(Kur po flitnim për ajetin 82 të Sures Jasin : “Kur Ai dëshiron ndonjë send, urdhëri i Tij është vetëm t’i thotë “Bëhu!” ai menjëherë bëhet – inema emruhu idha erade shejen en jekule lehu kun fejekun”) se ekzistenca (dhe mosekzistenca) e çdo gjëje paraprihet nga Dëshira e Allahut. Dëshirë e Allahut që është gjithmonë me kuptim, e për pasojë përmbush me kuptim dhe gjënë që Zoti e krijon duke i thënë “Bëhu!”. Në këtë kuptim, Konceptet nuk janë të fituara nga përvoja pas njohjes më parë të ekzemplarëve të të njëjtit lloj, por janë apriori drejtpërdrejt të vendosura në mendje prej Zotit (njësoj si gjithë gjymtyrët, shqisat dhe organet që përbëjnë trupin e njeriut): nëse Zoti nuk do t’i vendoste aty, nuk do t’i kishim dot kurrë dhe do të ishim qenie jokonceptuale, siç besohet se janë kafshët. Sepse Konceptet në mendjen njerëzore, para se të koordinojnë, organizojnë dhe sistemojnë gjërat konkrete të kësaj bote, kanë si qëllim bazë t’i mundësojë qenieve njerëzore si krijesa të Allahut, që të aspirojnë përmbushjen e Dëshirave të Allahut, Të cilat përcaktojnë atë që është E vërteta apo Kuptimi i qëllimshmërisë së gjërave. Përndryshe nuk do të kishte kuptim që t’i kërkohet besimtarit si një kulminacion mbërritja e Kënaqësisë së Allahut: pa Konceptet që janë mundësia njerëzore për të përfytyruar Dëshirat e Allahut, ky kulminacion do të ishte i pamundshëm.

Dhe përderisa krijimi i gjërave realizohet përmes formulimit gjuhësor të Dëshirës së Allahut, pra kur Zoti thotë “Bëhu!”, Emrat e tyre ekzistojnë para se gjërat të bëhen, ndryshe thënë ekziston në fillim Emri i saj dhe Kuptimi i saj, dhe vetëm më pas shfaqet Gjëja në realitet dhe Koncepti përkatës në mendje. Dhe nuk ka asnjë dyshim që qëllimi i përdorimit të emrave nga ana e njeriut është shenjimi i Koncepteve, pra sa qëllimi kulmor i ekzistencës njerëzore është të mbërrijë Kënaqësinë e Allahut. Por kjo nuk e përjashton (përveç çfarë thamë herën e shkuar që në ballafaqimin e Ademit me Engjëjt, Ademi triumfoi mbi engjëjt duke thënë Emrat si Emra të Koncepteve) që në përmendjen e parë të Emrave nga Ademi, ai t’i ketë shqiptuar ato si Emra të Gjërave a Sendeve, me qëllimin kalimtar për t’i ngulitur në kujtesë (Emrat), në mënyrë që t’i ketë të gatshme për t’i përdorur posa të vetëdijësohet për praninë brenda tij të Koncepteve. Kurse kjo kështu , nuk e përjashton, madje përkundrazi e konfirmon bindjen se Emrat tregojnë në thelb Konceptet, Konceptet janë Të shenjuarit.

Dhe duke qenë Dëshira e Allahut e plotë dhe e përsosur, tek Kjo Dëshirë gjenden edhe

Kuptimi edhe Emri i gjësë së dëshiruar, të cilat pra ekzistojnë para se Allahu të urdhërojë që gjëja të bëhet. Prandaj Emri ekziston para Foljes (po të ekzistonin Foljet para Emrave, do duhet të pranojmë se gjërat krijohen pa patur një Emër, pra ekzistojnë një copë herë pa Emër, i cili vetëm se u vendoset në një moment të dytë). Akoma prandaj, numri i Emrave në çfarëdo gjuhe, është më i madh se numri i Foljeve; thënë ndryshe, numri i përgjithshëm i Emrave është shumë e mbledhjes së numrit të Emrave prejfoljorë + Emrat e tjerë; akoma thënë ndryshe: ndërsa prej çdo foljeje mund të përftohet gjithmonë një emër – emri i fenomenit procesimi i të cilit tregohet nga folja -, jo gjithmonë apo jo prej çdo emri përftohet një folje. Dhe përveç kësaj, me përkufizim (folja është ajo pjesë e ligjëratës që tregon ose veprim, ose gjendje) një pjesë e foljeve që në origjinë tregojnë gjendje, pra prehje apo moslëvizje apo rrethanë, që megjithëse shprehet me folje, kuptimin e ka Gjë, pra përmbajtja është emërore, kurse forma foljore. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, një pjesë e madhe e foljeve janë sinonimike apo alternative, pra versione apo motërzime të një numri të kufizuar foljesh bazë (kam, jam, duhet, mundet, dëshiroj, kërkoj, punoj). Për më tepër, një pjesë tjetër e foljeve, foljet në mënyrat urdhërore dhe dëshirore, në thelb nuk tregojnë veprim, por një mënyrë tjetër të qeni nga ajo ekzistuese (pra edhe në këtë rast, kemi formë foljore të një përmbajtjeje emërore). Dhe e plotësojmë qarkun duke shtuar edhe njëherë atë që thamë në fillim, pra aq folje sa mbetin nga mehjet e mësipërme, dhe ato janë të gjitha të shndërrueshme në Emra, pra emërzohen detyrimisht, sepse detyrimisht duhet të shenjojnë Koncepte – prove e mjaftueshme që nuk mund të ekzistojnë fjalë që nuk shenjojnë Koncepte.

Të gjitha sa thamë qartësojnë relacionin e përgjithshëm statistikor mes Emrave dhe

Foljeve, siç duhet ta dimë të gjithë: disporpocionin akut mes numrit të stërmadh të Emrave dhe numrit të kufizuar të Foljeve. Dhe kuptimin e këtij disporporcioni, siç duhet ta dimë të gjithë: veprimet nuk janë në thelb diçka tjetër nga qeniet, por janë thjesht momente tranzitore të qenieve, pra tregojnë ndërkohën apo periudhën mes një niveli të qeni tek tjetri. Prandaj fakti që Emrat parasëgjithash shenjojnë Konceptet, dëshmohet edhe statistikisht: gjithë fjalët në thelb janë Emra (gjithë pjesët e ligjëratës janë suplemente të Emrit), Prandaj qëllimi më i lartë i përdorimit të ligjërimit dhe komunikimit është të shenjojë Konceptet si aktivizues dhe lëvrues të ndërkushtëzimit mes të Jashtmes dhe të Brendshmes, mes të Dukshmes dhe të Padukshmes.

II.

Vetëm pas ftillimit të këtyre premisave të mbivendosura (një pjesë e tyre edhe tek ligjërata jonë për Emrat dhe Emërtimet) mund të shpresojmë të hedhim dritë mbi çështjen kryesore që edhe pse e pashfaqur në mënyrë eksplicite, motivoi këtë përpjekje për të kuptuar paraprakisht natyrën e marrëdhënieve mes emrave dhe koncepteve. Pra qëllimi kryesor është se mos hedhim dritë mbi rregullat e pashkruara që duhen patur parasysh, kur përpiqemi të nxjerrim kuptime nga Fjala e Drejtpërdrejtë e Allahut në Kuran.

Duhet të kemi parasysh që asocacionet (bashkëshoqërimet ndërkushtëzuese), janë teknikë e përhershme e procesit të të kuptuarit- gjetjes së vazhdueshme të lidhjes mes gjërave. Kemi të themi këtu që asosacionet janë drejtpërdrejt të kushtëzuara nga pozicionet, pra nga vendi në të cilin gjenden Gjërat, qofshin ato Sende, qofshin Koncepte. Duhet ta rishënojmë e mos e harrojmë: kur themi vendi në të cilin gjenden Konceptet, kemi parasysh se koncepti është gjithmonë një Emër, dhe prandaj kur flasim për vend të koncepteve, bëhet fjalë për vendet ku shfaqen Emrat. Dhe fqinjësia asociative mes Emrave është vetëm sinjalizim për potencialin që dy Konceptet zgjerohen, thellohen dhe zhvillohen së toku: sinjalizimi duhet shërbyer me shfrytëzimin e të gjitha burimeve që në një mënyrë a tjetrën, bartin informacion për secilin prej koncepteve. Çdo zgjerim apo thellim domethënës i një koncepti, praktikisht provokon fqinjësi të reja , sepse duke u zgjeruar apo thelluar koncepti trazon zonën ku gjendet dhe pashmangshëm cek kufijtë e ndonjë koncepti tjetër deri atë moment të largët dhe të painters; kjo fqinjësi e re sinjalizon një asocacion të ri dhe potencialisht një kuptim të ri, tjetërlloj të pamundshëm përveç ndërkushtëzimit asociativ të dy a më shumë koncepteve. Që do të thotë se përpjekja për të gjetur kuptimet, në origjinë është një çështje topologjike, pra e qartësisë dhe saktësisë në përcaktimin e vendeve që zenë (Sendet apo Konceptet), që në fund fare shfaqet si çështje e përcaktimit të kufijve – shtrirjes dhe fqinjësisë.

Dhe kemi të themi po ashtu, se shtrirja dhe fqinjësia mund të shkaktojnë relacione dyfarëshe: ose Asocacionet e Kushtëzuara, ose Asocacionet e Lira. Asocacionet e kushtëzuara janë ato ku bashkëshoqërimi mes gjërave është i dhënë paraprakisht, i shfaqur, i qartë, i vetëkuptueshëm, e pashmangshëm, p.sh.: pema dhe toka, yjet dhe qielli, lapsi dhe letra, nëna dhe fëmija etj,( të qenët e këtyre çifte gjërash në fqinjësi të përhershme mes tyre tregon se asocacionet nuk janë thjesht të kushtëzuara, por edhe të vetëkuptueshme. Kjo vetëkuptueshmëri konfirmohet erdhe nga fakti që për konceptet përkatëse të këtyre gjërave konkrete, në çdo shoqëri ekziston një njohuri e mjaftë (një lloj common sense) për ndërveprimin standard mes pjesëtarëve të shoqërisë. Është evidente se ky lloj asocacioni është tipik për lidhjen mes Sendeve mes tyre, pra për lidhjen pozicionale të gjërave të dukshme, të prekshme, konkrete. Kurse asocacione të lira janë ato ku bashkëlidhja mes gjërave duhet kërkuar, sepse nuk është e dukshme, pra pozicionet e gjërave janë në njëfarë mënyre në hije dhe jo në dritë,

pasi fqinjësia mundësohet vetëm përmes shtrirjes dhe jo kufitarisë, e për pasojë duhet të kërkosh përmes analogjive dhe indeksimeve permanente, se në cilën zonë dhe në cilin moment, shtrirjet përkatëse i bëjnë ato fqinjë me njëra-tjetrën. Dhe është evidente se ky lloj asocacioni është tipik për lidhjen e Koncepteve mes tyre, pra për gjërat e padukshme, që padukshmëria nuk u mundëson një hartë topologjike permanente, sepse sa herë vizatohet tretet shpejt dhe duhet pandërprerë rivizatuar.

Duhet po ashtu të dimë se që të dy llojet e asocacioneve, janë “të sëmurë” nga konfondimi, pra nga lehtësia e ndërkëmbimit mes asosacioneve të kushtëzuara, të rreme apo të vërteta, njëjtë lehtësia e ndërkëmbimit mes asosacioneve të lira, të rreme apo të vërteta.Dhe ndërsa është i vetëkuptueshëm ngatërrimi mes të rremes dhe të vërtetës tek asocacionet e lira (të brendshme, të padukshme), në fakt po aq i pashmangshëm është ky konfondim edhe tek asocacionet e kushtëzuara. Vetëm se ne që tani e dimë çfarë i dallon këto dy konfondime ( ndërthurur me diturinë e diferencës mes avamit dhe dijetarëve): në rendin e të dukshmes, ku si rregull dominojnë asocacionet e kushtëzuara, konfondimi është shenjë e një inteligjence të rëndomtë a të topitur, dhe me siguri që zotëruesit e dijes nuk bien praktikisht kurrë në këtë konfondim; kurse në rendin e të padukshmes, ku si rregull dominojnë asocacionet e lira, konfondimi nuk kursen as dijetarët, me dallimin që dijetarët e mëdhenj apo më të mëdhenjtë, kanë dhuntinë që herët a vonë t’i kapërcejnë konfondimet, kurse një pjesë tjetër mund edhe të mos i kapërcejnë konfondimet e tyre (por të vihet re diferenca me avamin, të cilët në fakt as nuk e ndjejnë mungesën e asocacioneve të lira, duke ushtruar prirjen për bashkëshoqërime vetëm në rendin e asosacioneve të jashtme – të kushtëzuara).



III.



Ne kemi deklaruar disa herë më parë se Forma e Kuranit, sugjeron se Ai nuk është vetëm një Tekst, por (dhe kjo është një nga dëshmitë e mrekullisë që Ai është) edhe një Kod. Me këtë kemi patur parasysh që Topologjia e Kuranit, do të thotë tërësia e pozicioneve të fjalëve është e kuptimtë dhe kuptimdhënëse, jo vetëm që nuk mundet të hiqet, të shtohet a zëvendësohet asnjë fjalë, por as mund të ndryshohet pozicioni i asnjë fjale.Sepse pozicionet e fjalëve janë përplot me të dhëna rreth shtrirjes dhe fqinjësisë së

Koncepteve me ndikim të drejtpërdrejtë në llojin dhe cilësinë e asocacioneve. Ngaqë Kurani është Tekst – Kod, ku të gjitha pjesët e ligjëratës kanë ngarkesë të plotë konceptuale duke u dhënë atyre të gjithave natyrë emërore dhe mbarë ligjërimit kuranor një Natyrë Emërore, prandaj Renditja në Tekst përcakton edhe mundësinë e mesazheve të kriptuara, që deshifrohen vetëm përmes filtrimit të kësaj Renditjeje.



Pra ajo që është e pamundshme ndryshe dhe për asnjë rast, është atribut unik i Kuranit, I cili pra është një Hartë Topologjike Totale e Koncepteve.



Ngaku rezulton se avantazhi absolut që përfitojnë muslimanët nga Fjala e Allahut, është 1.fakti që organizimi i ligjërimit kuranor jep mundësinë që asocacionet e lira si bashkëshoqërim në Rendin e Koncepteve ofrojnë lehtësitë topologjike karakteristike për asosacionet e kushtëzuara. (Që do të thotë: asocacionet e kushtëzuara gëzojnë vetinë e vetëkuptueshmërisë pozicionale të Sendeve që bashkëshoqërohen ngaqë këto pozicione janë të dhëna apriori dhe të dukshme; Kurani mundëson që kjo vetëkuptueshmëri pozicionale tipike për Sendet, të jetë edhe veti e asocacioneve konceptuale. Pra Kurani mundëson në njëfarë mënyre një lloj tjetër asocacionesh: Asocacionet e Kushtëzuara Konceptuale) 2. Duke qenë se nuk ka asnjë dyshim në autenticitetin e Formës së Kuranit dhe as në besueshmërinë e Përmbajtjes së Tij, ky lloj i ri, pra Asocacionet e Kushtëzuara Konceptuale, është përtej dualitetit i rremë/i vërtetë, (karakteristik për dy llojet e para të asocacioneve), sepse të gjitha Asocacionet e Kushtëzuara Konceptuale janë ekskluzivisht të vërteta.



Mos harrojmë se më lart thamë që asocacionet e kushtëzuara për nga natyra merren si të vetëkuptueshme,gjë që përforcohet nga fakti që në shoqëri si rregull ekziston një nivel sado minimal i përpunimit të lidhjes asciative mes Koncepteve përkatëse të Sendeve fqinje. Ky zakon vetëmjafueshmërie mund të bartet nga muslimanët gjatë leximit të Kuranit, pra duke qenë se Kurani e ofron të gatshme – të kushtëzuar lidhjen asocative mes Koncepteve (siç e gatshme është kjo lidhje vetëm në të jashtmen, mes Sendeve), përtacia e mendjes mund të na çojë të sillemi ndaj Koncepteve si ndaj Sendeve e duke e zhbërë kështu avantazhin paraprak, sepse kjo vetëmjaftueshmëri nuk garantohet nga ndonjë njohuri komune paraprake, e për pasojë asocacioni mbetet i pafinalizuar.Qe ky konstatim që na nxiti që të shqyrtojmë lidhjen mes Emrave, Sendeve dhe Koncepteve në ligjëratën tonë të mëparshme, sepse u përballëm me hipotezën që ky avantazh i çuar dëm e ka origjinën tek lidhja ekskluzive e Emrave me Sendet (apo në ratin më të mirë me Gjërat) duke mos parashikuar vend aty për Konceptet (defekt që me modesti synuam ta vemë në dukje).



Mirëpo, për fat të mirë, avantazhi që përfitojmë ne si muslimanë nga Kurani në këtë aspect, nuk përfundon me kaq.Derimëtani na ka rezultuar se Natyra Hyjnore e ligjërimit kuranor i shpërndërron dhe i ngre një rend më lart Asocacionet e Kushtëzuara (duke i bërë Asocacione të Kushtëzuara Konceptuale). Por ky shpërndërrim nuk do të thotë që në Kuran anulohen Asocacionet e Lira (që në thelb janë të padukshme), sepse përmes një prej atributeve të veta më thelbësore – përsëritjeve të përafërta të rrëfimeve, përshkrimeve, pohimeve dhe termave (emërorë, ose gjithsesi të emërzueshëm)– Kurani ofron edhe Asocacionet e Lira Konceptuale. Duke qenë larg njëri- tjetrit, të tilla pasuse që përsëriten duket se nuk sugjerojnë fqinjësi mes tyre, e për më tepër duke qenë se janë të ngjashme duket se ofrojnë jo asocacione, por thjesht përforcime dhe konfirmime të të njëjta mesazheve dhe për pasojë konsolidime të njëjtave kuptime rrjedhimisht. Por në fakt duke qenë në të gjitha rastet Emra – sinjalizues Konceptesh, bëjnë të mundshme Të Dukurin e Koncepteve dhe përmes kësaj dukje bëjnë të dukshëm asocacionet (përndryshe të pavënare) mes konteksteve të ndryshme të përsëritjeve të njëjta a të përafërta. Prejngaku përftohen potencialisht kuptime të reja, tjertërlloj të pambërritshme.

Pra bëhet fjalë,(përmes një modifikimi sërish) për një lloj të ri asocacionesh në Kuran: Asocacionet e Lira të Dukshme, të cilët mundësohen vetëm përmes vetëdijes se Kurani është një Kod i Madh Emëror, përndryshe përsëritjet merren të mirëqena dhe jo si akte ligjërimore që duhen verifikuar me imtësi.

E megjithatë, ka edhe më mirësi për ne prej Kuranit. Sepse përveç sa më lart, përmes një prej atributeve të veta strukturore bazë, pra të foleve semantike apo

zonave tematike – grupajeteve që organizohen rreth njëritjetrit si perifraza plotësuese – Kurani ofron të paktën edhe një lloj tjetër asocacionesh mes koncepteve. Ky lloj asocacionesh ka karakteristikë fqinjësinë përpëlitëse mes gjërave të padukshme prania e të cilave konfirmohet më tepër nga efektet e panjohura, dhe që nisur prej tyre t’ia qëllosh përshkrimit të gjësë që i shkaktoi. Mirëpo, edhe për këtë lloj asocacionesh Kurani na jep përparësi, sepse paçka se fqinjësia e drejtpërdrejtë mes tyre mungon, fakti që edhe në këtë rast Konceptet janë të shfaqura përmes Emrave, sugjeron një zonë intensive dhe të elektrizuar kontaktesh që e përshpejton pikasjen e fqinjësive dhe shqyrtimin e bashkëlidhjeve asociative. Dhe për aq sa fqinjësia mungon, jo më ajo, por shtrirja e intensifikuar e Koncepteve, i asocion ata me njëritjetrin, ngjashëm sië e thamë më lart është karakterisitikë e Asocacioneve të Lira.

Por edhe këtu të menduarit mes nesh shfaq një dobësi: duke mos qenë të vetëdijshëm për natyrën thelbësisht emërore të ligjërimit kuranor dhe për pasojë për ngarkesën e përplotshme konceptuale të çdo Zone Tematike të Kuranit ( mosvetëdije që vjen ngaqë nuk kemi caktuar një vend për Konceptet në relacionin mes Emrave dhe Sendeve), nuk e vemë re begatinë e shfaqjes (përmes Emrave) të një vrundulli konceptesh njëherazi, duke më së shumti shpërdoruar mundësinë e livrimit të Asocacioneve të Lira Kuranore.



Rudian Zekthi