Allahu është Ai i Cili më së miri i njeh robërit e tij. Ai ligjësoi për ta atë që është e mirë dhe e dobishme . Zekati nuk është vetëm një adhurim me të cilin myslimani synon të arrij kënaqësinë e Allahut. Por, ai është një ligj i cili garanton lumturinë e njeriut në këtë botë dhe në botën tjetër.

Zekati ka dobi të shumta. Nga zekati përfiton dhënësi i zekatit, marrësi i tij dhe shoqëria në përgjithësi.

Dobia e zekatit për dhënësin dhe përfitimi ekonomik prej tij:

– Myslimani kur jep zekatin, kur kryen këtë obligim ndien një rehati. Sepse ai ka kryer një farz që Zoti e ka obliguar me të. Allahu thotë në Kuran: Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre, të cilët shmangen nga fjalët e kota, të cilët japin zeqatin, ( Mu’minun 1,2,3,4). Besimtari kur kryen këtë obligim ka një rehati shpirtërore, ka një qetësi të brendshme, e ndien vetën se ju takon atyre besimtarëve të cilët Allahu i ka lavdëruar në Kuran, dhe kjo është një ndjenjë e mirë e besimtarit.

– Besimtari me dhënien e zekatit pastron vetën e tij nga koprracia dhe lakmia e shfrenuar ndaj pasurisë. Dashuria ndaj pasurisë dhe kujdesi për grumbullimin e saj është një cilësi e njeriut. Allahu thotë në Kuran: Thuaj: “Sikur ju të zotëronit thesaret e mëshirës së Zotit tim, edhe atëherë ju do të rrudhnit dorën nga droja, se do të shpenzoheni. Njëmend, njeriu rëndom është koprrac”. ( isra’ 100). Shërimi koprracisë dhe lakmisë së shfrenuar bëhet për mes dhënies dhe shpenzimit.

– Mbjell ndjenjën dhembshurisë të pasanikut te i varfëri. I pasuri e ndihmon atë dhe e din se nëse ndryshon ndonjë herë gjendja e ti, ka nga ata që do ti ndihmojnë atij.

– Zekati nga ana ekonomike i ndihmon dhënësit të zekatit. Nëse ajo e cila pengon të varfrin prej blerjes dhe harxhimit për plotësimin e nevojave të tij është mos posedimi i pasurisë, atëherë me dhënien e zekatit ai arrin te posedoj një shumë e caktuar e pasurisë, që me të fillon ti blej gjëra për nevojat e ti, dhe i varfëri prapë do të blejë nga pasaniku. Kështu ndihmohet zhvillimi ekonomik dhe dobia kthehet për të gjithë.

– Dhënësi i zekatit me dhënien e tij përfiton edhe nga aspekti tjetër. Sepse, dhënia e zekatit çdo vit kërkon disa procedura strikte në llogaritjen e pasurisë. Llogaritë pasurinë që e ka dhe prej saj nxjerrë sasinë e caktuar për zekat. Llogaritja e pasurisë në këtë formë i ndihmon tregtarit, apo të pasurit që të shoh gabimet që i ka bërë gjatë tregtisë së tij dhe angazhohet që ti eliminoj ato gabime dhe të krijoj forma të reja për shtimin e pasurisë.

Dobia e zekatit te marrësi i zekatit:
-E mënjanon ndjenjën e padrejtësisë te i varfri. Me aplikimin e zekatit, i varfri e kupton se me gjithë që Allahu e ka sprovuar me varfëri, Ai nuk e ka lënë pa ndihmë. Por, i obligoi një të drejtë në pasurinë e të pasurve. Në këtë formë e kupton se pasuria nuk është shenjë e dallimit të njeriut dhe varfëria nuk është shenjë e hidhërimit të Allahut ndaj robit të Tij.

– Të varfrit i jep shans në ngritje dhe në përmirësimin e gjendjes ekonomike të tij. Zekati i jep shpresë për jetë dhe i jep mundësin që ai të filloj jetën e tij dhe aktivitetin e tij ekonomik.
– Zekati e ndalon të varfrin që mos të merret me vepra kriminale, sikur që është vjedhja, thyerja e lokaleve dhe firmave të ndryshme. Varfëria është portë e çdo krimi dhe çdo të keqe. Dhe kur i varfri merr nga zekati nuk ka arsye pastaj të merret me vepra kriminale.

 

Dobia e zekatit në shoqëri:
-Zekati mbjell dashuri dhe respekt mes individëve në shoqëri. Zekati bënë unitet në shoqëri dhe bashkon shoqërinë sikur një ndërtesë, tullat e së cilës e mbajnë njëra tjetrën.
– Zekati shëron problemin e varfërisë në shoqëri. I jep mundësi të varfrit që të blejë gjërat me të cilat ai mund të prodhoj. Qëllimi i zekatit nuk është që i varfri të jetoj gjithmonë nga lëmosha dhe nga ndihma e të pasurit. Por, zekati ka për qëllim që ta çrrënjos varfërinë nga i varfri dhe ti jep atij mundësi për punë dhe zhvillim.

– Zekati mënjanon divergjencat në shoqëri, duke e ndarë pasurinë në të gjitha shtresat. Sistemi i zekatit nuk i jep mundësin që pasuria të mbetet në duart e të pasurve gjithmonë.

– Zekati hap mundësinë për veprimtari të reja dhe asgjëson papunësinë dhe problemet e ndryshme me të cilat ballafaqohet shoqëria. Papunësia shpesh herë e ngarkon shtetin me atë që nuk ka mundësi ta bart, lind probleme në shoqëri si dhe krijon mos përgjegjësi ndaj shoqërisë te personat e pa punë.

Një krahasim mes zekatit dhe kamatës:
Nga gjithë ajo që kemi shtjelluar në lidhje me këtë temë, në këtë hutbe dhe në humbet tjera shohim dallime të mëdha mes zekatit dhe kamatës, prej tyre:
-Zekati është adhurim. Ai mbjellë frikë dhe stimulon njeriun në zbatimin e urdhrave të Krijuesit të tij. Ndërsa, kamata është mëkat dhe pasim epshit dhe nxitë njeriun edhe në veprimin e mëkateve tjera.
– Zekati është një ndihmë ndaj të dobëtit, dhembshuri ndaj gjendjes së tij dhe ndihmesë për të jetuar një jetë më të mirë. Ndërsa, kamata është shfrytëzim i nevojës së nevojtarit dhe gjendjes së tij të rëndë ekonomike. Vetëm ai i cili ka gjendjen shumë të rëndë materiale dhe që nuk gjen rrugëdalje tjetër për jetën e tij detyrohet të marr borxh me fajde. Ose ai i cili ka ambicie për rritjen e tregtisë së tij dhe nuk gjen forma tjera përveç kamatës.

– Rezultati i zekatit është shtimi i besimit në Allahun, lehtësimit, mëshirës, dashurisë në zemrën e atij që jep zekatin. Ndërsa kamata është shtimi i vrazhdësisë, i prishjes së zemrës, shtimi i egoizmit, koprracisë etj.

– Rezultati i zekatit është shpërndarja e pasurisë dhe shtimi i zhvillimit ekonomik. Ndërsa rezultati i kamatës është ngulfatje dhe rënie e ekonomisë, po ashtu zaptim i pasurisë në një grup të caktuar të njerëzve.

– Zekati kthehet me rezultatet e mira te vetë dhënësi i zekatit. Sepse me zekat ai shton pasurinë e tij duke dhënë një pjesë të vogël të pasurisë së tij që të marr shumë prej fitimit në pasurinë e tij. Kjo bëhet duke i dhënë mundësi pjesëmarrje edhe të varfrit në zhvillimin ekonomik. Ndërsa kamata i jep atij që e merr kamatën një fitim të paqëndrueshëm. Sepse dhënësi i kamatës kur tërheq nga marrësi borxhin me fajde, atëherë kjo ndikon keq në zhvillimin ekonomik dhe shkakton ngecje ekonomike dhe kur ka ngecje ekonomike atëherë edhe pasuria a atij që ka dhënë me fajde pakësohet dhe bllokohet dhe do ta humbë vlerën e saj. Pra, kamata është një përfitim i përkohshëm, por në vija të gjata është një shkatërrim dhe prishje e shoqërisë.

– Zekati mbjellë dashuri mes individëve në shoqëri, mënjanon xhelozinë, urrejtjen. Ndërsa kamata shkakton shpërbërje të shoqërisë, mbjellë në shoqëri urrejtje, dhe armiqësi mes individëve, ku secili dëshiron ta shfrytëzoj tjetrin. Individët në shoqëri e shikojnë njëri tjetrin me sy të materies, e jo me sy të dashurisë, mëshirës dhe ndihmës reciproke mes njëri tjetrit.

 

Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
E mbajtur, më: 13/03/2015

Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan

Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati