Globalizmi është një temë komplekse, pasi si proces, shtrihet në disa fusha dhe ka ndikim në disa segmente, me çka gjeneron rrjedha dhe ndërveprime të nivelit global, që prekin çdo shoqëri, si dhe segment të veprimtarisë njerëzore. Apo, siç shprehet për globalizimin Matiç:“Globalizimi është një proces objektiv dhe kontradiktor i ndryshimeve të mëdha dhe të shpejta botërore i cili çon në riformulimin e ekzistueses në rend të ri botëror të reproduktimit, gjegjësisht çon në krijimin e shoqërisë botërore” (Matiç, 2004: 84). Ky është edhe një nga definicionet për globalizmin. Këtu, nuk mbetet pa u prekur edhe veprimtaria e veprimtarëve dhe institucioneve fetare, ashtu që imponohet diskutimi për funksionin e imamit, si veprimtar dhe institucion i rëndësishëm, në kohën e globalizmit.
Funksioni i imamit dhe xhamisë në kohën e globalizmit, nuk duhet kuptuar thjeshtë vetëm në kontekst të përmbushjes së kërkesave të masës së caktuar, të cilës imami i shërben de jure, me kontratën e punës në xhami, edhe pse kjo është parimore dhe e rëndësishme, pa dyshim, si dhe as vetëm në korniza të zyrtares së tij si imam, në kohën e punës dhe brenda objektit të xhamisë, por ky funksion shtrihet shumë më gjërë duke përfshi edhe shumë masa, forma, nevoja dhe fusha tjera të aktivitetit, që në fakt na transferon në stadin e të qenit të detyrës së imamit mision, e jo thjesht profesion. Kjo, nisur nga fakti se edhe veprimtaria e masës të cilës i drejtohet imami, nuk nënkupton vetëm fushën e ritualeve praktike, dhe interesimi i tyre nuk lidhet vetëm për këtë fushë, por edhe për shumë fusha dhe segmente tjera të cilat janë të domosdoshme për kohën dhe proceset shoqërore, si: çështjet ekonomike, financiare, biznesi, administrata, trashëgimia, jeta bashkëshortore, të arriturat shkencore, inxhinjeringu gjenetik, politika, marrëdhëniet ndërkombëtare, kultura, ekologjia, të drejtat e njeriut, përfshi këtu edhe të drejtat të cilat në fushën e të drejtës ndërkombëtare njihen si gjenerata e tretë e të drejtave të njeriut etj.
Kjo qasje ndaj funksionit të imamit dhe xhamisë në kohën e globalizmit, nuk duhet zbritur në nivelin e përgjigjes së domosdoshme ndaj sfidave të jashtme, të cilat, pa dashje i janë imponuar profilit të imamit dhe institucionit të xhamisë, dhe të kërkohet zgjidhje në adaptimin e kontrolluar ndaj situatës së krijuar. Kjo do të mund të detektohet si qasje e antiglobalizmit dhe tradicionalizmit të fortë, që promotorët e tij nuk mund të dyshohet se kalojnë faza të transformimeve të domosdoshme të amëzës së tyre ideologjike dhe metodologjike në emër të kreativitetit brenda teksteve sipas mënyrës së tyre të kuptimit dhe interpretimit. Ngelja në proviniencën e adoptimit për t’iu përgjigjur, e jo bashkëveprimit konstruktiv, efektiv dhe inovativ, nuk do ta ngren, por do ta ul, kurbën e kërkesave të kohës dhe ambientit për punën, të drejtat dhe hapësirën e imamit.
Kuptimi i drejtë i formësimit dhe transformimit të funksionit të imamit dhe xhamisë, na ngre në nivelin e këndvështrimit gjithpërfshirës global, duke u nisur nga aktualiteti i proceseve integruese në rrjedhat globale, si nga brezat e rinj, po ashtu edhe nga institucionet e ndryshme shoqërore, duke mos anashkaluar në asnjë mënyrë ato religjioze, në këtë rast islame, që të mund të manevrohet në skenën globale me vlerat universale që i përmban Islami.
Globalizmi, është krejt e qartë, pati impakt në zhvillime të dukshme brenda bashkësisë muslimane, jo vetëm në plan të brendshëm lokal, por edhe në atë global. Koha e cila shënohet si e globalizmit, inicoi zhvillime thelbësore në istitucionet relevante islame akademike dhe fetare, si në universitete dhe në ministritë e çështjeve fetare apo institucionet për fetva (çështje islame), si dhe në shoqëritë të cilat për një kohë janë etiketuar si tradicionale. Kështu, në listën e aktiviteteve të institucioneve islame has agjenda të dendura të komunikimit me palët e tjera, studime komparative nga fusha e së drejtës pozitive dhe e së drejtës islame, psikologjisë, sociologjisë, ekonomisë, etj., asaj që u quajt si “islamizim i dijes dhe shkencave ” , të drejtave të njeriut, shpjegimit shkencor të ajeteve Kur’anore , shpjegimit të traditës profetike në kontekst bashkëkohor duke shpaluar aspekte të rëndësishme të saj me të drejtën ndërkombëtare, paqen, dialogun ndërkulturor, të drejtat e njeriut, mbrojtjen e natyrës etj.
Nga ana tjetër, në shoqëritë që janë identifikuar si tradicionale dhe më të mbyllura, u hapën për debate që aspak nuk janë të natyrës tradicionale, ku në fokus i vunë të drejtat e njeriut, me theks të veçantë të drejtat e grave, debatin për arsyeshmërinë e disa ndalesave të cilat edhe ashtu në disa vende nuk janë parë si të tilla nga estabilishmenti fetar, prezenca e femrës në jetën politike, në art, kulturë, media, liria e shprehjes, mendimi kritik, gabimet që janë bërë në të kaluarën në emër të fesë, ridefinimi i bidatit-risisë në fe, ekstremizmi, integrimi, etj. E gjithë kjo, e suportuar nga instrumentat “magjik” të globalizimit si: mediumet masive, rrjetet sociale, komunikimi elektronik, etj. Për rrjedhojë, individi, familja dhe shoqëria, u gjetën para “stuhisë” së ndryshimeve që solli procesi i globalizmit edhe në shoqëritë tradicionale, duke i ngjyrosur ata jo vetëm me ngjyrën e tradicionales, por edhe të prirjes për t’u integruar në rrejdhat globale dhe për t’u akomoduar, si ata vetë, ashtu edhe ambienti ku jetojnë, me ndryshimet e shkaktuara nga procesi i globalizimit. Kjo nuk është vështirë të dallohet edhe në ambientet e tilla tradicionale, ku një lokal për qethje quhet Xhems Dean, Pikaso, etj., por edhe brenda familjes, ku flitet çdo ditë e më tepër hapur për blogerët, artin, realiti show, IT, botën virtuale, gjigantët si: Amazon, Google, Apple etj. Në këtë kontekst, akomodimi me ndryshimet e procesit të globalizimit në njërën anë, dhe mostejkalimi i parimeve bazë të fesë në anën tjetër, që do të mund të komentohej si rrëshqitje nga parimet drejt përshtatjes me modernen, më qartë reflektohet në ligjërimin fetar të kohës.
Nga: Bashkim Aliu