Fjala (القول) në sheriat ka dispozitat, rregullat dhe ndarjet e saja.
Robi është urdhëruar me fjalën më të mirë në të folur (تَكَلُّمًا )dhe në pasim (اِتِّبَاعًا). Pra, kur të flet, të flet në mënyrën më të mirë dhe kur të degjojë diçka, ta pasojë fjalën më të mirë.
Argument se robi është urdhëruar të flet me fjalën më të mirë është fjala e Allahut të Lartësuar: “E ti robërve të Mi thuaju: “Le ta thonë atë që është më e mira, pse djalli ndërsen mes tyre, e është e ditur se djalli është armik i hapët i njeriut” (el Isra, 53)
Arsyeja dhe urtësia e këtij urdhëri përmendet në vijim të ajetit të njëjtë. Andaj, për t’ia mbyllur derën fitneve apo mundësisë së shejtanit për të manipuluar me fjalët e njerëzve duke futur armiqësi mes tyre, jemi urdhëruar t’i përmbahemi fjalës më të mirë.
Ndërsa, argument se robi është urdhëruar të pasojë fjalën më të mirë është fjala e Allahut: “…e ti përgëzoji pra robërit e Mi! Të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të mirën prej tyre. Të tillët janë ata që All-llahu i udhëzoi në rrugën e drejtë dhe të tillët janë ata të mençurit.” (ez Zumer, 17-18)
Pasimi i fjalës më të mirë është shkak për arritjen e udhëzimit të Allahut dhe plotësinë e mendjes.
Përmendja e këtyre dy urdhërave së bashku me cilësinë e robërisë (عبادي) tregon se këto dy çështje janë prej ubudijes (adhurimit të Allahut), që do të thotë se prej përsosmërisë së ibadetit ndaj Allahut është të folurit me fjalën më të mirë dhe të pasuarit e fjalës më të mirë.
I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka qenë njeriu më i plotë në adhurim, duke qenë njëriu më i plotësuar në thënien dhe pasimin e fjalës më të mirë.
Fjala më e mirë ndahet në dy lloje:
▪︎Fjala më e mirë në vetvete, siç janë fjalët: “La ilahe il-la Allah” dhe “Elhamdulilah”. Ka thënë Pejgamberi (salAllahu alejhi ue sel-lem): “Dhikri më i mirë është fjala “La ilahe il-la Allah”, ndërsa falënderimi më i mirë është thënia “Elhamdulilah” (Transmeton Tirmidhiu)
•Fjala e cila vlerësohet si më e mira varësisht rrethanave.
Shembull kemi rastin e fjalëve të Omerit dhe Ebu Bekrit (radijAllahu anhuma) në momentet kur vdiq Pejgamberi (salAllahu alejhi ue sel-lem).
Omeri (radijAllahu anhu) tha: “Kënd e dëgjoj duke thënë se i Dërguari i Allahut ka vdekur, do ta godas me këtë shpaten time”. Pastaj erdhi Ebu Bekri dhe pasi e falënderoi dhe lavdëroi Allahun tha: “Kush ka adhuruar Muhamedin, ta dijë se ai ka ndërruar jetë. Kush adhuron Allahun, ta dijë se Ai është i gjallë dhe nuk vdes kurrë”.
Pastaj lexoi ajetin: “… Muhamedi nuk është tjetër veçse një i dërguar. Para tij kanë kaluar shumë të dërguar. E në qoftë se ai vdes ose vritet, a do ta lini fenë e tij? E ai që le fenë e Allahut le ta dijë se nuk i bën dëm Zotit, por Allahu do t`i shpërblejë falënderuesit”. (Ali Imran, 144)
Në këtë rast, fjala më e mirë është ajo e Ebu Bekrit e jo e Omerit (radijAllahu anhuma), sepse Ebu Bekri e paraqiti realitetin e ngjarjes duke e argumentuar atë me ajet Kur’anor.
Fjala më e mirë është ajo për të cilën njerëzit kanë shumë nevojë sepse ajo i qetëson, ua rehaton zemrat, sepse përmban realitet, saktësi, edhe në qoftë se është e dhimbshme. Njerëzit kanë nevojë për të vërtetën, fjala më e mirë nuk mund të jetë e tillë nëse nuk përmban vërtetësi, andaj fjala e Ebu Bekrit i qetësoi zemrat sepse ishte e vërtetë, ndonëse fjala e Omerit jepte shpresë se i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue sel-lem) ishte gjallë.
Ashtu siç njeriu e ushtron gjuhën, fytin, gojën që të nxjerr shkronjat nga vendartikulimi i saktë, me cilësi të sakta ( në leximin e Kur’anit), dhe duke ushtruar bëhet i saktë dhe preciz, ashtu mundet që ta ushtrojë gjuhën që nga ajo të nxjerr vetëm fjalë me kuptime të sakta dhe të flet me fjalën më të mirë.
Përktheu: Eranda Kosumi / rizgjimi.com