Të gjitha falënderimet e plota dhe lavdërimet  absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë.  Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë zotërisë së bijve të Ademit, Muhammedit  të cilin e dërgoi All-llahu mëshirë për krejt krijesat e Tij, familjes së tij fisnike e shokëve të tij besnik dhe të gjithë atyre që e pasojnë traditën e tij deri në ditën e gjykimit.

Vëllezër besimtarë!  Feja Islame është një fe e madhe që inkurajon njerëzit të punojnë  të fitojnë jetesën dhe të jenë të pavarur nga njerëzit e tjerë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai jua ka bërë Tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë, që ju ka dhënë Ai. Si të ringjalleni, do të ktheheni tek Ai.”   [El-Mulk: 15].  Imam Buhariu tranmseton  nga Zubejr ibnul  Avvam, Allahu qoftë i kënaqur me të, se  Profetit, salallahu alejhi ve selem, i cili ka thënë: “ Ndonjëri  prej jush të merrë litarin e tij dhe të sjellë një tubë me dru zjarri në shpinë, e t’i  shes ato, dhe të ruaj dinjitetin e vet, është më mirë për të sesa t’iu kërkoi njerëzve, nëse ata  i japin apo e refuzojnë. ( Sahihul Buhari, nr. 1471)

Muslimani mbështetet në Zotin dhe kërkon furnizim të ligjshëm. Zoti është Furnizuesi dhe ai do të shpërblejë për kërkimin e furnizimit me këtë nijet, përderisa qëllimi i tij është të përmbahet nga ajo që është në duart e njerëzve dhe t’i përdorë këto para të fituara me punë për të mbajtur veten, fëmijët dhe familjen e tij. Zoti i Madhëruar i ka premtuar se do ta furnizojë atë, përderisa ai bën atë që është e nevojshme dhe zemra e tij është e lidhur me Zotin. Ai, i Lartësuari, thotë: “E kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij” (Et-Talak: 3). Ndërsa i Dërguari  paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të – tha: “Nëse do të mbështeteshit tek Zoti ashtu siç duhet mbështetur tek Ai, do të furnizoheshit ashtu siç furnizohen zogjtë; ata dalin në mëngjes të uritur dhe kthehen në mbrëmje të ngopur. “( Sahih Suneni Trimidhij, nr.2344)

Kjo është gjendja e atij që i mbështetet  Zotit, e me zemër  të lidhur me Të ai del për të kërkuar furnizim. Gjendja e tij është si ajo e shpendit i cili  ka përdorur  mjetet e tij, duke  fluturuar në  kërkim të  ushqimit. E lë folenë i uritur, që do të thotë: pa asgjë në bark, pastaj kthehet i ngopur, pra  me barkun plot, vetëm se  ai nuk rri duke pritur përkundrazi mundohet dhe angazhohet me aq sa mundet dhe i takon.

Vëllezër besimtarë! Të kërkosh nga njerëzit pa nevojë është e urrejtur. Nevoja është si fv. të jetë njeriu  në borxh, të cilin e ka marrë për një çështje të pashmangshme dhe nuk është në gjendje ta shlyejë, ose të jetë i varfër dhe i mungojnë mjetet e mjaftueshme për veten dhe familjen e tij. Në një rast të tillë, nuk ka asgjë të keqe t’i drejtohet dikujt që mund ta ndihmojë, siç janë organizatat bamirëse, për shembull, ose njerëzve të pasur bamirës. Atij i lejohet pranimi i zekatit, pasi ai është prej atyre që kanë të drejtë për të. Zoti përmendi në mesin e atyre që kanë të drejtë në zekat: “Dhe borxhlinjtë” (Et-Teube: 60), që do të thotë: ata të cilët  kanë borxhe që nuk mund t’i paguajnë. E njëjta gjë vlen edhe për të varfërit dhe nevojtarët. “Zekati është vetëm për të varfrit e nevojtarët …. “ [Et-Teube: 60].

Prandaj, ka një paralajmërim dhe dënim të ashpër ndaj atyre që u lypin njerëzve pa nevojë. Transmetohet në Sahihun e Buhariut  dhe Muslimit se Profeti, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Një njeri  vazhdon t’iu kërkoi  njerëzve (pa nevojë) derisa të vijë në Ditën e Kiametit pa asnjë copë mishi në fytyrë”. Gjithashtu në Sahihun e Muslimit transmetohet se Profeti, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush kërkon nga njerëzit pasurinë e tyre për të shtuar pasuri, ai kërkon vetëm gaca të ndezura, prandaj le të kërkojë pak ose shumë.”

Këto dy hadithe ndalojnë lyepjen prej njerëzve pa ndonjë domosdoshmëri apo nevojë, dhe fakton se ky është mëkat i madh. Kësisoj ai përmban një paralajmërim specifik, duke përmendur dy dënime për të:

E para: Ai do të vijë në Ditën e Kijametit pa asnjë mish në fytyrë – Zoti na ruajt! – dhe dënimi do të jetë në përputhje me veprën. Meqenëse ai e poshtëroi veten në këtë botë para robërve të Zotit,  pa pasur nevojë e as arsye, dënimi nga Zoti do të jetë heqja e mishit nga fytyra e tij të cilën ai vet  ia ka marrë vetes në dynja.

E dyta: Këto para që i ka marrë në mënyrë të paligjshme do të jenë gaca të ndezura me të cilat do të dënohet  në Ditën e Kijametit. Sa më shumë të lypë, aq më shumë do të shtohen gacat e ndezura mbi të, Zoti na ruajt.

E lus Zotin e Plotfuqishëm që të na pasurojë me atë që ka lejuar, e të na mbroi nga ajo  që Ai ka ndaluar, si  dhe nga mirësia  e Tij, e jo me  të kujtdo tjetër. E lus Atë të na japë udhëzim, devotshmëri, dëlirësi dhe pasuri.

Xhemat i nderuar!  Shumë njerëz kërkojnë nga njerëzit sadaka pa arsye e as  nevojë, por për  të shtuar  dhe me mashtrim e për t’u marrë paratë e tyre padrejtësisht. Ata kanë shumë hile me të cilat kërkojnë simpatinë e njerëzve. Ata mund të vijnë me fëmijë të vegjël apo  të moshuar dhe gra, ndaj është detyra jonë t’i verifikojmë. Ka familje të varfra dhe njerëz që kanë vërtet nevojë për bamirësi, por nuk iu lypsin njerëzve nga dinjiteti. Të këtillëve ne duhet tu japim nga sadaktë tona  dhe nga zekati ynë. Është transmetuar në Sahih Muslim se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “I varfër nuk është ai që shkon tek njerëzit dhe e rehaton   një ose dy kafshatë, apo një ose dy hurma. Përkundrazi, i varfër është ai që nuk gjen pasuri që e bën të pavarur por  askush nuk e vëren atë e ti jep sadaka dhe as ai nuk ngrihet të kërkojë  diçka nga njerëzit.”

Myslimanët duhet të kenë parasysh të afërmit e tyre të varfër, pasi dhënia atyre përveçse është një akt bamirësie është edhe një mjet për të mbajtur lidhjet familjare. Ata gjithashtu duhet të kenë parasysh fqinjët e tyre dhe ata përreth tyre dhe të përmbahen nga dhënia e zekatit të tyre për ata që nuk e meritojnë atë. Disa njerëz janë të dobët në dhënien e zekatit, duke ia dhënë atë kujtdo që ua kërkon. Këta njerëz përfshijnë njerëz të ndershëm dhe gënjeshtarë, kështu që verifikimi është thelbësor. Madje ka banda të organizuara që trafikojnë e shpërndajnë  fëmijët dhe gratë në xhami, tregje, rrugë dhe semaforë e në fund u marrin atë që kanë grumbulluar. Organet përkatëse duhet të merren seriozisht me këtë krim të organizuar.

Është gjithashtu e mundur që zekatin ose një pjesë të tij apo të sadakave të dhurojë për organizatat bamirëse. Shumë familje përmbahen nga kërkimi i ndihmës nga njerëzit, por pranojnë atë që vjen nga organizatat bamirëse.

E lus Allahun e Madhëruar që të na pasurojë me të lejuarat në vend të të ndaluarave dhe të na pasurojë me mirësinë e Tij, nga çdo kush tjetër sepse Ai është Dëgjuesi, i Afërmi, dhe Përgjigjësi i lutjeve.

Halid Hadran Elutejbij

 

Thirrja.org

Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve