Nga tërë ajo që kemi thënë deri më tani rreth pendimit mbetet të pyesim vetën se çka nëse ne pendohemi te Allahu? Çka fitojmë ne nëse pendohemi te Allahu?

Të nderuar besimtarë!

Duhet ta kemi parasysh, ashtu sikur kemi thënë me herët se pendimi është prej gjërave më madhështore, prej gjërave që më së shumti të afron te Allahu. Ai i cili është penduar te Allahu ka një pozitë të artë.

Frytet që i jep pendimi janë të shumta, por ne do ti veçojmë disa prej tyre:

 

• Pendimi është rruga e shpëtimit

Thotë Allahu në Kuran: Porse, ai që pendohet, beson dhe bën vepra të mira, do të jetë i shpëtuar (Kasas, 67). Po ashtu Allahu thotë: Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin! (Nur, 31).

• Melaqet luten për të penduarit

Allahu i Madhëruar na njofton për këtë fryt të pendimit duke na thënë: Ata (engjëj), që e mbajnë Fronin dhe ata që janë rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me falënderim dhe i besojnë Atij. Ata lypin falje për besimtarët, duke thënë: “O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde, prandaj fali ata që janë penduar e që ndjekin rrugën Tënde dhe ruaji ata prej dënimit të Zjarrit flakërues! (Gafir, 7). Ka thënë Halef b. Hisham: “Lexoja Kuran para Sulejm b. Isa dhe kur arrita te ajeti Ata lypin falje për besimtarët, duke thënë: “O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde, prandaj fali ata që janë penduar e që ndjekin rrugën Tënde dhe ruaji ata prej dënimit të Zjarrit flakërues! (Gafir, 7) filloi të qaj dhe më tha: O Halef sa i nderuar dhe i privilegjuar është besimtari te Allahu, besimtari është në gjumë ndërsa melaqet luten për të.

• Pendimi sjell furnizim të mjaftueshëm dhe të bollshëm

Allahu thotë në Kuran: (që ju porosis) të kërkoni falje nga Zoti juaj e të ktheheni tek Ai me pendesë. Ai do t’ju japë të shijoni kënaqësi të bukura deri në afatin e caktuar dhe do t’i japë çdo të miri shpërblimin e merituar. E, nëse ktheni shpinën, unë i frikësohem dënimit tuaj në Ditën e Madhe (Hud 3). Allahu në këtë ajet përmes gjuhës së Pejgamberit tregon se pendimi sjell furnizim, sjell jetë të rehatshme dhe të begat. Në këtë kuptim edhe Hudi alejhi selam i është drejtuar popullit ët tij: O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai të penduar, se Ai do t’ju sjellë shi të begatshëm dhe do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj. Mos u shmangni prej Atij duke qenë keqbërës!” (Hud 52). Ndërsa Nuhi alejhi selam i premtoi pesë gjëra popullit të tij , nëse ata pendohen dhe kërkojnë falje te Allahu. Allahu thotë për Nuhin alejhi selam: e u thashë:

“Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj! Ç’është kështu me ju, që nuk e madhëroni Allahun siç duhet (duke e pasur frikë), ndërkohë që Ai ju ka krijuar në etapa (etapat e embrionit)? (Nuh 10-14). Myzhde për ty që je penduar te Allahu. Allahu po të përgëzon dhe po të premton të mirat e kësaj bote, ndërsa nuk ka më besnik në fjalë se Allahu.

• Pendimi shlyen dhe fal të këqijat

Prej fryteve të pendimit është se Allahu përmes pendimit të këqijat i shndërron në të mira, ashtu sikur na ka përgëzuar Allahu në Kuran: përveç atyre që pendohen, që besojnë dhe bëjnë punë të mirë. Këta do të hyjnë në Xhenet dhe nuk do t’u bëhet kurrfarë padrejtësie; (Merjem 60). Thotë Abdullah b. Mes’udi: “ Pendimi i sinqertë shlyen çdo mëkat”.

• Syqeltësia dhe zgjerimi i gjoksit

Thotë dijetari i njohur Ibën Tejmije: “Gjatë leximit hasi në disa çështje të fesë, që shoh vështirësi në kuptimin e tyre, atëherë kërkoj falje te Allahu një mijë herë, më shumë apo më pakë gjersa të hapet gjoksi im për ta kuptuar atë çështje, dhe zgjidhi problematikën që kisha”.

• Pendimi pastron zemrën nga ndryshku dhe e shndritë atë

Pendimi në raport me zemrën është sikur materiet kimike të cilat pastrojnë ndryshkun e hekurit, ashtu edhe pendimi pastron ndryshkun e zemrës. I Dërguari i Allahu thotë: “Besimtari kur bënë ndonjë mëkat i vendoset një pikë e zezë në zemër. Nëse pendohet dhe kërkon falje te Allahu i largohet ajo pikë e zezë nga zemra. Ndërsa nëse vazhdon në mëkate, rritet pika e zezë gjersa ta mbuloj zemrën e besimtarit dhe kjo është Ran-eja, të cilën Allahu e ka cekur në Kuran: Nuk është ashtu! Por veprat e tyre (të këqija) ua kanë mbuluar zemrat. (Mutaffifin 14).

• Pendimi sjell dashurin e Allahut ndaj robit të Tij

Allahu thotë në Kuran: “Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen. (Bekare 222).

• Pendimi mllefos shejtanin dhe e demoralizon atë nga planet dhe projekte që ka për njeriun

S’ka dyshim se në këtë botë jemi në një betejë të ashpër me shejtanin. Ai është një armik i cili nuk njeh lodhje. Ai posedon shumë rrugë dhe shumë metoda për devijimin e njeriut. Ai hidhërohet kur robi pendohet te Allahu, sepse e dinë se nëse krijesa pendohet dhe kërkon falje për gabimin e bërë, Krijuesi do të ja pranoi faljen dhe do ta pranoi pendimin e tij. i Dërguari i Allahut thotë: “Nuk është parë shejtani më i poshtëruar, më i nënçmuar dhe më i mllefosur se në ditën e Arafatit. Dhe kjo për asgjë tjetër, vetëm se kur sheh mëshirën e Allahut duke zbritur te robërit e Tij dhe faljen që Allahu i bënë robërve të Tij.

Mesazhi i Hutbës së Xhumasë

Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan

Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati