Fragmente nga dita e llogarisë
O rob i Allahut, ti je nisur në një udhëtim që ka një mbarim. Një udhëtim që ka filluar me dëshminë tënde para Zotit të botëve përpara se të vije në këtë dynja, ku ke dëshmuar se Allahu është Zoti yt i vetëm, i Adhuruari yt i vetëm, dhe që mbaron me vendosjen tënde ose në Xhennet ose në Xhehennem. Nëse i përmbahesh dëshmisë tënde të parë dhe jeton dhe vdes në përpjekje për ta realizuar atë, do të kesh dëshmitarë të shumtë pro teje, dhe nderime e fitore madhështore, nga Zoti i botëve, i Gjithëmëshirshmi, Lavdiploti.
Rrugën tënde në këtë dynja pak a shumë e ke të qartë, janë vendosur shenjat në këtë rrugë prej vet Krijuesit të gjithësisë, në mënyrë që të mos humbasësh dhe të devijosh, e të çorientohesh. Të gjitha ato shenja i ke të sqaruara në një Libër, vërtetësinë dhe vazhdimësinë e të cilit e ka siguruar vet Zoti i gjithësisë, të shoqëruar me një manual jetësor praktik, pas atij teorik, për mënyrën se si duhet ta vësh në jetë dhe ta zbatosh atë. Atë libër e ka zbatuar i pari, vet ai që e përcolli prej Allahut, në mënyrë që të mos kesh justifikime për vështirësinë e zbatimit dhe të praktikimit të tij. Kjo është rruga jote në këtë botë. E qartë si drita e diellit, për atë që i lexon dhe studion mirë udhëzimet gjatë udhëtimit.
Erdhe nga hiçi dhe nuk do të përfundosh kurrë. Prandaj sot duhet të zgjedhësh se si dëshiron ta kalosh këtë përjetësi! Deri në mbylljen e syve e di se cila është e ardhmja jote, do të jetosh aq sa të është caktuar dhe do të mbyllësh sytë atëherë kur të është caktuar, për t’i hapur përsëri sytë përpara një bote që nuk e ke parë, por Krijuesi yt të ka paralajmëruar për të. Ai që ka krijuar këtë botë, të ka treguar shumë edhe rreth botës tjetër që Ai ka krijuar për ty. Në këtë botë Ai shfaqi para syve të tu, para mendjes tënde, para intelektit tënd këtë gjithësi kaq madhështore dhe perfekte, për krijimin e së cilës duhet një fuqi e jashtëzakonshme, jashtë normales, që e ka vetëm Krijuesi. Të gjitha këto i bëri që t’i të bindesh se fuqia e Tij nuk ka kufij, ajo është e kufizuar vetëm nga dëshira e Tij. Duhet vetëm që Ai ta dëshirojë diçka që ajo të vijë në ekzistencë. Për Të nuk ka krijim të rëndë sado i madh të të duket ty si krijesë e vogël. Që ti të bindesh se Ai që e krijoi një herë këtë botë kështu, me afat skadence, me kufij, po Ai ka mundësi ta krijojë edhe një botë tjetër pa afat skadence, pa kufijtë që ti shikon sot.
Që të kuptosh se me kë ke të bësh, kujt ke zgjedhur t’i nënshtrohesh apo të mos i nënshtrohesh, kujt ke zgjedhur t’i përulesh, t’i lutesh dhe t’i kërkosh çfarë të duhet në këtë botë dhe në tjetrën. Dhe, në mënyrë që ta marrësh seriozisht këtë jetë dhe veprimet e tua në të, unë kam zgjedhur të të përcjell një fragment nga ngjarjet e mëdha që do të ndodhin në atë ditë kur njerëzit do të qëndrojnë para Zotit të botëve, ditë që zgjat 50 mijë vjet. Por besimtarit ajo ditë do t’i duket e lehtë dhe e shkurtër, sikur dielli është ulur dhe është bërë gati të perëndojë deri sa të perëndojë. Siç ka ardhur në hadith të saktë nga i Dërguari i Allahut sal lall llahu alejhi ue sel lem.[1]
- Atë ditë krijesat do të marrin hak nga njëra-tjetra. Do të shkojë haku tek i zoti.
Thotë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -: “Do tua ktheni hakun atyre që u keni hyrë në hak Ditën e Kijametit, derisa edhe delja pa brirë do të marrë hakun prej asaj me brirë”[2]
Një hadith tjetër thotë: “Do të hakmerren krijesat mes njëra-tjetrës , derisa delja shytë (pa brirë) do të hakmerret ndaj asaj me brirë, dhe milingona prej milingonës!”[3]
Sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe do të vendosim peshoret e sakta Ditën e Kijametit, dhe nuk do t’i bëhet padrejtësi askujt, edhe nëse ajo (vepra) është e vogël sa fara e një sinapi, dhe mjaftojmë Ne si llogaritës” (Enbija: 47)
Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Do t’i grumbullojë Allahu njerëzit Ditën e Kijametit, të zhveshur të pabërë synet (sh.p.: ashtu siç janë krijuar për herë të parë, “Siç e filluam krijimin herën e parë ashtu do ta kthejmë atë” ), pa asgjë me vete… pastaj do tu thërrasë atyre me një zë që e dëgjon ai që është larg njësoj si ai që është afër: Unë jam Llogaritësi, Unë jam Mbreti. Nuk duhet të hyjë në Zjarr asnjë prej banorëve të Zjarrit nëse ka ndonjë hak pa e marrë tek dikush prej banorëve të Xhennetit derisa Unë të marr hak për të (t’ia kthej hakun)!
Zoti i botëve merr hak për një banor të Zjarrit!? Dhe prej kujt? Prej njërit prej banorëve të Xhennetit! Do të hyjë në Zjarr por haku do t’i kthehet. Do të hyjë në Xhennet por jo pa e shlyer padrejtësinë që i ka bërë banorit të Zjarrit! Drejtësi absolute, padrejtësia nuk tolerohet! Në mënyrë që asnjë banor i Zjarrit të mos ketë mundësi të thotë: ‘Nuk mu dha haku! Mu mohua e drejta ime!’ Sepse Allahu nuk e duron padrejtësinë! Allahu na ruajtë nga padrejtësia!
Dhe nuk duhet të hyjë asnjë prej banorëve të Xhennetit në Xhennet dhe ai ka ndonjë hak për të marrë tek ndonjë prej banorëve të Zjarrit derisa Unë të marr hak për të, qoftë ajo edhe një pëllëmbë, (shuplakë).
I thamë: Si do të ndodhë kjo kur ne do të vijmë të zhveshur të pa bërë synet, pa asgjë me vete? (Pa pasuri, pa mall, pa asgjë!) Tha: Me shpërblime dhe gjynahe.”[4]
Një nga dijetarët i quajtur Ebu Bekr el Uerrak – Allahu e mëshiroftë – duke treguar për rrezikshmërinë e madhe të padrejtësisë thotë:
“Gjëja që më së shumti ia shkul besimin robit nga zemra është: Padrejtësia që u bën të tjerëve!”[5]
Prandaj Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – porosiste me të madhe që të çlirohemi prej padrejtësive që në këtë botë.
Nga Ebu Hurejrah – radijallahu anhu – përcillet se i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Kush i ka bërë ndonjë padrejtësi vëllait të tij le t’i kërkojë hallallin (këtu) sepse ‘atje’ (në Botën Tjetër) nuk ka as dinar e as dirhem, përpara se t’i merren atij shpërblimet për t’iu dhënë vëllait të tij. Nëse nuk ka shpërblime merren gjynahet e vëllait të tij dhe i hidhen atij”[6]
- Atë ditë njeriu nuk pranon askënd për dëshmitar kështu që gjymtyrët e tij do të dëshmojnë për të.
Tregon Enesi – radijallahu anhu – dhe thotë: Një herë ishim tek i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – e ai qeshi dhe tha: A e dini përse po qesh? – thotë: I thamë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë. – Tha: Prej dialogut të robit me Zotin e tij. Ai (robi) do të thotë: O Zot! A nuk më ke dhënë siguri se nuk ka padrejtësi?! – tha – Thotë (Allahu) : Posi jo. – Thotë (robi) : Atëherë unë nuk lejoj askënd të dëshmojë për mua veç vetes sime! – tha – I thotë (Allahu) : Mjafton ti si dëshmitar ndaj vetes tënde dhe ‘shkruesit e ndershëm’ (engjëjt Kiramen Katibin). (Rregjistruesit besnikë, më të saktë se çdo aparat inçizues).
Thotë (Profeti) : Atëherë i mbyllet goja dhe u thuhet gjymtyrëve të tij: Flisni! – Dhe ato tregojnë punët e tij! Pastaj i jepet leje përsëri gojës së tij dhe ai thotë: Mallkuar qofshi! Unë për ju po luftoja!”[7]
Ndërsa në një hadith tjetër ka ardhur se Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Do ta takojë Allahu robin e vet (atë ditë) dhe do t’i thotë: O filan! A nuk të kam nderuar, a nuk të kam bërë zotëri, a nuk të kam martuar, a nuk t’i kam nënshtruar kuajt dhe devetë, dhe të bëra prijës dhe të dhashë plaçkë? (Ia numëron mirësitë e Tij) – thotë robi – Po si jo! – i thotë Allahu – A nuk mendove se do të më takoje? – thotë – Jo! (Nuk besoi në takimin me Allahun, dhe llogarinë e Tij). I thotë: Unë po të harroj pra sot, ashtu siç më harrove! – E kështu i thotë edhe një të dyti, dhe ai i përgjigjet po njësoj.
E takon të tretin dhe i thotë njësoj dhe ai i përgjigjet: ‘O Zot! Unë të besova Ty dhe Librin Tënd, dhe të Dërguarin Tënd, dhe fala namaz , agjërova, dhashë sadeka’, (thotë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -) dhe e lavdëron veten me sa mundet! (O Zot kam bërë këtë dhe atë, prej punëve të mira) – i thotë Allahu: Atëherë qëndro këtu! Tani do të sjellim dëshmitarin Tonë kundër teje (dikush të përgënjeshtron dhe t’i hedh poshtë këto që thua). – Ai mendon në vetvete: Kush do të jetë ky dëshmitar kundër meje?! – Atëherë i vuloset goja, (i mbyllet) dhe i thuhet kofshës së tij, mishit të tij dhe kockave të tij: Flisni! – Atëherë flet kofsha e tij, mishi dhe kocka e tij dhe tregojnë ato që ka punuar. Që ai të mos ketë asnjë justifikim. I tilli është hipokriti. Dhe ky është ai me të cilin Allahu zemërohet.”[8].
Pasuria jote e vërtetë është ajo me të cilën do të blesh gjënë më të shtrenjtë, mëshirën e Allahut, dhe me të hyn në Xhennet. Mos u gënje se mund ta blesh Xhennetin me veprat e tua, sepse Profeti saus ka thënë: “Dhe dijeni se asnjërin prej jush nuk kanë për ta futur në Xhennet veprat e tij. – I thanë: As ty o i Dërguari i Allahut? – tha: As mua, vetëm nëse më përfshin Allahu me falje dhe mëshirë (prej Tij)”[9]
Prandaj ruaje pasurinë tënde të mos ua dhurosh të tjerëve atë Ditë dhe të mbetesh i falimentuar dhe…!
Thotë Profeti (alejhi selam): “A e dini kush është i falimentuari? – Thanë: I falimentuari për ne është ai që s’ka as dirhem (para) e as mall. – Tha: Ai që është vërtetë i falimentuar prej ummetit tim është ai që vjen Ditën e Kijametit me namaz, agjërim, zekat (Ka qënë i pasur në dynja! Ka dhënë zekatin! Po përse sot është i falimentuar?! Pastaj, ai ka bërë kaq vepra të mira?! Ka ardhur me shtyllat më të mëdha të Islamit!?).
Por ka sharë dikë, ka shpifur për dikë, i ka ngrënë pasurinë një tjetri, i ka derdhur gjakun një tjetri, e ka rrahur një tjetër. Atëherë i jepet këtij prej shpërblimeve të tij, dhe atij tjetrit prej shpërblimeve të tij, e nëse i mbarojnë shpërblimet përpara se t’i shlyejë (padrejtësitë, prapësitë, të ligat që u ka bërë njerëzve) merren prej gjynaheve të tyre dhe i hidhen atij, pastaj ai hidhet në Xhehennem!”[10] Allahu na ruajtë nga falimentimi dhe turpërimi në këtë botë dhe në Tjetrën!
Dhe paqja e lavdërimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, dhe lutja jonë e fundit është: Lavdërimi i përket Allahut Zotit të botëve.
Emin Bilali
[1] Transmeton Ebu Ja’la me zinxhir të saktë, Ibn Hibbani në “Të saktin” e tij dhe e ka saktësuar shejkh Albani – Allahu e mëshiroftë – në “Sahihut terghib uet terhib” (3589).
[2] Muslimi (2582).
[3] Ahmedi dhe e saktësi shejkh Albani në “Sahihut terghib uet terhib” (3603)
[4] E transmeton Ahmedi me zinxhir të mirë dhe të tjerë. “Çfarë ka pas vdekjes” i shejkh Husejn Auajshes – Allahu e ruajtë, fq.76.
[5] Tenbihul gafilijn 1/380
[6] Bukhari (6534)
[7] Muslimi (2969)
[8] Muslim (2968)
[9] Bukhari (6467), Muslimi (2818)
[10] Muslimi (2581)