Hutbeja e parë

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e devijon dhe kë e largon nga rruga e vërtet s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut, azze ue xhel, që është Një dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ju vëllezër musliman,

Vlera e teuhidit (njësimit të Allahut) është e madhe. Rruga e vetme e shpëtimit të robit në dynja, në varr dhe në ahiret është pastrimi i besimit prej idhujtarisë dhe mbrojtja e tij prej çdo gjëje që e njollosë apo e devijon natyrshmërinë e pastër të teuhidit. Me lejen e Allahut në këtë hutbe shkurtimisht do t’i paraqes disa prej veprave të cilat bien në kundërshtim me besimin e pastër duke e prishur apo mangësuar përsosmërinë e tij.

Prej veprave më të mëdha të cilat i veprojnë një numër i madh i muslimanëve dhe lëshojnë pe në to janë:

– Vajtja tek magjistarët dhe fallxhorët.

Vajtja tek magjistarët dhe fallxhorët, parashtrimi i pyetjeve rreth fshehtësive dhe besimi në atë që e flasin rreth të ardhmes dhe fshehtësive është mëkat prej mëkateve të mëdha. Profeti, alejhi salatu ue selam, thotë: “Kush shkon tek një magjistar apo fallxhor dhe i beson asaj që ai thotë, e ka mohuar atë që i ka zbritur Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem”.

Poashtu Profeti, alejhi salatu ue selam, thotë: “Kush shkon tek një magjistar për ta pyetur diçka, nuk i pranohet namazi dyzet net”.

Këto hadithe janë argumente të qarta se vajtja tek ata nuk lejohet dhe se fjalët me të cilat i pretendojnë fshehtësitë janë hedhje hipotezash dhe fjalë kuturu. Muslimani kur sprovohet, shërimin e kërkon në ilaçe materiale dhe në ato morale. Prej ilaçeve morale është mendimi i mirë për Allahun, shpresa e mëshirës nga Ai, mbështetja në Të, etj. Ndërsa prej ilaçeve materiale është shërimi me Kuran, shërimi me dhikër dhe me lutje të caktuara, shërimi me preparate të cilat i ka cekur Allahu në Kuran apo Profeti, alejhi salatu ue selam, në hadithe si, mjalti, hurmat prej llojit Axhueh, kokrrat e zeza (Habetu Seuda), etj, dhe shërimi me ilaçe farmaceutike të njohura në mjekësi.

– Betimi jo në Allahun, por në dikë tjetër.

Kohëve të fundit dëgjojmë një numër të konsiderueshëm të muslimanëve që betohen në dikë tjetër  e jo në Allahun, betohen në Profetin, alejhi salatu ue selam,në fëmijët e tyre, në prindërit e tyre, në jetën e tyre, vatanin e tyre, apo nderin e tyre, etj. Këto shprehje në mesin e muslimanëve janë bërë shumë normale, por në fakt kjo është një gabim i qartë dhe i madh.

Imam Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ebu Davudi, Allahu i mëshiroftë, e shënojnë një hadith prej Sad ibën Ubadeh, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë: “Ibën Omeri e dëgjoi një njeri duke thënë: “Jo, pasha Qabenë”. Ibën Omeri, Allahu e mëshiroftë, i tha: “Mos u beto në dikë tjetër përveç se në Allahun, ngasese e kam dëgjuar Profetin, alejhi salatu ue selam, duke thënë: “Kush betohet në dikë tjetër e jo në Allahun, ka bërë kufër ose shirk”.

Gjithashtu transmetohet se Profeti, alejhi salatu ue selam, ka thënë: ”Allahu ju ndaloi që të betoni në baballarët e juaj, kush betohet le të betohet në Allahun ose le të heshtë”.

Burejda,  Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell prej Profetit, alejhi salatu ue selam, një hadith ku thotë:”Kush betohet në amanet, nuk është prej neve”.

Prej citateve të lartpërmendura të gjithëve na qartësohet ndalesa e rreptë për betimin që bëhet jo në Allahun, por në dikë tjetër. Dijetarët e kanë qartësuar se dispozita e atij që betohet në dikë tjetër përveç Allahut ndryshon sipas qëllimit dhe synimit të tij. Po të kishte qenë qëllimi i tij prej betimit se p.sh. Profeti, alejhi salatu ue selam, është i barabartë me Allahun, atëherë kjo është shirk (politeizëm) i madh i cili nxjerr prej Islami. Po të mos kishte qenë barazimi qëllim i tij prej betimit, atëherë kjo është shirk i vogël dhe mëkat i madh. Prandaj, detyrohet që t’i largohet këtyre llojeve të betimeve dhe të nxitojë në pendim, duke qenë i këmbëngulur se nuk do t’i kthehet përsëri këtij mëkati.

– Zemërimi, demoralizimi dhe padurimi para fatkeqësive.

Prej caktimit dhe urtësisë së Allahut është që njeriun ta godasin sprova të ndryshme, në vete, në familje, në fëmijë, etj. Në kësisoj raste muslimani detyrohet që të bëhet i durueshëm, të shpreson në shpërblimin e Allahut dhe mos të bëjë vepra të cilat aludojnë në zemërimin dhe pikëllimin e tij prej caktimit të Allahut. Prandaj, është mirë që në ato çaste t’i përdorë shprehjet e duhura dhe të lejuara me Islam dhe ta ushtrojë gjuhën e tij në përdorimin e saj duke qenë edhe i vetëdijshëm me zemër për kuptimin e thelbit të saj. Shprehjen të cilën na udhëzoi Allahu që ta përdorim në raste fatkeqësish është thënia e Allahut, azze ue xhel: Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Bekare 156.

Ndërsa në Sunet përcillet se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: Shpejto në atë që ke dobi, kërko ndihmë prej Allahut dhe mos u bën i pa aftë (mos u dorëzo). Nëse të godet diç (e pa dëshirueshme) mos thuaj: sikur ta kisha bërë këtë e këtë do të ishte kështu e ashtu, por thuaj: ky është caktim i Allahut dhe Ai vepron çka të do, ngase thënia sikur (ta bëja këtë…) hap derën e shejtani”.

– Shfaqja e pesimizmit, zemërimit dhe ngushtimi i zemrës prej lindjes së fëmijës vajzë.

Kjo cilësi është prej karakteristikave të periudhës së injorancës para ardhjes së Islamit, për të cilën Allahu thotë: Dhe, kur ndonjëri prej tyre merr lajmin se i lindi një vajzë, fytyra i nxihet dhe i mbushet me mjerim. Ai fshihet nga njerëzit për shkak të lajmit të keq që mori dhe s’di: a ta mbajë këtë fëmijë, pavarësisht poshtërimit apo ta varrosë në dhé. Ah! Sa mbrapshtë që gjykojnë ata!” Nahl 58-59.

Muslimani duhet të jetë vigjilent prej veprimit të kësisoj veprave, ta falënderojë Allahun për begatinë e dhuruar, t’i rikujtojë njerëzit që janë të privuar prej kësaj begatie, të jep besën se do të punojë shumë në përmirësimin e pasardhësve, të bëjë durim në këtë rrugë të gjatë dhe të shpresojë në shpërblimin e Allahut: “Ne do t’i bashkojmë besimtarët e vërtetë me ata pasardhës të tyre që i ndjekin në besim dhe nuk do t’u pakësojmë asgjë nga shpërblimi për veprat e tyre. Çdo njeri është peng i veprave të veta”. Tur 21.

Aisha, Allahu qoftë i kënaqur me te, na përcjell prej Profetit, alejhi salatu ue selam, se ka thënë: Kush sprovohet me diçka nga këto vajza, e përkujdeset për to, do t’i jenë atij mbulesë në Ditën e Kiametit“.

– Lidhja dhe bartja e hajmalive dhe nuskave.  

Disa prej muslimanëve për shkak të injorancës së madhe që kanë lidhin apo bartin hajmali, penj, lëkura në duart e tyre, në qafët e tyre, i vendojnë në veturat e tyre, në shtëpitë e tyre, dhe pretendojnë se ato i largojnë fatkeqësitë dhe belatë apo i mbrojnë prej tyre. Kjo padyshim se është prej mashtrimeve të shejtanit i cili tenton që çdo çast ta shfrytëzojë në devijimin e bijve të Ademit. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kur Ai dëshiron ta ndëshkojë një popull, askush nuk mund ta pengojë Atë; dhe ata, përveç Tij, s’kanë asnjë ndihmës”. Rad 11.

Pra, këto gjëra ndalohet të merren si mjete preventive dhe ndalohet lidhja dhe bartja e tyre duke u bazuar në thënien e Profetit, alejhi salatu ue selam: fryrit[1], nuskat, hajmalitë (dhe çdo gjë e tillë), janë shirk”.

Këto gjëra nuk i sjellin aspak dobi, por i sjellin vetëm dëm. Muslimani duhet t’i përdorë lutjet e lejuara dhe t’i merr shkaqet e lejuara duke qenë gjithmonë i mbështetur në Allahun në të gjitha çështjet e tij. Kush i mbështetet Allahut i mjafton Ai, nuk ka mbështetës më të mirë: “Allahu është Ruajtësi më i mirë dhe Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve!” Jusuf 64.

 

Hutbeja e dytë

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve dhe qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ju vëllezër musliman,

Po ashtu prej veprave të cilat i veprojnë një numër i madh i muslimanëve dhe lëshojnë pe në to është edhe:

– Tallja, përqeshja dhe sarkazma me fenë e Allahut apo me diçka çka ndërlidhet me fenë e Tij.

Prej mëkateve të mëdha që e nxjerrin muslimanin prej rrethit të Islamit dhe e bëjnë banorë të përhershëm të Xhehenemit, është tallja me Allahun, ose me Profetin e Tij, alejhi salatu ue selam, ose tallja me Kuranin ose me besimtarët.

Sa muslimanë sot shqiptojnë fjali që i nxjerrin prej Islamit, e ata janë të pandjeshëm dhe të pavetëdijshëm për ato fjalë çka i flasin. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të,  na përcjellë se Profeti, alejhi salatu ue selam,  ka thënë: “Vërtet robi e thotë një fjalë të cilës nuk i jep rëndësi fare dhe për shkak saj hidhet në zjarr të Xhehenemit nga një largësi sa lindja e perëndimi”.

Argument për ndalesën e talljes me fenë e Allahut e kemi fjalën e Allahut, azze ue xhel: “Nëse i pyet, ata do të të përgjigjen: “Ne vetëm po bënim shaka dhe po luanim”. Thuaj: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni?” Teube 65.

Shkaku i zbritjes së këtij ajeti është ajo që e na përcjell imam Taberiu në tefsirin e tij prej Ibën Omerit se një njeri në luftën e Tebukut tha: “Nuk kemi parë si këta lexues të Kuranit (e kishte për qëllim sahabët), ata lakmojnë vetëm t’i mbushin barqet e tyre, kanë gjuhë rrenacake, dhe janë më frikacakët kur e takojnë armikun”.Tha njëri që ishte aty prezent: “Gënjen, t’i me të vërtet je munafik, do ta lajmëroj Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem”. U nis t’i tregojë, mirëpo Allahu e lajmëroi të Dërguarin e Tij para se të mbërrijë ky sahabij. Më vonë erdhi edhe ai që u tallte me ato fjalë te Profeti, alejhi salatu ue selam, dhe tha:“O i dërguar i Allahut, ne me të vërtet kalonim kohën duke bërë shaka. Ne nuk kishim për qëllim në të vërtet talljen, por donim ta kalonim kohën dhe të lozim, t’i kalojmë lodhjet e rrugës”.

Thotë ibën Omeri, Allahu e mëshiroftë: “Atë njeri e shihja se s’i ishte varur pas devesë së Profetit, alejhi salatu ue selam,  ndërsa gurët ia godisnin këmbët, kurse ai thoshte: “O i dërguar i Allahut, ne me të vërtet kalonim kohën duke bërë shaka. Ne nuk kishim për qëllim në të vërtet talljen, por donim ta kalonim kohën dhe të lozim, t’i kalojmë lodhjet e rrugës”. Ndërsa Profeti, alejhi salatu ue selam, duke mos e kthyer fytyrën aspak nga ai, ia lexonte dhe përsëriste ajetin: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni?Teube 65″.

O ju robërit e Allahut,

Pozita e talljes me fenë e Allahut është e rrezikshme, ndërsa tallësi numërohet prej  keqbërësve, ashtu siç na lajmëroi Allahu në Kuran: “Vërtet, keqbërësit qeshnin me ata që besonin, duke ia shkelur syrin njëri-tjetrit, sa herë që ata kalonin pranë tyre”. Mutafifin 29-30.

Kërkoj prej Allahut që të na mbrojë prej çdo lloj talljeje me fenë e Tij dhe e lus që të na mëshirojë, të na shtojën diturinë, të na i falë mëkatet dhe të na mbrojë fenë tonë.

nga arabishtja: Irfan Jahiu

[1] (këtu është për qëllim të fryrit apo rukjeja e ndaluar e cila në vete përmban gjëra të ndaluara, e jo të fryrit sipas Sunetit)