Empatia dhe kufijtë e saj: përkujdesja kundrejt përbartjes[1]
Nga: Anika Munishi
E keni ndëgjuar ndonjëherë thënjen “kur ti lëndohesh edhe unë lëndohem”? Pa dyshim që personi që e thotë këtë ka qëllim të mirë, mirëpo kjo fuqizon kufijtë e dobët dhe humbet synimin e empatisë tërësisht. Ne shpesh jemi mësuar gabimisht që të përkujdesemi për të tjerët do të thotë tua bartim barrën e tyre, t’i përthithim ndjenjat e tyre, t’i shpëtojmë ata nga dhimbja, apo tua rregullojmë personalitetin e tyre. Por asnjë nga këto nuk e përbëjnë empatinë.
Allahu na nxit që t’i largohemi ekstremeve dhe të ndjekim një rrugë të mesme. Ai thotë:
Thuaj: “O ithtarë të librit, mos e teproni në fenë tuaj jashtë të vërtetës dhe mos ndiqni dëshirat e një populli mëparshëm që ka devijuar, nxorën prej udhës së drejtë shumë njerëz dhe vetë u larguan në tërësi nga rruga e drejtë. [Surja El-Mā’ideh: 5;77]
Ai gjithashtu i dekurajon muslimanët që të brengosen ose të duan tepër ose shumë pak.
Dhe vërtetë ai është shumë i dhënë në dashurinë ndaj pasurisë. [Surja El-`Ādijāt: 100;8]
Si një terapiste muslimane, unë shpesh shoh individë që e përkufizojnë vetveten ose të tjerët me ekstreme; si persona që kujdesen/brengosen për të tjerët tepër (empatia vetëmohuese), ose si persona që kujdesen/brengosen shumë pak (narcisisti egoist). E vërteta është se kur e përjetojmë realitetin bardh e zi, ne neglizhojmë të shohim të gjithë spektrin e bazuar në realitet, dhe për këtë arsye jetojmë jetë jashtë ekuilibrit. Ne kujdesemi në mënyrë jo të duhur dhe jashta mesatares, dhe kjo dëmton mirëqenien tonë si dhe marrëdhëniet tona.
Kur të dashurit tonë ballafaqohen me ndonjë sfidë apo situatë të vështirë, ata zakonisht nuk janë duke kërkuar për një përgjigje magjike apo zgjidhje të shpejtë. Ata mund të jenë duke kërkuar për dikë që i kupton ndjenjat atyre dhe ju ndihmon që të ndjehen se nuk janë vetem në zgjidhjen e problemit te tyre. Ata janë duke kërkuar për këtë lidhje, dhe kjo është mu ajo me të cilën ka të bëjë empatia.
Çfarë është empatia?
Empatia ëshë mënyra se si lidhemi me emocionin që një person tjetër po e përjeton, duke ua bërë të ditur se nuk janë të vetëm në luftën e tyre. Empatia kërkon që ne të kujtojmë ose reflektojmë mbi ndjenjat që janë të pakëndshme – sikurse frustrimi, të ndjehurit i pafuqishëm, me faj, apo i turpëruar-, dhe të përpiqemi ta marrim këtë këndvështrim me një person tjetër. Empatia ka të bëj me njohjen e ndjenjës aq sa të jemi në gjendje ta identifikojmë sikurse të ishte e jona, pa e bërë atë të jetë problem i ynë.
Më pëlqen ta shoh empatinë sikur po marrim një thërrimë të vogël të ndjenjës së personit tjetër, e jo një kafshatë të tërë, dhe ta përtypim atë për të parë nëse e mbajmë në mend shijen e saj, si ta identifiojmë atë dhe ta shpërndajmë përvojën tonë me dikë tjetër. Në thelb; empatia është prezencë, ‘është të jesh në momentin e tanishëm me një qenie tjetër njerëzore, duke ndjerë në përvojën e tyre.’ [2]
Janë dy lloje kryesore të empatisë:
- Empatia kognitive (njohëse). Kjo është një lloj i empatisë që kërkon marrjen e këndvështrimit të një personi tjetër duke u përpjekur të ndjesh me të. [3] Përmes empatisë kognitive, ju përpiqeni të vendosni vetën tuaj në situatën e dikujt tjetër për të fituar një kuptim më të mirë të përvojës së tyre.
- Empatia emocionale. Kjo empati kërkon që ne të ndiejmë atë që po e ndjen edhe personi tjetër. Për shembull, ju ndiheni të lumtur kur partneri juaj është i lumtur.
Empati emocionale [4] konsiderohet kur ne:
- Ndiejmë të njëjtin emocion sikur personi tjetër
- Ndiejmë shqetësim personal si reagim ndaj dhimbjes së tyre
- Ndiejmë dhembshuri ndaj personit tjetër
Për këtë arsye, një person që praktikon empatinë emocionale ka më shumë gjasë që jo vetëm të mirëkuptoj me gjendjen e tyre, mirëpo edhe të ndihmoj një person në nevojë.
Çfarë nuk është empatia?
- Empati nuk është të bartësh barrën e dikujt.
Empatia shpesh keqkuptohet se nënkupton të bartësh barrët emocionale të të tjerëve. Shumë njerëz besojnë se që të kujdesësh për të tjerët kërkon që ne të ndiejmë të gjitha emocionet e të tjerëve, dhe të ‘shkrihemi’ me përvojën e atij personi (gjë që është e pamundur, pasi që ne kurr nuk mund të ndajmë përvojat ekzakte të njëta me dikë tjetër në të njëjtën kohë). Empatia është më shumë sikur të thuash “Duket se je lënduar nga kjo”.
- Empati nuk është të shpëtosh dikë nga përvoja e tyre.
“Po të mundja, do ta rregulloja për ty”. Ne shpesh besojmë se të kujdesemi për dikë do të thotë ta shpëtojmë atë person nga problemi që ka. Kur ne e bëjmë këtë, i privojmë të tjerët nga mundësia e të ndjerit një shqetësim të nevojshëm që kërkohet për të mësuar dhe për t’u zhvilluar në jetë. Kur një personi i lejohet të përjetoj një shqetësim, atij i është dhënë mundësia që me vetëdije të bëjë zgjedhje më të mira. Përpjekja që vazhdimisht të shpëtojmë dikë nga përjetimi i ndjejnave të pakëndshme, parandalon zhvillimin e mëtutjeshëm drejt pranimit, përballjes së shëndetshme, dhe ecjes përpara, të gjitha këto gjëra të cilat kërkohen që ta ndiejmë plotësisht një përvojë të caktuar.
Gjithashtu, të shpëtosh dikë në vend që t’i lejoni ata të përjetojnë pasojat natyrore është një shenjë e vendosjes së kufijve të dobët. Empatia është t’u lejojmë të tjerëve eksplorimin e plotë të mendimeve, ndjenjave dhe sjelljeve të tyre, pa pasur qëllim përfundimin e shpejt të procesit, thjesht sepse ne nuk mund të tolerojmë dhimbjen e të tjerëve. Empatia kërkon durim dhe që ne të shqyrtojmë edhe vetë shqetësimin tonë ndërsa dëgjojmë personin tjetër.
Më e rëndësishmja, empati nuk është të japësh këshillën më të mirë dhe të presësh se të tjerët do të bëjnë ashtu si ju themi ose përndryshe të kërcënojmë me refuzim dhe brakstisje. Përpjekjet e shpeshta të shpëtimit mund të shkaktojnë pasiguri afatgjatë dhe vartësi të pashëndetshme në marrëdhënie. Kjo përçon mesazhin se ata janë të paaftë dhe të pazotë për t’i bërë gjërat vetë, dhe se përfundimisht marrja me ndjenjat e tyre nuk është përgjegjësi që ju takon.
- Empati nuk është të minimizosh përvojën e dikujt.
Hulumtuesja Bréne Brown deklaron se asnjë përgjigje empatike nuk duhet të filloj me “të paktën”. Për shembull, nëse një mike e ndan me ju se është duke përjetuar probleme martesore, ju mund të ndiheni të tunduar t’i theksonit të mirat në atë situatë, në vend që t’i jepni asaj hapësirën e duhur që t’i ndaj ndjenjat dhe përvojat e saj me ju. (Të paktën ai falet! Së paku ai nuk të rrah!)
Në empati, është shumë me rëndësi të lejosh personin të kalojë përmes procesit të natyrshëm të mërzisë, pa nxituar për t’i përkujtuar atij që të jetë mirënjohës dhe t’i shoh bekimet e tij. Kur e bëjmë këtë, ne zhvlerësojmë përvojën e një personi dhe i bëjmë të ndjehen të turpëruar se pse kanë ndjenja për problemin e tyre. (“Po të isha në vendin tënd, do të ndihesha në të njëjtën mënyrë”, “Mund ta shoh që je në një situatë të vështirë”)
Ka një kohë dhe vend për deklarata pozitive dhe udhëzime shpirtërore, megjithatë është thelbësore që të kujtohesh të ndëgjosh fillimisht, e jo menjëherë të thuash “duro, bëhu i,e fortë/ mos u brengos” ose të minimizosh (“të paktën”). Nuk është koha të presim prej tyre që ata të falin ose pranojnë shpejt në mënyrë që tia lehtësojmë shqetësimin vetës, përkundrazi falja dhe pranimi vijnë natyrshëm pas procesit të së ndjerit përmes një problemi.
Në përgjithësi, empatia nuk ka të bëjë me thithjen ose bartjen e barrës së të tjerëve, shpëtimin ose rregullimin e asaj që mendojmë se është e prishur, apo minimizimin ose zhvlerësimin shpirtëror të përvojës së një personi, vetëm sepse kjo na sjell neve ngushëllim. Empati është të qëndruarit qetë brenda një momenti, të shfaqurit se ne kujdesemi për tjetrin, dhe se ne pranojmë njerzillëkun e tyre duke i lënë ata që plotësisht të ndajnë përvojën e tyre me ne.
Nevoja për kufij në përkujdesje
Si një këshilltare që ndëgjoj vështirësitë/betejat e njerëzve çdo ditë, e di se sa e rëndësishme është vendosja e kufijve, apo njohja dhe komunikimi i kufijve të mi personal për mirëqenien time. Shumë njerëz me pyesin se a ngarkohem nga vështirësitë e të tjerëve, dhe atyre u flas për rëndësinë e kujdesit për vetveten dhe vendosjen e kufijve në përkudjesje ndaj të tjerëve.
Për ta ilustruar këtë, unë kam krijuar një grafik që shpjegon kufijtë e empatisë ose kujdesit.
Ekstremet e pashëndetshme
- Të kujdesurit e pashëndetshëm
Të kujdesurit e pashëndetshëm mund të duket sikur të thithësh emocionet e të tjerëve me një sfungjer derisa të ndjehemi të rraskapitur apo të mpirë. Kur kujdesemi jashtë mase, mund të përjetojmë trauma surrogate, ose të ndjehemi sikur vetë po kalojmë nëpër betejat e njerëzvë që kujdesemi për ta. Për shembull, nëse një shoqe na tregon se është sulmuar seksualisht në të kaluarën, ne mund të ndihemi sikur kemi përjetuar të njëjtën përvojë.
Kujdesi i tepërt mund të na shpie të shpëtojmë të tjerët nga ndjenjat e tyre negative dhe të rregullojmë problemet e tyre nga të cilat mund të ndihen të ngulfatur ose të mbizotëruar. Shpëtimi i përsëritur mund të krijojë një varësi jo të shëndetshme dhe me këtë u mësojmë të tjerëve se nuk janë në gjendje të kujdesen për veten e tyre. Të kesh brengë shumë për atë që mendojnë të tjerët mund të nënkuptojë gjithashtu cilësine e lajkatuesit. Duke u përpjekur shumë për t’u bërë përshtypje ose për t’u kujdesur për të tjerët, ne mund të neglizhojmë nevojat dhe ndjenjat tona.
- Moskujdesi i pashëndetshëm
Në anën tjetër, moskujdesi i pashëndetshëm mund të duket sikur të jesh tërësisht i shkëputur nga të tjerët qoftë emocionalisht apo fizikisht. Ndonjëherë kjo është si rezultat i teprimit në kujdes për periudhë të gjatë. Ne mund të bëhemi egocentrik, të ftohtë ose shpërfillës në marrëdhënie dhe t’u dukemi të tjerëve si egoistë ose narcisistë. Disa mund të ndërpresin marrëdhëniet si rezultat i një mënyre të pashëndetshme në përballje për të mbrojtur veten nga ndjenja e gjykimit, refuzimit ose braktisjes.
Mesatarja e shëndetshme
- Të kujdesurit e shëndetshëm
Të kujdesurit e shëndetshëm është kur ne mund të ofrojmë nivelin e duhur të empatisë. Kjo nënkupton që ne kujdesemi mjaft që ndonjëherë të lirojmë kontrollin tonë mbi ata që i kemi për zemër dhe të pranojmë që ndryshimi vjen vetvetiu në kushtet e tyre.
Në vend që t’i kontrollojmë të tjerët, ne i trajnojmë, i fuqizojmë ose veprojmë si model për ta. Kjo nuk do të thotë që ne nuk e shprehim shqetësimin ose zhgënjimin tonë. T’i bëjmë të ditur personave tjerë se ne jemi të shqetësuar nga sjellja e tyre dhe më pas t’i japim atyre mundësinë për të zgjedhur sjellje më të mira, mund të çojë në kënaqësi të ndërsjellë. Kujdesi i shëndetshëm është të mësosh të kesh tevekul duke bërë ne pjesën tonë në lidhjen e devesë dhe më pas duke besuar se Allahu subhanehu ue teala (i madhëruar dhe lartësuar qoftë Ai) është ai që i kthen zemrat.
- Moskujdesi i shëndetshëm
Të moskudjesurit e shëndetshëm duket në të kujdesurit për veten tonë dhe të qenurit të vetëdijshëm për kapacitetin tonë njerëzor (kohën, energjinë, aftësitë, preferencat, rehatinë, vlerat dhe përgjegjësitë tona). Është aftësia për t’u komunikuar qartë të tjerëve nevojat, dëshirat, ndjenjat dhe kufizimet tona dhe vendosja e kushteve të marrëdhënies me respekt. Në disa situata, shkëputja emocionale është një vetë-mbrojtje e nevojshme, veçanërisht kur kemi të bëjmë me njerëz abuzues, kontrollues ose manipulues. Të mësuarit për t’u shkëputur emocionalisht nga çështjet që janë jashtë kontrollit tonë mund të jetë jetike në ruajtjen e shëndetit tonë mendor.
Së fundi, moskujdesi i shëndetshëm i lejon të tjerët të rriten dhe të jenë forca e ndryshimit në jetën e tyre. U jep atyre hapësirën për të bërë zgjedhje për veten e tyre, si dhe lirinë për të bërë gabime dhe për të përjetuar pasojat e nevojshme.
Kur ne mendojmë dhe ndiejmë në mënyrë mesatare, ne e përjetojmë botën përreth nesh në mënyrë të moderuar dhe ndjekim rrugën e ekuilibruar dhe të mesme që Allahu subḥānehu ue teala (i lartësuar dhe lartësuar qoftë Ai) ka caktuar për ne. Të kujdesurit në ekstreme mund të çojë në ankth, depresion dhe/ose çrregullime të tjera mendore dhe fizike. Të mësosh të jetosh në balancë kërkon vetë-ekzaminim dhe përkushtim drejt rritjes. Mbajtja e përqendrimit në ahiret mund të na ndihmojë të vendosim se çfarë ka më shumë rëndësi për ne dhe çfarë meriton kohën tonë, përpjekjet tona dhe kujdesin tonë.
Përkthyer nga: Enis Kelmendi
Burimi: https://muslimmatters.org/2022/09/09/empathy-and-its-boundaries-caring-vs-carrying/
[1] Nga angl: Carrying – “bartje”; në këtë kontekst është për qëllim bartja e brengave, telasheve dhe barrës emocionale të dikujt tjetër në atë masë sa që na dëmton edhe ne.
[2] https://whitneyhess.com/
[3] Ratka A. Empathy and the development of affective skills. Am J Pharm Educ. 2018;82(10):7192. doi:10.5688/ajpe7192
[4] Hodges SD, Myers MW. Empathy. In: Baumeister RF, Vohs KD. Encyclopedia of Social Psychology. Thousand Oaks, CA: Sage Publishing; 2007 doi:10.4135/9781412956253.n179