Euforia ndaj blerjeve është kthyer në një sëmundje të përhapur në kohën tonë, veçanërisht me përparimin e rrjeteve të internetit dhe disponueshmërinë e tregjeve elektronike. Blerja e shumtë e sendeve dhe produkteve të panevojshme është bërë diçka që ndodh thuajse në çdo shtëpi, dhe ka arritur deri në shkallën e teprimit. Pa dyshim, kjo është një shpërdorim i papranueshëm dhe një humbje e pasurisë. Teprimi është i ndaluar në Kuran, Sunet dhe sipas konsensusit të dijetarëve. Allahu i Lartësuar thotë: “Hani dhe pini, por mos e teproni. Vërtet Ai nuk i do tepruesit.” [El-Araf: 31]
Gjithashtu, Allahu i ka përshkruar shpërdoruesit si vëllezër të djajve. Ai ka thënë:
“Jepi të afërmit të drejtën e tij, edhe të varfrit, edhe udhëtarit; por mos shpërdoro në mënyrë të pakontrolluar. Sepse shpërdoruesit janë vëllezër të djajve, e djalli është mosmirënjohës ndaj Zotit të vet.” [Isra: 26-27]

I Dërguari i Allahut ﷺ  e ka konsideruar të urrejtur humbjen e pasurisë, për shkak të dëmit që ajo sjell. Ai ka thënë:
“Allahu kënaqet me tre gjëra prej  juve dhe i urren tre tjera : Kënaqet që ta adhuroni Atë, dhe të mos i bëni shok, që të mbaheni të gjithë për litari të Allahut e të mos përçaheni. Ndërsa  urren për ju: thashethemet, pyetjet e panevojshme dhe humbjen e pasurisë.”

Profeti ﷺ gjithashtu ka treguar se njeriu do të pyetet në Ditën e Gjykimit për pasurinë e tij: prej nga e fitoi dhe ku e shpenzoi. Ai ka thënë:
Këmbët e një robi nuk do të lëvizin në Ditën e Gjykimit derisa të pyetet për katër gjëra: për jetën  ku e kaloi, për diturinë çfarë ka vepruar me të, për pasurinë  prej nga e fitoi dhe ku e shpenzoi, dhe për trupin  e tij ku e mplaku.”
Sepse ka të varfër që mund të përfitonin nga ajo pasuri, në vend që ajo të shpërdorohej në sende të panevojshme. Teprimi është humbje e pasurisë, shpërdorim i mirësisë dhe mospërkujdesje ndaj saj.

Dëmet e teprimit:

Në teprim- masraf  ka Humbje të pasurisë, mosmirënjohje ndaj begative dhe mungesë urtësie. Askush nuk është i sigurt nga varfëria, sado i pasur të jetë. Sa e sa të pasur janë varfëruar kur humbën pasurinë ose punën e tyre. Allahu thotë: Nëse ju ka goditur ndonjë plagë, edhe popullin (armik) e kanë goditur të tilla plagë. Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve,  [Ali Imran: 140]

Teprimi në shpenzime nuk i sjell atij veçse  varësi  për botën kalimtare dhe lakmi të pakufishme, por kënaqësia e vërtetë nuk arrihet veçse me afrim ndaj Allahut. Ibn Kajimi ka thënë:
“Dashnorët e kësaj bote janë ose  të vrarë ose të robëruar. Disa kanë humbur jetën, disa ende  presin.”
Sa përkujtues është ky përshkrim për ata që nuk ngopen kurrë, që nuk do t’i kënaqte as një mal me ar. Ndërsa muslimani duhet të kujtojë se ka vëllezër të tij në besim dhe njerëzim që vuajnë nga uria, nuk gjejnë as bukën e përditshme dhe nuk kanë ç’t’u japin fëmijëve të tyre. Zemra dhe sytë lotojnë për gjendjen e shumë vendeve  të goditura nga uria, lufta e shkatërrimi.
Allahu thotë: “Mos mendo se Allahu është i pakujdesshëm ndaj asaj që bëjnë mizorët. Ai thjesht ua shtyn afatin për Ditën kur sytë do të mbesin të shtangur.” [Ibrahim: 42]

Shembuj të arsyeshëm për blerje:

Blerja e rrobave të nevojshme për veten, familjen dhe fëmijët, Ushqim dhe pije të domosdoshme, Blerja e një shtëpie për strehim, Pajisje dhe enë të kuzhinës, Pajisje elektrike si lavatriçe, sobë etj. Pajisje shkollore dhe mjete pune, blerja e ilaçeve dhe mbulimi i shpenzimeve shëndetësore etj. etj..

Shembuj të shpenzimeve që bien në teprim:

Blerja e telefonave të shtrenjtë që humbasin vlerën sapo përdoren; ndryshimi i telefonit çdo vit vetëm se ka dalë model i ri.

Blerja e telefonave apo kompjuterëve për lojëra të rënda, kur nuk ka nevojë reale.

Blerje rrobash të shtrenjta dhe me shumicë, sidomos te gratë që harxhojnë tepër.

Blerja e sasisë së madhe të arit dhe stolive të tepërta dhe pa dobi.

Blerja e makinave shumë të shtrenjta që nuk nevojiten (Ferrari, Bugatti etj.)

Blerja e enëve të shtëpisë të lyera me ar ose argjend.

Të ushqyerit nga restorantet për qejf, kur ka mundësi për të gatuar në shtëpi, çka sjell harxhime të panevojshme.

Shikimi i problemit nga prizma e Synimeve  të  Kuranit

Teprimi është cilësi e qortuar  e cila bien në kundërshtim me synimin  e edukimit moral.

Shpërdorimi është humbje e pasurisë, mund të çojë në varfëri dhe sjell lodhje shpirtërore, pakënaqësi ndaj vetes dhe ndjenjë të fajit. Kështu, ai bie ndesh me qëllimin e përmirësimit të gjendjes individuale dhe shoqërore.

Shpërdorimi është  kundër urdhrit Kuranor  dhe që shkel synimet e sheriatit.

Teprimi shpesh i dëmton të varfrit dhe të privuarit, dhe mund të shkaktojë zili e urrejtje nga ana e tyre, gjë që mund të sjellë pasoja të këqija për ata që teprojnë. Kjo bie ndesh me qëllimin e përmirësimit të gjendjes individuale dhe shoqërore.

Këshilla dhe udhëzime të propozuara

Le të jenë të kujdesshëm ata që teprojnë në blerjen e mallrave të panevojshme, sepse ka njerëz që vetëm do të dëshironin të kishin mundësinë ta bënin këtë, por nuk kanë mjete financiare. Kjo sjellje e tepruar mund t’i ekspozojë ndaj syrit të keq (me apo pa qëllim) nga ana e atyre që janë të privuar, dhe gjithashtu mund të nxisë zilinë nga njerëzit me zemër të sëmurë. Zilia është një cilësi që nuk mungon në asnjë shoqëri, prandaj Profeti ﷺ kërkonte mbrojtje nga ajo dhe na urdhëroi të kërkojmë strehim tek Allahu çdo ditë, përmes leximit të Sures El-Felek në mëngjes dhe mbrëmje, ku thuhet:
“Dhe nga e keqja e fryrëseve në nyje, si dhe nga e keqja e ziliqarit kur ai bën zili.” (El-Felek: 4-5)

Nuk është e hijshme që muslimanët të ndjekin verbërisht nga pas mjetet e jashtme të jetës dhe të garojnë mes vete se kush ka pajisjen më të shtrenjtë. Nëse një individ do të mjaftohej me një pajisje me çmim të arsyeshëm, e cila përmban veçoritë që ai realisht ka nevojë për to, dhe pastaj do të jepte pjesën tjetër të parave për bamirësi, kjo do të ishte shumë më e dobishme për të në botën tjetër dhe gjithashtu do të përmbushte nevojat e tij.

Ky udhëzim i shërben si një paralajmërim etik dhe shpirtëror për të mos u treguar të pakujdesshëm ndaj të tjerëve përmes luksit të tepërt, sepse pasojat mund të jenë më të rënda sesa duket në pamje të parë.

Fenomeni i Israfit (Shpenzimit të Tepruar) në Kuranin Famëlartë

Allahu i Lartësuar ka ndaluar të gjitha kuptimet e israfit – teprimit, qoftë në formën e tejkalimit në dhënie dhe shpenzim, apo në formën e mangësisë me koprraci dhe kursim të tepruar. Dëshmia për këtë është fjala e Tij:
“Dhe mos e shtrij dorën tënde krejtësisht (me teprim), që të mos mbetesh i qortuar dhe i penduar.” [El-Isra: 29]

Nga kjo kuptojmë se mesataria  dhe ekuilibri janë boshti i jetesës, janë drejtësia dhe zgjedhja më e mirë. Sepse tejkalimi në ndonjë çështje është ekstremizëm dhe teprim, kurse mangësia është neglizhencë dhe ashpërsi.

Të dyja  teprimi dhe mangësia  përbëjnë largim nga ekuilibri, i cili është themeli që mban të rregullt ecjen e njeriut dhe jetën e tij në këtë botë.

Paralajmërimet e Kuranit ndaj Israfit– teprimit

Allahu i Madhëruar ka përmendur në mënyrë të veçantë tepruesit  (el-musrifin) në Kuranin Famëlartë, edhe pse urdhri për besim, bindje dhe sjellje të drejtë është i drejtuar për të gjithë. Arsyeja është se musrifët janë prijësit e mosbesimit, mëkatit, shthurjes dhe shirkut (idhujtarisë). Ata janë udhëheqës të devijimit dhe humbjes, dhe shumica e njerëzve të zakonshëm bien në mëkate për shkak të pasimit të tyre dhe ndikimit që kanë tek të tjerët.

Këta musrifë kanë kaluar kufirin e asaj që është e lejuar, duke ia  tepruar si në të lejuarën hallallin,  ashtu edhe në të ndaluarën haramin. Ata:

Shpenzojnë pasurinë e tyre në mëkate dhe gjynahe.

Shtypin njerëzit padrejtësisht.

Derdhin gjak të ndaluar pa të drejtë.

Gënjejnë ndaj Allahut dhe të Dërguarve të Tij, me qëllim që ta largojnë njerëzimin nga feja e drejtë.

Pra, përmendja e veçantë e tyre në Kuran ka një domethënie të thellë: përgjegjësia e tyre për prishjen dhe devijimin shoqëror është më e madhe, prandaj edhe paralajmërimi ndaj tyre është më i ashpër.

Pasojat e teprimit në Shoqëri

Duke qenë se musrifët shpenzuesit e tepruar janë udhëheqës të të tjerëve dhe prijës të shthurjes dhe mëkatit, kur ata bien në teprime, njerëzit i pasojnë. Kështu, mëkati dhe e keqja përhapen në të gjithë shoqërinë, e mëkatarët rrethohen nga gjynahet e tyre,  duke e merituar shkatërrimin dhe ndëshkimin hyjnor.

Israfi është një nga faktorët më të fortë dhe më të shpejtë të shkatërrimit shoqëror, sepse Shthurja në epshe të ndaluara dhe kënaqësitë e pakontrolluara e fik ndjenjën e nderit, e vret krenarinë dhe burrërinë, dhe i bën veset  në diçka të zakonshme në shoqëri.

Në një shoqëri që e udhëheqin musrifët, e keqja kthehet në fushë gare, dhe kushdo që e kundërshton këtë degjenerim bëhet objekt talljeje apo sulmi, ndërsa virtytet morale dhe vlerat shpirtërore shihen si gjëra të çuditshme.

Allahu përmend këtë gjendje në historinë e popullit të Lutit, kur ata thanë për njerëzit e ndershëm:
“Nxirrni nga qyteti familjen e Lutit, sepse janë njerëz që pastrohen.”
[En-Neml: 56]

Në këtë pikë, ndëshkimi i Allahut bëhet i pashmangshëm. Shoqëria që shpërdoron dhe i jepet teprimit në mëkate, përfundon e shkatërruar:
“Dhe Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij që e përcaktuam të jetë nga ata që mbesin pas. Dhe Ne lëshuam mbi ta një shi – dhe sa i keq ishte ai shi për ata që u paralajmëruan.”
[En-Neml: 57-58]

Rreziku i teprimit  

Në mënyrë të përgjithshme, israfi (shpenzimi i tepruar dhe i pakontrolluar) është një dukuri e rrezikshme për shëndetin dhe qëndrueshmërinë e kombeve dhe shoqërive njerëzore. Pasojat më të rënda që ai sjell përfshijnë:

  • Ngurtësim ndaj ideve të reja, duke u kapur pas mendësive të brezave të mëparshëm
  • Mohim i jetës së përtejmedhe nënvleftësim i pasojave të mëkateve të mëdha
  • Kaplim në mëkate që e mpijnë ndërgjegjen, e shndërrojnë zemrën në të ftohtë e të pandjeshme
  • Mendjemadhësi dhe përbuzje ndaj thirrjeve të profetëve dhe reformatorëve
  • Refuzim i çdo përpjekjeje për ndryshim, nga frika se do të humbin pasurinë, pushtetin dhe prestigjin që kanë

Por rreziku më i madh që sjell një civilizim i ndërtuar në israf është shtrembërimi i realitetit dhe përmbysja e vlerave, nuk mjafton vetëm me injorim ndaj  veseve të këqija, por ato madje justifikohen dhe promovohen. I jepen emra të rinj dhe të pafajshëm për t’i bërë të pranueshme dhe për t’i kthyer në norma të jetës shoqërore, ndërkohë që ato  janë  vetë rrënimi i saj.

 

Autor: Muhamed Emhazun