Pas shenjave të mëdha të Kiametit, vjen edhe vetë Kiameti.

Kiameti i ka disa stacione, bie fjala, Berzahu, përkatësisht jeta e varrezave, prej kur të vdesë njeriu derisa të ringjallet.

Dita e Gjykimit, ku përfshihen shumë gjëra. Pastaj Xheneti ose Xhehenemi.

Vëllezër të nderuar, duhet t’i kemi parasysh tri gjëra të rëndësishme që kanë të bëjnë me Ditën e Gjykimit:

  1. Mëshira; atë ditë Allahu do të falë shumë. Atë ditë do të ketë shumë mëshirë. Tërë këtë mëshirë të Allahut që ne e shohim në këtë dynja është vetëm një pjesë e mëshirës, ndërsa Allahu për Ditën e Gjykimit ka lënë nëntëdhjetë e nëntë mëshira.
  2. S’do të ketë zullum ose padrejtësi:

﴿ وَلَا يَظۡلِمُ رَبُّكَ أَحَدٗا٤٩﴾

“Allahu nuk i bënë padrejtësi askujt.” (El Kehf, 49)

﴿فَمَن يَعۡمَلۡ مِثۡقَالَ ذَرَّةٍ خَيۡرٗا يَرَهُۥ٧﴾

“Ai që bënë mirë sa një grimcë, do ta shohë atë.” (Ez Zelzele, 7)

﴿وَمَن يَعۡمَلۡ مِثۡقَالَ ذَرَّةٖ شَرّٗا يَرَهُۥ٨﴾

“Ai që bënë keq, sa një grimcë, do ta shohë atë.” (Ez Zelzele, 8)

  1. Atë që e ke mbjellë, atë do ta gjesh.

Në shumë ajete, kur përmendet Xheneti ose Xhehenemi, Allahu na tregon se kjo është si rezultat:

﴿ بِمَا كُنتُمۡ تَعۡمَلُونَ٤٣﴾

“Për atë që vetë e keni vepruar.” (El Murselat, 43)

Vëllezër, për të shpëtuar atë ditë nuk duhet kemi vetëm fjalë ose të mjaftohemi me zemër të pastër, por kërkohet shumë punë e shumë vepra të mira.

Madje ajeti thekson: “Që vetë e keni vepruar”, e jo atë që do t’jua bëjnë të afërmit.

Po, nganjëherë munden të bëjnë vepra të mira për ne, porse në parim, secili do të gjejë në masë të madhe vetëm atë që vetë e ka vepruar.

Në vijim po ju tregoj një ngjarje që e dëgjova nga një njeri që mundohet të bëjë mirë e t’i këshillojë njerëzit për të bërë vepra të mira: Një prind vdiq dhe si trashëgimi la afër 450 mijë euro. Ky tregon se shkova tek i biri për t’ia kërkuar 4500 euro, pra, vetëm 10 për qind të asaj pasurie, që ai ta japë për një projekt bamirësie. I biri nuk deshi të japë asgjë, megjithatë unë, – thotë ky burrë, – këmbëngula, derisa e binda, me shumë vështirësi që ta japë atë shumë. Kjo ndodh me pasuritë e shumicës së njerëzve. Të paktë janë ata pasardhës që do t’u bjerë ndërmend për ne, andaj le t’i kryejmë punët ne e të mos ua lëmë të tjerëve.

Mirëpo, ndodh edhe e kundërta e kësaj që e përmenda. Sa e sa herë jam pyetur: Hoxhë, si ta kthejmë të vdekurin nga kibla (fjala është në shtëpi)?

Po është e pëlqyer të kthehet i vdekuri nga kibla, por kur ai ishte gjallë e kishte obligim të kthehej nga kibla, ndërsa tani është thjesht gjë e pëlqyer. Nëse ai ose ajo nuk është kthyer vetë nga kibla sa ishte gjallë, çfarë do t’i ndihmojë tani nëse ne e kthejmë nga kibla?!

Vëllezër të nderuar, dikush mund të thotë: Ju hoxhallarët vetëm për vdekje dhe Kiamet po flisni!

Shikoni: Kiameti dhe vdekja do të ndodhin, deshëm apo jo. Nëse ne i përmendim ato, kjo na bën që të këndellemi nga shkujdesja që e kemi. Përmendja e tyre na bën që të shpejtojmë me pendim, që të punojmë vepra të mira më me zell, e pastaj përmendja e tyre na bën që sprovat, brengat e telashet e dynjasë t’i tejkalojmë më lehtë.

Pra, njeriu gjithsesi do ta përjetojë vdekjen. Mirëpo, nëse një person kurrë nuk ka dashur t’i përmendet vdekja, në momentin që vdes të gjitha ato paralajmërime që ia ka bërë Allahu në lidhje me vdekjen do t’i shohë, porse atij tashmë i ka ikur përgatitja.

Ndërkaq, personi i cili di rreth vdekjes, të gjitha këto paralajmërime vetëm i pret t’i paraqiten dhe në momentin kur të vdesë, ai asgjë të re nuk do të gjejë, por do t’i shfaqen gjërat që kohë më parë i ka ditur se do t’i paraqiten atij.

Kështu pra, me përmendje të vdekjes kemi për qëllim vetëm të mos e mashtrojmë vetveten atje dhe të mos lëmë asgjë për nesër, por ta veprojmë sot.

Shikoni surja et Tegabun, po çfarë do të thotë fjala tegabun:

﴿يَوۡمَ يَجۡمَعُكُمۡ لِيَوۡمِ ٱلۡجَمۡعِۖ ذَٰلِكَ يَوۡمُ ٱلتَّغَابُنِۗ ٩﴾

“Atë Ditë, kur Ai do t’ju tubojë juve në Ditën e Kiametit, ajo është Dita e mashtrimit.” (Et Tegabun, 9)

Po, dita në të cilën shumë njerëz kanë menduar se me të vdekur do të përfundojë çdo gjë, por ja, kur ta shohin vetveten pranë Allahut e të fillojë llogaria!

Po pra, shumë njerëz mendojnë se çështja e ahiretit është shumë e lehtë dhe se ky është prej banorëve të Xhenetit. Mirëpo, ja, kur të ringjallet e sheh se me vete ka shumë pak vepra të mira, ndërsa llogaria qenka e vështirë. Këta njerëz do të mashtrohen, sepse nuk u del ashtu siç kanë menduar.

Kurani dhe Hadithi na kanë përmendur shumë gjëra që kanë të bëjnë me Ditën e Kiametit. Ajo që është e rëndësishme për ne është fakti se, kur të dëgjojmë se diç na bën dobi atje, a e veprojmë atë; kur të dëgjojmë për diç se na bën dëm atje, a po e lëmë atë.

Për shembull, hadithi: “Agjërimi është mburojë, kurse lëmosha e fik mëkatin ashtu siç e fik uji zjarrin.”[1]

A kemi përgatitur për vete agjërim dhe lëmoshë.

Kur të dëgjojmë:

“Zullumi do të jetë errësira në Ditën e Kiametit.”[2]

Zullumi që mund ta bëjmë në raport me gruan, fëmijët, fqinjët, punëtorët, vonimin e rrogave, t’i ngarkojmë me punë edhe jashtë orarit pa pagesë shtesë dhe pa lejen e tyre.

Dëgjojeni këtë hadith, ku Pejgamberi ﷺ  ia përcjell Hadixhes, gruas së vet, këtë përgëzim të madh nga Xibrili ﷺ : “Xhibli i tha: “Përgëzoje me një shtëpi prej margaritari (në Xhenet), në të cilën nuk ka as zhurmë, as lodhje.”[3]

Përse kjo? Sepse ajo asnjëherë nuk i bëri zhurmë Pejgamberit ﷺ  në dynja, nuk ia ngriti zërin dhe Allahu e shpërbleu me një shtëpi ku s’do të ketë zhurmë, nuk do të ketë lodhje, sepse ajo në këtë dynja e qetësonte Pejgamberin ﷺ  dhe nuk i shkaktonte kokëçarje.

“I pari nga krijesat që do t’i vishen rrobat (Ditën e Kiametit) do të jetë Ibrahimi ﷺ .”[4]

Përse?

Për shkak se ishte prej njerëzve që më së shumti i frikësohej Allahut, ndërsa kjo veshje që do t’i bëhet do të jetë një lloj sigurie për të. Ose, për shkak se ai ishte njeriu i parë që kishte veshur rroba për ta mbuluar avretin (vendet e turpshme) gjatë namazit. Ose, për shkak se, kur e hodhën në zjarr, idhujtarët e zhveshën prej rrobave, siç është traditë për t’i mbytur të zënët robër, kështu që Allahu e shpërbleu me veshje në Ditën e Kiametit, para të gjitha krijesave të tjera.

Dhe kjo rregull është rregull madhështore e fesë islame: kushdo që i fsheh një të metë vëllait të vet, Allahu ia fsheh atij të metat në Ditën e Kiametit. Kushdo që i ndihmon vëllait të vet në këtë dynja, Allahu i ndihmon atij në Ditën e Kiametit.

Po ashtu ka thënë: “Ditën e Kiametit, çdo tradhtar do të ketë një flamur, përmes të cilit do të dallohet.”[5]

Flamur me të cilin do të dallohet se ky ishte tradhtar. Pra, ashtu siç bëjmë vepra të mira, vjen edhe shpërblimi, por edhe e kundërta vlen për mëkatet.

Pjesa e dytë e hutbes

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të‎‎!) tregon se lutja që më së shpeshti e thoshte Pejgamberi ﷺ  ishte: “O Allah, Zoti ynë, na jep mirësi në këtë botë dhe në botën tjetër dhe na mbroj nga dënimi i Zjarrit!”[6]

Po ashtu Pejgamberi ﷺ  na ka mësuar që para se të biem në gjumë ta themi këtë lutje: “O Allah, më mbroj prej dënimit Tënd, Ditën kur do t’i ringjallësh robërit e Tu!”[7]

Pra, përmes lutjeve shohim se besimtari gjithmonë duhet ta ketë në mendje Ditën e Kiametit, të jetë i gatshëm për të. Madje, të gjitha adhurimet që i bëjmë, i bëjmë për të fituar në ahiret, për shpërblimin e përjetshëm, edhe pse adhurimet po ashtu kanë të mira të kësaj bote, si:

  1. Lëmosha ose sadakaja sjell bereqet në pasuri,
  2. Respektin që ua bën prindërve kthehet me respektin që do të ta bëjnë fëmijët ty,
  3. Falja e namazit të mbron prej të fatkeqësive,
  4. Agjërimi, të jep shëndet…

Pra, ngado që të sillemi, sillemi në të mirat e Allahut të Madhëruar.

[1] Tirmidhiu nr.2616 dhe thotë: Hadithi është hasen sahih.

[2] Buhariu nr.2447.

[3] Buhariu nr.7497.

[4] Buhariu nr.4625.

[5] Buhariu nr.6966.

[6] Buhariu nr.4522.

[7] Tirmidhiu nr.3398 dhe thotë: Hadithi është hasen sahih.

Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi

Burimi