Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar
Libri: “Ligjëruesi i mirë Koncepte dhe Mekanizma”
6 – Për të pasur komunikim sa më të mirë dhe ndërveprim sa më të mirë me ata me të cilët flasim – ne kemi nevojë që emocionet dhe ndjenjat tona të jenë në harmoni me fjalët që u shprehim njerëzve. E vërteta është se njerëzit janë shumë të interesuar të dinë pozicionin e folësit për atë që thotë, shkallën e bindjes së tij në të dhe shkallën se çfarë do të thotë kjo për të. Një edukator që nuk rrudh vetullat kur zemërohet dhe që nuk gëzohet dhe nuk i qelet fytyra në një situatë është e lumtur, fëmijët nuk do ta ndiejnë efektivitetin e historisë që ai u tregon, e as udhëzimet edukative dhe kuptimet që ajo mbart. Në hadithin autentik është përmendur se i Dërguari i Zotit ﷺ Kur mbante hutbe, sytë i skuqeshin, zëri i ngrihej dhe zemërimi i tij bëhej i fortë sikur po paralajmëronte nga një ushtri duke u thënë se është afruar sulmi i saj në mëngjes apo më së largu në mbrëmje.” (1).
Sinqeriteti dhe ndershmëria bëjnë që emocionet e admirimit, kënaqësisë dhe emocionet e zemërimit, dhimbjes dhe vuajtjes të shfaqen në fytyrën e folësit që dëgjuesit e tij t’i lexojnë dhe të ndërveprojnë. Omer bin Dherri i tha babait të tij një ditë: Kur po flet ti, po i bën njerëzit të qajnë, ndërsa kur po flasin tjerët, nuk i bëjnë të qajnë?! Dheri tha: O biri im, vajtimi i një gruaje që ka mbet pa fëmiun e saj nuk është si vajtimi i vajtueses me qira!
Emocioni i folësit rregullohet nga dy gjëra të rëndësishme: Ato janë: situata dhe tema. Në hutbet e minberit dhe në ligjëratat publike në të cilat biseda merr karakter të përgjithshëm, emocioni ka kuptim bazik dhe emocioni ka një efekt që nuk e shkakton as argumenti e as përmendja e shkaqeve, rezultateve apo analizave. Tema ka një ndikim të rëndësishëm në këtë drejtim. Kur predikuesi flet p.sh. për përhapjen e një akti të pahijshëm, ose flet për neglizhencën e muslimanëve në një nga detyrimet ose obligimet e tyre, të folurit me qetësi dhe ftohtësi do të ketë efekt të dobët dhe dëgjuesi do ta ndiej një lloj kontradikte midis përmbajtjes së mesazhit, dhe mënyrës së paraqitjes e formës së dërgimit të tij.
Ajo që u transmetua nga Profeti në lidhje me skuqjen e syve dhe zemërimin e fortë nuk ka ndodhur në të gjitha situatat ose në të gjitha temat. Përkundrazi e imagjinoj atë të hareshëm, duke buzëqeshur dhe duke u gëzuar ndërsa u fliste shokëve të tij për mirësinë e Allahut s.v.t. ndaj robërve të Tij, dhe lumturinë që Ai ka përgatitur për ata që banojnë në kopshtet e përjetësisë. Unë poashtu e imagjinoj atë të butë të sjellshëm dhe të dhembshur kur fliste me ndonjë prej vogëlushve musliman.
Kur një person flet për një çështje juridike ose shkencore ose shpjegon një problem civilizimi, qetësia, neutralizimi i emocioneve dhe shmangia e delikatesave verbale është metoda më e përshtatshme me natyrën e temës.
Në dialog dhe negocim nevoja për qetësi dhe maturi është edhe më e madhe, sepse është një palë tjetër që merr pjesë në bisedë me mua dhe ai është shumë i interesuar t’i ofrohet edhe atij mundësia për të folur dhe është shumë i interesuar të ndiejë gatishmërinë për ta dëgjuar dhe për të bashkëvepruar me të.
Ngritja e zërit, të qenit tepër emocional dhe të folurit shpejt dhe pa përqendrim të mjaftueshëm nuk duhet të jetë karakteristikë e përgjithshme e asnjë hatibi prej hatibëve tonë sot. Nuk duhet t’i drejtohemi kësaj veçse në situata specifike dhe kur flasim për tema specifike. Unë ndiej se emocioni i papërshtatshëm i folësit shpreh mungesën e transparencës dhe mungesën e vetëdijes rreth qëndrimit më të përshtatshëm për të fituar mendjet dhe zemrat.
Buzëqeshja, gëzimi dhe hareja janë gjëra që nevojiten sot për të lehtësuar atmosferën e predikimit. Njerëzit mërziten gjithnjë e më shumë duke dëgjuar njerëz nga të cilët dëgjojnë vetëm urdhra, ndalime, paralajmërime dhe përmendje të fatkeqësive dhe katastrofave. Njerëzit kanë mjaft shqetësime dhe nuk kanë nevojë për turbullim shtesë. Nevoja për të buzëqeshur dhe për të qelur fytyrën përgjatë dialogut dhe debatit është edhe më e madhe. Pasiqë aty të gjithë dominohen nga një lloj fiksimi për të fituar dhe për të marrë kontrollin, deri në atë pikë sa shkakton një lloj armiqësie dhe ndjeshmërie ekstreme mes bashkëbiseduesve. Buzëqeshja shpreh drejtpërdrejt lumturinë e personit për praninë e atij që po i buzëqesh dhe tregon ngrohtësinë e ndjenjave, si dhe gjeneron afërsi dhe harmoni mes njerëzve.
(1) Transmeton Muslimi.