Falënderimi i takon Zotit të botëve. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi më të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.
Gjuha është dhunti nga Allahu i Lartësuar. Ai ia mësoi njeriut të folurit e qartë. Vërtet dhunti shumë e madhe. Një organ shumë i vogël, por veprat e saj janë të mëdha. Ajo është pasaportë e brendësisë së njeriut, mjet me të cilën dëshmon, deklaron, miraton, pranon, mohon, rrefuzon, etj..
Ajo ka mundësinë të komunikojë të mirën, por mund ta bëjë edhe të kundërtën. Ajo është peshore që i peshon burrat dhe vlerëson peshën e tyre. Njerëzit gjatë kohërave i shikonin folësit dhe e lidhnin bisedën me veprimet e tyre dhe besnikërinë. Me zgjuarsi dhe mençuri, duke u mbështetur në përvojë, e dallonin gënjeshtarin nga i drejti, të mirin nga i keqi, etj..
Muslimani ka dy alternativa: të flasë të mirën ose të heshtë. I Dërguari i Allahut thotë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, le të flasë mirë ose le të heshtë.”
Allahu i Lartësuar thotë: “Fjala e mirë dhe falja e gabimit janë më të vlefshme se lëmosha që përcillet me fyerje.” (Bekare, 263)
Njeriu duhet që në komunikim me njerëzit të jetë i butë, fytyra e tij të jetë e qetë me të mirin dhe të keqin. Allahu i Lartësuar i tha Musait dhe Harunit “Flitini atij fjalë të buta.” (Taha, 44)
Kjo kërkohet në raport me jobesimtarin e mos të flasim për besimtarin. Atij duhet t’i thuhet ajo që është më e mira, se kështu na mëson Islami. Allahu i Lartësuar na udhëzon që të themi fjalën e mirë dhe të flasim me dashuri me njerëzit, ndryshe do t’i humbim ata.
“Do t’u thoni fjalë të mira njerëzve.” (Bekare, 263)
Të nderuar besimtarë!
Edhe nëse ekziston ndonjë mosmarrveshje, mospërputhje, armiqësi, grindje, konflikt apo përplasje, muslimani duhet të thotë fjalën e mire dhe të bëjë më të mirën për menjanimin e tyre.
Muslimani duhet të tregojë kujdes për sjelljet e tij, mënyrën e të folurit dhe çdo gjë që bën. Nëse nuk e bën këtë, nuk mund t’u kërkohet të tjerëve të bëjnë atë që ju nuk e bëni. Tek Allahu është shumë e urryer të thuhet ajo që nuk punohet.
I Dërguari i Allahut me një rast tha: “Mos fol ndonjë fjalë që më pas duhesh të kërkosh falje.” (Transmeton Ibni Maxhe)
Porosia për ta ruajtur gjuhën nuk do të thotë që njeriu nuk duhet të kërkojë falje. Nëse gabon, patjetër duhet kërkuar falje; nëse nuk e bën këtë, nuk ka gabuar dy herë. Por qëllimi është që duhet pasur kujdes në ruajtjen e gjuhës prej fjalëve. Fjalët që thuhen a janë të dobishme apo heshtja është më e mirë? Të gjitha këto duhet të analizohen dhe të mendohen.
Ibën Mesudi ka thënë: “Pasha Allahun, që nuk ka Zot tjetër veç Tij mbi këtë tokë, asgjë si gjuha nuk e meriton burgimin e gjatë.”
Fudajli ka thënë: “Nuk ka haxh, as xhihad, e as përgatitje për xhihad më të fortë e të vështirë se ruajtja e gjuhës…”
Omer ibën Abdul Azizi mbajti një hytbe e cila i preku zemrat e njerëzve dhe ata filluan të qajnë. Omeri e ndërpreu hytben dhe njerëzit thanë: “Pse nuk e vazhdove fjalimin për të cilin shpresojmë se do të na kishte bërë dobi?” Omeri tha: “Fjala është sprovë. Vepra është më e mirë për besimtarin se fjala.”
Ubejdullah ibën Ebi Xhaferi ka thënë: “Nëse njeriu në një tubim flet dhe i pëlqen fjala që thotë, le të heshtë. Atëherë kur heshtja i pëlqen, le të flasë.”
Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, tha: “Kur dikush dëshiron të flasë, atëherë është detyrë e tij të mendojë para se të flasë. Nëse ka diçka me vlerë në atë që ka për të thënë, atëherë mund të flasë; nëse ka dyshim rreth asaj, atëherë nuk duhet të flasë derisa ta sqarojë dyshimin e tij.”
Ebu Ali Fudejl ibn Ijjadi tha: “Kush i përkufizon fjalët e tij të jenë në përputhje me veprat e tij, do ta zvogëlojë të folurën e tij në atë që nuk i intereson.”
Imam Shafiu i tha nxënsit të tij, Rebiut: “O Rebi’i! Mos fol për gjërat që nuk të interesojnë, sepse me të vërtetë çdo herë që flet një fjalë, ajo (fjala) të kontrollon ty e ti nuk ke kontroll mbi të.”
Të tjerë (dijetarë) kanë thënë: “Shembulli i gjuhës është si i një kafshë e egër. Nëse nuk e fut në kafaz, do të shkojë kundra teje.”
Të mençurit po ashtu na dhuruan edhe këto porosi:
– Zgjidhi fjalët para se t’i thuash, sepse fjala duhet të piqet si pema.
– Fjala e mirë është pasaportë për arritje te çdo zemër.
– Më mirë është të rrëshqasë këmba sesa gjuha.
– Qeni lëviz bishtin, ndërsa dyfytyrëshi gjuhën.
– Mos polemizo me oratorin as me budallanë, pasi oratori do të të mundë me fjalë, budallai të ofendon.
– Nëse flet me ngut, do të thuash ndonjë fjalë që do të pendohesh sa të jesh gjallë.
– Thuaje fjalën e mirë, se zemrën nuk ta shesh askush.
Allahu im, më jep sinqeritet në fjalë dhe vepra!
Ulvi Fejzullahu