O ju njerëz, frikojuni Allahut dhe rikujtoni vdekjen dhe afrimin e saj, përgatituni për të me vepra të mira dhe pendim nga gjynahet dhe të ligat. Harresa e vdekjes i ngurtëson zemrat dhe nxit pas dynjasë. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Shpeshtoni rikujtimin e shkatërruesit të kënaqësive”. Dmth. vdekjen.
Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur nga ta, përcjell dhe thotë: Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, më vëndoi dorën mbi supin tim dhe më tha: “Jeto në këtë botë sikur të jesh i huaj ose si një kalimtarë rruge”. Ibën Omeri gjithnjë thoshte: kur të ngrysesh mos prit agimin e kur të gdhihesh mos e prit muzgun e mbrëmjes. Merr nga shëndeti yt për sëmundjen tënde dhe nga jeta yte për vdekjen tënde.
I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Secilit prej jush Xheneti është më i afërt se sa lidhësja (rripi) i nallaneve dhe poashtu Xhehenemi”.
O ju robërit e Allahut, rikujtimi i vdekjes njeriun e bën asket në dynja, e nxit në vepra të mira dhe në pendim nga gjynahet dhe në braktisjen e padrejtësive dhe dhënien e të drejtave të njerëzve. Pasi që vdekja është fundi i jetës së njeriut në këtë dynja, Allahu i Madhëruar ligjësoi për të vdekurin dispozita ku njeriu detyrohet t’i njeh dhe t’i praktikon te të vdekurit musliman. Këto ligje njihen si dispozita të xhenazes, të cilat është e domosdoshme të njihen.
Imam Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë. “Udhëzimi i të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte udhëzimi më i përsosur, krejtësisht i kundërt me udhëzimet e popujve tjerë. Ky udhëzim përfshin bamirësi për të vdekurin dhe nxit në veprimin asaj që atij i bën dobi në varr dhe në Ditën e Kiametit. Udhëzim i cili nxit në bamirësi ndaj familjes së tij dhe farefisit të tij, i cili nxit në bamirësi ndaj të vdekurit dhe përgatitjes së tij për te Zoti i tij, pastaj përcjellja e tij deri në varr dhe pastaj vizita e tij në varreza dhe lutja për të që Allahu ta mëshiron dhe gjynahet t’i fal”.
Nga dispozitat e para është se pëlqehet t’i rikujtohet atij që është në prag të vdekjes dëshmia La ilahe il-lallah duke iu bazuar fjalës së të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Përkujtonia të vdekurve tuaj (në agoninë e vdekjes) dëshminë La ilahe il-lallah”. Kjo me qëllim të jetë fjala e fundit e tij më e mirë dhe ajo me të cilën do ta len këtë dynja.
Poashtu përcillet me një hadith se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush vdes dhe fjala e tij e fundit është La ilahe il-lallah, hyn në Xhenet”.
Shejtani në prag të vdekjes i afrohet njeriut me qëllim t’ia shkatërron besimin dhe t’i fut vesvese rreth besimit të tij, dhe nëse ia rikujton këtë fjalë madhështore dhe ai e shqipton, shejtanin do ta largon dhe do të vdes me besim të pastër.
Nga dispozitat e xhenazes është përshpejtimi në përgatitjen e të vdekurit, larjen dhe qefinosjen e tij, faljen e xhenazes së tij dhe transportimin e tij deri në varreza, duke u bazuar në fjalët e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili ka thënë: “Nuk ka hije që kufoma e muslimanit të pengohet nga familjarët e tij”.
Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nga udhëzimi i të Dërguarit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte përshpejtimi në përgatitjen e të vdekurit duke e larë, pastruar, parfymosur dhe qefinosur. Urdhëronte në larjen e të vdekurit tre apo pesë apo më shumë herë sipas asaj se si e sheh ai që e lan xhenazen dhe urdhëronte të përdoret kafur në larjen e fundit”.
Burrin detyrohet ta lanë burrë dhe gruan detyrohet ta lanë grua. Lejohet që burri ta lan gruan e tij dhe gruaja ta lan burrin e saj. Mungesa e ujit për ta larë xhenazen apo mos pasja mundësi të lahet xhenazja për shkak se kufoma është e djegur apo e copëtuar dhe nuk mundet ta përballon ujin, e detyron dhënien e tejemumit. Lahet ajo çka ka mundësi të lahet kurse ajo e cila nuk ka mundësi të lahet zëvendësohet me tejemum.
Fëmija i abortuar nëse është katër muajsh, lahet, qefinoset dhe i falet xhenazja dhe emërtohet.
Pasi që i vdekuri lahet dhe qefinoset, i falet xhenazja. Namazi me xhemat pa dyshim se është më i mirë duke u bazuar në veprën e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe në veprën e sahabëve. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë se qëllimi i faljes së namazit të xhenazes është lutja për të vdekurin.
Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, rreth komentit të ajetit: “Askujt prej hipokritëve, kur të vdesin, mos ia fal xhenazen, as mos rri afër varrit të hipokritit”. Teube 84, tha: “Pasi që Allahu ia ndaloi të Dërguarit të Tij t’ia falë hipokritëve namazin, u bë e qartë poashtu,se falja e namazit të besimtarit duhet të kryhet para se të varroset dhe të rrihet afër pasi të varroset. Poashtu ajeti është argument se falja e namazit të vëllaut musliman është një ndër adhurimet më me vlerë dhe më afruese kah Allahu dhe se për kryerjen e tij fitohen shumë shpërblime. Poashtu ajeti është argument se falja e namazit të xhenazes së një muslimani ka qenë tradita e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe se kjo është çështje e vërtetuar tek muslimanët. Sa më shumë që rritet numri i atyre që e falin, aq më mirë është për vëllaun musliman. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Nuk ka ndonjë musliman që vdes e ta falin xhenazen e tij dyzet burra, të cilët nuk i shoqërojnë Allahut asgjë vetëm se Allahu do t’i bëj ata ndërmjetësues për të”.
Poashtu i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Nëse ka një të vdekur (musliman) që ia falin namazin e xhenazes një grup muslimanësh që mbërrin të njëqind vetët, ku që të gjithë ndërmjetësojnë për të, atyre do t’u pranohet të ndërmjetësojnë për të”.
Pasi të falet namazi i xhenazes nxitohet me bartjen e saj për në varreza dhe pëlqehet për atë që ia ka falur vëllaut të tij musliman xhenazen, të prezanton edhe në varrimin e tij. Gjatë rrugës për në varreza ecja duhet të jetë e qetë, të mos ngrihen zërat as me lexim e as me dhikër apo me diçka tjetër. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka transmetuar se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush prezanton një xhenaze, derisa ta falë namazin e saj ka shpërblim një kirat, kush prezanton derisa të varroset shpërblehet sa dy kirat”. Thanë: “Çfarë janë dy kirate?”. Tha: “Sa dy male të mëdhenj me shpërblim”.
Pëlqehet që varri të zgjerohet e të thellohet dhe i vdekuri të vendoset i kthyer kah ana e Kibles në krahun e djathtë të tij. Varri ngrihet nga toka sa një pëllëmbë, me qëllim të dallohet se është varr dhe të mos shkelet apo ulet mbi të askush. Lejohet të vendoset mbi të ndonjë shenjë, si gur apo dërrasë apo diçka tjetër, me qëllim të dallohet varri kur të vizitohet.
Nuk lejohet shkrimi nëpër varre, e as meremetimi dhe ndërtimi mbi to. Transmetohet nga i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, në hadithe të vërteta se ai ka ndaluar të suvatohen varret me llaç gëlqereje, të ulet mbi to, të ndërtohet mbi to, apo të shkruhet në to, e gjithë kjo ngase suvatimi i tyre dhe të ndërtuarit mbi to është metodë që shpien në madhërimin e të varrosurve dhe adhurimin e tyre.
Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ceket se i kishte porositur Aliun, Allahu qoftë i kënaqur nga ai: “Të mos lësh statuja pa prishur dhe varr të ngritur pa rrafshuar”.
Në një transmetim tjetër thuhet: “As statuja, buste pa i prishur mos lë”.
Varr i ngritur është ai i cili dallohet prej varreve të tjera. Ai duhet të rrafshohet, të barazohet me të tjerët që të mos mendohet se banori i këtij varri ka ndonjë cilësi të veçantë qoftë kjo pas një farë kohe.
I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kur i vizitonte varret e shokëve të tij, i vizitonte për tu lutur për ta he për të bërë istigfar dhe për të kërkuar mëshirë për ta. Kjo është vizita të cilën e pëlqeu për Umetin e tij dhe ua ligjësoi atyre thënien kur të futen në varreza: “ES-SELAMU ALEJKUM EHLED-DIJARI MINEL-MU’MININE VEL MUSLIMINE VE IN’NA INSHA-ALLAHU BIKUM LAHIKUN. NES’ELU-ILAHE LENA VE LEKUM EL-AFIJE.”. (Es-selamu alejkum o ju banorë të këtij vendi, besimtarë e muslimanë. Edhe ne inshallah, me urdhrin e Allahut, kur të vijë përcaktimi i Tij, me ju do të radhitemi. Lusim Allahun për ne dhe për ju që të na mëshirojë!).
Nga udhëzimi i tij gjatë vizitës së varrezave ishte ta thotë atë që e thonte dhe e vepronte kur lutej për vëllaun musliman kur ia falte xhenazen: “O Zot, falja mëkatet dhe mëshiroje, shpëtoje dhe kij ndjesë ndaj tij, bëja vendin e mirë dhe zgjeroja vendin ku do të hyjë, pastroje atë me ujë, borë dhe akull dhe pastroje nga mëkatet, ashtu siç e pastron rrobën e bardhë nga njollat, zëvendësoja shtëpinë me një shtëpi më të mirë, familjen me një familje më të mirë, bashkëshortin (ten) me një më të mirë, fute në xhenet dhe mbroje prej dënimit të varrit dhe dënimit të zjarrit”.
O ju musliman, nga gjërat që nuk lejohen është leximi i Kuranit tek kufomat apo te varri me pretekst se kjo i bën dobi të vdekurit, mirëpo kjo është risi në fe dhe kjo nuk ka qenë tradita e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.
Nga risitë është vendosja apo mbjellja e luleve nëpër varre, veshja e rrobave të zeza, ndërprerja e punës zyrtarisht, qëndrimi disa minuta në heshtje për shpirtin e të vdekurit, e shumë vepra të tjera, të cilat i shëmbëllejnë dhe që janë nga traditat e jobesimtarëve dhe nga koha e injorancës. Muslimanët detyrohen t’i largohen këtyre veprave.
Ajo që duhet të dihet është se ajo që i bën dobi të vdekurit është ajo që e ka cekur Allahu dhe i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, si përshpejtimi në pagimin apo larjen e borxhit që e ka i vdekuri. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Shpirti i njeriut është i lidhur për borxhin e tij deri sa t’i paguhet apo lahet”. Pastaj realizimi i porosive të tij, shkuarja në Haxh për të, lutja për të, etj. Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Kur njeriu vdes, atij i ndërpritet puna, përveç tre gjërave: Lëmosha e vazhdueshme, dija nga e cila përfitohet pas tij, apo fëmija i mirë që lutet për të”.
Poashtu ajo që duhet të dihet është se grave nuk u lejohet ta përcjellin xhenazen për në varreza dhe t’i vizitojnë ato, duke u bazuar në hadithet ku i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e ndaloi vizitën e varrezave nga ana e grave dhe i mallkoi ato që i vizitojnë.. Gruaja pra, nuk lejohet t’i viziton varrezat dhe as ta viziton varrin e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe kjo është e veçantë për burrat.
Muslimani duhet ta din se Allahu e ka ligjësuar durimin gjatë vështirësive dhe sprovave dhe durimtarëve u ka premtuar shumë shpërblime. E ka ndaluar zemërimin dhe pikëllimin gjatë sprovave dhe është kërcënuar me dënim të rreptë. Allahu i bëri të ndaluara traditat e popujve që nuk besojnë në ringjalljen dhe llogarinë, si rrahja e faqeve, grisja e rrobave, ngritja e zërit dhe të qarit me zë të lart, rroje e kokës etj.
Të qarit pa mos e ngritur zërin dhe pikëllimi i zemrës nuk janë problem. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Syri loton, zemra pikëllohet dhe mos e thoni vetëm se atë që e kënaq Allahun”.
Pëlqehet ngushëllimi i familjes së të vdekurit dhe nxitja e tyre për në shpërblim dhe durim, dhe fjalët e ngushëllimit janë: “Allahu ta zmadhoftë shpërblimin dhe ta shtoftë durimin dhe e faltë këtë të vdekur”. Kjo është sipas Synetit, po lejohen edhe fjalë tjera që nxisin në durim dhe shpërblim.
Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nga udhëzimi i të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte ngushëllimi i familjes së të vdekurit dhe nuk ishte nga udhëzimi i tij tubimi për ngushëllim, leximi i Kuranit as te varri e as në ndonjë vend tjetër dhe e gjitha kjo është risi e shpikur dhe e fëlliqur. Nga udhëzimi i tij ishte qetësia dhe kënaqësia me caktimin e Allahut, falënderimi i Tij, dhe u distanconte nga ata që i grisnin rrobat kur u vinte ndonjë vështirësi apo e ngrinin zërin apo e rruanin kokën.
Nga udhëzimi i tij ishte që familja e të vdekurit mos të mundohen të përgatisin ushqim për njerëzit, po urdhëroi që njerëzit tu gatuajnë familjes së të vdekurit ushqim dhe kjo padyshim se është nga virtytet e larta të moralit.
Sot plot nga muslimanët i veprojnë këto vepra të ndaluara, si tubimi për ngushëllim, shpallja në gazeta se filani ka vdekur, ka nga atyre që i veçojnë disa vende për tubimin e njerëzve, gatuajnë ushqim dhe marin me qira disa lexues të Kuranit me pretekst se këto i bëjnë dobi të vdekurit. Përcjell imam Ahmedi nga Xherir ibën Abdullahu i cili ka thënë: E konsideronim të tubuarit në familjen e të vdekurit dhe të gatuarit e ushqimit pas varrosjes së tij nga nijaha (të vajtuarit).
Atij që i vdes ndonjë anëtar i familjes apo i afërt duhet të vazhdon ta jeton e tij si më herët duke shkuar në punë dhe duke i kryer detyrimet e tij të përditshme, e jo të ulet në një vend me qëllim ngushëllimi. Lejohet që kush ta takon rrugës ta ngushëllon apo ta ngushëllon edhe në vende të tjera.
Detyra e çdo muslimani është të kapurit për traditën e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për arsye se udhëzimi i tij është udhëzimi më i mirë, kurse më e keqja është shpikja në të.
SHEJH DR. SALIH FEUZAN
Nga arabishtja: Irfan JAHIU