Drejt lartësirave

Fotografi të ambicieve të larta dhe vendosmërisë së vërtetë të selefit

Në rrugën tonë drejt lartësirave duhet të kemi nozull, i cili na ndihmon për ta kaluar këtë rrugë dhe për të arritur në qëllimin e kërkuar

Nozulli ynë në këtë rrugë është vendosmëria e vërtetë, ambicia e lartë dhe drejtimi kah All-llahu me përplot dashuri, mallëngjim dhe sinqeritet.

Muslimanët e parë, selefus-salihu, ato gjenerata të arta, i kanë poseduar të gjitha këto vlera, vendosmëria e tyre i ka shtyrë të ngjiten në hapësirat e adhurimit dhe të ç’vishen nga përtesa, pasiviteti dhe ambicia e ultë, ata i janë drejtuar All-llahut me zemra të përulura, kalojnë nga një stacion të adhurimit në tjetrin, marrin hise në secilën vepër, sepse e dinin se janë në mejdan të garës, kurse jeta e tyre është koha e kësaj gare, nëse e humbin ymrin e tyre, ata do të humbnin e nëse e shfrytëzojnë ata do të fitojnë.

REALITETI I YNË I HIDHUR

Nëse ajo që treguam më lartë përshkruan përpjekjen e muslimanëve të parë, selefus-salih, vendosmërinë dhe ambiciet e tyre, fotografitë tona tregojnë prapambeturin tonë nga pozita e të parëve në mejdanin e adhurimit, respektove dhe drejtimit kah All-llahu.

Ne, pa dyshim, e dëshirojmë mirësinë, e dëshirojmë shpëtimin, e dëshirojmë fitimin e xhenetit dhe shpëtimin nga zjarri i xhenetit, mirëpo këto lartësira a mund të arrihen vetëm me dëshirë dhe shpresë?

Ku janë veprat e mira?

Ku është flijimi dhe sakrifica për Islamin?

Ku është përpjekja, përvjelja e krahëve dhe orientimi i vërtetë?

Ku është dhënia përparësi interesit të xhematit dhe metit para interesit personal dhe parcial?

All-llahu, azze ve xhel-le, në Kur’an thotë:

“E kush e ka për qëllim botën tjetër, duke qenë ai besimtar, përpiqet për të ashtu si i takon asaj, angazhimi i tyre do të jetë i pranishëm (te Zoti)”. (El-Isra: 19).

Pra, arritja e lartësirave nuk mund të ndodh vetëm me dëshira dhe shpresë, por me:

“… duke qenë ai besimtar, përpiqet për të ashtu si i takon asaj…”.

Besimi dhe veprat e mira janë të pandarë, kurse shpresat e kota janë kapitali i të falimentuarve.

DOBËSIMI I VENDOSMËRISË

Ti, vëllai im i dashur, mund të parashtrosh pyetjen: pse njeriu nuk mjaftohet me shpresa për çështjet e dynjasë, por punon dhe përpiqet, sepse e di se nëse nuk vepron kështu, nuk do të arrin asgjë nga ajo që ka shpresuar?! Mirëpo nëse shpreson kënaqësinë e All-llahut, Mëshirën dhe Faljen e Tij, fitimin e xhenetit dhe shpëtimin nga zjarr, ai nuk punon për to, por mjaftohet me shpresat e kota?! Shpresat e tija janë në një kodër e veprat e tija në kodër tjetër!

CILI ËSHTË SEKRETI QË NJERËZIT PUNOJNË PËR DYNJA DHE BRAKTISIN VEPRIMIN PËR AHIRET?

Shumë njerëz, edhe pse janë të mirë, atyreve u mungon vendosmëria e vërtetë, e cila i aftëson që të perceptojnë ato projekte të të mirës që i synojnë. Krijohen shumë pengesa mes tyre dhe realizimit të këtyre detyrave, prej tyre është: koprracia, frika, prolongimi, shpresa e madhe, mendimi i keq, dhe shumë shkaqe tjera, të cilat projektet e të mirës i bëjnë vetëm ëndrra që i përcjellin njerëzit, të cilët vazhdojnë në këtë gjendje. Domethënë pasiv dhe me mungesë vendosmërie.

Roli i shejtanit

Shejtani luan rol shumë dinak në pasivizimin e besimtarëve nga arritja e çdo vlere.

Nëse është vepër që ka të bëjë me shpenzimin në rrugë të All-llahut, azze ve xhel-le, atëherë ai ia kujton varfërinë, numrin e anëtarëve të familjes, harxhimin e pasurisë, kërkesat e shumta dhe vazhdon ti hedhë dyshime derisa ta ndal nga shpenzimi.

Nëse është vepër që ka të bëjë me xhihadin, ia kujton dynjanë, stolitë e saja, gjendjen e fëmijëve pas tij, mundësinë e rënies në sprovë nga shkëlqimi i shpatave, dhe vazhdon në këtë mënyrë derisa ta zmbraps dhe ta braktis përkrahjen dhe ndihmimin e fesë.

Nëse është ndonjë vepër që ka të bëjë me adhurime, ia stolis përtesën, dëshirën për rehati, i jep përparësi ç’lodhjes para lodhjes në adhurime, etj.

Enes ibën Maliku, radijallahu anhu, rrëfen se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Shejtani lidh nyje te koka e secilit prej jush kur të bie në gjumë dhe te çdo nyje thotë: ke natë të gjatë, fli. E nëse zgjohet dhe përmend All-llahun, i zgjidhet një nyjë, e nëse merr abdest i zgjidhet edhe një nyje, e nëse falet i zgjidhet edhe nyja e fundit, atëherë gdhin shpirtmirë dhe aktiv, përndryshe shndërrohet në shpirtkeq dhe dembel”. (Buhariu dhe Muslimi).

Njeriu i vendosur duhet të merret me vetveten seriozisht, duhet të vazhdon në luftën ndaj vetvetes, epshit dhe shejtanit, të kapet për All-llahun dhe të kërkon nga Ai ndihmë dhe sukses derisa të arrijë në lartësirat.

Disa çaste me selefin

Ajo që e dallon selefin, radijallahu anhum, është besimi i fuqishëm, bindja e vërtetë dhe pastërtia e brendshme e tyre nga çdo dyshim dhe mëdyshje, kurse kjo ka rezultuar vepra gjigante dhe fitore të paharrueshme, të cilat akoma i përjetojmë dhe shijojmë.

Ibën Xhevziu, rahimehullah, ka thënë:

“Dije se vlera e sahabeve është e dukshme mbi vlerën e të gjithë shokëve të pejgamberëve, kurse fakti se ata kanë qenë të parët në çdo mejdan i kthehet dy arsyeve:

Një: Pastrimi i brendësisë nga mëdyshja me forcën e bindjes.

Dy: Flijimi i vetvetes për luftë dhe përpjekje. (Shiko: “Et-Tebsireh”).

Në vijim u paraqesim disa tregime të njohura, mirëpo shumë interesante nga jeta e sahabeve.

Rasti i Umejr ibën Humamit, radijallahu anhu.

Umejr ibën Humami, radijallahu anhu, dëgjoi Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në betejën e Bedrit duke thënë:

“Ngrihuni drejt xhennetit gjerësia e të cilit është sikurse qiejt dhe toka”.

Tha: Resulullah, xhenneti sa qiejt dhe toka?

Tha: po.

Tha: Behin, behin. Fjali që shpreh zmadhimin e një gjëje.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: çka të shtyri të thuashË behin, behin?

Tha: Jo pasha All-llahun, për asgjë tjetër përpos se nga shpresa që të jem unë prej banorëve të tij.

Tha: ti je prej banorëve të xhennetit.

Umejri, i nxori disa hurma nga qesja që kishte që t’i hajë dhe filloi të hajë prej tyre, e pastaj tha: nëse mbetem gjallë derisa t’i ha këto hurma, me të vërtetë kjo është një jetë shumë e gjatë!! I hodhi hurmat që i kishte me vete dhe luftoi kundër kafirave derisa i vra, radijallahu anhu”. (Muslimi).

Njeriu që dëgjoi hadithin nga Ebu Musa El-Eshariu, radijallahu anhu.

Një njeri i pakrehur dëgjoi nga Ebu Musa El-Eshariu, radijallahu anhu, një hadith të Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i cili mes tjerash kishte thënë:

“Dyert e xhennetit janë nën hijen e shpatave”.

U ngrit para Ebu Musës e i tha: Ebu Musa! Ti ke dëgjuar këtë nga Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem? Tha: po. U kthy te shokët e vet e u tha: ju jap selam, pastaj theu këllëfin e shpatës dhe e hodhi dhe u nisë me shpatën e tij drejt armikut, e luftoi me këtë shpatë derisa u vra”. (Muslimi).

Rasti me Enes ibën Nadrin, radijallahu anhu.

Enes ibën Maliku na rrëfen për axhën e tij, Enes ibën Nadrin, radijallahu anhum, e thotë:

Axha im, Enes ibën Nadri mungoi në betejën e Bedrit, e tha: Resulullah, kam munguar në luftën e parë që ke luftuar kundër idhujtarëve, nëse All-llahu ma mundëson të marr pjesë në ndonjë luftë kundër idhujtarëve do ti mundësoi All-llahut të sheh se çka do të veproj. Në betejën e Uhudit, kur u zmbrapsën muslimanët tha: All-llahu im, kërkoj falje te Ti nga ajo që bënë këta, domethënë sahabet, dhe distancohem nga ajo që kanë bërë ata, domethënë idhujtarët dhe u nisë drejt armiqve. Në rrugë u takua me Sad ibën Muadhin, e i tha: Sad ibën Muadh, aromën e xhennetit e nuhas këtu në Uhud, pasha Zotin e Nadrit. Sadi tha: pasha All-llahun, Resulullah unë nuk munda të bëjë atë që bëri ai!

Enesi, radijallahu anhu, tha: e gjetëm dhe në trupin e tij gjetëm tetëdhjetë e ca goditje me shpatë, me shtizë apo me shigjetë, kurse idhujtarët e kishin masakruar kufomën e tij, andaj askush nuk e njohu përpos motrës së tij edhe atë nga shenjat e gishtit. Ne mendonim se ajeti Kuranor:

“Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë All-llahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi”. (El-Ahzab: 23). Ka zbritur për këtë dhe të ngjajshmit me të.

Kjo pjesë e ajetit: “… që vërtetuan besën e dhënë All-llahut…”, është argument për vendosmërinë e vërtetë të atyre burrave.

TI KTHEHEMI EDHE NJË HERË FILLIMIT

Duhet të mësojmë realitetin e vendosmërisë së vërtetë, e cila na shtynë drejt çdo vepre fisnike dhe të ndershme, sepse kur njeriu zgjohet nga gjumi i neglizhentëve dhe synon All-llahun dhe ahiretin, ka nevojë për vendosmëri të vërtetë.

Imam Ibën Kajimi, rahimehullah, thotë:

“Qëllimi i njeriut kur të dominon mendjen e njeriut bëhet vendosmëri e prerë, shkakton futjen në udhëtim i shoqëruar me tevekul në All-llahun. All-llahu, azze ve xhel-le, thotë:

“…e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në All-llahun, se All-llahu i do ata që mbështeten”. (Ali Imran: 159).

Vendosmëri është: synimi i prerë i cili lidhet me veprën, andaj edhe kanë thënë se është fillimi i lëvizjes për të arritur qëllimin. Mirëpo sipas mendimit më analitik del se vendosmëri është: hyrja në projekt lind nga vendosmëria, jo se është vet vendosmëria, mirëpo për shkak se lidhet me veprën pa ndonjë ndërprerje, kanë menduar se vendosmëri është fillimi i veprës”. (Shiko: “Medarixhusalikin”).

Imam Ibën Rexhebi, rahimehullah, thotë:

“Vendosmëria në udhëzim është fillimi i çdo të mire, sepse njeriu mund ta di udhëzimin, mirëpo mos të ketë vendosmëri, e nëse e vendos për ta bërë një vepër atëherë shpëton.

Vendosmëri është: qëllim i prerë i cili ndërlidhet me veprën.

Dikush ka thënë: grumbullimi i forcave të vullnetit për të bërë një vepër, kurse njeriu nuk mund të ketë forcë për të bërë diçka të këtillë përpos se me ndihmën dhe përkrahjen e All-llahut, andaj prej gjërave më të rëndësishme është: kërkimi nga All-llahu vendosmëri për udhëzim.

Njeriu ka nevojë për të kërkuar ndihmë prej All-llahut, kurse që të mbështetet në Te për ta arritur vendosmërinë dhe për të vepruar sipas vendosmërisë pas fitimit të vendosmërisë.

“…e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në All-llahun, se All-llahu i do ata që mbështeten”. (Ali Imran: 159).

LLOJET E VENDOSMËRISË

Vendosmëria është dy lloje:

Një: vendosmëri për të hyrë në rrugë, kjo është fillimi.

Dy: vendosmëria për të vazhduar në adhurime pasi ke hyrë në to dhe në kalim nga një gjendje të plotë në një tjetër gjendje më të plotë, kjo është mbarimi.

Vendosmëria e parë i ofron njeriut hyrje në çdo mirësi dhe largim nga çdo e keqe, sepse me këtë vendosmëri jobesimtari hyn në Islam dhe mëkatari del prej mëkateve dhe hyn në adhurime. Nëse ka vendosmëri të vërtetë dhe insiston në te, e lufton epshin, egon dhe shejtanin me luftë të sinqertë dhe hyn adhurimet që ia urdhëron All-llahu, ai do të fiton.

All-llahu i ndihmon një njeriut aq sa ka vendosmëri të fuqishme, andaj që synon të mirën, atij i ndihmon dhe e stabilizon, sikurse ka thënë poeti:

Aq sa ke vendosmëri aq të vijnë detyrat

Aq sa je fisnik aq të vijnë nderimet

Disa informata mbi Omer ibën Abdul-Azizin

Kur i erdhi hilafeti Omer ibën Abdul-Azizit pas vdekjes së Sulejman ibën Abdul-Melikut, së pari ai u anagzhua me varrimin e Sulejmanit.

Kur u kthye nga varrimi ia radhitën karavanin e hilafetit, kurse ky tha: mashall-llah, la haule ve la kuvvete il-la bil-lah, ma afroni mushkën time. I hipi mushkës që edhe më parë i hipte. Pra vazhdoi në atë vendosmëri, kurse All-llahu e ndihmoi sepse e dinte se e ka sinqerisht.

Para tij dolën njerëzit, ai i largoi e u tha: edhe unë jam njeri sikur ju.

Zbriti nga mushka dhe u ul, e njerëzit qëndronin para tij në këmbë. U tha: uluni, sepse njerëzit rrinë në këmbë vetëm para All-llahut, Zotit të botëve.

Ishte i vendosur tua kthen hakun dhe të drejtat njerëzve.

E kaploi koha e pushimit dhe hyri të pushon, sepse ishte lodhur natën pa gjumë duke përgatitur xhenazen e Sulejmanit. Ndërkohë i erdhi djali i tij, Abdul-Meliku e i tha: flenë akoma pa ua kthyer hakun njerëzve?!

Tha: si ta fali drekën do t’ua kthej.

Tha: kush të garanton se do të jetosh deri në drekë? E nëse jeton kush ta garanton qëllimin e mirë?

Doli dhe i grumbulloi njerëzit dhe ua ktheu secilit hakun e vet.

Ai thoshte: Unë kam shpirt shumë ambicioz, çdo herë që arrinte diçka, synonte diçka më të madhe dhe më të mirë! Kur arrita të bëhem halife, përmbi këtë gradë nuk ka gjë më të madhe në dynja, më mori malli për ahiret.

Poeti thotë:

Nëse shpirti është i madh

Lodhet trupi në realizimin e aspiratave të tija

Ai që mposhtet, i lehtësohet kjo gjë

Të vdekurit nuk i shërohen plagët

Ushqimi i tij gjatë hilafetit ishte ades, thjerrëza dhe vaj dhe kur e kritikonin pse kaq modest e ka ushqimin, ai thoshte: kështu ma lehtë do të çlirohemi nga prangat e zjarrit nesër!!

Kur pa fëmijët e tij duke ngrënë pak më mirë se ai, hanin thjerrëza dhe qepë, tha: bijat e mija, a gëzoheni të hani llojlloj ushqimesh e të digjet babai juaj në zjarr.

U thoshte fëmijëve: babai juaj ka patë mundësi të zgjedh mes varfërisë dhe të hyjë në xhennet dhe mes pasurimit dhe të hyjë në zjarr, kurse ai ka zgjedh që të hyjë në xhennet.

U thoshte bashkëpunëtorëve: nëse më shihni se largohem nga e vërteta vendoni dorën në fytin tim dhe më dridhni e më thoni: çka je duke bërë Omer?!

Aq shumë i dobësohej trupi saqë brinjët mund t’ia numëronin ata që ia shihnin.

Ai aq shumë e donte All-llahun, saqë kishte arritur në gradën e kënaqjes me caktimet e All-llahut, andaj edhe thoshte: unë gëzimin e gjej vetëm në vendet e caktimeve të All-llahut.

Bashkëpunëtorët e tij në të mirë i vdiqën një pas një. I vdiq djali i tij Abdul-Meliku, vëllau i tij Sehli dhe shërbëtori i tij Muzahimi, e pas vdekjes së tyre dhe kur lutej thoshte: Ti e di se kjo vetëm se ma ka shtuar dashurinë dhe më ka inkurajuar për atë që është te Ti. (Shiko traktatin e Ibën Rexhebit “Komenti i hadithit “Kur njerëzit do të shkojnë pas arit dhe argjendit”).

Ai thoshte: Po të jetoj gjatë nuk do të lejoj që të vejat e Irakut të kenë nevojë për dikë tjetër pas meje.

Kur u bë Halife Omer ibën Abdul-Azizi u dëgjua një e qajtur në shtëpinë e tij, e thanë: çka u bë? Thanë: grave dhe robëreshave u tha: kush do le të rri e kush do le të shkon, sepse kam marrë një detyrë që më angazhon nga ju.

Omeri, radijall-llahu anhu, edhe pse ishte i pari i muslimanëve, shtëpia e tij i ngjante shtëpisë së fukaraje.

Ku është vendosmëria! Pasiviteti është ortak i privimit kurse dhënia përparësi rahatllëkut trashëgon lodhje.

DREJT LARTËSIRAVE

Vëllezër!

Vendosmëria në zemrat e njerëzve është sikurse zjarri i cili flakëron, e përdor trupin dhe aspak nuk ndjenë lodhje.

Burrat e vendosur nuk janë në rrobat e juaja, ata kanë dhënë besën për vdekje, por e fituan jetën, ata edhe në radhët e xhihadit janë më stabil se shkëmbi i madh në vendin e vet.

Ai që nuk e kërkon lavdin seriozisht nuk mund të flenë nën hijen e nderit.

Të gjithë sahabet u shpërngulën ilegalisht, kurse Omeri, radijall-llahu anhu, publikisht e u tha idhujtarëve: jam duke u shpërngulur e ai që dëshiron të takohet me mua le të vjen në këtë luginë.

Laje fytyrën e seriozitetit nga pluhuri i përtesës dhe shpenzo një thes sabër në rrugën e vlerave.

Nëse je njeri i vendosur në gjuhën e tyre nuk ka: “ndoshta” apo “shpresoj”. (shiko: “El-Lutfu fil-Vadhi”, Ibën Xhevziu, fq. 33).

Vëllezër!

Tërë mirësia ka të bëjë me vendosmërinë e vërtetë për udhëzim dhe me këtë kampanjë mposhtet ushtria e të kotës dhe arrihet fitorja për ushtarët e të vërtetës.

Ebu Hazimi thotë: Nëse njeri vendos të le vetjaksinë i vijnë çlirimet.

Disa nga dijetarët e selefit i kanë pyetur: Kur shpërngulet dynjaja nga zemra? Tha: kur të jesh i vendosur, atëherë shpërngulet dynjaja nga zemra.

Edhe shejtani humb shpresat në njeriun me vendosmëri të vërtetë, kurse kur njeriu është labil e lakmon shejtani dhe e shtinë që të shpreson dhe prolongon.

Ti që u rite dhe nuk u pendove, ti që ske vendosmëri për udhëzim e as për kthim, ke gëzuar shejtanin dhe ke zemëruar Rahmanin. (Shiko: “Dy traktate” të Ibën Rexhebit).

Vëllezër!

Jini të vendosur, sepse xhenneti me dhe të këndshëm, me nur që shkëlqen, aromë jasemini që depërton larg, bukuroshet që presin, duhet paguar mehrin për to!

Përshtati: Bekir Halimi

Sektori shkencor pranë shtëpisë botuese “Medarul-Vatan”.,
9.3.2007