Para shumë vitesh, (diku nga vitet ’91-’92) lexoja me shumë vështirësi shprehjen arabe: “E vërteta qëndron lart, asgjë nuk qëndron mbi të!”, qendisur me një kaligrafi artistike, mbi një cohë të zezë, (bashkë me ca ajete e lutje), varur në ballinën e faltores së dikurshme të Parrucës.
Sot, e shijoj me shumë kënaqësi thelbin e këtij shënimi të vjetër mistik, teksa, duke medituar në heshtje, marr frymë thellë, shoqëruar me një falënderim plot mirënjohje ndaj All-llahut, për mirësinë e Udhëzimit në fé; sa herë dëgjoj e lexoj përditë e më shumë për orkestrimin e “goditjeve” ndaj Islamit dhe trashëgimisë islame në trojet tona!
Zelli me të cilin luhen këto pjesë “artistike”, ta shton edhe më shumë ndjenjën e fajit karshi hakut ndaj kësaj Thirrjeje të Madhnueshme Islame dhe shërbimit me mish e shpirt ndaj saj!
Zot më fal për mangësitë e mia dhe shërbimet e pamjaftueshme në këtë drejtim! Shtoma forcën për të shërbyer pa ndërprerje, pa fjalë, pa zhurmë, plot bindje e dashni, plot mall e zell, derisa fryma e fundit të më dalë! – (E bëj shpesh këtë lutje, në formë e dimension)
“E vërteta qëndron lart, asgjë nuk qëndron mbi të!”, të tjerat vijnë pas, nëse arsyetojmë me qetësi…
Ëmbëlsisht, duket se nga krejt horizontet dëgjohet ajeti 29 i sures “El-Kehf”: [Dhe, ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj…”], që mbush botën me garanci, se e ardhmja është e dritësimit të së Vërtetës mbi kotësitë dhe taborrat e tyre..!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 5 tetor 2017