Dita e xhuma është një ditë e përmendur dhe e pasqyruar detajisht në burimet kredibile islame. Allahu, në librin e Tij – Kuran, pastaj edhe Muhamedi s.a.v.s. në hadithet e tij, i dhanë hapësirë të denjë, duke e shtjelluar mirëfilli gjithë atë që ndërlidhet me një ditë të veçantë siç është dita e xhuma.
Në Kuran një kaptinë e tërë u emërtua me emrin “Kaptina e Xhumasë”, ndërkohë që edhe Muhamedi a.s., në raste të ndryshme, ua sqaronte shokëve të tij veçantitë e kësaj dite.
Kjo trajtesë, tejkalon trajtimin e detajuar juridik rreth ditës së xhuma, për çka kemi material të mjaftueshëm edhe në literaturën islame shqipe, në mënyrë që të ketë në fokus të vetin më tepër atë aspektin e kronologjisë së obligimit si dhe fshehtësitë e ligjësimit të namazit në këtë ditë.

Xhumaja, ditë e veçantë për myslimanët dhe jo vetëm!

S’janë të rralla e as të pakta tekstet hyjnore, qofshin ato ajete apo edhe hadithe profetike, të cilat shpalosin për besimtarët vlerën e segmenteve të caktuara kohore dhe që njëherësh motivojnë myslimanët të shfrytëzojnë çdo çast brenda tyre. Krijuesi Suprem, me vullnetin e Tij, përzgjedh ditë, net, muaj, apo vite të caktuara, që në ndonjë formë ose tjetër i bën që të mos jenë ato sikur gjithë të tjerat. Ata që shfletojnë literaturën e begatë islame vërejnë se një veçim i tillë hyjnor, nga ditët e javës, pa dyshim se i është bërë edhe ditës së xhuma.
Interesimi ynë për vlerën e kohëve të tilla kurrë nuk duhet të na e shuajë kureshtjen që të dimë diçka edhe për gjenezën dhe historikun e veçimit dhe specifikimit të një dite me vlera aq madhore siç është dita e xhuma. Sigurisht, informacionet e tilla mund të llogariten kredibile dhe të denja për shqyrtim, vetëm nëse ato na vijnë nga burimet e besueshme, rreth të cilave s’ka kurrfarë hapësire për kontestim. Andaj, më së miri për specifikat e kësaj dite foli i Dërguari i Allahut s.a.v.s., i cili shkurtazi dhe në formë të qartë theksoi dallueshmërinë e ditës së xhuma nga ditët e tjera, kur tha: “Dita më e mirë në të cilën ka lindur dielli është dita e xhuma. Në këtë ditë u krijua Ademi, në këtë ditë është futur në xhenet dhe në këtë ditë është nxjerrë prej tij. Edhe kataklizma-kiameti nuk do të ndodhë, veçse në ditën e xhuma”(1).
Në kontekst të komentimit të këtij hadithi, Imam Neveviu e citonte dijetarine madh El Kadi Ajjad të ketë thënë: “Ajo që del në shesh qartazi nga ky hadith është se jo çdo ngjarje që ka ndodhur ose që do të ndodhë në ditën e xhuma konsiderohet si begati, ngase nxjerrja e Ademit a.s. prej xhenetit, dhe ndodhia e kiametit nuk janë të tilla. Por, ky hadith më tepër sinjalizon për ngjarjet madhështore që do të ndodhin në këtë ditë e të cilat patjetër se e bëjnë atë një ditë të veçantë”(2).
Sipas këtij mendimi, madhështore këtë ditë e bëkan ngjarjet madhështore, e mahnitëse, por kjo nuk nënkuptuaka që të njëjtat të jenë edhe mirësi e begati për ne.
Ndërsa, dijetari i shquar i hadithit, Ebu Bekr El Izzij, gjatë sqarimit të këtij hadithi, mendonte më ndryshe nga ajo që kishte vlerësuar El Kadi Ajjad. Ai e llogariste edhe nxjerrjen e Ademit nga xheneti, edhe ndodhjen e Kiametit prej begative, duke thënë: “Që të gjitha këto ngjarje që kanë ndodhur (ose ndodhin) në ditën e xhuma janë begati. Dalja e Ademit a.s. nga xheneti është begati, ngase është shkak për ruajtjen dhe vazhdimin e jetës se llojit njerëzor mbi faqen e tokës, e në mesin e gjithë atyre njerëzve pa dyshim se janë edhe të dërguarit, pejgamberët, të devotshmit, të përkushtuarit në rrugën e Allahut etj. Ai pra nuk ka dalë rastësisht, por me caktimm e Zotit dhe për të kryer disa detyra të caktuara, e do të kthehet sërish në të. Ndërsa ndodhia e Kiametit në të, (prapë është begati), sepse kështu përshpejtohet shpërblimi i pejgambereve, të sinqertëve, e të devotshmëve, si dhe do të dalë në shesh fisnikëria dhe ndershmëria e tyre”(3).
Eshtë me vlerë të theksohet një fakt se, për dallim nga ditë të tjera, që ka mundësi të kenë qenë me vlerë specifike vetëm për Muhamedin s.a.v.s .. dhe ymetin e tij, dita e xhumasë nuk ishte e tillë. Ajo, në parim ishte ditë feste dhe kishte vlerë edhe për ymetet tjera nga ithtarët e librit, veçse ata e neglizhuan vlerën e saj dhe e kontestuan atë, andaj rrjedhimisht edhe zgjodhën ditën e shtunë, respektivisht të dielën për ditë feste të tyre. Këtë dëshiroi të na e bënte me dije edhe hadithi i saktë të cilin e transmeton Ebu Hurejra r.a. nga Muhamedi s.a. v.s. ku ai tha: “Ne jemi të fundit nga ymetet, por të parët (që do të ringjallemi e do të futemi në xhenet) në Ditën e Kiametit megjithëse atyre u është dhënë libri para nesh e neve na është dhënë libri pas tyre. Pastaj, edhe kjo dita që iu është bërë obligim atyre (që ta çmojnë, festojnë e të tubohen në të), ata patën polemika rreth vlerës së saj, e Allahu na udhëzoi neve që ta ruajmë atë (vlerën e saj). Kështu që njerëzit sot kanë ditët e festave të tyre pas ditës sonë. Hebrenjtë e kanë të nesërmen (ditën e shtunë), ndërsa krishterët e kanë të pasnesërmen (ditën e diel)”(4).
Ky hadith na tregoi se dita e xhuma është dashur, madje edhe u është obliguar që të jetë ditë feste dhe tubimi edhe për ata që ishin para nesh (hebrenjtë dhe të krishterët), por ata injoruan vlerën e kësaj dite dhe nuk e morën fare në konsideratë. E, meqë ata zgjodhën ditë tjera për festë, e jo atë të duhurën me të cilën ishin urdhëruar, ata pastaj edhe u privuan nga begatitë e saj. Ishim ne pasuesit e Muhamedit s.a.v.s. që ruajtëm vlerat dhe vazhduam ta shënojmë si ditë feste javore për ne.
Mirëpo, meqë kjo ditë u specifikua nga ditët e tjera të javës, me elementet e larttheksuara, mbetet joshëse që të kuptojmë për kryeveçantinë e kësaj dite – namazin e xhumasë.

Kur dhe ku është falur namazi i parë i xhumasë?

Të gjithë dijetarët islamë, qofshin ata juristë apo hadithologë, historiografë apo tefsirologë, u interesuan që të hulumtonin se kur u falë xhumaja e parë, dhe nga kush u falë së pari ajo! Ajo që e vërejmë në evidentimet e shumicës dërmuese prej tyre është se; xhumaja e parë është falur në Medinë, madje ende pa emigruar e pa mbërri atje i Dërguari i Allahut – Muhamedi s.a.v.s.
Ibn Haxher El Askalani, përderisa trajtonte çështjen e xhumasë së parë, në librin e tij famoz “Fet’hul Barij” sjell citate-dokumente me të cilat synonte që të vërtetonte se xhumaja e parë është falur në Medinë, dhe atë ende pa emigruar atje i Dërguari i Allahut – Muhamedi s.a.v.s.
Ai evidenton atë që e ka transmetuar Abdurrezaku me zinxhir të saktë të transmetuesve, nëpërmjet Ibn Sirinit, ku ky i fundit kishte thënë: “Banorët e Medinës e kishin falur xhumanë ende pa shkuar tek ta Muhamedi a.s., madje ende pa zbritur obligueshmëria e këtij namazi. Ensarët thanë: “E shihni, hebrenjtë e kanë një ditë feste brenda javës, të krishterët po ashtu, andaj ejani edhe ne të caktojmë një ditë kur do ta përmendnim Allahun, ta falënderonim Atë, e të bëjmë namaz për hir të Tij, dhe caktuan ditën e Arubës”(5). Ata shkuan tek Es’ad Ibn Zurareh, dhe i kërkuan atij që t’ua falte namazin e xhumasë, ai iu përgjigj atyre duke ua falur namazin e parë të xhumasë, e tek më vonë zbriti ajeti që e obligoi këtë namaz”(6)
E vërteta qëndron në atë se Mus’ab Ibn Umejrin e kishte dërguar Muhamedi s.a.v.s. në Medinë, para se të shkonte vet atje, me qëllim që ai t’ua mësonte atyre Islamin. Ai ishte vendosur në shtëpinë e Es’ad Ibn Zurare. Es’adi ishte prej fisit Hazrexh dhe e kishte pranuar Islamin qysh nga Besatimi i Parë i Akabes (Bej’atul Akabeh). Historiografët rrëfejnë se Mus’abi, pas një periudhe jo edhe të shkurtër të qëndrimit të tij në Medinë, si i deleguar atje nga Muhamedi a.s., i kishte kërkuar Es’adit që të mbante hytben e parë të xhumasë së parë, e t’i këshillonte myslimanët rreth fesë së Allahut. Dhe, Es’adi ishte ai që e mbajti atë hytbe, hytben e parë të xhumasë së parë. Vendfalje e asaj xhumaje ishte njëra prej lagjeve të Medinës, tek vendi i quajtur asokohe Nekiu El Hadimat, afër lagjes Beni Bejadah. Numri i atyre që e falën atë namaz të parë të xhumasë së parë, sipas shumë transmetuesve thuhet të kenë qenë dyzetë burra.(7)
Kjo ngjarje na tregon së në mungesë të Muhamedit s.a.v.s., sahabët e tij të cilët kishin njohuri rreth Islamit, kishin të drejtë që të jepnin ndonjë opinion të pavarur-ixhtihad, natyrisht pas konsultave të ndërsjella në mes vete. Përzgjedhjen e kësaj dite, ata e kishin bërë na bazë të argumenteve të dëgjuara nga Muhamedi s.a.v.s., e të cilat flisnin për dallueshmërinë dhe vlerën madhështore që kishte kjo ditë brenda ditëve të javës.

Kur është bërë obligim namazi i xhumasë?

Allahu ka zbritur një kaptinë të tërë me emrin e kësaj dite të javës.
Është quajtur Kaptina e Xhumasë. Brenda kësaj kaptine është edhe ajeti obligues i namazit dhe hytbes së xhumasë, ku Allahu thotë: “O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejt për aty ku përmendet Allahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin), e lini shitblerjen, kjo është më e dobishme për ju nëse jeni që e dini.” (El xhumuah, 9)
Ky ajet, me pajtimin e të gjithë dijetarëve është i prerë në obligueshmërinë e namazit të xhumasë, Mirëpo, të gjithë tefsirologët pajtohen që kjo kaptinë e tëra, ka zbritur në Medinë.(8) Madje, thuhet të ketë zbritur jo në fillim të emigrimit të Muhamedit s.a.v.s. në Medinë. Afërsisht pas pesë ose gjashtë vjetësh të hixhretit thuhet se ka zbritur kjo sure, edhe pse nuk ka argument të saktë për asnjërin mendim se në cilin vit saktësisht ka zbritur ajo, pos faktit se ajo ka zbritur në Medinë dhe sigurisht që pas hixhretit.
Fakti që ajeti obligues ka zbritur në Medinë, madje pas disa viteve të emigrimit-hixhretit të Muhamedit s.a.v.s. atje, i ka bërë shumë prej juristëve dhe jo vetëm, që të kenë dilema rreth kohës së saktë të obligueshmërisë së namazit të xhumasë.
Madje ndoshta janë të paktë ata që mendojnë se namazi i xhumasë është bërë obligim atë ditë që ka zbritur, ky ajet bashkë me të tjerët e kaptinës El Xhumuah.
Shumica e dijetarëve mendojnë ndryshe. Njëri prej dijetarëve të mëvonshëm hanefit, Muhamed Ibn Alij En Nejmevij, e përzgjedh mendimin se xhumaja ishte obliguar në Mekë, ende pa zbritur Kaptina e Xhumasë, në të cilën kaptinë zbret edhe ajeti që e obligon namazin e xhumasë. Këtë mendim madje e mbrojnë edhe Ebi Hamid El Gazali, Sujutiu, Ibn Haxher el Mekkij, Shevkani e të tjerë(9).
E Imam Sujutiu, në formë të spikatur, bën përpjekje ta shtjellojë këtë çështje, teksa fliste për mundësinë e ligjësimit të disa prej dispozitave edhe para zbritjes së ajeteve që flisnin në formë obliguese për ato dispozita. Ai përmend pikërisht ajetin e 9 të kaptinës El Xhumua: “O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë … ” dhe thotë se edhe xhumaja është bërë obligim në periudhën mekase, para se të zbriste ajeti i kaptinës së xhumasë, i cili kishte zbritur bashkë me të gjitha ajetet e tjera të asaj sureje në Medinë. Kjo nuk është për çudi, ngase edhe abdesi ishte
bërë obligim njëkohësisht me namazin në Mekë, ani pse ajeti obligues i abdesit është në suren El Maide, dhe dihet se ai ajet kishte zbritur në Medinë(10).
Megjithatë, ajo që dihet dhe është e njohur është se xhumaja nuk ishte falur në Mekë, as në Qabe apo gjetiu, në pamundësi të realizmit të saj, ngase edhe vet Qabeja – Shtëpia e Zotit, ishte e stërmbushur me idhuj dhe në oborrin e saj, ndonjëherë falte ndonjë namaz ditor Muhamedi s.a.v.s. dhe sahabët e tij, por me shumë sfida e shumë vështirësi. Ne nuk kemi asnjë provë të verifikuar se ai ka tentuar ose që ja ka mësyrë ta falte namazin e xhumasë sa ishte në Mekë.

Xhumaja e parë e Muhamedit s.a.v.s. në Medinë

Nuk ka asnjë fakt që dëshmon se Muhamedi s.a.v.s kishte falur ndonjëherë namazin e xhumasë sa ishte në Mekë. Megjithatë ekzistojnë argumente se kur dhe ku e ka falur ai këtë namaz për herë të parë. Kronistët dhe jetëpërshkruesit e jetës së Muhamedit a.s, pothuajse janë pajtuar se xhumanë e parë, ai e kishte falur në hyrje të qytetit të Medinës, me rastin e hixhretit të tij.
Ata rrëfejnë për neve se teksa Muhamedi s.a.v.s. ishte duke u shpërngulur e emigruar për në Medinë, ishte ndalur në hyrje të qytetit të Medinës, tek fisi Beni Amër Ibn Auf, tek vendi i quajtur Kuba, afërsisht 3km. në distancë prej Xhamisë së Muhamedit s.a.v.s. Aty kishte bujtur Muhamedi a.s. katër net, nga e hëna deri të premten – xhumanë. E në ditën e enjte, në atë lagje ai i kishte vënë themelet e Xhamisë së Kubasë. Themele këto mbi të cilat sot është e ndërtuar edhe Xhamia e Kubasë.
Të nesërmen, para kohës së drekës, ai vazhdoi rrugëtimin për në Medinë. Posa ishte larguar pak nga Kubaja, tek fisi Benu Salim Bin Auf, e kishte zënë koha e drekës dhe aty Muhamedi a.s. për herë të parë, në kohë të namazit të drekës, ua kishte falur namazin e xhumasë, saktësisht tek lugina Ranuna-es. Ajo ishte xhumaja e parë e falur nga Muhamedi a.s. në hyrje të Medinës. Aty, në atë vend, tashmë është e ndërtuar një xhami që quhet Xhamia e Xhumasë ose Xhamia e Atikës. Xhamia e Xhumasë, ngase aty është falur xhumaja e parë nga Muhamedi s.a.v.s. Banorët e fisit Benu Salim e kishin lutur Muhamedin a.s. që të ndalej aty, tek ata, por ai u kishte thënë me mirësjellje se kjo deveja me të cilën ai kishte emigruar, nuk ndalet përpos aty ku është e “inspiruar” ose e urdhëruar. E kështu e vazhdoi rrugëtimin edhe për dy km. derisa hyri në Medinë(11). Këtë rrëfim e kanë theksuar me detaje të ngjashme të gjithë kronistët që kanë rrëfyer të gjitha veprimet dhe pikëndaljet e Muhamedit a.s. deri sa ka mbërri në Medinë.
Mirëpo, falja e xhumasë nga ana e Muhamedit a.s. ende pa hyrë në Medinë, madje ende pa i zbritur ajetet obliguese të këtij namazi, tregojnë për mallëngjimin që Muhamedi s.a.v.s. kishte për këtë namaz dhe për faktin se si ai mezi kishte pritur që të largohej nga idhujtarët, e ta falte atë, ngase ata asnjëherë nuk e kishin lejuar ta bënte një gjë të tillë sa ishte në mesin e tyre në Mekë.
Falja e xhumasë nga Es’ad Ibn Zurareh, e pastaj nga Muhamedi a.s., ende pa zbritur ajetet, janë për më tepër argumente që fuqizojnë mendimin e shumë juristëve hanefi e të tjerë që ky namaz, edhe pse jo me ajete të drejtpërdrejta, megjithatë i ishte bërë obligim Muhamedit s.a.v.s. sa ishte në Mekë, para hixhretit të tij.
Imam El Alusij, njëri prej tefsirologëve të rrallë, e që ishte njëherësh prej dijetarëve hanefitë, citon (në shenjë parapëlqimi) mendimin e disa dijetarëve të mëhershëm se xhumaja, ani pse ishte bërë obligim sa ishte Muhamedi a.s. në Mekë, megjithatë ai nuk u fal kurrë atje, për shkak të numrit të paktë të atyre që do të mund të faleshin. Ose, për shkak se ky namaz kishte specifikë të vetën faljen publike e në formë proklamuese diku në ndonjë vend të hapur, e në Mekë asokohe nuk mundësohej një gjë e tillë, ndaj mbeti pa u aplikuar asnjëherë atje(12).

Ku qëndron fshehtësia e veçimit të ditës së xhuma me një namaz specifik?

Sikundër që ndodhë në çdo normë edhe dispozitë tjetër, dijetarët islamë, në formë mjeshtërore bëjnë përpjekje që të gjejnë urtësi e fshehtësi që fshihen brenda ligjësimit të namazeve apo ibadeteve të caktuara. Përpjekje të tilla, natyrisht kishte edhe rreth urtësive për shkak të të cilave është bërë obligim ky namaz i veçantë në këtë ditë të veçantë.
Imam Rraziu, në tefsirin e tij, në kontekst të komentimit të ajeteve të kaptinës El Xhumuah dhe duke dëshiruar të nxjerrë urtësitë e obligimit të namazit të xhumasë, citon dijetarin El Kaffal, i cili kishte thënë: “Ky namaz është obliguar ngase Allahu i Lartmadhëruar, kur krijoi krijesat nga asgjëja, dhe i nxorri në ekzistencë, i dalloi disa prej tyre. E nga të gjitha krijesat qe i krijoi, e dalloi llojin njerëzor, për nga struktura, mendja dhe mundësia e të folurit. E, meqenëse Allahu krijoi krijesat e Tij në ditën e Xhuma, këtë ditë e krijoi vetë Ademin a.s., është e rrugës që në të njëjtën ditë te veçohet Allahu – Krijuesi ynë me një ibadet – adhurim, në shenjë falënderimi ndaj Tij, që e krijoi njeriun në këtë ditë. Kjo, në mënyrë që njerëzit të tubohen në këtë ditë e të gjejnë arsye që të kujtojnë madhëshnnë e kësaj begatie, e ta falënderojnë Allahun për të(13)
. Pra, njeriu i parë u krijua në këtë ditë, ndërsa ne si lloj vazhdojmë ekzistencën nga ai njeri, atëherë qenka e rrugës që Allahun ta veçojmë në kete ditë me një namaz të veçantë.
Poashtu, në këtë ditë Allahun do ta shohin besimtarët ne xhenet, që është quajtur edhe (Dita e shtimit). Dita e shtimit ngase kur besimtarët shterin të gjitha kërkesat dhe dëshirat në xhenet, Allahu thotë se Unë do t’u shtojë diçka prej Meje dhe atëherë e shohin besimtarët Atë. Andaj edhe ia vlen që të adhurohet Allahu në këtë ditë me një adhurim me specifik. Kështu mendonte imam Dehleviu, nga juristët e mëdhenj e të mëvonshëm hanefi(14).
Është një e vërtetë e madhe se të gjithë besimtarët, madje edhe një pjesë jo e vogël e atyre që nuk besojnë fare në Allahun, kanë bindjen se duhet pasur kujdes në ditën e xhuma, e ndoshta edhe në natën e asaj dite, ngase edhe për përshtypjen e tyre ajo është një ditë që nuk është sikur të tjerat, në kuptim të vlerës dhe dallueshmërisë së saj prej tyre. Saqë disa prej atyre që nuk besojnë e kanë frikë se nëse dikush bënë ndonjë mëkat në ditën e xhuma, Zoti do t’ia përshpejtojë dënimin menjëherë në këtë botë.
Madje, lirisht mund të themi që po të mos ishte ky namaz kaq me vlerë, i tilli nuk do të mund asnjëherë ta zëvendësonte drekën e asaj dite. E dihet se namazi i drekës ishte i pari të cilën i fali Xhibrili a.s. si imam i Muhamedit s.a.v.s., pasi që ai u kthye nga rrugëtimi i tij i Israsë dhe Mi’raxhit.

Përfundim

Në fund të kësaj trajtese mund të konstatojmë se për nga natyra dhe vija hulumtuese që ka ndjekur duket qartë se kapte më shumë aspektin kronologjiko-historik të obligueshmërisë së nama~it dhe veçimit të ditës së xhuma me atë namaz.
Në fund të tij i është bashkangjitur edhe përpjekja për të zbërthyer disa nga ato që llogariten fshehtësi apo urtësi, për shkak të të cilave është bërë obligim një namaz i veçantë në këtë ditë të veçantë.
Duhet vënë theksin se ato detaje kronologjike e historike, të cilat na duken se nuk kanë ndonjë vlerë ose efekt juridik në ligjësimin e shumë dispozitave, shpeshherë e vërejmë se mu të tillat juristët islamë i përdorin që të nxjerrin atë tharmin me anë të të cilit ata brumosin një mori normash e dispozitash juridike islame.
Mbetet kurioz dhe mjaft provokues për hulumtuesit dhe dijetarët islamë fakti se një namaz kaq me vlerë siç është namazi i xhumasë, të mos jetë falur së pari nga Muhamedi s.a.v.s.
Si ditë me vlerë të veçantë do të duhej që të ruhej e të festohej edhe nga ithtarët e librit, ngase e tillë ishte edhe për ta sipas porosive profetike të lartshënuara, mirëpo ata e zëvëndësuan, ndërsa pasuesit. Muhamedin a.s. e ruajtën ashtu siç u porositën.
Krejt në fund, duhet ditur se në dijen e Allahut nuk ndodhë asgjë së koti dhe pa urtësi, andaj ne besimtarëve na mbetet të hulumtojmë e të interesohemi që këtë ditë të veçantë ta marrim si të tillë, dhe për arsye të shumëfishta, ngase kështu na porositi neve Ligjvënësi i Gjithëdijshëm.

Literatura e shfrytëzuar:

– Es Sujutij, El Lema’ Fi Hasais El Xhumuah. Bot. i dytë. Dar El Kutub El Ilmijje. 1987. Bejrut.
– El Kurtubij, El Xhami’ Li Ahkam El Kur’an. Bot. i Pestë. Dar El Kitab El Arabij. Bejrut. 2003.
– Ibn Haxher El Askalanij, Fet’h El Barij Sherh Sahih El Buharij. Bot. i parë. Dar El Hadith. 1998. Kajro.
– Ibn Kethir, El Bidajeh Ve En Nihajeh . Bot. i Parë. Daru Hixhr. 1997. Kajro.
– Esh Shevkanij. Fet’hu El Kadir. Bot. i parë. Mektebetu Err Rrushd. Rijad. 2001.
– Muhamed Ibn Alij En Nejmevij, Atharu Es Sunen mea Ta’fik El Hasen. Bot. i parë. Mektebetu Bushra. 2011. Karatchi. Pakistan.
– Es Sujutij, El Itkanfi Ulum El Kur’an. Bot. i parë. Dar El Kutub El Ilmijje. Bejrut. Pa vit botimi.
– Ibn Hisham, Es Siretu En Nebevijjetu. Pa nr. të botimit. Bot. Daru El Hadith. Kajro. 2004.
– El Alusij, Ruhu El Meanij. Bot. i parë. Daru Ihjau Et Turath El Islamij. Bejrut. 2000.
– Err Rrazij, Et tefsir El Kebir. Bot. i katërt. Daru Ihja Et Turath El Arabij. Bejrut. 2001.
– Ed Dehlevijj. Huxh-xhetullahi-l-Baligatu. Bot. i parë. Dar EI Xhejl. Bejrut, 2006.

________________
1. Evidenton Muslimi në “Sahih”, (Nr: 854)
2. Shih: Es Sujjitij, El Lema’ Fi Hasais El Xhumuah (fq. 63). Bot, i dytë. Dar El Kutub El Ilmije, 1987. Bejrut.
3. po aty.
4. Evidenton Buhariu në “Sahih”, (Nr: 876). Muslimi gjithashtu në “Sahih”, (Nr: 855), dhe të tjerët.
5 Dita e Xhuma quhej më parë Dita e Arubës, dhe thuhet se të parët që këtë ditë e quajtën” Dita e Xhuma” që do të thotë “Dita e Tubimit” janë ensarët e Medinës. Është quajtur “Dita e Tubimit” ngase në të tubohen myslimanët. Ose per shkak se në këtë ditë Allahu i tuboi pjesët e trupit të Ademit a.s. e pastaj e formësoi natë. Shih: El Kurtubij, El Xhami’ Li Ahkam El Kur’an (86/18). Bot. i pestë. Dar El Kitab El Arabij. Bejrut 2003.
6. Ibn Haxher El Askalanij, Fet’h El Barij Shehr Sahih El Buharij (2/354). Bot. i parë. Dar El Hadith 1998 Kajro.
7. Shih: Ibn Kethir, El Bidajeh Ve En Nihajeh (4/378). Bot i parë. Daru Hixhr 1997 Kajro.
8. Esh Shevkanij. Fet’hu El Kadir (1744-1745), Bot. i parë, Mektebetu Err Rrushd Rijad, 2001.
9. Shih: Muhamed Ibn Alij En Nejmevij. Atharu Es Sunen mea Ta’lik El Hasen (fq. 336) Bot i parë. Mektebetu Bushra 2011 Karatchi Pakistan.
10. Es Sujutij, El Itkam fi Ulum El Kur’an (1/80) Bot i parë. Dar El Kutub El Ilmijje Bejrut. Pa avit botimi.
11. Shih: Ibn Hisham, Es Siretu En Nebevijjetu (1/361-362). Pa nr. të botimit. Bot. Daru El Hadith. Kajro.2004.
12. El Alusij, Ruhu El Meanij (28/409). Bot. i parë. Daru Ihjau EI Turath El lslamij, Bejrut, 2000.
13. Err Rrazij, Et tefsir El Kebir (10/543). Bot. i katërt. Daru Ihja Et Turath El Arabij. Bejrut 2001.
14. Ed Dehlevijj. Huxhetullahi EL Baligatu (2/44) Bot i parë. Dar El Xhejl. Bejrut 2006.

Mr. Driton ARIFI