Fitre-ja  në rrezik

Të gjitha falënderimet e plota dhe lavdërimet  absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë zotërisë së bijve të Ademit, Muhammedit të cilin e dërgoi All-llahu mëshirë për krejt krijesat e Tij, familjes së tij fisnike e shokëve të tij besnik dhe të gjithë atyre që e pasojnë traditën e tij deri në ditën e gjykimit.

Të nderuar vëllezër,  Allahu i gjithmëshirshëm krijojë njerëzit dhe i brumosi në Natyrshmërinë e pastër e cila është e përshtatshme për një jetë të dinjitetshme dhe të lumtur. I lartëmadhërishmi thotë:  Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” Rrum: 30

Por shejtani i mallkuar pasi që shpalli armiqësinë e tij ndaj njerëzimit  mori përsipër të ndryshojë këtë natyrshmëri me të gjitha mënyrat dhe metodat djallëzore dhe nëpërmjet të gjithë bashkëpuntorëve të tij. Sa bukur e ka përshkruar Kurani  këtë mllef të tij ndaj neve dhe zellin që ka ai për të na lajthitur: Ai tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë, e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!” El A’raf: 16-17.

Ai në vazhdimësi bashkëpunon me argatët e tij djallëzor nga lloji ynë njerëzor duke i inspiruar ata me lloj ide, filozofi, tundosje epsharake, qefe afatshkurtëra etj. e nëpërmjet tyre shpërndan ndikimin e tij gjithandej. Le ta dëgjojmë ajetin 112 të sures Elenam i cili e përshkruan shumë bukur këtë bashkëpunim mes dy palëve: Kështu, çdo profeti Ne i kemi caktuar armiq djajtë e njerëzve dhe të xhindeve, të cilët e frymëzojnë njëri-tjetrin me fjalë boshe të zbukuruara për mashtrim. Por, sikur të donte Zoti yt, ata nuk do të bënin kështu, prandaj lëri ata dhe trillimet e tyre.” Këtë mision ai e ka zhvilluar për gjatë gjithë historisë njerëzore, porse në epokën tonë moderne mjetet të cilat i ka në dispozicion ia kanë lehtësuar punën tej mase. Sot nëpërmjet mjetetve të komunikimit masiv e nëpërmjet influencerëve mendjelehtë e të shthurur, të cilëve sipas metodës  u kanë vendosur emra vezullues, të bukur, e që shkëlqejnë si VIP a,  artistë, këngëtarë, intelektual, analistë etj. etj. dhe duke atakuar një audiencë mendje lehtë ndikimi i keq ndaj natyrshmërisë njerëzore veç sa vjen e rritet. Përderisa në kohët  e më hershme fushëveprimi e kishte të kufizuar sikurse që edhe  ndikimi i tij  ishte i tillë, sot nëpërmjet mjeteve të komunikimit masiv një argat i dreqit në lindje me një x ide të çoroditur  infekton masa të gjera  edhe në perëndim si dhe anasjelltas. Pra siç kemi armë të shaktërrimit masiv: bomba nukleare atomike, e armë kimike, të cilat edhe ashtu nuk po hezitojnë ti përdorin, por asgjë më të mira nuk janë as këto “armët” mjetet  e ndikimit masiv në devijimin e llojit njerëzor nga natyrshmëria e vet bazike.  Forcat djallëzore nuk kursejnë askënd,  përfshi edhe fëmijët në djep janë të rrezikuar nga trushpërlarja e sidomos kur kemi parasysh se një numër jo i vogël i prindërve janë të papërgjegjshëm për rolin dhe përgjegjësinë e tyre si prind. Nuk është i vogël numri i  nënave të cilat dertin më të madh e kanë pedikyrin e manikyrin e tyre. Sikurse që kemi jo pak edhe asi baballarë të cilët edhe pse janë bërë prindër  ende preukupim kryesor kanë lojrat elektronike apo dalldisjen me shoqëri qoftë  fizike apo virtuale. Prandaj në këso raste kur kopetë mbesin pa bari dhe madje i lihen në dorën e ujkut duke u dhënë fëmijëve nga një “armë” në dorë, telefon apo tablet etj. me qasje të plotë në internet e shepshherë edhe pa kufizime kohore, është e tepërt të flitet për rezultatet përfundimtare se deri ku mund të shkojë dëmi afatgjatë në natyrshmërinë e tyre dhe jo vetëm.  Një ditë i Dërguari i Allahut ﷺ ishte ngritur hatib në mesin e shokëve të tij dhe u kishte thënë se Allahu e ka urdhëruar që t’ua kumtojë disa të vërteta e në mesin e tyre u tregoj edhe këtë fjalë të Zotit fuqiplotë: Me të vërtetë, unë i krijova robërit e Mi të pastër ( në natyrshmëri), por shejtanët i kapluan, ua ndaluan atyre atë që ua kisha lejuar dhe i urdhëruan që të më bëjnë shok atë për të cilën nuk kam zbritur asnjë argument.” ( Sahih Muslim, nr. 2865).

Prandaj defitretizimi- dehumanizimi i llojit njerëzor është duke ndodh me hapa të frikshëm. Forcat trushpërlarëse janë tepër aktive ditë e natë me kapacitete e mundësi të pafundme dhe punojnë me axhenda perfide duke mos lënë hapësirë pa e shfrytëzuar, aq më tepër kur fryma dhe klima  është në favor të tyre dhe mbështetja e institucioneve vendore e ndërkombtare,  e këtyre axhendave është diçka e hapur tashmë dhe publike.

Prandaj të nderuar vëllezër defitretizimi është duke ndodhur në të gjitha sferat njerëzore. Natyrshmëria njerëzore në ushqim dhe pije luftohet  duke i zëvendësuar të dobishmet me të dëmshme, derisa gjeneratave të  reja po iu ndryshon edhe shija saqë nuk ndjenë kënaqësi për ushqimet e mira e të dobishme, por kënaqësinë e gjejnë tek ato të dëmshmet. Pijet energjike në raport me ujin tek fëmijët është  shembull shumë i qartë, statistikat janë tmerruese për përqindjen e lartë të konsumit të këtyre pijeve tejet  të dëmshme për shëndetin nga fëmijët që janë në process të rritjes e zhvillimit,   apo kosumimi i  mishi  të shëndetshëm në raport me sallamat e dëmshme  e pashtetat etj.

Poashtu natyrshmëria e gjumit dhe  pushimit  është në rrezik duke u zëvendësuar  me qëndrim deri vonë natën kot e duke fjetur deri vonë ditën.

Natyrshmëria e mënyrës së të jetuarit dhe stilit të jetës është ndër më të atakuarat, si dhe më të dukshmet ku shohim sesi për ditë e më shumë ndryshon sitili i dukjes, veshjes, ndejës, mënyrës së jetesës, qasjes ndaj të tjerëve etj etj. Atë që vetëm para dhjetë vitesh shumica e konsideronte turp, marre apo palidhje sot e jeton me zgjedhje të lire e me vetdëshirë!

Poashtu natyrshmëria njerëzore në besimin e pastërt monoteist ka qenë është dhe do të vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së shejtanit dhe shërbëtorëve të tij. Zaten kjo është piknisja dhe pikëpërfundimi i synimeve të forcave devijuese. Pikënisja pasiqë njeriu i zhveshur nga besimi i drejt në Zot dhe ndjenja e përgjegjësisë ndaj Krijuesit është shumë më lehtë të itrigohet e të tundohet. Ndërsa në rast se e ka besimin atëherë është pika përfundimtare e synimeve të tyre, ku duke e joshur e lajthitur me epshe tunduese e hutuese dhe duke e bërë që të sharrojë sa më thellë në moçalet e gjynaheve synohet t’i dobësohet ai besim e që në fund ta braktisë në tërësi e të përfundoj si jobesimtar, Zoti na ruajtë.

Me pak fjalë njeriu si tërësi është në shënjestrën e shejtanit të mallkuar dhe të argatëve të tij duke synuar lajthitjen dhe devijimin e tij nga natyrshmëria e cila i përshtatet dhe vetëm ajo e  lumturon. Dhe ne këtë Hytbe po e përmbyllim me ajetet 117-121 të sures Ennisa ku Allahu s.v.t.  thotë:  “117. …. Në të vërtetë, ata lusin vetëm shejtanin e pabindur. 118.Atë e mallkoi Allahu, kurse ai tha: “Unë do të marr gjithsesi një pjesë të caktuar të robërve të Tu, 119.dhe me siguri do t’i shpie në humbje, do t’i josh me shpresa të kota, do t’i urdhëroj që t’ua presin veshët bagëtive dhe do t’i urdhëroj që të ndryshojnë krijesën e Allahut.” E kush merr shejtanin për mbrojtës në vend të Allahut, me të vërtetë ka pësuar humbje të qartë. 120.Ai u premton atyre dhe i josh me shpresa (të kota), por premtimet që i bën shejtani janë vetëm mashtrime.121.Vendbanimi i tyre është Xhehenemi dhe nuk do të mund të gjejnë shpëtim prej tij.

Ndërsa në  javën tjetër insha Allah do të flasim për ndikimin e tij në raport me krijimin e familjes dhe lindjen e fëmijëve, ngase kjo temë është me urgjencë kombëtare, pasiqë sipas statisttikave zyrtare nataliteti në vendin tonë po shënon ramje të rrezikshme për kombin.   Gjerësisht do të flasim në xhumanë e ardhshme në dasht Allahu s.v.t.  e deri atëherë qofshim ne dhe ju dhe të gjithë të dashuritë tonë në mbrojtjen e  Allahut Zotit të botëve.

 

Thirrja.org

Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve