O robër të Allahut, frikojuni Allahut me devotshmëri të vërtetë! Devotshmëria ndaj Allahut është vepra më e mirë, kurse largimi nga ajo, është shpresa më e keqe!
O muslimanë, dynjaja është vend i veprimit dhe i sprovave. Nuk shpëton njeri në të nga e liga dhe nga sëmundja, e cila njeriun e dobëson dhe gjendjen ia ndryshon. Sprovat në të janë begati, dhe sëmundja dhe vështirësitë përgëzim, kurse Allahu nëpërmjet sprovave mëshiron, dhe nëpërmjet begative sprovon. Sa nga begatitë nëse Allahu ia dhuronte robit do t’i bëheshin sëmundje, edhe pse robi i do ata, dhe sa nga ata që u privuan nga begatitë, privimi për ta ishte mëshirë: “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini” . (El-Bekare: 216)
Belatë janë adresa e dashurisë dhe rruga për në Xhenet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Madhështia e shpërblimit vjen nga madhështia e belasë. Kur Allahu e do një popull e sprovon. Kush kënaqet, i takon kënaqja atij dhe kush zemërohet, i takon zemërimi atij” . Kurse shëndeti është një nga begatitë më madhështore të Allahut mbi njeriun dhe dhurata më e mirë e Tij mbi ta: “Në dy begati njerëzit janë të mashtruar, nuk dinë si t’i shfrytëzojnë: shëndetin dhe kohën e lirë” .
Shëndeti është nga gjërat e para që do të japë llogari robi në ahiret. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Gjëja e parë për të cilën do të pyetet robi nga begatitë në Ditën e Kiametit, është ajo për të cilën do t’i thuhet: A nuk të dhuruam shëndet në trupin tënd dhe a nuk të ngopëm me ujë të ftohët?!”
Nga sprovat më të vështira është marrja e shëndetit apo dëmtimi i saj. Pejgamberët e Allahut u sprovuan me sëmundje. Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Hyra tek i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ndërkohë që ai kishte temperaturë. O i Dërguar i Allahut, me të vërtetë ti ke temperaturë shumë të lartë – i thashë. Ai u përgjigj: “Po, është e vërtetë. Unë kam temperaturë aq sa kanë dy burra prej jush” . Dhe po ashtu Ejubi, alejhi selam, ishte i sëmurë edhe atë një periudhë të gjatë.
Sëmundja është shkak për rritjen e gradave dhe faljen e gjynaheve: “Çdo musliman që goditet me sëmundje apo me ndonjë të ligë, Allahu do t’ia fshijë gjynahet siç bien gjethet e pemës” . I sëmuri kur është i sëmurë nuk mundet të veprojë ashtu si kur ishte i shëndoshë, dhe për këtë arsye Allahu atij ia shënon ato vepra nga vullnetaret, sikurse kur ishte me shëndet të mirë. Gjatë sëmundjes së tij, imani dhe mbështetja në Allahun i forcohet dhe mendimi i mirë mbi Zotin e tij i shtohet. Sëmundja në trup për të është mëshirë dhe është shërim për sëmundjet e shpirtit nga mendjemadhësia dhe vetëpëlqimi dhe shkujdesja dhe mashtrimi. Çdo sprovë e cila nuk është në Fe, është begati dhe mirësi.
O muslimanë, nuk ka shërues tjetër përveç Allahut, dhe nuk i largon belatë përveç se Allahu, kurse rukja dhe ai që e ushtron atë, mjeku dhe ilaçi, janë vetëm se sebepe që Allahu nëpërmjet tyre e lehtëson shërimin. Kur të sëmurësh merri sebepet e shërohu në hallall dhe dije se mjeku është sebep e jo shërues. Njeriu nuk shëron, dhe nuk është në dorën e tij as dobia e as dëmi, po mbështetu në Allahun dhe çështjen tënde drejtoja Atij, ngase Ai është që mbron nga çdo dëm dhe tek Ai është mirësia dhe dobia: “I Cili, kur sëmurem, më shëron” . (Es-Shuara: 80) Kur të sëmuresh drejtoju Atij, ngase çdo ilaç nuk të bën dobi: “Sikur i tërë njerëzimi të bashkohen për të sjellë ndonjë dobi që Allahu nuk e ka caktuar për ty, atëherë nuk do të kenë mundësi ta bëjnë atë të mirë, dhe në të kundërtën nëse mblidhen për të bërë ndonjë të keqe asgjë nuk mund të bëjnë përveç asaj që Allahu e ka caktuar…”
Nga ilaçet më të dobishme është mbështetja e mirë në Allahun dhe të drejtuarit kah Ai dhe mendimi i mirë për Të. Të lexuarit Kur’an dhe ajo që ka ardhur në Sunet, janë nga shkaqet e largimit të sëmundjeve. Po ashtu duaja e cila del nga zemra e përulur dhe e sinqertë dhe me bindje të plotë bën çudira, kurse lëmosha është nga ilaçet më të mira. Allahu për çdo sprovë që ia jep robërve të Vet, vetëm se ju ka dhënë ilaçe hyjnore që burojnë nga shpallja, t’i largojnë ato bela.
Hurma e llojit axhve është mbrojtëse nga helmi dhe sihri dhe e pengon dëmin e tyre. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, me një hadith thotë: “Kush i hanë shtatë hurma axhve në mëngjes, nuk do ta godet kurrfarë fatkeqësie dhe do të jetë i sigurt nga helmi dhe sihri” .
Uji është ilaç për ethet. Ka ardhur me një hadith: “Ethet janë nga nxehtësia e Zjarrit të Xhehenemit, kështu që i lehtësoni ato duke i ftohur me ujë” .
Mjalti është gjëja që nuk i afrohet asgjë për nga krijimi i saj, dhe është gjëja më e mirë dhe nuk ka si ajo. Hixhameja është një nga ilaçet më të mira. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, me një hadith thotë: “Ilaçi më i mirë është lëshimi i gjakut (hixhameja)” .
Fara e zezë (habetu seuda) është ilaç për të gjitha sëmundjet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Me të vërtetë përdoreni farën e zezë, ajo është shërim për çdo sëmundje, përveç vdekjes” .
Ka nga sëmundjet që nuk ka shërim për to, përveç se me Kur’an dhe me lutjet profetike, si shkatërrimi i sihrit dhe nxjerrja e xhindit dhe shkatërrimi i gjurmëve nga syri apo mësyshi.
Tek muslimanët është një ujë i bereqetshëm dhe ai është zotëria i ujërave dhe më i miri dhe më me vlerë. Buron nga toka e bereqetshme në Meke dhe emri i tij është Zemzem. Ky ujë është shërim dhe pije e bereqetshme.
Nga këto ilaçe profetike shëruese, përfiton ai që i pranon me bindje të plotë dhe beson në shërim me to.
Me istigfar të shpeshtë largohen sëmundjet dhe zvogëlohen gjurmët e saj. Allahu i Madhëruar thotë: “O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai të penduar, se Ai do t’ju sjellë shi të begatshëm dhe do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj. Mos u shmangni prej Atij duke qenë keqbërës!” . (Hud: 52)
O muslimanë, sinqeriteti i veprës për hir të Allahut, është sebepi i pranimit të saj. Me sinqeritet, Allahu veprën e vogël e shndërron në të madhe dhe jep bereqet në të.
Mjeku musliman gjithnjë është në hulumtim të gjërave të reja shkencore me qëllim që t’u shërbejë muslimanëve, duke mos i anashkaluar dispozitat fetare dhe rregullat e saj. Mjeku duhet të jetë besnik dhe garantues i ruajtjes së fshehtësive dhe asaj që e sheh nga pjesët e turpshme të trupit të pacientit. Ai duhet t’i fsheh ato dhe t’ua fsheh atyre sëmundjet dhe mos t’i përhap ankesat e tyre dhe të sillet me ta me butësi dhe mëshirë.
O ti mjek, pacientët janë ata që t’i shpalosën fshehtësitë, t’i paraqesin ankesat e tyre pasi që fillimisht ia paraqesin Allahut, t’i dorëzojnë trupat dhe mendjet e tyre, madje shpirtrat e tyre, pra, frikoju Allahut në thëniet dhe veprat e tua. Fjala jote tek pacientët është gjykuese, mendimi yt për trupat e tyre është nënshtruese. Pacienti është sprovuar me sëmundje, jo për ta nënçmuar atë, po për t’ia ngritur gradat dhe për ta pastruar nga gjynahet, dhe ti mos u tall me sëmundjen e tij dhe mos e nënçmo belanë e tij.
Mjeku nëse paraqitet mendjemadh dhe krenohet me diturinë e tij, Allahu e ul atë. Nuk i ka hije atij të veprojë kështu, po nga përsosmëria e trurit të tij është të thotë për atë që nuk e di, se nuk e di. Ai duhet të jetë i kujdesshëm me pacientin, të sillet me respekt dhe ta përkrah dhe ta ngushëllojë dhe ta përgëzojë. Mos të harron mjeku musliman se ai është në shërbim të muslimanëve dhe të fesë së tij dhe se me ketë vepër i afrohet Zotit të tij. Pra le ta shfrytëzojë këtë profesion që t’i meditojë begatitë e Allahut dhe le të jetë thirrës në fenë e Tij.
Gjynahet i mbyllin dyert e njohjes dhe diturisë! Islami e ndaloi të vetmuarit me gruan që nuk e ke mahrem për ta kontrolluar atë. Detyrë e çdo muslimanit është që të veprojë me sheriat në çdo vend dhe çdo sferë. Përzierja e ndaluar, meshkuj me femra, dobëson përfitimin shkencor dhe e largon bereqetin e shërimit dhe është një nga shkaqet që e largon njeriun nga Allahu. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Nuk kam lënë sprovë më të madhe pas vdekjes sime për burrat e Umetit, se sa gratë!”
O muslimanë, nga përqendrimi dhe nga përsosmëria është durimi dhe të kënaqurit me caktimin e Allahut. O ti i sëmurë, ki durim dhe bëhu i kënaqur me caktimet e Allahut, se kështu i afrohesh më shumë Atij dhe fiton shpërblime të shumta dhe shërimi do të vjen më shpejt: “nëse duroni, kjo është më e mira (rrugë) për të durueshmit” . (En-Nahl: 126)
Të ankuarit nga sëmundja nuk e largon atë, po vetëm se e shton atë. Nëse goditesh nga sëmundja, falënderoje Allahun që nuk të ka sprovuar me më shumë se sa ajo, drejtoju Atij në vetmi dhe përmende shumë për të gjitha mirësitë dhe ki durim. Sa keq është të jesh nevojtar në vështirësi, e mëkatar në rehati!! Le të jetë kjo sëmundje shkak i pendimi tënd dhe le të jetë shkak i drejtimit tënd kah Allahu dhe merr mësime nga kjo sprovë. Dynjaja është e tillë, një ditë mirë, e një ditë i sëmurë e me sprova. Mos lejo që shejtani të t’i ndryshojë mendimet dhe të të zemërojë me caktimet e Allahut, po ti, bëhu i durueshëm dhe rikujtoji shpërblimet, dhe se Allahu është Ai që shëron dhe mëshiron, ankesat i dëgjon dhe lutjeve i përgjigjet.
Shejh Abdulmuhsin El Kasim
Nga arabishtja: Irfan JAHIU