Të gjithë duhet ta dinë se kjo jetë është e pavlefshme, kurse ahireti është i shtrenjtë dhe i vlefshëm. Dynjaja dhe ahireti janë si dy ortakë, mirëpo dijetarët i japin përparësi ahiretit.
Punët dhe veprat e tyre nuk janë në kundërshtim me fjalët e tyre. Ata i kushtojnë shumë rëndësi diturive të vlefshme, të cilave kanë për t’ua parë hairin në ahiret dhe largohen nga ato dituri, dobia e të cilave është e vogël.
Nga SHEKIK EL BELHI (All-llahu e mëshiroftë) transmetohet se ai i ka thënë Hatimit: “Je shoqëruar me mua për një kohë të gjatë. Çfarë ke mësuar prej meje?” Ai i ka thënë: “Kam mësuar tetë dobi (dituri) të rëndësishme.
DOBIA E PARË – Unë shikova krijesat e All-llahut xh. sh. (njerëzit) dhe pashë se çdo njeri ka një të dashur, mirëpo ky i dashuri, kur ta përcjellë në varr, largohet nga ai. Për të dashur më të madh i kam konsideruar veprat e mia të mira, kështu që të mos mbes në varr në vetmi.
DOBIA E DYTË – Kam vërejtur se shumica e njerëzve shkojnë pas epshit të tyre dhe mundohen t’i kënaqin dëshirat e veta. Në atë situatë unë kam kujtuar fjalën e All-llahut (xh. sh.) që thotë: “Kush i frikësohet All-llahut dhe e ndalon veten prej epsheve, vendi i tij është në xhenet.” (Naziat, 40)
Atëherë kam shpejtuar t’i kundërvihem epshit tim dhe të zhvilloj luftë të vërtetë kundër tij, ashtu që të bindet dhe të jetë i nënshtruar ndaj All-llahut xh.sh.
DOBIA E TRETË – Kam vërejtur se si njerëzit garojnë për të grumbulluar pasuri dhe për ta ruajtur atë, mirëpo unë mendova ajetin kur’anor ku All-llahu (xh.sh.) thotë: “Çka është tek ju është kalimtare dhe zhduket, kurse çka është tek All-llahu mbetet përgjithmonë.” (Kur’an, Surja En Nahl, 96). Atëherë kam vendosur që tërë pasurinë t’ua ndaj të varfërve, kështu që të kem rezerva tek All-llahu xh. sh.
DOBIA E KATËRT – Kam vërejtur tek njerëzit se ata i kushtojnë rëndësi krenarisë, pasurisë dhe nderit. E unë mendova për fjalën e All-llahut (xh. sh.) që thotë: “Më i ndershmi tek unë është ai i cili është më i devotshmi, më besimtari, më parimori”. (Surja El Hujurat, ajeti13) Atëherë unë mendova që të jem më i devotshmi, kështu që të bëhem më i ndershmi.
DOBIA E PESTË – Kam vërejtur tek njerëzit se ata sulmojnë, grinden dhe shpifin për njëri-tjetrin. E tërë kjo ndodh nga xhelozia për shkak të pasurisë dhe pozitës. E unë u ndala dhe vështrova ajetin kur’anor, ku All-llahu xh. sh. thotë: “Ne kemi përcaktuar ndër ta gjendjen e jetës në këtë botë. Ne kemi dalluar disa në shkallë më të lartë se të tjerët në shërbime.” (Zuhruf, ajeti 32) . Atëherë e kam lënë xhelozinë.
DOBIA E GJASHTË – Kam vërejtur tek njerëzit se ata e urrejnë njëritjetrin dhe janë armiq të njëri-tjetrit, mirëpo mendova për ajetin kur’anor ku All-llahu (xh.sh.) thotë: “Se me të vërtetë shejtani është armiku juaj dhe si armik duhet ta konsideroni.” (Surja Fatir, ajeti: 6) Nga ky ajet kuptova se vetëm shejtani duhet të urrehet dhe duhet të konsiderohet si armik.
DOBIA E SHTATË – Kam vërejtur tek njerëzit se ata mundohen,poshtërohen dhe e humbin dinjitetin e tyre për grumbullimin e pasurisë, ndërsa All-llahu xh.sh. në Kur ‘an thotë: “Në tokë nuk ka asnjë qenie të gjallë që mos ta ketë ushqimin tek All-llahu.” (Hud, 6).
Kështu që jam bindur se All-llahu (xh. sh.) është garancia më e madhe për furnizimin tim dhe nuk ka nevojë që të poshtërohem dhe ta humb nderin tim për grumbullimin e pasurisë.
DOBIA E TETË – Kam vërejtur tek njerëzit se gjithkush mbështetet në
diçka, dikush në pasuri, dikush në pozitë, dikush në shëndet. E sa më përket mua unë mbështetem tek All-llahu (xh.sh.) i Cili në Kur’an thotë: “Atij mbështetjuni nëse jeni besimtarë.” (Maide, ajeti :23).
Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA