Ligjërues: Imam Didmar Faja
Falënderimet i takojnë Allahut (xh.sh.) Salatet dhe Selamet qofshin mbi të dërguarin e tij, Muhamedin (a.s.), familjen e tij të pastër dhe shokët e tij të nderuar.
O Zot, na nxjerr nga errësira e injorancës dhe e iluzioneve, në dritën e “Njohjes” dhe diturisë dhe na përfshij me Mëshirën tënde në robërit Tuaj të devotshëm.
Te nderuar vëllezër dhe motra!
Në Kur’an thuhet:
وَلِلَّهِ الأَسْمَاءُ الْحُسْنَى فَادْعُوهُ بِهَا
“Dhe Allahut i takojnë emrat e bukur, andaj luteni Atë me ato (emrat).” (Surja A’raf, 180)
Profeti (a.s.) thotë në një Hadith (Muttefekun Alejh), i cili gjindet në librin e Buhari, Muslim, Tirmidhi, Ibn Maxheh dhe Ahmed dhe që transmetohet nga Ebu Hurejreh se Profeti (a.s.) ka thënë:
إن لله تسعة وتسعين اسما من أحصاها دخل الجنة
“Allahu posedon 99 emra. Ai që i përvetëson ato, hyn në Xhennet.”
Kur besimtari kupton më shumë për cilësitë dhe atributet e Zotit të gjithësisë, nuk ka dyshim se ai afrohet më afër me Të dhe si rrjedhojë, ai fiton kënaqësinë e Allahut dhe Xhennetet e Tija. Thuhet: “Qëllimi i jetës është të fitosh kënaqësinë e Allahut.
Ne sot do flasim për një nga emrat e Tij, El –Fettah, që do të thotë Hapës. Ai hap dyert e mëshirës, diturisë, jetës, rriskut etj. mbi krijesat e Tij.
Në Kur’anin famëlartë ky emër përmendet në dy vende dhe Ai e quajti Suren më të madhërueshme të Kur’anit, Fatiha, që do të thotë (ajo që hapë) dhe me atë Sure hapet Kur’ani. Gjithashtu në Kur’an është dhe një Sure që quhet Fet-h, që ka kuptimin e hapjes dhe nënkupton çlirimin e Mekkes, ku Allahu (xh.sh.) i premton Muhammedit (a.s.) clirimin e Mekes para se të ndodhi një gjë e tillë.
I nderuar vëlla dhe motër! Zoti Fuqiplotë hap dyert e mëshirës dhe të rrizkut për gjithë krijesat e Tij. Disa njerëzve i hap dyert e drejtimit për në udhën Islame. Shembuj të bukur kemi në mesin e komunitetit tonë ku disa nuk e kanë frekuentuar më parë xhaminë dhe sot ata vijnë dhe vendosin ballin në tokë para Zotit Fuqiplotë. Ne kemi në mesin tonë dhe nga ata qe kanë qenë besimtarë të feve tjera dhe Allahu (xh.sh.) i ka hapur atyre dyert e drejtimit në rrugën e drejtë dhe ata sot falen me mua dhe me ju bashkë. Ka prej njerëzve që kanë qenë të varfër dhe Allahu i ka hapur atyre dyert e pasurisë dhe janë bërë të pasur. Ka dhe nga ata që doktorët i kanë thënë se nuk ka më gjasa për jetë, por Allahu atyre i ka hapur dyert e të jetuarit më gjatë dhe kanë jetuar. Ai thotë në Kur’anin e Tij Famëlartë:
مَّا يَفۡتَحِ ٱللَّهُ لِلنَّاسِ مِن رَّحۡمَةٍ۬ فَلَا مُمۡسِكَ لَهَاۖ
Atë që All-llahu ua hapë (dhuron) njerëzve nga mëshira e Tij, nuk ka kush që mund ta pengojë…” (Surja Fatir, 2)
Historia që do përmendi ka sens humori, por dhe lidhje me emrin e Zotit, Fet-tah. Më kujtohet se në Shkodër përmendej historia e një personi që vdiq dhe njerëzit duke e përcjell në varreza me Tabut, papritmas njeriu zgjohet dhe lëviz nga tabuti. Njerëzit frikësohen dhe s’i besojnë syve të tyre. Ai kishte pasur një vdekje klinike. Kur vdiq pas 15 vitesh, njerëzit pyesnin; “Këtë herë, a ka vdekur me të vërtetë apo jo?” Nga ky shembull dhe shumë të tjerë kuptojmë që Allahu i hap dyert e jetës atij personi që do dhe askush nuk ka njohuri për “Gajbin” të mbështetën, përveç Tij. Ai thotë në Kur’anin Fisnik: “Ai posedon çelësat e të fshehtës, të cilat nuk i din askush përveç Tij.”
Dyert më të mira që t’i hapë Allahu është kur ai të vendos besimin e patundshëm në zemrën tënde dhe të bën nga ata që atë besim e vendos dhe në praktikë. Dhe më e keqja është kur njeriu mbet “Gafil”, i hutuar dhe pavëmendje përball udhëzimeve të Krijuesit. Vallë, si mundesh o njeri të qëndrosh në këtë gjendje? Sikur pak t’i hapësh sytë dhe të shikosh argumentin e parë në veten tënde, se sa unik dhe të bukur të ka krijuar i Madhërishmi. Dëgjoni se ç’ka thotë Allahu (xh.sh.):
أَفَمَن شَرَحَ ٱللَّهُ صَدۡرَهُ ۥ لِلۡإِسۡلَـٰمِ فَهُوَ عَلَىٰ نُورٍ۬ مِّن رَّبِّهِۦۚ فَوَيۡلٌ۬ لِّلۡقَـٰسِيَةِ قُلُوبُہُم مِّن ذِكۡرِ ٱللَّهِۚ أُوْلَـٰٓٮِٕكَ فِى ضَلَـٰلٍ۬ مُّبِينٍ
“Atij që All-llahu ia ka zgjeruar kraharorin për besim islam, ai është në një dritë të sigurt prej Zotit të vet. Të mjerët janë ata që nga zemërfortësia e tyre nuk përmendin All-llahun, të tillët janë në humbje të qartë.”
I nderuar Xhemat! Ka raste kur Allahu është Fet-tah mbi robin e tij pas një kohe të gjatë. Për besimtarin kjo nuk është çudi, se ai është i bindur se Zoti bën më të mirën për të, prandaj ai lutet. “O Zot, Unë të lutem Ty për shumë gjëra dhe disa nga ato mund të më duken të Hajrit, por në fakt janë të Sherrit, prandaj bazohem tek Ti, të më japësh të mirën, se Ti e di më mirë se unë.”
Allahu (xh.sh.) është ai që hap dhe dyert e fatkeqësive dhe vuajtjeve, të cilat vijnë që njerëzit të marrin mësim ose për disa njerëz ato vlejnë si ndëshkim për punët e tyre të fëlliqura.
Si duhet të ndërtohet karakteri jonë mbi bazën e këtij emri që Allahu (xh.sh.) posedon?
Allahu kërkon nga ti që të vazhdosh duke kërkuar prej Tij. Mos të ndalesh nga lutjet dhe nëse duhet t’i kërkosh Allahut të njëjtën gjë disa herë, mos u dorëzo nga lutja. Ndoshta Allahu përmes saj bën që ti të afrohesh më afër me atë dhe pastaj nëse është e mirë për ty, ta hapë derën e asaj mirësie.
Në relacione me njerëzit e tjerë, përdore këtë cilësi në atë mënyrë që ti të bëhesh çelës i hapjes së “dyerve” të mirësisë për ta dhe në të njëjtën kohë, të jesh çelësi që mbyll “dyert” e të keqes për ta. Gjithashtu në lidhje me këtë, dijetari i madh Islam, Imam Gazaliu në librin e tij “El Maksad El Esma” thotë: “ Në mënyrë që njeriu të ketë pjesë në emrin e Zotit, Fet-tah, është e nevojshme të dëshirojë mbërritjen e etapës, në të cilën ai do arrijë një shkallë ku kyçet mbi problemet e mëdha, do hapen nga gjuha e tij, dhe ato subjekte fetare dhe tokësore, të cilat kanë qenë të vështira për njerëzimin, do bëhen të lehta me anë të njohurive të tij.”
Lus Allahun Fuqiplotë, të hapi mbi ne dyert e mirësisë hyjnore dhe të na bëjë ne, burim mirësie për të tjerët. Amin
Ligjërata e Xhumasë
26-3-2010
Xhamia: Greenway Masjid – Arizona, USA