1.
EKSTREMIZMI SI DUKURI E HERSHME SHOQËRORE
Ndër problemet e shumta me të cilat po ballafaqohemi si shoqëri, në përgjithësi, dhe komunitet fetar, në veçanti, është edhe ekstremizmi fetar. Në fakt, ekstremizmi nuk është problem vetëm i shoqërisë sonë, sepse tanimë ka marrë përmasa të mëdha dhe shtrirje të gjerë, sikur që nuk është problem vetëm i kësaj kohe. Zanafilla e ekstremizmit na çon në kohë të hershme dhe në fe të ndryshme. Në Kur’an, në pjesët ku përshkruhen histori të ideve dhe mendimit fetar të popujve të mëhershëm, na bëhet me dije se ka pasur grupe besimtarësh, madje kolektive, që kanë devijuar e lajthitur nga konceptet bazë, duke rezultuar me ide të çoroditura dhe me bindje të gabuara, të cilat janë manifestuar dhunshëm në rrafshin praktik. Luftërat fetare të së kaluarës, qoftë ndërmjet grupeve të së njëjtës fe apo ndërmjet ithtarëve të feve të ndryshme janë dëshmi e kësaj të vërtete. Për këtë, All-llahu i madhëruar ka bërë thirrje që të mos shfaqet ekstremizëm por të ruhet vija e pastër fetare që Ai e ka shpallur:
﴿ يَا أَهْلَ الْكِتَابِ لَا تَغْلُوا فِي دِينِكُمْ وَلَا تَقُولُوا عَلَى اللَّـهِ إِلَّا الْحَقَّ﴾
“O ithtarët e Librit! Mos e kaloni kufirin në besimin tuaj dhe për Allahun thoni vetëm të vërtetën!…” [Kur’ani: En-Nisa: 171]
﴿ قُلْ يَا أَهْلَ الْكِتَابِ لَا تَغْلُوا فِي دِينِكُمْ غَيْرَ الْحَقِّ وَلَا تَتَّبِعُوا أَهْوَاءَ قَوْمٍ قَدْ ضَلُّوا مِن قَبْلُ وَأَضَلُّوا كَثِيرًا وَضَلُّوا عَن سَوَاءِ السَّبِيلِ ﴾
“Thuaj: “O ithtarët e Librit! Mos i shkelni kufijtë e së vërtetës në besimin tuaj dhe mos ndiqni dëshirat e një populli, që gaboi më parë, nxori prej udhës së drejtë shumë njerëz dhe vetë u shmang nga udha e drejtë”.” [Kur’ani: El-Maide: 77]
Nga ajetet e cituara, mund të konstatojmë se shkak i ekstremizmit dhe lajthitjes nga e vërteta është vet njeriu, qoftë si promovues i të keqes (në ajet: shpif për All-llahun), qoftë si pasues i promovuesve të së keqes.
2.
DOMETHËNIA DHE BOTËKUPTIMI I EKSTREMIZMIT
Kohëve të fundit kemi parë shumë njerëz që nga perspektiva të ndryshme kanë dhënë mendime, shpesh jo të qëlluara, përkitazi me definimin e ekstremizmit.
Çfarë d.t.th. ekstremizëm?
Cila është domethënia e tij në rrafshin fetar?
Ekstremizmi në fe nënkupton ekzagjerimin e gjërave, shmangien dhe lajthitjen nga rruga e drejtë, nga mesatarja, nga ajo që është e përshkruar në fe me formë dhe mënyrë, qoftë duke shtuar në fe atë që nuk është prej saj, qoftë duke e tepruar në fe respektivisht duke tejkaluar limitet e caktuara, qoftë edhe duke shtrënguar e vështirësuar punën e adhurimeve dhe kryerjen e tyre.
Pra, ekstremizëm d.t.th. të shkelësh kufijtë fetarë gjatë manifestimit të bindjeve dhe adhurimeve. Së këndejmi, identifikimi i ekstremizmit me simbolika të caktuara është gabim. Akoma gabim më i madh është identifikimi i tij me përfilljen e atyre që janë të drejta themelore, si f.v. bartja e shamisë.
3.
PARALAJMËRIMI PROFETIK PËR EKSTREMISTËT
Ekstremizmi është përcjellë si dukuri edhe në shoqërinë islame. Pejgamberi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] ka paralajmëruar për paraqitjen e saj. Në një hadith autentik ka thënë: “…Keni kujdes nga ekstremizmi në fe sepse ekstremizmi i ka shkatërruar popujt që kanë qenë para jush.” [Transmeton Ibn Maxheh. Albani thotë se hadithi është autentik.]
Në një rast tjetër ka thënë: “Janë shkatërruar fjalamanët e tekanjozët! Janë shkatërruar fjalamanët e tekanjozët! Janë shkatërruar fjalamanët e tekanjozët!” [Transmeton Muslimi.] Imam Neveviu duke e komentuar këtë hadith thotë se për qëllim janë njerëzit që kalojnë kufijtë e normales në fjalë dhe veprime.
4.
IMAZHE TË EKSTREMISTËVE DHE EKSTREMIZMIT
Si t’i identifikojmë ekstremistët?
Ekstremistët, siç përmendëm, nuk kanë imazh të caktuar. Imazh i tyre janë bindjet që bartin e propagandojnë. Në tekste fetare, në mënyrë të përgjithshme, imazhe (tipare e veçori) të ekstremistëve janë: kryesisht moshë e re, të ngutshëm dhe të papërmbajtshëm, kanë kuptim sipërfaqësor të fesë, janë arrogantë ndaj rendit e ligjit, thërrasin në Kur’an por nuk i përmbahen atij, shtrëngojnë çështjet e adhurimit, flasin mirë e veprojnë keq.
5.
SHKAQET E EKSTREMIZMIT
Dijetarët myslimanë, si shkaqe kryesore të ekstremizmit kanë evidentuar:
1) Mungesën e diturive të mirëfillta fetare,
2) Fanatizmin e tepruar, dhe
3) Entuziazmin e çekuilibruar.
6.
SI TA TRAJTOJMË EKSTREMIZMIN NGA PERSPEKTIVA FETARE?
Dijetarë, hoxhallarë dhe studiues myslimanë si pika kyçe të luftimit të kësaj dukurie kanë përmendur:
1) Mbajtja për Kur’anit dhe Sunnetit
All-llahu i madhëruar na urdhëron që t’i mbahemi fesë, respektivisht burimeve kryesore, Kur’anit dhe Sunnetit, sepse aty është shpëtimi.
﴿وَاعْتَصِمُوا بِحَبْلِ اللَّهِ جَمِيعاً وَلاَ تَفَرَّقُوا﴾
“Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!” [Kur’ani: Ali Imran: 103]
Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “O ju njerëz, në mesin tuaj po lë dy gjëra, të cilave nëse i përmbaheni nuk do të lajthitni kurrë: Librin e All-llahut dhe Sunnetin tim.” [Sahihu-l-xhamii, 2937.]
2) Mbajtja për frymës kolektive
Xhemati ose kolektivi mysliman është shpëtimi. Myslimanët nuk pajtohen rreth të këqijave. Kështu, t’i përmbahesh këtij kolektivi dhe të veprosh sikur ata, nënkupton të jesh në të vërtetën. Për këtë shkak, Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] na ka urdhëruar që të mos i ndahemi xhematit.
3) Aplikimi i mesatarisë në fe
Mesataria, siç pamë, është mbajtja për feje pa teprime e ekzagjerime.
4) Konsultimi me hoxhallarët kompetentë
Jo çdokush ka të drejtën të flet në emër të fesë. Nevoja për hoxhallarë është veçmas në kohë të këqija, sikur tani. All-llahu ka thënë:
﴿وَإِذَا جَاءَهُمْ أَمْرٌ مِّنَ الأَمْنِ أَوِ الخَوْفِ أَذَاعُوا بِهِ وَلَوْ رَدُّوهُ إِلَى الرَّسُولِ وَإِلَى أُوْلِي الأَمْرِ مِنْهُمْ لَعَلِمَهُ الَّذِينَ يَسْتَنبِطُونَهُ مِنْهُمْ﴾
“Kur atyre u vjen ndonjë lajm i rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë ose frikën, ata e përhapin (pa e vërtetuar mirë). Por, në qoftë se këtë lajm do t’ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe parisë, hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre (se çfarë lajmi duhet përhapur e çfarë jo)…” [Kur’ani: En-Nisa: 83]
Ekstremizmi është bombë me sahat. Për ta çmontuar duhen njerëz me përvojë. Njerëzit me përvojë janë, para çdokujt tjetër, hoxhallarët.
Hoxhallarët kanë dhe një rol tjetër. Ata demantojnë interpretimet e gabuara. Në një hadith qëndron:
“يحمِلُ هذا العِلمَ من كلِّ خلَفٍ عدولُه ينفونَ عنهُ تحريفَ الجاهِلينَ وانتحالَ المبطلينَ وتأويلَ الغالينَ”
“Këtë dije në çdo gjeneratë e bartin të drejtit, të cilët largojnë prej saj shtrembërimet e injorantëve (risimtarëve), pretendimet e gënjeshtarëve (plagjiatëve, që vetes ia atribuojnë dijen) dhe interpretimet e ekstremistëve/tepruesve në fe.” [Transmeton Ahmedi.]
Dhe për fund,
5) Si mjet me të cilin luftojmë këtë dukuri është edhe këshillimi ndërmjet vete. Si shoqëri dhe komunitet fetar, e kemi për obligim që ta këshillojmë njëri tjetrin që të mos vjen deri tek e keqja. Në Kur’an, All-llahu na urdhëron që të këshillohemi ndërmjet vete, që të mos e pësojmë sikur të tjerët, që u përçanë e devijuan nga e vërteta:
﴿وَلْتَكُن مِّنكُمْ أُمَّةٌ يَدْعُونَ إِلَى الخَيْرِ وَيَأْمُرُونَ بِالمَعْرُوفِ وَيَنْهَوْنَ عَنِ المُنكَرِ وَأُوْلَئِكَ هُمُ المُفْلِحُونَ (104) وَلاَ تَكُونُوا كَالَّذِينَ تَفَرَّقُوا وَاخْتَلَفُوا مِنْ بَعْدِ مَا جَاءَهُمُ البَيِّنَاتُ﴾
“Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit. 105. Mos u bëni si ata që, pasi u erdhën provat e qarta, u përçanë dhe u grindën. Për këta do të ketë dënim të madh” [Kur’ani: Ali Imran: 104-105]