Dispozitat sheriatike (el-ahkam esh-sherije) nxirren nga burimet e shpalljes hyjnore (Kurani dhe Suneti), ato nuk janë gjithmonë unike për çdo njeri dhe në çdo kohë.
P.sh. një i sëmurë nuk e ka obligim agjërimin gjatë periudhës së sëmundjes, po kështu kur mungon uji, abdesi zëvendësohet me tejemum etj.
Dispozita të tilla janë të shumta në Islam, ndaj kur vështrohen të gjitha argumentet, duket qartë se ato ndryshojnë në varësi të rastit dhe kohës. Pra, rasti specifik, koha, momenti apo aktualiteti, me të cilin duhet të aplikohet një dispozitë e sheriatit është thelbësor në njohjen dhe aplikimin e saktë të kësaj dispozite.
Aplikimi i një dispozite sheriatike në një rast specifik të caktuar është përgjegjësi e njerëzve të ditur të fesë, të cilët përveç njohjes së dispozitës në parim (teorikisht), duhet detyrimisht të njohin mjaftueshëm edhe aktualitetin (realitetin), për të cilin kërkohet të aplikohet dispozita sheriatike.
P.sh.: obligimi i agjërimit kërkon njohjen e argumenteve përkatëse të shpalljes, nga Kurani dhe Suneti, ndërsa realiteti kërkon njohjen e gjendjes shëndetësore të personit, për të cilin aplikohet ose jo obligimi i agjërimit.
Ky proces njohjeje dhe aplikimi quhet ixhtihad dhe dhënia e këtij gjykimi quhet fetva. Ixhtihadi është përpjekja e njeriut të ditur, të cilit i duhet të njohë argumentet sheriatike së pari, dhe pas kësaj, të njohë edhe realitetin përkatës, ku ai po mundohet të zbresë gjykimin e duhur të sheriatit, sa më saktë që të jetë e mundur.
Fetvaja pra, është produkti final i kësaj përpjekjeje për njohjen e dispozitës së sheriatit për një realitet të caktuar.
Nga kjo që u përmend, bëhet e qartë se fetvaja kërkon përpjekje njerëzore për të njohur saktë dhe drejt dy aspekte: argumentet sheriatike dhe realitetin. Duke qenë se njerëzit e ditur nuk janë profetë, të cilët mbështeten nga vahji (shpallja hyjnore) për dhënien e gjykimit fetar, atëherë rrjedhimisht edhe fetvatë e tyre ka shumë mundësi të ndryshojnë për shkak të njërës ose të dy elementeve ku mbështetet fetvaja:
- Elementi i argumenteve sheriatike
Siç e thamë, njohja e tyre është parësore, dhe kërkon një seri të gjatë njohjesh që merren përmes shkollimit të duhur fetar, që do të thotë se duhet të njihen ajetet dhe hadithet, metoda se si duhet argumentuar me to, saktësia e të kuptuarit të ajetit dhe saktësia e përdorimit të tij, autenticiteti i hadithit, dhe saktësia e kuptimit dhe përdorimit të tij, etj.
Duke qenë se njerëzit në këtë njohje ndryshojnë, është e pritshme që edhe konkluzionet e tyre të dijes në këtë drejtim të pajtojnë, duke formuar kështu një mendim konsensual rreth një gjykimi sheriatik, që njihet me termin ixhma, ose të jenë të ndryshme, duke formuar kështu atë që njihet si mospajtim (khilaf).
- Elementi i njohjes së realitetit
Edhe njohja e këtij elementi kërkon një sërë njohjesh që kanë të bëjnë me vendin, kohën, njerëzit dhe rastin, për të cilin duhet të jepet fetvaja. Kërkohet të njihet gjithashtu, apo paramendohet pasoja që do të sjellë kjo fetva, pra dëmi dhe dobia. Sigurisht, edhe këtu njerëzit e dijes mund të pajtohen ose jo, në varësi të njohjes së tyre të këtij realiteti dhe lidhjes që ata bëjnë mes tij dhe dispozitës sheriatike përkatëse.
Kështu që ka dy arsye madhore pse njerëzit e dijes mund të mos bien dakord në dhënien e një fetvaje. Nëse ata bien shpesh dakord me të parën, që është teorike, mund të mos bien dakord me të dytën, që është zbatimi praktik.
Nëse të dyja rastet e mospajtimit gjenerohen pikërisht për shkak të përpjekjes njerëzore (ixhtihadit), dhe nuk kemi të bëjmë me një konsensus (ixhma), atëherë edhe peshorja e vlerësimit për saktësinë ose jo të një fetvaje mbetet njerëzore dhe duhet të vlerësohet pikërisht përmes këtyre dy elementëve, dhe jo përmes preferencave për emra të caktuar, edhe pse autoriteti dhe simpatia për disa, natyrshëm ndikon vetvetiu tek njerëzit. Por në fund, ai që vlerësohet është argumenti dhe saktësia e aplikimit të tij, dhe jo emri i personit mbi argumentin.
Një argument i saktë i përdorur saktësisht në vendin, kohën dhe rastin e duhur është më parësor dhe vendimtar sesa emri i atij që e përdor, përndryshe, bie ndesh me parimin e njohur islam “Njih të vërtetën të njohësh njerëzit e saj, nuk njihet e vërteta përmes njerëzve”, që do të thotë se e vërteta nuk është pronë ekskluzive e ndokujt, por vetëm se e shpalljes dhe e konsensusit të ymetit, ndërkohë, çdo individ më vete është i gabueshëm.
Ashtu siç refuzimi i ixhmasë (konsensusit) së provuar është i gabuar, ashtu edhe vendosja e një fetvaje -që ka mospajtime- në pozitën e ixhmasë është e gabuar. Por akoma edhe më e gabuar është që çështjet e debatueshme mes dijetarëve të kthehen në çështje përçarjeje, urrejtjeje dhe dashurie, miqësie dhe armiqësie, mbështetjeje dhe braktisjeje mes muslimanëve.
Ndërkohë, shumë muslimanë e pranojnë në parim këtë që u tha më sipër, por kur vjen puna në praktikë, ata kundërshtojnë vetveten duke rënë në fanatizëm pas x dhe y, ndërkohë që kritikojnë të tjerët për fanatizmin e tyre!