Allahu i Plotfuqishëm ka fuqi absolute, nëse do diçka, e bën, e nëse s’do, ajo nuk ndodh edhe nëse të gjitha krijesat bashkohen për të ndodh ajo gjë. Kjo i takon vetëm Atij, që ka emrat më të bukur dhe cilësitë më të larta. E prej emrave të Tij janë القوي- el-Kavij, المقتدر-el-Muktedir, që tregojnë madhështinë, forcën, fuqinë dhe pushtetin absolut të Plotfuqishmit. Ai nuk ka kufizime, sepse pushteti i Tij është absolut. Ai ka fuqi dhe qëndrueshmëri absolute, Ai është autoriteti më i madh, fuqia më e madhe, krenaria absolute, lavdia sublime dhe madhështia e përsosur, e të gjitha këto janë vetëm për Zotin në kuptimin absolut.
Ai është unik në forcën, fuqinë dhe autoritetin e Tij. Nuk krahasohet në asgjë me krijesat e Tij, sepse Ai është krijues i tyre.
Allahu është i fuqishmi dhe ngadhënjyesi
Allahu shquhet me fuqinë e Tij. Askush s’mund t’i bëjë ballë fuqisë së Tij. Ai është përherë ngadhënjyes. Besimtari duhet të jetë i bindur dhe duhet plotësisht t’i nënshtrohet Atij. Për çdo gjë të kërkon ndihmë vetëm prej Tij, e jo nga dikush tjetër. Në Kur’an, Allahu kur flet për veten e Tij, thotë:
“…Zoti yt është ai i fuqishmi, ngadhënjyesi.”1
S’ka dyshim se Ai ka pushtet mbi çdo gjë dhe në gjendje për gjithçka, mjafton t’i adresojmë kërkesat tona të sinqerta dhe me nijet të pastër, që Ai të na përgjigjet neve për ato që i kërkojmë.
Ai i përgjigjet robërve të Tij kur ata sinqerisht kërkojnë ndihmën e Tij. Ai asnjëherë nuk e lë robin e Tij të sinqertë pa përgjigje.
Allahu e demonstroi në praktikë fuqinë e Tij
Kurdo që njerëzimi u shmangte nga e vërteta, Allahu dërgonte të Dërguar t’ua tërhiqte vërejtjen dhe u bënte thirrje për kthim në rrugën e udhëzimit. Sa herë që pushtetarët dhe të tjerët që bënin padrejtësi e zullum, atyre u thuhej të mos bënin zullum se ndëshkimi i Allahut është i madh. Allahu na tregoi se ndëshkoi njerëz të fuqishëm, sundimtarë të mëdhenj që disa e quanin veten zot.
“Edhe idhujtarët, siç e kishte traditë populli i faraonit, e dhe ata që ishin para tyre, i mohuan argumentet e Allahut, e për shkak të mëkateve Allahu i shkatërroi. Allahu është i plotfuqishëm, ndëshkues i ashpër.”
Mbi të gjitha, na sjell në kujtesë se gjithnjë kishte një grup që ishin të shtypur e të persekutuar, të cilët kishin besuar dhe iu kishin mbështetur Allahut dhe ishin të sigurt se Ai do t’u hakmerrej zullumqarëve:
“E kur erdhi vendimi Ynë (për dënim), Ne e shpëtuam Salihun nga poshtërimi i asaj dite, e bashkë me të, edhe ata që besuan. Zoti yt është ai i fuqishmi, ngadhënjyesi.”
Çka domethënë fuqia e Allahut për besimtarin?
Emri i Allahut dhe lidhja e besimtarit me të i jep vullnet e siguri besimtarit nga shtypja e zullumqarëve, tirania e despotëve, padrejtësia e sunduesve e pushtetarëve. Kjo i jep mesazh të fuqishëm besimtarit, se Allahu është i fuqishëm dhe në gjendje t’i shkatërrojë ata sa hap e mbyll sytë ose edhe më pak se kaq! Besimtari gjithashtu duhet të jetë i sigurt se nuk ka fuqi për asgjë përveç fuqisë së Zotit të Madhëruar, andaj kushdo që dëshiron pushtet mbi diçka, le ta kërkojë atë nga Zoti i Plotfuqishëm.
Besimtari nuk duhet të shqetësohet se ai mund të jetë i vetëm, apo mund të jetë me një grup të vogël e ndoshta të papërfillshëm nga njerëzit. Ai duhet ta dijë se po i drejtohet Krijuesit dhe Sunduesit të gjithësisë. E sa grupe të vogla e të papërfillshme me ndihmën e Allahut ngadhënjyen ndaj grupeve të fuqishme që nuk dinin për humbje. A nuk ngadhënjeu Musai ndaj Faraonit që e quante veten Zot dhe ushtrisë së tij që nuk dinte për humbje? Ngadhënjeu sepse ishte i lidhur me Allahun dhe e dinte se ndihma vjen vetëm prej Tij, ndaj në momentet më të vështira, kur njerëzit e tij u dorëzuan dhe thanë se Faraoni me ushtri na zunë, dhe kur ata e humbën edhe shpresën, Musai shpërfaqi besimin e thellë në Allahun dhe u tregoi atyre se të lidhurit me Allahun është arma më e fuqishme e besimtarit, ndaj edhe tha:
Kurrsesi, me mua është Zoti im, Ai do të më udhëzojë”.4 “…
Dhe realisht, Allahu e udhëzoi se çfarë duhet bërë ai dhe në anën tjetër iu përgjigj me fuqinë dhe forcën e Tij duke mposhtur e shkatërruar Faraonin së bashku me ushtrinë e tij!
Ata që mbështetën në Allahun, asnjëherë nuk mund të mposhten! Ata që sinqerisht presin ndihmën dhe fuqinë e Allahut, ajo do të vijë, patjetër, në kohën e duhur!
Kjo hytbe është mbajtur në xhamitë e komunës së Vushtrri, është shpërndarë në profilin zyrtar në Facebook të Këshillit të Bashkësisë Islame në Vushtrri