Edukata e nxënësit
Nxënësi duhet ta pastrojë shpirtin dhe zemrën e tij nga vetitë e këqija, sepse dituria është ibadet i zemrës.
Ai duhet të largohet nga punët që e hutojnë dhe e shmangin nga qëllimi kryesor, sepse
mendja, kur hutohet, nuk mund ta arrijë të vërtetën.
Dijetarët e hershëm (SELEFUS-SALIH) e kanë pasur traditë që t’i japin rëndësi diturisë
më shumë se çdo gjëje tjetër.
Nga IMAM AHMED IBN HANBELI transmetohet se ai, për shkak të diturisë, e ka vonuar martesën deri në moshën dyzetvjeçare.
Nga EBU BEKER EL ENBARI transmetohet se dikush i kishte dhuruar një robëreshë.
Kur deshi të kishte kontakt me robëreshën, atij ju kujtua një mesele (dituri) e fesë. U
largua nga ajo dhe bërtiti: “Nxirreni shpejt jashtë këtë robëreshë”. Anëtarët e familjes e
pyetën se çfarë kishte bërë ajo. Ai u përgjigj se ajo nuk kishte bërë gjë, mirëpo zemra dhe
koka e tij ishte hutuar nga ajo robëreshë. Pastaj ai i tha robëreshës: “Si mundet që diçka e
pavlefshme si ti, të krahasohet me atë që është më e vlefshme (në këtë rast me
diturinë)?!”
Nxënësi duhet që t’ia dorëzojë çështjen e tij (qenien e tij) mësuesit të tij (hoxhës), ashtu
sikurse i sëmuri që ia dorëzon çështjen e tij mjekut. Po ashtu, ai duhet të jetë i thjeshtë
para tij, e jo mendjemadh.
IBNI ABASI (radiallahu anhu) e ndihmonte gjithmonë ZEJD IBN THABITIN që të hipte
në kalin e tij dhe thoshte: “Kështu jemi urdhëruar që të veprojmë me dijetarët.”
Në atë moment që nxënësi bëhet mendjemadh para hoxhës (mësuesit) dhe nuk dëshiron
të përfitojë nga dituria e tij, ai është xhahil, sepse mençuria (hikmeti) është thesar i
humbur i besimtarit, të cilën ai duhet ta marrë kudo që ta gjejë. Ai duhet të heqë dorë nga
mendimi i tij dhe t’i bashkëngjitet mendimit të hoxhës së tij, sepse në disa raste mendimi
i hoxhës së tij është më i qëlluar se sa mendimi i nxënësit (i cili mendon se hoxha ka
gabuar).
HAZRETI ALIU (radiallahu anhu) thotë: “Prej të drejtave që ka hoxha ndaj nxënësit
është që, mbasi t’i japë selam:
-Ta përshëndesë personalisht atë dhe të ulet përballë tij.
-Mos ta përshëndetë dikë tjetër me dorë para tij.
-Mos t’ia mbyll syrin dikujt tjetër para tij.
-Mos të bëjë pyetje të tepërta para tij.
-Mos t’i ndihmojë atij në përgjigje.
-Kur hoxha dëshiron ta ndërpresë ligjëratën, dersin apo ibadetin, të mos ndërhyjë e t’i
thotë:
-Çka po bëjmë tani, o hoxhë, çfarë po na shpjegon?
-Kur hoxha ta ndërpresë përgjigjen, nuk bën ta detyrojë ta përsërisë përgjigjen.
-Kur hoxha dëshiron të shkojë, nuk duhet ta tërheqë për tesha dhe ta ndalë.
– Të mos i përhapë sekretet e tij.
– Të mos bëjë përgojim (GIBET) para tij.
-Të mos mundohet ta zërë ngushtë hoxhën e tij.
-Nëse hoxha gabon rastësisht, ai duhet t’ia pranojë arsyet e gabimit.
-Mos të thotë para hoxhës se një hoxhë tjetër po thotë një mendim tjetër.
-Mos t’i thotë se dikush tjetër është kundër tij.
– Mos ta madhëroje para hoxhës një dijetar tjetër, por edhe mos ta nënçmojë.
-Shoqërimi i gjatë me hoxhën të mos të jetë shkak që të largohet prej tij.
-Të mos bëhet mendjemadh e të mos i shërbejë hoxhës (t’i ndihmojë kur ka mundësi).
-Në rast se ekziston nevoja për ndihmë, të mundohet të jetë më i pari ndër të gjithë.
SHEMBULLI i dijetarit është sikurse trupi i hurmës së pjekur: presim të bien kokrrat prej
saj dhe vërsulemi që t’i rrëmbejmë ato.
Duhet pasur kujdes që nxënësi të mos iu kushtojë rëndësi mospajtimeve me të tjerët
(atyre për të cilat njerëzit kundërshtohen ndërmjet vete, sepse kjo ia huton mendjen), por duhet që t’iu kushtojë rëndësi diturive më kryesore, sepse jeta nuk mjafton për të gjitha
dituritë.
Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA