Dobia e katërt: Njohja e shkaqeve të triumfit (fitores) dhe shkaqeve të dështimit (mposhtjes, humbjes). Nëse do të studiojmë historinë e Profetit dhe historinë e sahabëve, atëherë do të mësojmë shkaqet e fitores dhe shkaqet e humbjes.
Nga shkaqet e fitores janë: -besimi i palëkundur tek Allahu, – mbështetja vetëm tek Ai, – lutja (përgjërimi) tek Ai, – marrja (kryerja) e shkaqeve që të çojnë tek fitorja duke mos u mbështetur plotësisht tek shkaqet, – besimi se fitorja (çlirimi) është nga Allahu.
Me shembujt që do sjellim sqarohet më shumë kjo që thamë: Në betejën e Bedrit, Allahu i Madhëruar thotë: “Përkujtoni kur kërkuat ndihmë prej Zotit tuaj, e Ai u është përgjigjur: Unë do t’iu ndihmoj me njëmijë engjëj që vijnë një pas një (grup pas grupi). Allahu nuk e bëri atë (ndihmën) për tjetër, vetëm që t’iu gëzojë. Dhe për t’i forcuar (qetësuar) me të zemrat tuaja, pse ndihma në realitet është vetëm prej Allahut. Allahu është Mbizotërues dhe i Urtë.”[1]
Zemrat e pastra nga idhujtaria e kërkojnë mbrojtjen vetëm nga Allahu i Madhëruar. Sa prej muslimanëve në kohët e sotme, kur u vështirësohen çështjet, e kërkojnë ndihmën nga banorët e varreve. Ky është besim i prishur që e posedojnë pasuesit e të kotës, të cilët thonë: Kur t’u vështirësohen çështjet shkoni tek banorët e varreve. Domethënë kërkoni ndihmë nga banorët e varreve. Ndërsa sahabët, ditën e Bedrit kërkonin ndihmë nga Allahu. Për këtë arsye, Allahu i shpërbleu besimtarët me fitore në ditën e Bedrit.
Në një ajet tjetër, Allahu thotë: “Allahu u ndihmoi juve në Bedr kur ju ishit pak në numër. E për të qenë mirënjohës, kini frikë nga Zoti.” Ndërsa për ditën e Ahzabit i Lartësuari thotë: “O ju që keni besuar, përkujtoni të mirën e Allahut ndaj jush. Kur juve u erdhi një ushtri, e Ne kundër tyre lëshuam një furtunë dhe një ushtri që ju nuk e shihnit. E Allahu e shihte atë që ju vepronit. Kur ata u erdhën juve prej së larti e prej së poshti , dhe kur shikimet u shtangën e zemrat arritën në fyt, e ju sajonit mendime të lloj-llojta për Allahun. Atje, në atë vend qenë sprovuar besimtarët dhe qenë tronditur me një dridhje të fortë. Kur hipokritët dhe ata që në zemrat e tyre kishin sëmundje, thonin: Allahu dhe i dërguari i Tij nuk na premtuan vetëm se mashtrim.” [2]
Shikojini (vini re) se çfarë thanë sahabët: Allahu i Madhëruar thotë: “E kur muslimanët e panë ushtrine aleate thanë: Kjo është ajo që na premtuan Allahu dhe i dërguari i Tij, e Allahu dhe i dërguari i Tij e thanë të vërtetën. Ajo (ushtria e armikut që panë) vetëm se ua shtoi besimin dhe mbështetjen. Prej besimtarëve kishte burra që e vërtetuan besën e dhënë Allahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën. Dhe ka prej tyre që janë duke pritur (t’a zbatojnë), dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi.” Deri tek fjala e të Madhëruarit: “Dhe Allahu i zbrapsi ata që nuk besuan me mllefin e tyre, duke mos pritur kurrnjë të mire. Dhe Allahu ua largoi luftën besimtarëve. Allahu është i Fuqishëm, Ngadhënjyes.”[3]
Ndër shkaqet e humbjes (disfatës) është edhe: – dashuria ndaj dunjasë, – dhe kundërshtimi i urdhërave fetare.
Kjo u shfaq në ditën e Uhudit. Kur beteja filloi me triumf të madh në favor të muslimanëve, dhe kur shigjetarët e thyen urdhërin e të dërguarit të Allahut dhe zbritën nga maja e malit (aty ku kishin pozicionet e caktuara), fitorja u shndërrua në disfatë. Sahabët u shokuan nga ajo që pësuan, ndaj Allahu zbriti ajetin: “E kur juve u goditi një dështim (në Uhud), e që ja patët dhënë atë dyfish (armikut në Bedr), thatë: Prej nga kjo?! Thuaj: Ajo është nga vet ju. S’ka dyshim se Allahu është i Plotfuqishëm për cdo send.” (Ali imran; 165)
Ju jeni shkaku, e Allahu është më i Madhi. Një shkelje (thyerje urdhëri) e vetme bëri atë që bëri, duke e shndërruar fitoren në disfatë?! Po. E si është gjendja me ne o populli i Islamit? Akidja (besimi) është prishur shumë, e kanë lënë namazin, kemi ngrënë kamatën, janë zhveshur gratë, kemi lënë namazin me xhemat, me përjashtim të atij që e ka mëshiruar Zoti im.
Ditën e Hunejnit u kthyen (u bënë) shumicë dhe atyre u pëlqeu ky numër i mash, dhe humbja ndodhi që në fillim të betejës. Por Allahu i shpëtoi. Allahu për këtë ka thënë: “Nuk ka dyshim se Allahu u ka ndihmuar në shumë beteja. Edhe në ditën e Hunejnit kur juve u mahniti numri juaj i madh i cili nuk vlejti asgjë. Me gjerësinë e saj që kishte toka, ajo u ngushtua për ju. Pastaj ju u zbrapsët. Pastaj Allahu zbriti qetësinë e Vet në të Dërguarin e Tij dhe në besimtarët, zbriti një ushtri që ju nuk e patë. I dënoi ata që mohuan, e ai ishte ndëshkim ndaj mosbesimtarëve. Allahu i fal atij që do. Allahu fal dhe mëshiron shumë.” (Teube,25-27)
Dobia e pestë: Studimi i historisë së Profetit dhe të shokëve të tij të ndershëm është një përgatitje e dobishme për çdo musliman. Thirrësit për tek Allahu mësojnë sesi t’i thirrin njerëzit për në adhurimin e Allahut. Komandanti mëson nga historia e Profetit dhe shokëve të tij sesi duhet të jetë udhëheqja. Ushtari mëson nga historia e Profetit dhe shokëve të tij sesi t’a kryej detyrën. Edukatori mëson nga historia e Profetit dhe shokëve të tij sesi duhet të jetë edukimi.
Profeti dhe shokët e tij të ndershëm na kanë lënë shembullin më të lartë për këtë, ndaj Allahu na ka urdhëruar që të ndjekim shembullin e të dërguarit të Tij në cdo aspekt. Allahu ka thënë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut. Kuptohet ai që shpreson në shpërblimin e Allahut, në botën tjetër, e ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.” (Ahzab, 21)
Allahu na ka urdhëruar që t’i bindemi atij (Profetit) në çdo cështje (që na urdhëron), kur thotë: “Bindjuni Allahut dhe bindjuni të dërguarit, e kini kujdes (mos kundërshtoni).” (Maide,92) “O ju që besuat, bindjuni Allahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit nga ju.” (Nisa, 59) Allahu na ka lajmëruar se në bindjen ndaj Profetit ka udhëzim drejt çdo të mire, kur thotë: “Nëse i bindeni atij, atëherë keni gjetur të vërtetën.” (Nur,54) Allahu u ka tërhequr vërejtjen besimtarëve nga thyerja (shkelja) e urdhrave te tij, kur ka thënë: “Le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të dërguarit) se ata do t’i zërë ndonjë telash ose do t’i godasë dënimi i idhët.” (Nur,63)
Allahu vlerësoi (lavdëroi) shokët e të dërguarit të Tij, dhe ata që i ndjekin me punë të mira. Allahu thotë: “Allahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve (vendasve), dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira. Edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij.” (Teube, 100)
Dobia e gjashtë: Mësojmë moralet e Profetit (alejhi selam). Allahu e ka cilësuar atë duke thënë: “Me të vërtetë, ti je në një shkallë të lartë të moralit.” (Kalem, 40) Kush ka qenë morali i tij? Është pyetur Aisha rreth moralit të të dërguarit të Allahut, dhe ka thënë: Morali i tij ishte Kurani.[4]
Dobia e shtatë: Nga historia e Profetit (alejhi selam) mësojmë mrekullitë me të cilat e ndihmoi (përkrahu) Allahu të dërguarin e Tij, Muhamedin.
Për shembull; kur jobesimtarët kërkuan një shenjë (argument) për vërtetësinë se ai është i dërguar. Ai bëri me shenjë me dorën e tij nga hëna, dhe ajo u nda në dy pjesë. I Lartësuari thotë: “Ora është afruar dhe hëna është ndarë.” (Kamer, 1)
Por edhe pas kësaj jobesimtarët vetëm sa e shtuan mosbesimin (ndaj Allahut). Gjithashtu, Profeti vendosi dorën e tij në enë dhe uji filloi të buronte mes gishtave të tij. E shumë e shumë mrekulli të tjera veç kësaj për të cilat do të flasim në kohën e duhur.
Duke e lutur Allahun me Madhështinë e Tij që të na bëjë dobi me studimin e historisë së Profetit dhe shokëve të tij të ndershëm. Këto këshilla ndahen në dy pjesë: 1- Studimi i historisë së Profetit, dhe me këtë do të fillojmë të xhumanë e ardhshme në dashtë Allahu. 2- Studimi i historisë së sahabëve me të cilën do të fillojmë kur të mbarojmë së foluri rreth historisë së të dërguarit të Allahut.
O Allah! Ktheji muslimanët në fenë e tyre me një kthim të bukur!
“Subulus Selam fi Sirati Hajril Enam”
“Historia e Profetit alejhi selam”
Shkroi: Ebu Islam Salih Taha
Përktheu: Aisha Gjoni
[1] Suretu Enfal, 9-10.
[2] Suretu Ahzab, 9-12.
[3] Suretu Ahzab, 22-25.
[4] E përcjell Muslimi me nr 746.