtë paradigmë kultivon një angazhim për kontribut civilizues dhe një ndjenjë të thellë të përgjegjësisë kolektive. Qëllimi i tij është të kultivojë individë që gjenerojnë dhe zbatojnë dijen në shërbim si të Ummetit ashtu edhe të njerëzimit në përgjithësi. Kurrikulat e formuara nga ky vizion i përgatisin myslimanët të kontribuojnë në të gjitha disiplinat si mendimtarë inovativë me baza morale. Për studiuesit, akademikët dhe edukatorët myslimanë, detyra qendrore është të udhëheqin këtë projekt epistemik. Roli i tyre është të ruajnë dijen e trashëguar, si dhe të ndërtojnë fusha dhe metoda të reja kërkimi që janë si besnike ndaj Islamit ashtu edhe relevante për sfidat bashkëkohore. Qëllimi është të prodhohen ide dhe korniza që formësojnë zhvillimin e brendshëm të Ummetit, ndërkohë që fitojnë rëndësi në diskursin global akademik dhe politik. Kjo përfshin avancimin si të themeleve teorike ashtu edhe të njohurive praktike të nevojshme për nxitjen e solidaritetit umetik dhe integrimit politik, ekonomik dhe intelektual.
Një nga rezultatet afatgjata të këtij ekosistemi të dijes është formimi i një klase kontribuese myslimanësh, të cilët dalin nga ky mjedis intelektual të pajisur për t’i shërbyer Ummetit dhe njerëzimit. Midis tyre janë ata që bëhen elita të ardhshme: diplomatë, teknokratë, edukatorë dhe liderë mendimi që mbartin botëkuptimin e Islamit në institucionet që formësojnë jetën publike.
Sot, sfida është të rivendoset një rrjet i integruar i universiteteve, instituteve kërkimore dhe qendrave të dijes umetike, të afta për të avancuar kontributet intelektuale islame në sfidat moderne globale, nga etika e IA-së te ekonomia politike.
Në këtë përpjekje, programet e shkëmbimit dhe bursat funksionojnë si instrumente të fuqisë së butë, duke ndërtuar marrëdhënie afatgjata me elitat e ardhshme, duke transmetuar paradigma dhe duke kultivuar një përafrim transnacional të rrënjosur në një vizion të përbashkët.
5. Ekonomia dhe biznesi
Vlera strategjike e fuqisë së butë ekonomike qëndron në nxitjen e bashkëpunimit dhe kapacitetit nëpër shoqëritë myslimane, si dhe në ofrimin e një alternative parimore ndaj paradigmave dominuese globale. Kjo detyrë i bie një brezi të ri ekonomistëve, investitorëve dhe liderëve myslimanë të biznesit. Bashkëpunimi i tyre me studiuesit dhe institucionet arsimore duhet të sjellë jo vetëm modele teknike, por një botëkuptim ekonomik bindës të rrënjosur në llogaridhënien hyjnore dhe tokësore, kujdesin e ndërsjellë, ndjeshmërinë ekologjike dhe përmbajtjen. Kur jetohet me integritet, ky vizion bëhet një burim autoriteti moral dhe admirimi publik.
Në nivel qeveritar, këta aktorë duhet të bëjnë presion për ndryshime politikash që afirmojnë parimet ekonomike islame. Kur këto propozime paraqiten me rigorozitet teknik dhe qartësi morale, ato u mundësojnë shteteve të përafrohen me vlerat umetike pa sakrifikuar zhvillimin. Mes masave, figura e biznesmenit etik mysliman—transparent, bujar, me themel shpirtëror—duhet të jetë një simbol global i integritetit ekonomik. Nëpër kultura, këta shembuj demonstrojnë se parimet islame nuk janë pengesa për suksesin, por themeli i tij. Duke e ankoruar ekonominë në universin moral të Islamit, fuqia e butë ekonomike umetike e bën ndjekjen e pasurisë një rrugë drejt integrimit, jo shpërbërjes.
6. Kujdesi shëndetësor dhe puna humanitare
Ruajtja e jetës njerëzore është ndër objektivat (mekāsid) të Sheriatit. Brenda traditës islame, dinjiteti i jetës nuk është thjesht një aspiratë morale, por një përparësi juridike dhe teologjike që bazon legjitimitetin e veprimit shoqëror, politik dhe institucional. Në kontekstin e fuqisë së butë umetike, ky parim ofron një themel bindës për bashkëpunimin ndërkufitar në ofrimin e kujdesit shëndetësor dhe ndihmës humanitare. Ai gjithashtu siguron një narrativë thellësisht rezonuese përmes së cilës Ummeti mund të projektojë autoritet etik si brenda ashtu edhe globalisht.
Ushtrimi i fuqisë së butë në këtë fushë mbështetet në rrjetet transnacionale të mjekëve, ekspertëve të shëndetit publik, organizatave të ndihmës dhe avokatëve të politikave, të cilët janë të angazhuar ndaj imperativit kuranor për të mbrojtur jetën dhe për të lehtësuar vuajtjet. Puna e tyre demonstron zbatimin praktik të etikës islame në kushte krize dhe kufizimesh. Institucione të njohura ndërkombëtarisht si Mjekët pa Kufij (Médecins Sans Frontières) kanë ilustruar prej kohësh se si aktorët mjekësorë joshtetërorë mund të ushtrojnë fuqi të butë të konsiderueshme duke i dhënë përparësi mbrojtjes së dinjitetit të jetës njerëzore. Punonjësit myslimanë të kujdesit shëndetësor janë shfaqur gjithashtu si simbole të fuqishme të angazhimit etik, veçanërisht ata që vunë në rrezik vetë jetën e tyre për t’u kujdesur për të plagosurit në Gaza gjatë gjenocidit aktual. Veprimet e tyre u bënë një formë dëshmie morale, duke ofruar një kontrast të ashpër me heshtjen gjeopolitike të shumë shteteve dhe duke ri-formësuar perceptimet globale mbi rreziqet etike në konflikt.
Në nivelin e elitave qeveritare, aktorët umetikë të kujdesit shëndetësor dhe humanitar mund të ndikojnë në politikë duke (1) demonstruar fizibilitetin e infrastrukturës mjekësore bashkëpunuese dhe (2) duke vendosur pritshmëri normative në lidhje me përgjegjësinë e shtetit për të mbrojtur jetën përtej kufijve. Këto nisma përfshijnë avokimin për prokurim të përbashkët farmaceutik, protokolle të koordinuara të reagimit emergjent dhe partneritete ndërkufitare të arsimit mjekësor. Prania e ndërhyrjeve efektive e të drejtuara nga vlerat ushtron presion mbi qeveritë për të mbështetur ose përsëritur këto përpjekje, veçanërisht kur admirimi publik për aktorë të tillë është i lartë.
7. Media dhe narrativa
Media dhe narrativa nisin nivelin e tretë të fuqisë së butë umetike: infrastrukturën e projeksionit përmes së cilës botëkuptimi islam dhe shprehja institucionale komunikohen midis komuniteteve, brezave dhe gjeografive. Nëse feja dhe kultura formojnë bërthamën, dhe profesionet e artikulojnë këtë bërthamë në botë, media përcakton se kush e dëgjon, e sheh dhe e kujton atë. Ajo nuk është një aksesor i pushtetit, por një vektor parësor përmes të cilit formohen legjitimiteti, identiteti dhe imagjinata.
Ndryshe nga kontrolli i centralizuar i medias shtetërore të trashëguar, fuqia e butë umetike në këtë fushë duhet të ndërtohet përmes rrjeteve të decentralizuara por bashkëpunuese të producentëve të përmbajtjes, gazetarëve, strategëve dhe tregimtarëve. Këto mund të përfshijnë studio të prodhimit narrativ që krijojnë përmbajtje filmash e dokumentarësh; platforma të pavarura lajmesh dhe analizash që ofrojnë korniza gjeopolitike e etike; qendra podkastesh që thellojnë formimin ideologjik; institute trajnimi mediatik që formojnë komunikues të drejtuar nga vlerat; dhe platforma digjitale që anashkalojnë infrastrukturat armiqësore për të përforcuar zërat myslimanë. Çdo organizatë funksionon në mënyrë të pavarur, por përafrohet me një vizion të përbashkët umetik të bazuar në etikën islame dhe ripërtëritjen civilizuese.
Kornizimi narrativ përcakton fjalorin moral të politikëbërjes: kur një rrethim quhet gjenocid, kur rezistenca paraqitet si dinjitet, kur pushtimi përkufizohet në terma kuranorë, peizazhi politik ndryshon. Elitat jo vetëm që vihen nën presion nga ndjenja publike, por mbahen gjithnjë e më shumë përgjegjëse ndaj kornizave morale që normalizojnë ekosistemet mediatike. Për masat, media formëson përkatësinë, aspiratën dhe qartësinë morale. Ajo kundërshton komplekset e inferioritetit, minon narrativat sektare dhe ndërton një imagjinatë të përbashkët në të cilën Ummeti nuk është thjesht reaktiv, por i angazhuar në mënyrë krijuese me botën. Në këtë mënyrë, tregimtari, gazetari apo kineasti etik mysliman bëhet një arketip i ri umetik.
8. Teknologjia & IA
Ndërsa diskursi modern shpesh e paraqet përparimin shkencor si një proces pa vlera, ai në fakt udhëhiqet nga supozime themelore—për qëllimin, vlerën dhe gjendjen njerëzore. Nën kapitalizëm, logjika dominuese i ka dhënë përparësi inovacionit si një mjet për kontroll, nxjerrje dhe fitim, shpesh i shkëputur nga kufizimet etike apo drejtimi metafizik. Në të kundërt, një paradigmë islame e kërkimit shkencor dhe zhvillimit teknologjik është e rrënjosur në parimin e hilāfes dhe ibādes, ndjekja e dijes për botën me qëllim që t’i shërbejmë më mirë Krijuesit tonë si kujdestarët e Tij në tokë.
Fuqia e butë umetike në këtë fushë duhet prandaj të avancojë jo thjesht shtimin e etikës në sistemet ekzistuese, por zhvillimin dhe normalizimin e kornizave intelektuale islame që informojnë se si pyetjet shkencore e teknologjike bëhen, interpretohen dhe operacionalizohen. Kjo përfshin qasje ndaj kujdestarisë mjedisore, bioteknologjisë, qeverisjes së të dhënave dhe inteligjencës artificiale. Në çdo rast, pyetja nuk është thjesht “çfarë mund të bëhet”, por “çfarë duhet të bëhet”, dhe me kushtet e kujt dhe për çfarë qëllimesh.
Në nivelin më praktik, fuqia e butë umetike kërkon krijimin e një infrastrukture të pavarur teknologjike—një Ummatic Tech Stack të decentralizuar—të aftë për t’i shërbyer nevojave të komunikimit, sigurisë, të dhënave dhe dijes së Ummetit global. Sot, çdo shtresë e varësisë teknologjike, nga shtresa fizike te shtresa e aplikacioneve, qëndron në shtete që drejtpërdrejt ose tërthorazi kanë mundësuar ose justifikuar shkatërrimin e jetës dhe kërkojnë të mbyllin gojën e zërave që flasin kundër padrejtësisë. Këto sisteme shtypin zërat kritikë ose shembin rrjete të tëra në momentin e nevojës më të madhe.²⁰ Një strategji e besueshme e fuqisë së butë kërkon ndërtimin e një infrastrukture digjitale të sigurt e sovrane, e cila udhëhiqet nga vlerat islame dhe është elastike përballë detyrimit të jashtëm.
Në fushën e inteligjencës artificiale, rreziqet janë po aq të larta. Sistemet e IA-së qeverisin gjithnjë e më shumë perceptimin, aksesin, vendimmarrjen dhe madje edhe zbatimin e ligjit. Pa përfshirjen proaktive të kornizave etike islame, këto teknologji thjesht do të riprodhojnë dhe përshpejtojnë modelet globale të shfrytëzimit dhe erozionit moral. Fuqia e butë umetike duhet prandaj të operojë në tre fronte: (1) zhvillimin e perspektivave thelbësore islame mbi etikën e IA-së; (2) ndikimin e diskursit global në mënyrë që këto perspektiva të shihen si të zbatueshme dhe tërheqëse; dhe (3) zbatimin e tyre në teknologjitë aktuale, përmes laboratorëve kërkimorë umetikë, standardeve etike dhe platformave të aplikuara të IA-së.
Një ndikim i tillë nuk fitohet thjesht përmes kritikës, por përmes demonstrimit të alternativave të zbatueshme. Teknologët, ekspertët e etikës dhe dizajnerët myslimanë të sistemeve duhet të ndërtojnë sisteme që tregojnë se çfarë do të thotë që teknologjia t’i shërbejë dinjitetit njerëzor, ekuilibrit ekologjik dhe qëllimit hyjnor. Me kalimin e kohës, kjo do ta pozicionojë Ummetin jo si një marrës i vonuar i rrymave teknologjike globale, por si një burim udhëzimi civilizues në epokën tonë të transformimit të thellë.
Integrimi umetik në aspektin e drejtimit dhe lidershipit
Siç u përmend më lart, objektivi i fuqisë së butë është të ndikojë në rezultatet e sjelljes. Kjo formë ndikimi mund të kuptohet se operon në tre dimensione: shtrirja e saj (kush po ndikon kë), fusha e saj (zonat në të cilat ushtrohet ndikimi) dhe mjetet e saj (si arrihet ai ndikim).²¹ Për të ndërtuar një Ummet të unifikuar dhe me ndikim, fuqia e butë umetike duhet të zbatohet përgjatë dy akseve të ndërvarura të integrimit të bazuar në shtrirje:
Integrimi Vertikal: Kjo përfshin ndikimin si të elitave ashtu edhe të popullsisë së përgjithshme. Nga njëra anë, fuqia e butë kërkon të ndikojë elitat brenda Ummetit duke inkurajuar rezultate specifike, si adoptimi i rekomandimeve të politikave umetike, promovimi i qeverisjes etike dhe forcimi i lidhjeve institucionale që pasqyrojnë parimet e përbashkëta islame. Nga ana tjetër, ajo kërkon të ndikojë te popullsia e përgjithshme drejt një arsimimi më të lartë islam, përafrimit me interesat umetike dhe refuzimit të narrativave të rreme apo përçarëse. Integrimi vertikal siguron që vlerat dhe objektivat umetike të përbrendësohen në të gjitha nivelet e shoqërisë, nga lidershipi te qytetarët e përditshëm.
Integrimi Horizontal: Kjo përfshin lidhjen e komuniteteve myslimane midis rajoneve, kulturave dhe kufijve linguistikë duke nxitur një ndjenjë të përbashkët qëllimi, identiteti dhe vizioni etik. Integrimi gjeografik i lejon Ummetit të bashkojë talentet e tij të ndryshme, duke bërë të mundur të veprojë kolektivisht dhe strategjikisht në skenën globale. Duke promovuar unitetin përmes diversitetit, integrimi horizontal i transformon përpjekjet e fragmentuara në një forcë koherente, transnacionale të fuqisë së butë.
Ndryshe nga shtetet-kombe që shpesh e përdorin fuqinë e butë si një strategji qeveritare nga lart-poshtë, qasja e Ummetit ndaj fuqisë së butë duhet të jetë e decentralizuar dhe organike. Një model vetë-organizues do t’u lejojë aktorëve të ndryshëm joshtetërorë, përfshirë dijetarët fetarë, influencuesit kulturorë, institucionet arsimore dhe organizatat e shoqërisë civile, të kontribuojnë në një strategji kohezive të fuqisë së butë. Një qasje e tillë bazë siguron që projektimi i fuqisë së butë të pasqyrojë në mënyrë autentike vullnetin e larmishëm por të unifikuar të komunitetit global mysliman.
Koordinimi i shtresave të Fuqisë së Butë umetike për ndikim maksimal
Edhe pa një strategji të përbashkët, shkalla dhe ndikimi i pastër i fuqisë së butë të Ummetit kanë qenë në shfaqje të plotë në ngjarjet e fundit globale. Bojkotet e korporatave shumëkombëshe si Starbucks dhe KFC, si dhe mobilizimi online për të kundërshtuar shtypjen algoritmike të narrativave palestineze, kanë demonstruar potencialin latent të ndikimit umetik. Këto veprime nuk ishin as të udhhequra nga shteti, as rezultat i një strategjie të para-planifikuar; përkundrazi, ato ishin shprehje spontane të vullnetit umetik—një pohim organik por i fuqishëm i agjencisë.
Bojkotet e Starbucks dhe KFC nuk ishin thjesht protesta simbolike; ato u përkthyen në pasoja të matshme ekonomike. Raportet tregojnë se Starbucks përjetoi një rënie prej 20% në çmimin e aksioneve, duke çuar në një qortim nga themeluesi i saj dhe zëvendësimin e CEO-s aktual.²² KFC pa mbyllje në lokacione të shumta për shkak të rënies së kërkesës, përfshirë falimentimin e fundit të operatorit të KFC dhe Pizza Hut në Turqi, duke mbyllur 537 pika për shkak të bojkoteve të lidhura me Gazën.²³
Pavarësisht kësaj, ndikimi mund të kishte qenë edhe më i madh me koordinim strategjik. Ndërsa bojkotet ishin efektive në uljen e fitimeve, atyre u mungonte një plan i strukturuar për të ri-drejtuar aktivitetin ekonomik në biznese alternative brenda Ummetit. Me një ekonomi hallall prej 2 trilionë dollarësh dhe rreth 550 miliardë dollarë kontribute vjetore të zekatit, Ummeti tashmë zotëron një levë të pamasë ekonomike, megjithatë pjesa më e madhe e saj mbetet e pashfrytëzuar për shkak të mungesës së strategjisë dhe infrastrukturës institucionale.²⁴
Një përpjekje e mirë-koordinuar jo vetëm mund të ndëshkonte korporatat bashkëfajtore në padrejtësi, por edhe të krijonte ndryshime të përhershme në fuqinë ekonomike duke investuar në alternativa umetike.
Një tjetër shembull i habitshëm i potencialit të fuqisë së butë të pakoordinuar por të frikshme të Ummetit ishte aftësia e tij për të mposhtur algoritmet digjitale që tentuan të shtypnin zërat palestinezë. Gjigantët e mediave sociale u akuzuan për “shadow-banning” të përmbajtjes pro-palestineze, duke e bërë më të vështirë për njerëzit të shihnin postimet lidhur me krizën. Si përgjigje, miliona myslimanë dhe aleatë vërshuan mediat sociale me hashtags, ri-postime dhe fraza alternative për të anashkaluar shtypjen algoritmike, duke e detyruar çështjen të dalë në skenën globale.²⁵
Kjo përpjekje zbuloi dy pika të forta kyçe të fuqisë së butë umetike: aftësinë për të mobilizuar në mënyrë organike miliona njerëz online, duke ndryshuar kështu narrativat digjitale pavarësisht shtypjes së platformave, dhe praninë e zërave me ndikim myslimanë në median globale dhe aktivizmin, të cilët e përforcuan mesazhin. Megjithatë, kjo lëvizje theksoi gjithashtu një dobësi thelbësore. Varësia e Ummetit nga platformat e kontrolluara nga fuqitë e jashtme i lë narrativat tona të cenueshme ndaj censurës. Një strategji e qëndrueshme mediatike umetike kërkon krijimin e platformave të pavarura, shpërndarjen e përmbajtjes të drejtuar nga IA dhe investimin në ekosisteme alternative digjitale për të parandaluar varësinë nga platformat që punojnë aktivisht kundër interesave myslimane.²⁶
Përtej lëvizjeve reaktive, Ummeti tashmë zotëron avantazhe të rëndësishme strukturore që, nëse shfrytëzohen siç duhet, mund të ofrojnë ndikim të qëndrueshëm të fuqisë së butë. Pavarësisht këtyre forcave, Ummeti mbetet i paorganizuar në mënyrën se si e përdor fuqinë e tij të butë. Pa koordinim institucional dhe udhheqje strategjike, ndikimi i tij mbetet sporadik në vend të sistematik. Sukseset e bojkoteve dhe aktivizmit digjital tregojnë se çfarë është e mundur kur myslimanët veprojnë kolektivisht, por ato gjithashtu ekspozojnë nevojën për një kornizë të strukturuar që e transformon fuqinë reaktive në ndikim proaktiv.
Fuqia e butë është më efektive kur shtresat e saj operojnë në harmoni në vend të izolimit. Në kontekstin e Ummetit, kjo do të thotë të përafrosh forma të ndryshme ndikimi—median, biznesin, studimet, aktivizmin bazë dhe udhëheqjen fetare—në një forcë të koordinuar që prodhon rezultate të prekshme dhe të riprodhueshme.
Përpjekjet e izoluara, sado fisnike, shpesh dështojnë të krijojnë ndryshim të qëndrueshëm. Por kur këto shtresa të fuqisë së butë umetike bashkëpunojnë strategjikisht, ato mund të përforcojnë dhe të mbajnë ndikimin, duke rezultuar në një ndryshim të narrativave globale në favor të një Ummeti më të fuqizuar.
Merrni përsëri rastin e bojkoteve. Imagjinoni një skenar ku një përpjekje e suksesshme bojkoti përforcohet nga shtresa të shumta të fuqisë së butë umetike, si:
Strategjia Mediatike & PR: Në vend të fushatave të shpërndara në mediat sociale, mediat kryesore umetike koordinojnë mbulimin, theksojnë histori bindëse që formësojnë diskursin global.
Ekosistemet Alternative të Biznesit: Në vend të tërheqjes së thjeshtë të mbështetjes financiare, liderët e biznesit dhe ekonomistët në Ummet punojnë për të promovuar alternativa etike islame—qoftë në banka, mallra konsumi apo shërbime—për të ri-drejtuar shpenzimet në mënyra që forcojnë autonominë ekonomike të Ummetit.
Miratimet Studimore & Fetare: Studiuesit kryesorë ofrojnë një kornizë të strukturuar morale dhe ligjore, duke siguruar që bojkoti të mos jetë thjesht i nxitur emocionalisht, por edhe teologjikisht i bazuar, duke i dhënë atij besueshmëri dhe udhëzim afatgjatë.
Mobilizimi Bazë: Organizatorët e komunitetit, aktivistët dhe edukatorët zhvillojnë përpjekje të lokalizuara që sigurojnë pjesëmarrje masive, duke e bërë bojkotin një lëvizje të qëndrueshme në vend të një reagimi jetëshkurtër.
Kjo qasje me shumë shtresa e transformon një bojkot nga një protestë e përkohshme në një ndryshim të qëndrueshëm ekonomik, duke përforcuar parimet e drejtësisë dhe vetë-mbështetjes brenda Ummetit. Një shembull tjetër është ndikimi mediatik, i cili shpesh është i fragmentuar dhe reaksionar. Një përpjekje e koordinuar midis studiuesve umeatikë, sipërmarrësve socialë dhe teknologëve mund të prodhonte një ekosistem mediatik mysliman global, të vetë-qëndrueshëm, i cili nuk varet nga narrativat reaksionare, por e vendos në mënyrë aktive diskursin. Kjo mund të përfshijë:
Akademia & Institutet Kërkimore: Ofrimin e hulumtimit dhe thellësisë intelektuale në diskutimet mediatike, duke siguruar që mbulimi të jetë analitikisht i fortë dhe jo thjesht reaktiv.
Teknologjia & IA: Zhvillimin e algoritmeve dhe platformave që u japin përparësi narrativave umetike, duke parandaluar varësinë nga infrastrukturat mediatike të jashtme që i shtrembërojnë ose i shtypin ato.
Ekspertët e Biznesit: Financimin dhe promovimin e sipërmarrjeve mediatike për t’i bërë ato financiarisht të pavarura dhe konkurruese në tregjet globale.
Duke përafruar shtresa të ndryshme të fuqisë së butë në mënyra kreative, Ummeti mund të kalojë përtej gjesteve simbolike drejt ndryshimit sistemik. Përpjekjet e izoluara luftojnë kundër inercisë së strukturave globale, por një qasje umetike e harmonizuar dhe ndër-sektoriale siguron që nismat të jenë jo vetëm efektive, por të riprodhueshme dhe të rrënjosura institucionalisht. Qëllimi nuk është thjesht t’u rezistosh presioneve të jashtme, por të formësosh në mënyrë proaktive dhe të vazhdueshme botën përmes një vizioni të bazuar në drejtësi.
Përfundim: Imperativi strategjik i Fuqisë së Butë umetike
Ringjallja e Ummetit si një civilizim me ndikim global kërkon një qasje të qëllimshme dhe strategjike. Kurani e vendos rolin e Ummetit si një model për botën, një përgjegjësi që nuk mund të përmbushet pa udhëheqje intelektuale, kulturore dhe morale.²⁷ Profeti ﷺ e përshkroi Ummetin si një trup i vetëm, pjesët e të cilit ndiejnë dhe reagojnë ndaj vuajtjeve të njëri-tjetrit.²⁸ Fuqia e butë, kur realizohet plotësisht, është sistemi qarkullues i këtij trupi, duke bashkuar intelektin, industrinë dhe ndikimin e tij në një forcë të vetme që shpreh vullnetin e saj me qartësi dhe besim. Secila prej tetë shtresave të saj nuk është thjesht një mjet për ndikim, por një mjet për të demonstruar lartësinë e vlerave islame.
Në çdo fushë, Ummeti duhet të mishërojë përsosmërinë, drejtësinë dhe qëllimin, jo si një reagim ndaj presioneve të jashtme, por si një pohim i mandatit të tij hyjnor. Profeti ﷺ urdhëroi ihsān-in në të gjitha gjërat.²⁹
Ky ihsān duhet të përcaktojë zhvillimin dhe përdorimin e fuqisë së butë umetike, duke siguruar që aftësia jonë për tu artikuluar të frymëzojë, dija jonë të lartësojë, tregjet tona të pasurojnë dhe diplomacia jonë të lartësojë—jo vetëm myslimanët, por të gjithë njerëzimin.
Përtej shfaqjes së bukurisë së Islamit, çdo shtresë e fuqisë së butë duhet të përdoret për të kontribuar në arritjen e pavarësisë dhe vetëvendosjes. Përsosmëria në arsim duhet të na çlirojë nga varësia intelektuale; dominimi në media duhet të na lejojë të vendosim, jo të ndjekim, diskursin global; dhe zotërimi i financave e teknologjisë duhet t’i japë fund varësisë nga sistemet që minojnë sovranitetin tonë. Synimi nuk është vetëm t’i rezistosh shtypjes, por ta bësh atë të parëndësishme, duke ndërtuar një botë ku Ummeti nuk është në mëshirën e forcave të jashtme, por një trup që lëviz me vullnetin e vet, i udhëhequr nga zemra e vet, në shërbim të Krijuesit të tij.
Fuqia e butë e vetme nuk do t’i arrijë këto objektiva apo nuk do t’i zgjidhë të gjitha sfidat në rrugën e tyre, por ajo shtron themelin dhe mund të na çojë shumë larg drejt tyre, duke i lejuar Ummetit të formësojë diskursin global përmes tërheqjes, autoritetit moral dhe vizionit strategjik. Ne po jetojmë në një moment kritik të historisë moderne, një moment ku pashpirtësia dhe hipokrizia e të ashtuquajturit rend ndërkombëtar “të bazuar në rregulla” është bërë e qartë për të gjithë, dhe dëshira që Ummeti të nisë ndryshimin është në rritje. Megjithatë, civilizimet nuk ngrihen përmes rezistencës reaksionare, por përmes aftësisë për të përcaktuar narrativat e tyre sipas kushteve të tyre. Duke investuar në nisma kohezive e strategjike të fuqisë së butë, Ummeti mund të lëvizë për të rimarrë udhëheqjen e tij me ndihmën e Allahut—jo duke ndjekur trendet globale, por duke i vendosur ato.
Shënime
-
“Ummeti është një term i përcaktuar dhe i nderuar në Kuran për t’iu referuar komunitetit të pasuesve të Profetit të Fundit, Muhamedit ﷺ, në një ajet të shpallur “bashkësia më e mirë e nxjerrë për njerëzimin” (3:110), e fisnikëruar nga Allahu si ‘bashkësia më e drejtë [e balancuar]’ (2:143) që është thirrur të ‘kapeni fort të gjithë për litarin e Allahut’ (3:103) dhe për ta thirrur njerëzimin në atë që është e mirë.” Ovamir Anjum, “What is Ummatics?,” Ummatics, 9 mars 2023, https://ummatics.org/ummatics-foundations/what-is-ummatics/
-
Punimet e ardhshme do t’i trajtojnë këto elemente të metodës Ummatike për ndryshim në detaje më të mëdha, insha’Allah.
-
Joseph S. Nye, “Public Diplomacy and Soft Power,” Annals of the American Academy of Political and Social Science 616, nr. 1 (2008): 94.
-
Në këtë punim, elitat i referohen gjerësisht individëve ose grupeve me fuqi, ndikim ose akses disproporcional në vendimmarrje. Ndërsa disa teoricienë i shohin elitat si një pakicë sunduese të pashmangshme, teoricienët demokratë i dallojnë ato nga publiku i gjerë, dhe studiuesit e marëdhënieve ndërkombëtare përqendrohen te aktorët që formësojnë politikën globale. Në ekonominë politike, elitat shpesh përkufizohen nga kontrolli mbi kapitalin dhe ideologjinë. Nëpër disiplina, termi relativisht vazhdimisht tregon ata, zgjedhjet e të cilëve formësojnë rezultatet kolektive. Për një diskutim më të gjerë, shih John Higley, Elites, Non-Elites, and Political Realism: Diminishing Futures for Western Societies (Rowman & Littlefield, 2021), 4-9.
-
Joseph S. Nye, Soft Power: The Means to Success in World Politics (New York: Public Affairs, 2004), 90-99.
-
Margaret E. Keck dhe Kathryn Sikkink, Activists Beyond Borders: Advocacy Networks in International Politics (Ithaca, NY: Cornell University Press, 1998), 20-28.
-
Kjo pikë nuk synon të zvogëlojë kapacitetin e rëndësishëm të fuqisë së butë të shteteve, por më tepër thekson natyrën në evolucion të burimeve të fuqisë së butë dhe mundësitë në rritje për aktorët joshtetërorë. Sipas fjalëve të Nye, “revolucioni i informacionit i bën shtetet më të depërtueshme. Qeveritë tani duhet ta ndajnë skenën me aktorë që mund ta përdorin informacionin për të rritur fuqinë e tyre të butë dhe për t’u bërë presion qeverive drejtpërdrejt, ose tërthorazi duke mobilizuar publikun e tyre.” Joseph Nye, Soft Power, 91.
-
Koncepti i “fuqisë së butë” i Joseph Nye ofron një kornizë të vlefshme themelore për të kuptuar se si Ummeti mund të rimarrë ndikimin përmes tërheqjes dhe apelit kulturo-moral. Në të njëjtën kohë, nëse thelbi i këtij nocioni është të theksojë format jo-detyruese të pushtetit dhe potencialin e tyre, ka korniza të tjera kritike që teorizojnë në këtë fushë nga këndvështrime të ndryshme, si teoria e hegjemonisë kulturore e Antonio Gramscit, nocioni i fuqisë prodhuese i Michel Foucault, analiza e dominimit simbolik e Pierre Bourdieu dhe koncepti i veprimit kolektiv i Hannah Arendt, ndër të tjera. Edhe pse përtej qëllimit të këtij punimi, kërkohet një analizë më e thellë mbi vlerën e këtyre teorizimeve për mendimin dhe praktikën ummatike.
-
Myslimanët e Fuqizuar Globalisht (GEMs) i referohet individëve të cilët janë: (a) të lidhur globalisht përmes arsimit, teknologjisë dhe rrjeteve profesionale; (b) të angazhuar aktivisht në përdorimin e aftësive, njohurive dhe ndikimit të tyre për të ndikuar pozitivisht në Ummet në mënyra që tejkalojnë kufijtë dhe ndarjet e shteteve-kombe; dhe (c) me një fokus në unitet, ripërtëritje dhe veprim etik të bazuar në normat dhe parimet islame.
-
Brenda regjimeve autoritare, elitat shpesh organizohen në fraksione ose rrjete të bazuara në lidhje personale, interesa të përbashkëta ose përkatësi institucionale. Këto rrjete mund të bëhen kanale për të ushtruar ndikim në proceset vendimmarrëse të regjimit (John Higley dhe Michael G. Burton, Elite Foundations of Liberal Democracy (Lanham, MD: Rowman and Littlefield, 2006). Teoricienët e lëvizjeve shoqërore kanë përshkruar marëdhënien dinamike midis lëvizjeve shoqërore dhe shtetit, ndonëse pa përdorur termin “fuqi e butë”. Kur shteti u përgjigjet përpjekjeve të lëvizjeve shoqërore për të ndikuar rezultatet me masa represive, lëvizja shoqërore mund të përgjigjet duke zgjeruar qëllimet e saj për të përfshirë ndryshimin e regjimit. Në këtë mënyrë, lëvizjet shoqërore mund t’i zhvendosin strategjitë e tyre nga përdorimi i bindjes (d.m.th. fuqia e butë) në lëvizje revolucionare, dhe anasjelltas në rastin e demokratizimit të shtetit. Shih Jack A. Goldstone, Social Movements or Revolutions? On the Evolution and Outcomes of Collective Action (Lanham, MD: Rowman and Littlefield, 1998), 128-129.
-
Joseph S. Nye, “Get Smart: Combining Hard and Soft Power,” Foreign Affairs 88, nr. 4 (2009): 160–63.
-
I jam mirënjohës Dr. Youssef Chouhoud për rekomandimin e akronimit të zgjuar që nënkupton mundësinë unike për të nxitur ndryshim.
-
Ky seksion ofron një kornizim fillestar të konceptit të bashkëpunimeve të fuqisë së butë ummatike. Kërkohet punë e mëtejshme për të eksploruar strukturën, procedurat, pjesëmarrjen, anëtarësimin dhe mekanizmat operacionalë të lidhur për të siguruar respektimin e objektivave ummatike, ndërsa funksionojnë në mënyrë efektive në kontekste të ndryshme. Për një aplikim potencial inovativ të një strukture të fuqisë së butë ummatike, shih prezantimin e Mohammed Ashour mbi “Pasaporta Ummatike” në Konferencën Ummatics 2024 në Kuala Lumpur, Malajzi: https://www.youtube.com/watch?v=WJ9lHNDP9_E.
-
Kategorizimet e fuqisë së butë janë debatuar brenda literaturës akademike. Nye e identifikon fuqinë e butë si të dalë nga kultura e një vendi, vlerat politike dhe politikat e jashtme, kryesisht nga këndvështrimi i interesit të shtetit-komb. McClory e kritikon këtë pikëpamje dhe i zgjeron kategoritë në pesë: qeveria, kultura, diplomacia, arsimi dhe biznesi/inovacioni. Shih Jonathan McClory, “The New Persuaders II: A 2011 Global Ranking of Soft Power,” Institute for Government, 12 janar 2011, http://www.instituteforgovernment.org.uk/publications/new-persuaders-ii. Ky punim propozon tetë kategori të fuqisë së butë në lidhje me Ummetin, duke pranuar mundësinë e kategorizimeve alternative.
-
Për shembuj të përdorimit të sotëm (dhe mund të argumentohet, keqpërdorimit) të fuqisë së butë fetare, shih Peter Mandaville dhe Shadi Hamid, Islam as Statecraft: How Governments Use Religion in Foreign Policy (Washington, DC: Brookings Institution Press, 2018); dhe Ahmet Öztürk, “Religious Soft Power: Definition(s), Limits and Usage,” Religions 14, nr. 2 (2023): 135.
-
Zafer Yörük dhe Pantelis Vatikiotis, “Soft Power or Illusion of Hegemony: The Case of the Turkish Soap Opera ‘Colonialism’,” International Journal of Communication 7 (2013): 2361–2380.
-
Abdullah Al-Arian (red.), Football in the Middle East: State, Society, and the Beautiful Game (London: Hurst, 2022).
-
“The World’s Muslims: Religion, Politics and Society”, Pew Research Center, 30 prill 2013, https://www.pewresearch.org/religion/2013/04/30/the-worlds-muslims-religion-politics-society-beliefs-about-sharia/
-
“The Full Application Bringing Genocide Charges Against Israel at UN Top Court”, PBS News, 3 janar 2024, https://www.pbs.org/newshour/world/read-the-full-application-bringing-genocide-charges-against-israel-at-un-top-court
-
“Që nga sulmi i 7 tetorit, Observatori Palestinez i Shkeljeve të të Drejtave Digjitale ka regjistruar më shumë se 1,350 raste të censurës online nga platformat kryesore përmes një thirrjeje të hapur në uebsajtin e tyre deri më 1 korrik 2024, me shumicën e raporteve të lidhura me Meta, TikTok, X dhe Youtube.” Anna Desmarais, “Human Rights NGOs Say Social Media Platforms Continue to Censor Pro-Palestine Content,” Euronews, 7 tetor 2024, https://www.euronews.com/next/2024/10/07/human-rights-ngos-say-social-media-platforms-continue-to-censor-pro-palestine-content.
-
Joseph S. Nye, The Future of Power (New York: Public Affairs, 2004), 5-10.
-
Dee-Ann Durbin, “Starbucks Replaces CEO, Names Chipotle Chief to Head Company,” WUSA9, 13 gusht 2024, https://www.wusa9.com/article/news/nation-world/starbucks-replaces-ceo-names-chipotle-chief-to-head-company/507-682f78aa-a9c1-4cf5-ad55-1760c038467e.
-
Munsif Web Desk, “KFC Turkey Shuts All 537 Outlets Amid Bankruptcy and Gaza Boycott Fallout,” Munsif Daily, 19 shkurt 2025, https://munsifdaily.com/kfc-turkey-bankruptcy-gaza-boycott/.
-
Shih Iman Ali Liaqat, “State of the Global Islamic Economy Report,” DinarStandard, 26 dhjetor 2023, https://www.dinarstandard.com/post/state-of-the-global-islamic-economy-report-2023; dhe Myfti Faraz Adam, “Zakat as an Economy,” NZF WorldWide, https://nzfworldwide.com/zakat-as-an-economy/.
-
Waqas Ahmed, Nicholas Rodelo, Ryan Grim dhe Murtaza Hussain, “Leaked Data Reveals Massive Israeli Campaign to Remove Pro-Palestine Posts on Facebook and Instagram,” Drop Site News, 11 prill 2025, https://www.dropsitenews.com/p/leaked-data-israeli-censorship-meta.
-
Ummeti kërkon urgjentisht një tech stack (grumbull teknologjish) të pavarur për të mbrojtur zërin, vlerat dhe sovranitetin e tij digjital nga fuqitë e jashtme që rregullisht censurojnë, mbikëqyrin dhe shtypin diskursin mysliman. Tema e një Ummatic Tech Stack do të trajtohet në një punim të ardhshëm, insha’Allah.
-
Kuran, el-Bekare 2:143.
-
Buhariu, 6011.
-
Muslimi, 1955.
Autori:
Ashraf Motiwala
Ashraf Motiwala shërben si President i Institutit Ummatics. Ai bashkëthemeloi Institutin Yaqeen për Kërkime Islame dhe shërben si këshilltar/investitor për organizata fitimprurëse dhe jofitimprurëse. Më parë, ai bashkëthemeloi dhe u largua nga disa kompani softuerike dhe konsulence. Ai përfundoi një Master në Studime Liberale (Studime Globale) nga Universiteti Southern Methodist dhe një Bachelor në Sisteme Informacioni dhe Filozofi nga SUNY Stony Brook.



