Festa absurde Halloween-it

Të gjitha falënderimet e plota dhe lavdërimet  absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë.  Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë zotërisë së bijve të Ademit, Muhammedit të cilin e dërgoi All-llahu mëshirë për krejt krijesat e Tij, familjes së tij fisnike,  shokëve të tij besnik dhe të gjithë atyre që e pasojnë traditën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Njerëzimi  me të vërtetë ka mrri në një pikë të skajshme të çoroditjes në shije dhe  deforimimit të natyrshmërisë njerëzore. Dje dhe sot,  sikurse çdo vit tjetër, është dita kur më së miri pasqyrohet ky deformim. Shëndërrimi i fytyrave engjullore të fëmijëve në fytyra horrorri e shtrigash e të lugatëve dhe koftlargtëve nga vet prindërit e tyre, kjo vërtetë që ngre  pikpyetje të mëdha. Ngre pikëpytje të mëdha ngase veç emri i kësaj feste është i mjaftueshëm për ti mbrojtur fëmijët prej saj, “Nata e shtrigave”, “Nata  e frikës”! Vetëm kjo do të duhej t’i mjaftone çdo kujt  që ka dy kokrra mend. Shtoja kësaj edhe pamjen e  shëmtuar dhe të çoroditur, pamje kjo  e cila është symbol i kësaj feste edhe fytyra e saj përfaqësuese! Por ja që shumica e njerëzve  janë bërë sikurse kopeja, nëse e para bie në  lum krejt me radhë  pas saj gjuhen pa e menduar fare. Allahu fuqiplotë na paralajmëron se pasionet njerëzore të cilat shpesh bëhen djallëzore nuk kanë kufijë, nëse nuk kontrollohen nëpërmjet dritës së mendjes dhe shpalljes.Sikur e Vërteta të ndiqte dëshirat e tyre, do të shkatërroheshin qiejt e Toka dhe të gjithë ata që gjenden në to. Në të vërtetë, Ne ua kemi sjellë atyre Këshillën, por ata ia kthejnë shpinën Këshillës së tyre.”  ( Elmu’minun: 71)

Është për keqardhje që ne detyrohemi t’i kushtojmë vëmendje një gjëje kaq të kotë dhe të dedikojmë edhe ligjëratë hytbeje të veçantë për një temë si kjo, por ja që realiteti i hidhur në terren është ai i cili, për fat të keq, po tregon për degradimin e shoqërisë tonë edhe në këtë pikë.

Gjeneza e kësaj çorodije

Halloween-i ose “Festa e Frikës” është një festë me origjinë pagane, politeiste që i përket periudhës para ardhjes së Krishtit. Në fillimet e saj ishte lidhur me rituale që i përkisnin satanistëve -adhuruesve të djallit. Prej këtu  të krishterët e hershëm e të  përkushtuar ndaj besimit të tyre e refuzuan  si festë.  Mirëpo pas përhapjes së krishterimit, këto rite u ndërthurën me festën e Ditës së të Shenjtëve, në përpjekje për të adaptuar dhe transformuar kuptimin dhe formën e festës. Megjithëatë pjesë të shumta të atyre  zakoneve dhe bestytnive pagane kanë mbetur të pranishme dhe kaluan në festën që sot njihet si Halloween-i.

Shumë historianë e konsiderojnë festën “Samhain,” e cila festohej nga Keltët e lashtë të Irlandës, Skocisë dhe Uellsit, si origjinën e Halloween-it. Samhain-i konsiderohej dita e parë e vitit te Keltët politeistë dhe Dita e të Vdekurve, pasi besohej se në këtë ditë shpirtrat e të vdekurve që kishin ndërruar jetë gjatë vitit iu lejohej të ktheheshin në tokën e të gjallëve.

Kësioj shumë nga zakonet tradicionale të festës Samhain, si p.sh. shpërndarja e ëmbëlsirave për të maskuarit me kostume të frikshme, kanë mbetur ende pjesë e festimeve të Halloween-it modern.

Vlen të theksohet fakti se adhuruesit e djallit – satanistët ende e konsiderojnë datën 31 tetor si një ndër ditët më të shenjta për ta! E si mos ta konsiderojnë të tillë kur nëpërmjet saj edhe fytyrat e fëmijëve kanë arritur t’i monstruizojnë.

Në këtë ditë, shtëpitë dhe rrugët “dekorohen” me kunguj dhe lodra të frikshme, ndërsa njerëzit vendosin bizhuteri dhe varëse të bëra me  hudhra dhe qepë, si dhe spërkasin shtëpitë e tyre me kripë për të larguar kinse  shpirtrat e këqijë nga shtëpitë e tyre.

Të gjithë, të vegjël e të mëdhenj, maskohen me pamje sa më të çoroditura  që të mos njihen nga shpirtrat e këqij, pasi sipas legjendës, të gjithë shpirtrat kthehen këtë natë nga bota e të vdekurve në tokë dhe lëvizin aty deri në mëngjesin e festës!

Fëmijët shkojnë nga një shtëpi në tjetrën me qese dhe shporta që t’i mbushin me çokollata, dhe kush nuk u jep çokollata fëmijëve të maskuar, i zemëron shpirtrat e këqij!

Prapavija komerciale e kësaj feste

Të parët që përfitojnë nga kjo festë janë kompanitë e kinematografisë në Hollywood, të cilat çdo vit prodhojnë dhjetëra filma për Halloween-in, duke përfshirë filma horror për të rritur dhe filma vizatimorë me përmbajtje të frikshme  për fëmijë! Gjithashtu, prodhuesit e lodrave dhe ëmbëlsirave sjellin çdo vit lojëra dhe kostume të reja për Halloween, si kungujt, lakuriqët e natës, vampirët, fantazmat, dhe përfitojnë çdo vit fitime të mëdha nga kjo festë.

Në këtë vit, shpenzimet për Halloween në SHBA pritet të arrijnë një total prej rreth 12.2 miliardë dollarë, shifër që përfshin kostumet, dekorimet, ëmbëlsirat, dhe aktivitetet e tjera të festës. Mesatarisht, amerikanët shpenzojnë 108 dollarë për person, kryesisht për dekorime dhe ëmbëlsira. Shpenzimet për dekorime, në veçanti, kanë parë rritje të madhe, duke reflektuar popullaritetin në rritje të “dekorimeve” me tematikë Halloween dhe aktiviteteve përcjellëse.[1]

Këndvështrimi islam për Halloween-in

Siç e thamë edhe në hyrje, aq është e qartë shëmtija e kësaj feste saqë njerëzit e menqur pavarsisht bindjeve fetare do të duhej ta ndalonin qoftë edhe me ligj të veçantë. Por, ja që grupet e interesit dhe fuqitë dekonstruktive janë ato që vetëm sa shkojnë duke  fuqizuar çdo gjë negative dhe të dëmshme për llojin njerëzor. Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).” ( Errum: 42)

Siqodo që të jetë nga prizmi Islam dihet fare mirë se Islami fton për të ruajtur çdo traditë të mirë dhe për të adaptuar çdo gjë të re të dobishme. Islami jonë është ai të cilin çdo mendje objektive e shëndoshë, nëse i qaset pa ngarkesë dhe pa snjë axhendë paraprake,  do ta pranojë se nuk ka gjë që e ka lejuar e mendja e shëndoshë dhe logjika e pastërt të thotë sikurse ta kishte e ndalaur. Si dhe anasjelltas nuk ka  diç që ka ndaluar e të thoshte sikurse ta lejonte.

Sa i përket kësaj shëmtije, vëllezër të nderuar,  së pari, Islami e ndalon imitimin e të tjerëve në ritet dhe festimet e tyre fetare të cilës do fe qofshin ato, aq më tepër kur janë paganiste. Pjesëmarrja e muslimanëve në festa të tilla konsiderohet shenjë e dobësisë në besimin e tyre. Profeti i Allahut Muhamedi ﷺ na ka paralajmëruar nga imitimi i jo-muslimanëve në çështjet e besimit duke thënë: “Kush i përngjan një populli, ai është prej tyre.”  ( Sunen Ebi Davuud: 4031)

Ndërsa lidhur me çështjen e “shpirtrave të këqij” që mund të dëmtojnë njerëzit, besimi islam nuk e pranon assesi idenë e kotë të rikthimit të shpirtërave të këqijë të njerëzve, për të trazuar të gjallët. Thuajse ata janë në gjendje të mendojnë për të tjerët. Ata si shpirtëra të këqinjë janë në zavall për vete, nuk e kanë komoditetitn të mendojnë për tjerët. Lëre më tu jepet hapësira për të bërë keq. Kur’ani na tregon për disa prej njerëzve më të këqinjë që ka pasur njerëzimi se çfarë ngjet me ta që nga dita e vdekjes tutje, e nëpërmjet tyre na tregon për këtë soj se çka e pret prej momentit të vdekjes e me radhë. Fjala është për faraonin dhe ithtarët e tij për të cilët Allahu s.v.t. thotë: “Dhe Allahu e ruajti atë (besimtarin këshillues) prej të këqijave dhe kurtheve të tyre, ndërsa ithtarët e Faraonit i kaploi dënimi i vrazhdë.  Ata do të çohen para Zjarrit në mëngjes dhe mbrëmje (në jetën e varrit) e, kur të arrijë Ora (e Kiametit), do të thuhet: “Hidhni ithtarët e Faraonit në dënimin më të rëndë!”  Gafir: 45-46.

Madje çështjen e shpirtit Kur’ani e ka konceptuar si sekret prej sekreteve të Krijuesit   për të cilin edhe profetit të Tij  i kishte dhënë vetëm pak njohuri . “Të pyesin ty për shpirtin. Thuaju: “Shpirti është çështje që i përket Zotit tim, ndërsa juve ju është dhënë vetëm pak dituri.” (Sureja Isra, 85).

Kuptimi është se shpirti është një çështje që njerëzit nuk mund ta kuptojnë plotësisht, pasi është më e madhe se njohuritë dhe intelekti i tyre. Sado dije që mund të fitojë njeriu, ai nuk do të mund të kuptojë thelbin e shpirtit. Rrjedhimisht shpirti është një ndër sekretet më të mëdha të Krijuesit s.v.t., të cilin vetëm Ai e di. Është sekreti i jetës dhe vazhdon të ekzistojë edhe pasi trupi vdes, deri në Ditën e Gjykimit kur shpirtrat do të  bashkohen përsëri  me trupat e tyre për t’u përballur me gjykimin e madh. Në lidhje me ringjalljen, Zoti thotë: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen dhe pastaj do të ktheheni tek Ne.” (Sureja Ankebut, 57).

Besimi në ringjalljen, i cili është njëri prej kushteve kryesore të Imanit, pra përfshin gjithashtu besimin në shpërblimin ose dënimin pas vdekjes, i cili varet nga veprat e secilit në këtë jetë. Ndërsa besimi në “rikthimin e shpirtërave” është kundër këtij parimi, duke e mohuar kështu gjykimin e përtej varrit dhe ringjalljen, gjëra këto që bien ndeshë me këtë shtyllë të besimit tonë të pastrët islam.

Kësisoj besimi  në reinkarnim dhe në mundësinë e shpirtave për të bërë mirë apo keq është besim politeist, paganizëm-shirk, dhe ideja e dhurimit  për t’u mbroojtur nga dëmi i tyre përputhet me veprimet në Injorancën paraislame të cilat ishin të përhapura në shumë popuj e kultura gjithandej globit dhe tek arabët.  Allahu s.v.t. e përmend këtë dukuri në suren Elxhinn:6 “Në të vërtetë, ka pasur njerëz që kërkonin mbrojtje nga xhindet, por kjo vetëm sa u shtojë atyre mundim-frikësim.”

A janë të vdekurit të vetëdijshëm për të gjallët?

Sipas Islamit, pra,  kur një person vdes, ai kalon në një botë tjetër dhe nuk kthehet më tek të afërmit e tij as nuk ndien asgjë për ta, pasi është në një gjendje tjetër, ose në lumturi ose në dënim.

Vëllezër të nderuar, nëse dëshirojmë ne si muslimanë të mbrojmë shtëpitë tona nga djajtë, dhe të këqijat që kaq shumë janë përhapur sot,  duhet t’i mbushim ato me namaz , lutje dhe lexim të Kuranit. Në lidhje me këtë, Profeti Muhamed ﷺ ka thënë: ” Mos i shëndërroni shtëpitë tuaja në varreza, ngase shejtani largohet nga  shtëpia në të cilën  lexohet Surja El-Bekare. ( Sahih Muslim: 780)

Detyra e prindërve ndaj fëmijëve të tyre

Vëllezër të nderuar, është fakt se nuk mund t’i izolojmë fëmijët tanë plotësisht nga ndikimi i shoqërisë që i rrethon, sidomos në këtë kohë, ata shohin dhe dëgjojnë tërë atë çfarë po ngjet rreth tyre. Shpesh, edhe për shkak të tërë këtyre fushatave reklamuese e propagandimit që ju bëhet këtyre trendeve, ata edhe mund të lakmojnë. Por këtu vie roli mbrojtës i prindërve, të cilët duhet të tregojnë kujdes që të mos i lëjnë të  lidhen emocionalisht me festa të tilla dhe t’i konsiderojnë ato si të zakonshme në të ardhmen.

Ekspertët e shëndetit mendor paralajmërojnë se ekspozimi i fëmijëve ndaj festimeve të Halloween-it, veçanërisht ndaj pamjeve të frikshme, mund të ketë ndikime të ndryshme në shëndetin e tyre mendor, në varësi të moshës, personalitetit dhe nivelit të ekspozimit.[2] Shumë fëmijë “shijojnë”  elementet argëtuese të kësaj feste, si veshjet dhe lojërat, por disa mund të pësojnë, pasiqë mund të ndiejnë ankth, stres apo edhe frikë për shkak të simboleve të frikshme të përfshira. Për një qejf momental të rrezikohet mirëqenia dhe shëndeti mendor i fëmiut nuk ka aspak logjikë. Pasi të ndodh, mos e dhashtë Zoti, vrapojnë për zgjidhje nga dera më derë, prej asaj të psikologut, tek e hoxhës apo edhe psikiatrit. Pse?! “Largoju të keqes e pastaj këndoj” siç thotë një fjalë e urtë, e jo ti ekspozohemi të keqes  pa asnjë fije të nevojës, vetëm se diçka po bëhet trend! Alllahu fuqiplotë kështu na udhëzon:Thuaj: “Nuk barazohet  e keqja me të mirën, edhe nëse të mahnit shumësia e së keqes. Prandaj, kini frikë Allahun, o njerëz me intelekt, që të shpëtoni!”  ( Elmaideh:100 )

Këto  janë disa nga anomalitë që Ekspertët kanë vërejtur tek disa fëmijë si pasojë e atyre pamjeve të shëmtuara:

Ankthi dhe Frika: Fëmijët, veçanërisht ata deri nëmoshën  7 vjeç, mund të kenë vështirësi në dallimin e realitetit nga imagjinata e cila rezulton me ankth dhe frikë tek ta.

Pagjumësia dhe Makthet: Skenat e frikshme të Halloween-it mund të kenë një ndikim të madh në cilësinë e gjumit të fëmijëve. Shpesh, ato shkaktojnë pagjumësi, ku fëmijët bëhen të shqetësuar gjatë natës dhe zhvillojnë frikë nga errësira.

Zhvillimi i Ankthit Social: Fëmijët e ndjeshëm mund të shmangin aktivitetet shoqërore që lidhen me Halloween-in, duke përfshirë edhe mbledhjet me shokët e klasës. Kjo shmangie mund të shkaktojë ndjenja të izolimit ose të përjashtimit, duke ndikuar kështu në zhvillimin e aftësive sociale dhe në vetëbesimin e tyre.

Kurioziteti për Dhunën është një tjetër rrezik për të cilën flasin ekspertët se mund tu ndodh fëmijëve pasiqë si të ekspozuar shumë ndaj këtyre pamjeve mund të zhvillojnë një përceptim  të ndryshëm  ndaj  frikës dhe dhunës, dhe mund të fillojnë t’i trajtojnë skenat e frikshme si diçka normale apo të zakonshme.

Kjo s’do mend se nuk u ngjanë të gjithë fëmijëve pjesmarrës, e as që d.m.t. të ndodh saherë që fëmiu merrë pjesë. Por,  ja që mundet me kohën të zhvillohet diçka e tillë tek ndonjëri prej fëmijëve pjesmarrës, kështuqë mençuri është të largohemi totalisht, pasiqë kjo është më e shëndetshem për mendjen, trupin , shpirtin dhe besimin tonë dhe të fëmijëve tonë.

Në vend të pjesëmarrjes në Halloween, prindërit  mund t’u krijojnë një ambient tjetër fëmijëve nëpërmje ndonjë alternative, si një shëtitje, ëmbëlsira, ose takime me familjarë etj.  për t’ua kompenzuar atë me diçka atraktive dhe të dobishme për ta, dhe me të  cilën  rritet edhe  ndjenja e përkatësisë dhe krenarisë me besimin dhe kulturën tonë dhe me përbuzjen e kulturave të dëmshme të huaja.

Vëllezër të nderuar, Nëse mbjellim në zemrat e fëmijëve tanë dashurinë dhe krenarinë për Fenë e tyre, ata do të largohen vetë nga festimet e Halloween-it dhe nga çdo festë tjetër që nuk është Islame. T’i imunizojmë ata me sa më shumë besim të pastërt, dashuri për Allahun s.v.t. dhe të Dërguarin e Tij s.a.v.s., t’i lidhim sa më shumë për xhami, e Mektebe të xhamive aty ku mësohet edukata e mirëfilltë islame. Vërtetë se sprovat ndaj gjeneratave të reja në këtë kohë nuk kanë të ndalur, prandaj le t’iu ndihmojmë që të qëndrojnë stabil pranë tundimit të këtyre trendeve të rrezikshme për ta. Le të investojmë sa më shumë prej çdo gjëje të çmuar për më të çmuarit tonë!

 “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” (Tahrim: 6)

Allahu na’i ruajtë fëmijët dhe të rinjët e të rejat tona nga të gjitha fitnet e sprovat e këtij zamani, tunduese e hutuese,  të hapura e të fshehta,  të vogla dhe të mëdha! Allahume amiiin velhamdulilahi rabbil alemin.

 

[1] https://gazetasi.al/amerikanet-nuk-i-frikesohen-recesionit-mbi-12-mld-dollare-shpenzime-per-halloween/

[2] https://abcnews.al/efekti-halloween-psikologia-shpjegon-pasojat-negative-tek-femijet/

https://teve1.info/ndikimi-i-halloween-tek-femijet/