Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimi i takon Allahut i cili zbriti Kuranin dritë dhe shërim për njerëzit. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet veç Allahut, i vetëm dhe i pa shok, si dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, i cili është zotëria i të dërguarve dhe vula e profetëve, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij fisnik dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Kiametit.
Përderisa njeriu është udhëtar në këtë botë, atëherë ai patjetër ka nevojë që dikush ta udhëzojë në udhëtimin e tij, t’i bëjë të njohur atij, rreziqet e udhëtimit dhe t’i sqarojë se ku e çon rruga që ka marrë, në Xhenetin e Zotit të tij që të gëzohet, apo në zjarrin e Xhehenemit që të hidhërohet.
Nuk ka dyshim se Allahu dërgoi të dërguar besnik dhe zbriti mbi ta libra me të cilat i ruajnë dhe i ndriçojnë rrugët udhëtarëve. Më pas e mbylli ciklin e profetëve me zotërinë e tyre, udhëzuesin dhe përgëzuesin, për të qoftë paqja dhe bekimi i Allahut. Allahu e mbështeti atë me mrekulli dhe i zbriti atij fjalën e Tij.
“O njerëz! Vërtet ka ardhur tek ju një provë bindëse (Muhamed) nga Zoti juaj dhe Ne ju kemi zbritur një dritë të qartë (Kuranin). Kështu, për sa u takon atyre që besuan në Allahun dhe u mbështetën fort tek Ai, Ai do t’i pranojë ata te Përkujtimi dhe Mirësitë e Tij (në Xhenet) dhe do t’i udhëzojë drejt Tij me Rrugë të Drejtë.” Nisa, 174-175.
Allahu i Madhëruar e pajisi çdo të dërguar me mrekulli që vërtetonte profetësinë e tyre dhe me anën e të cilave do t’i besonin popujt tek të cilët u dërguan, porse këto mrekulli mbaruan me vdekjen e të dërguarve, përveç mrekullisë më të madhe me të cilën Allahu pajisi vulën e profetëve, Muhamedin alejhi selam. Allahu i dhuroi atij ndër të tjera një mrekulli e cila është e pa vdekshme dhe që do të sfidojë të gjitha kohërat. Kjo mrekulli është Kurani!
“Ai është një Libër i nderuar dhe i vlerësuar. Nuk hyn gënjeshtra në të as nga para, as nga prapa: ai është i zbritur nga (Allahu) më i Urti, më i Denji dhe Zotëruesi i të gjitha lavdërimeve.” Fusilet, 41-42.
Ndërsa Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdo të dërguari Allahu i ka dhënë mrekulli të mjaftueshme me anë të të cilave i kanë besuar popujt e tyre, ndërsa mua më është dhënë shpallje (Kurani) dhe unë shpresoj të kem më shumë se ata ndjekës.” Ahmedi, Ibën Maxhah, sahih.
Nuk ka dyshim se Kurani është mrekulli e habitshme në të janë lajmet e atyre që kanë kaluar dhe që do të vijnë, ai nuk është tallje. Çdo mendjemadh që e lë atë për shkak të mendjemadhësisë e shkatërron atë Allahu, kush kërkon udhëzim në diçka tjetër veç tij e humb atë Allahu. Ai është litar i fortë i Allahut, është përkujtim që përmban urtësi, nuk humbasin për shkak të tij njerëzit, nuk ngopen duke përfituar prej tij dijetarët, nuk vjetrohet duke u përsëritur, nuk mërzitet lexuesi i tij nga leximi i shpeshtë, çudirat e tij nuk mbarojnë kurrë, nuk vonuan xhinët ta besonin kur e dëgjuan atë, ata thanë:
“Me të vërtetë që kemi dëgjuar Këndim (të Kuranit) të mrekullueshëm! Ai udhëzon në Rrugën e Drejtë dhe ne kemi besuar në të.” Xhin, 1-2.
Kush flet me atë që përmban ai, ka thënë të vërtetën, kush punon me të shpërblehet, kush gjykon me të, gjykon me drejtësi, dhe kush fton në të udhëzohet në rrugën e drejtë.
Allahu i Madhëruar, Kuranin e ka bërë sfidë për të gjithë njerëzimin, arabët në kohën e të cilëve zbriti e të cilët kishin arritur kulmin në aspektin gjuhësor, si dhe të gjithë njerëzimin deri në Ditën e Gjykimit.
Ata nuk kanë mundësi të vijnë me të ngjashëm si ky Kuran, bile as dhe me një sure si ai nuk mund ta formojnë. Allahu thotë:
“Thuaj: ‘Nëse njerëzimi dhe xhindet do të mblidheshin të gjithë bashkë për të nxjerrë ngjasimin e këtij Kurani, ata nuk do ta bënin dot përngjasimin e tij, edhe sikur ta ndihmonin njëri-tjetrin’.” Isra, 88.
“Le të bëjnë ata atëherë një rrëfim që t’i përngjajë atij (Kurani), nëse janë që flasin të vërtetën.” Tur, 34.
Ndërsa në ajete të tjera Allahu thotë:
“Dhe nëse ju (o njerëz) dyshoni për atë (Kuranin) që Ne i kemi zbritur robit tonë (Muhamedit), atëherë bëni edhe ju një Sure të ngjashme si ajo dhe thirrni dëshmitarët tuaj përveç Allahut, nëse jeni të drejtë. Por nëse nuk e bëni dot atë dhe ju kurrë nuk mund ta bëni atë, atëherë kini frikë zjarrin (Xhehenemin), lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët, i përgatitur për mosbesimtarët.” Bekare, 32-33.
“Dhe ky Kuran është i tillë që kurrë nuk mund të bëhet nga ndokush tjetër përveç Allahut, por është njëkohësisht edhe vërtetim i shpalljes para tij (Teuratit, Inxhilit etj) dhe shpjegim i plotë i Librit (ligjeve, urdhrave,) për të cilin nuk ka pikë dyshimi se është nga Zoti i gjithësisë. Apo mos thonë: ‘Ai (Muhamedi) e ka fabrikuar atë?’ Thuaju: ‘Sillni atëherë një Sure si ato të tijat; thërrisni edhe kë të mundeni, përveç Allahut, nëse jeni të drejtë!’” Junus, 37-38.
Edhe armiqtë më të përbetuar të Profetit Muhamed alejhi selam, kanë pranuar se ai nuk është realizim i njeriut, ata kanë ngelur të mahnitur kur kanë parë se ndërthurja e Kuranit i kalon të gjitha limitet.
Ja se ç’ka thënë njeriu më me pozitë te kurejshët kur kërkonin prej tij mendim se çfarë t’u thoshin njerëzve për këtë Kuran në mënyrë që të mos e besonin.
“Pasha Zotin, fjalët e tij posedojnë bukuri, bazën e kanë të stolisur dhe të frytshme, ndërsa përmbajtjen të mençur, të arsyeshme dhe depërtuese. Ju nuk mund të thoni asnjë mendim për të e të jetë në formën e duhur.”
Ndaj gjejmë se Allahu edhe njëherë ua tërheq vërejtjen duke i kujtuar këtë realitet ku thotë:
“Kjo është me të vërtetë fjala e një të Dërguari të nderuar. Nuk është fjalë vjershëtori; sa pak që besoni! As nuk është fjalë fallxhori; sa pak që përkujtoni! Kjo është Shpallje e zbritur nga Zoti i Gjithësisë. Dhe në qoftë se ai (Muhamedi) do të kishte trilluar një thënie të gënjeshtërt për Ne. Ne padyshim që do ta kishim kapur për dorën e djathtë, Dhe me të vërtetë që do t’ia kishim prerë damarin e jetës.” Haka, 40-47.
Megjithatë jo të gjithë njerëzit besuan se Kurani është vepër e Allahut, ndaj dhe gjejmë se Allahu këta njerëz i ka ftuar të meditojnë në të, në mënyrë që t’u bëhet e qartë atyre se ai nuk është realizim i njeriut, sepse ai i tejkalon imagjinatat dhe shpejt të zbulon pafuqinë e njeriut përballë kësaj mrekullie të paparë.
“A nuk e mendojnë thellë atë Kuranin? Po të kishte qenë ai prej dikujt tjetër e jo prej Allahut, sigurisht që do të kishin gjetur në të mjaft kundërthënie e mospërputhje.”Nisa, 82.
Sa raste kemi dëgjuar se mendimtarë dhe studiues të feve të ndryshme, kur kanë filluar ta studiojnë Kuranin me qëllim që të gjejnë në të gabime dhe kundërthënie, në mënyrë që t’u kundërvihen muslimanëve duke publikuar gabimet që ka libri i cili ata besojnë, nuk kanë mundur të vazhdojnë gjatë, sepse e kanë gjetur veten përballë një fenomeni të paarritshëm, gjë e cila i ka shtyrë më pas që të mos ngurojnë, por ta përqafojnë këtë fe dhe të besojnë se Kurani është vërtet libër i Allahut dhe jo vepër e njeriut.
Një gjë e tillë ndodhte shpesh edhe me arabët në kohën e Profetit, ata kur dëgjonin Kuranin që dilte prej gojës së tij e kuptonin se njeriu ishte i pamundur për ta përpiluar një libër të tillë, ndaj besonin që me dëgjimin e parë.
Ja një rast që vërteton atë që thamë më lartë:
Tufejl bin-Amër Ed-Deusika qenë njeri i ndershëm dhe bujar, poet i talentuar dhe prijës i fisit Deus. Mekën e ka vizituar në vitin njëmbëdhjetë të pejgamberllëkut. Me atë rast banorët e Mekës i kishin përgatitur pritje me nderime të mëdha. Ata i thanë: “O Tufejl, ke arritur në qytetin tonë ku gjendet një njeri misterioz dhe për ne i pakuptueshëm, i cili na ndanë në grupacione. Bëri të grindemi me njëri-tjetrin. Flet si magjistar. E ndau babanë nga i biri, vëllanë nga vëllai, burrin nga gruaja. Kemi frikë për ty dhe përcjellësit tuaj se mos po ju ndodh ajo që na ndodhi neve. Mos bisedo me të dhe mos e dëgjo se ç’flet.” Tufejli tregon: “Pasha Allahun, aq tepër ishin këmbëngulës, sa që vendosa të mos bisedoj me të e as mos ta dëgjoj atë. Kur u nisa të shkoj në Kabe, i mbylla veshët me pambuk që të mos ndiej kurrgjë nga biseda e tij. Kur arrita në Kabe, ai ishte duke u falur pranë saj. U ndala pranë tij, e Allahu nuk më la e të mos i dëgjoj disa nga fjalët e tij. Ligjërimi që e dëgjova ishte i këndshëm, ndaj i thashë vetes: “Vaj halli për ty, o Tufejl, se çdo të gjejë! Pasha Zotin, unë jam poet i talentuar, mund ta dalloj ligjërimin e mirë nga i keqi, çka më pengon të dëgjoj ligjërimin e këtij njeriu? Nëse flet diçka të mirë, do ta pranojë, e nëse jo, nuk do ta përfill atë.” Ndejna aty derisa ai u nis për në shtëpi. E përcolla dhe kur hyri në shtëpi, hyra edhe unë pas tij. Pastaj i tregova se çfarë kam dëgjuar dhe ç’flasin për të dhe kujdesin e njerëzve për mua. I tregova se i kam mbyllur veshët me pambuk, por megjithatë kam dëgjuar diçka nga ligjërimi i tij. Pastaj i thashë: “Më trego si qëndron puna me ty.” Ai ma prezantoi Islamin dhe këndoi nga Kurani. Pasha Zotin, kurrë deri atëherë nuk kam dëgjuar diçka më të bukur. Çfarë ligjërimi të mrekullueshëm. Menjëherë pranova Islamin dhe e shqiptova dëshminë e së vërtetës.
Kështu Allahu i Madhëruar pasi i bëri edhe kësaj pjese të njerëzimit të ditur se ky Kuran është prej Tij, të cilin Ai e bëri shpalljen e fundit dhe anulues të shpalljeve të mëparshme, deklaroi se Ai do ta ruajë atë nga ndryshimet dhe devijimet me gjithë përpjekjet që bëjnë për një gjë të tillë ziliqarët!
“Vërtet, jemi Ne që e kemi zbritur Përkujtimin (Kuranin) dhe padyshim që Ne do të jemi ruajtësit e tij.” Hixhër, 9.
O ju muslimanë! Po a nuk po shohim se Allahu na ka nderuar me një mrekulli të pa vdekshme, e cila posedon cilësi madhështore, e si jo kur në të ka urtësi dhe vlera të pa krahasueshme për njerëzimin. Allahu i Madhëruar këtë Kuran e ka cilësuar me cilësi të larta.
Ai është dritë dhe udhëzim, shërim dhe mëshirë dhe këshillë për njerëzimin. Allahu thotë:
“O njerëz! Vërtet ka ardhur tek ju një provë bindëse (Muhamedi) nga Zoti juaj dhe Ne ju kemi zbritur një dritë të qartë (Kuranin).” Nisa, 174.
Ndërsa në një ajet tjetër thotë:
“O njerëz! Ju ka ardhur juve një këshillë e mirë nga Zoti juaj (Kurani) dhe shërim për atë që gjendet në gjokset tuaj, – udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” Junus, 57.
Cilësitë e Kuranit o muslimanë, janë të panumërta, aq sa janë shkruar për to libra, porse del pyetja: si duhet të jetë gjendja jonë me këtë Kuran?
O ti që ke besuar! Kush është gjendja jote me Kuranin? Apo e lexon atë? A po merr prej tij mësime? A po punon me ato që gjenden në të? Apo po e mban thjesht në raft apo bibliotekë si shenjë mirësie e për të thënë se je musliman? Të jesh i sigurt se sado që ta mbash në një vend të dukshëm, sado që të kujdesesh për të që të mos pluhuroset, edhe pse këto janë vepra të pëlqyera, megjithatë dije se nuk mund të të bëjë ty një gjë e tillë aspak dobi. Nëse kjo është gjendja jonë, atëherë duhet që sa më shpejt ta ndryshojmë atë.
Duhet që ta lexojmë Kuranin, dhe të marrim prej tij mësime, sepse leximi i tij i jep jetë zemrës dhe e qetëson shpirtin. A nuk e dini ju se shembulli i atij që e lexon Kuranin dhe atij që nuk e lexon atë, është si shembulli i të gjallit me të vdekurin? Ai i cili nuk e lexon Kuranin është i vdekur edhe pse merr frymë, ecën, ha apo pi.
Vlerën e leximit të tij Profeti alejhi selam na e ka shpalosur në hadithe të ndryshme, në njërin prej tyre ai ka thënë: “Kush lexon një shkronjë nga Kurani, meriton një shpërblim, ndërsa një e mirë është sa dhjetë të ngjashme me të, nuk jam duke thënë: elif-lam-mim është një shkronjë, porse elif është një shkronjë, lam një shkronjë dhe mim një shkronjë.”
Dëgjoni, o vëllezër dhe motra, se si i drejtohet Zoti ynë atyre të cilët e dinë se ky është libër i Allahut:
“Dhe (me qëllim që) ata të cilëve u është dhuruar dija, të mund ta marrin vesh se ai (Kurani) është e vërteta nga Zoti yt, që ata të mund të besojnë në të dhe që zemrat e tyre t’i nënshtrohen atij me përulje. E vërtetë është se Allahu është Udhëzuesi drejt rrugës së drejtë i atyre që besojnë.” Haxh, 54.
O ti i cili po lexon dhe po e mëson Kuranin! A nuk ke parë se në të ka urdhëresa dhe ndalesa? Po vallë a po punon me atë që gjendet në të, a po e ndalon veten nga ndalesat e tij? Ne duhet të mësohemi që leximin e Kuranit të mos e bëjmë thjeshtë një rutinë porse duhet që me anën e tij, të ndryshojmë gjendjet tona.
A dëshironi të dini se si duhet të jetë gjendja e besimtarit me leximin e Kuranit? Ja pra dëgjojeni këtë ajet në të cilin Allahu na e ka treguar edhe këtë.
“Allahu zbriti Fjalën më të shkëlqyer, një Libër (këtë Kuran) pjesët e të cilit i përngjasin njëra-tjetrës në mirësi e vërtetësi (në përputhje të plotë me tërësinë e tij), shpesh i përsëritur. Lëkurat e atyre që kanë frikë Zotin e tyre rrënqethen prej tij (kur e lexojnë ose e dëgjojnë atë). Pastaj lëkura dhe zemra e tyre zbutet te kujtimi i Allahut. Ky është Udhëzimi i Allahut. Ai udhëzon nëpërmjet tij kë do Ai dhe cilindo që e humb Allahu, atëherë për të nuk ka asnjë udhëzues.” Zumer, 23.
Ndërsa në ajetin tjetër thotë:
“Edhe ky (Kurani) është Libër i bekuar të cilin Ne e kemi zbritur. Kështu që ndiqeni atë dhe kini frikë Allahun, me qëllim që të mëshiroheni” En’am, 155.
Ndërsa Ibnu-Umeri tregon se si ishte gjendja e sahabëve me Kuranin.
Ai thotë se ishin shokët e Profetit alejhi selam të cilët mësonin nga dhjetë ajete, ata nuk kalonin tek ajetet e tjera pa punuar dhe marrë nga edukata e tyre. Kështu ata mësonin Kuranin, edukatën dhe punonin me to njëherësh.
Kurse Aishja gruaja e Profetit alejhi salatu ue selam ka thënë: “Nëse dëgjon ndonjë ajet ku Allahu i drejtohet muslimanëve: O ju që keni besuar! Hapi veshët sepse ai përmban ose urdhër që ta punosh, ose ndalesë që të largohesh prej saj.”
Ai i i cili e lë atë pas shpine sigurisht që do të meritojë atë që kanë merituar popujt e mëparshëm për të cilët Allahu ka treguar në Kuran.
“Shembulli i atyre të cilëve iu besua Teurati, por të cilët më pas nuk e zbatuan atë, është si shembulli i gomarit i cili është i ngarkuar rëndë me libra (por që në të vërtetë s’përfiton gjë prej tyre). Sa i keq është shembulli i atyre njerëzve të cilët mohojnë Ajetet e Allahut. Dhe Allahu nuk e udhëzon popullin mosbesimtar e keqbërës.” Xhuma, 5.
Bledar Haxhiu
Burimijetes.com
23.08.2008