Falënderimi i takon Allahut, Zotit të madhërishëm dhe bujar, i Cili  robin e Tij e shpiu  natën nga Xhamia e Shenjtë në Mekë deri te Xhamia e Largët. Dëshmojmë se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një dhe të pashoq; Ai thotë të vërtetën absolute: “Shikimi nuk u shmang dhe nuk e teproi. Me të vërtetë, ai pa nga shenjat më të mëdha të Zotit të tij” (En-Nexhm, 17–18). Dëshmojmë se zotëriu dhe profeti ynë Muhamed është robi dhe i Dërguari i Tij; Allahu ia hapi kraharorin dhe ia ngriti përmendjen në botë.

Krenaria e lindjes dhe e perëndimit është Ahmedi
Virtytet e tij dëshmojnë se ai është shembulli
Ai është ndërmjetësuesi kur ndizet flakë Xhehenemi
Atëherë kur s’ka shpëtim dhe zjarri i tij përvëlon

O Allah, dërgo salavate, paqe dhe begati mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, mbi pasuesit dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.

O besimtarë, janë tri dhurata të atilla që, po të peshohej secila prej tyre me dynjanë dhe gjithçka që ajo përmban, do ta barazonte, madje do ta kalonte. Allahu ia dhuroi ato në udhëtimin e Israsë dhe Miraxhit, dhe i Dërguari juaj ﷺ ua solli ato nga Zoti i tij. Muslimi transmeton me zinxhir të saktë nga Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili tha: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit në Miraxh, ai arriti te Sidretul-Munteha, e cila ndodhet në qiellin e gjashtë. Deri tek ajo arrin tërë  ajo që ngrihet nga toka dhe aty merret, dhe prej saj zbret ajo që vjen nga lart dhe aty merret.” Pastaj lexoi: “Kur Sidrën e mbuloi ajo që e mbuloi” (En-Nexhm, 16). Tha: ishte si flutura prej ari. Dhe të Dërguarit të Allahut ﷺ iu dhanë tri gjëra: iu dhanë pesë namazet; iu dhanë ajetet përmbyllëse të sures El-Bekare, dhe iu falën atij prej umetit të tij të gjithë ata që nuk i bëjnë Allahut shok asgjë, e as  mëkatet shkatërruese. Mëkatet shkatërruese janë mëkatet e mëdha që i shkatërrojnë njerëzit, i çojnë drejt zjarrit dhe i hedhin në të; ndërsa “të biesh në shkatërrim” do të thotë të biesh në humnerë.

Ejani të ndalemi te këto dhurata.

Dhurata e parë është miraxhi shpirtëror i besimtarit. O besimtarë, nëse Profeti ﷺ u ngrit në qiell me trup dhe shpirt, edhe ti, o vëlla besimtar, ke një miraxh shpirtëror me të cilin mund të ngjitesh aq sa të dojë Allahu, e ai është namazi. Kjo është dhurata e Israsë dhe Miraxhit. Meqë Israja dhe Miraxhi për Profetin ﷺ ishin me trup dhe shpirt, si nderim për të, Zoti i botëve e veçoi umetin e tij duke ia bërë namazin obligim pikërisht në atë udhëtim, që të jetë ngritje për besimtarin me shpirtin dhe zemrën e tij. Nëse i Dërguari ﷺ iu afrua Zotit të tij, edhe në namaz ka afrim tek Allahu i Lartësuar. Allahu thotë: “Jo, mos iu bind atij, por bëj sexhde dhe afrohu” (El-Alek, 19). Nga Ebu Hurejra transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Më afër se kurrë robi është me Zotin e tij kur është në sexhde, prandaj shtoni lutjet.”

Allahu thotë për namazin në hadithin kudsij madhështor: “E kam ndarë namazin mes Meje dhe robit Tim në dy pjesë, dhe robit Tim i takon ajo që kërkon. Kur robi thotë: Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve’ (El-Fatiha, 2), Allahu thotë: ‘Robi Im Më falënderoi.’ Kur thotë: Gjithëëshiruesi, Mëshirëploti’ (El-Fatiha, 3), Allahu thotë: ‘Robi Im Më lavdëroi.’ Kur thotë: ‘Sunduesi i Ditës së Gjykimit’ (El-Fatiha, 4), Allahu thotë: ‘Robi Im Më madhëroi’ – dhe në një transmetim tjetër: ‘Ma la çështjen Mua.’ Kur thotë: ‘Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë’ (El-Fatiha, 5), Allahu thotë: ‘Kjo është mes Meje dhe robit Tim, dhe robit Tim i takon ajo që kërkon.’ Kur thotë: ‘Na udhëzo në rrugën e drejtë, rrugën e atyre që Ti i ke begatuar, jo të atyre që kanë shkaktuar zemërimin dhe as të të humburve’ (El-Fatiha, 6–7), Allahu thotë: ‘Kjo është për robin Tim dhe robit Tim i takon ajo që kërkon.’”

Besimtari, kur falet, mund të ngrihet shpirtërisht aq sa gati t’i dëgjojë këto fjalë nga Allahu i Bekuar dhe i Lartësuar. Namazi është miraxhi i besimtarit drejt Allahut; ai i afrohet Zotit të tij në sexhde, lexon Fjalën e Tij në këmbë, përmend emrat e Tij, madhëron dhe lartëson Allahun. Nëse është i brengosur, brengat i bien nga shpatullat para Zotit të tij. Nëse ka nevojë, ia kërkon Atij dhe Ai ia jep; e udhëzon, e përkrah dhe e bën të ndihet i afërt me Të. E gjithë kjo përsëritet çdo ditë disa herë.

Sa e bukur është edhe fjala e njërit prej të devotshmëve për namazin: “Pozita e namazit në Islam është si pozita e kokës ndaj trupit; ai është shtylla dhe mbështetja e tij, themeli dhe shenja e tij dalluese, pamja e tij e përhershme dhe argumenti i tij i gjallë. Përveç kësaj, ai është qetësia e syrit, prehja e ndërgjegjes, ngushëllimi i shpirtit, gëzimi i zemrës dhe lidhja mes robit dhe Zotit. Ai është shkallë me të cilën ngjiten shpirtrat e dashamirëve drejt lartësive më të mëdha, duke shijuar afërsinë dhe duke shëtitur në kopshtet e shenjtërisë, ku bashkohen shkaqet e lumturisë nga bota e së fshehtës dhe e së dukshmes.”

Dhe thirrja e përsëritur “Allahu Ekber” gjatë ditës e bën besimtarin të jetë plotësisht i bindur se gjithçka përveç Allahut, të Madhit dhe të Lartësuarit, është e vogël. Qëndrimi drejt kiblës dhe ngritja e duarve janë si një shenjë e lënies së gjithë dynjasë pas shpine; ti e drejton fytyrën, zemrën dhe trupin tënd kah Shtëpia e Allahut të Madhëruar. Madje edhe nëse je imam, i merr pas vetes xhematin drejt Allahut: fytyrat tuaja janë nga Allahu, ndërsa shpinat tuaja nga dynjaja. Dhe kështu realizohet kuptimi i asaj me të cilën e hap namazin: “Unë e kam drejtuar fytyrën time kah Ai që i krijoi qiejt dhe tokën, duke qenë i përkushtuar dhe nuk jam nga idhujtarët. Me të vërtetë, namazi im, adhurimi im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka shok, dhe për këtë jam urdhëruar, dhe unë jam prej muslimanëve të parë. O Allah, Ti je Mbret, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje; Ti je Zoti im dhe unë jam robi Yt. I kam bërë padrejtësi vetes sime dhe e kam pranuar mëkatin tim, prandaj m’i fal të gjitha mëkatet e mia, sepse askush nuk i fal mëkatet përveç Teje. Më udhëzo drejt moralit më të mirë, sepse askush nuk udhëzon drejt tij përveç Teje, dhe largoje prej meje moralin e keq, sepse askush nuk e largon atë përveç Teje. Ja ku jam në shërbimin Tënd dhe në bindjen Tënde, e mira e tëra është në duart e Tua, e keqja nuk të atribuohet Ty; unë jam me Ty dhe tek Ti; i Bekuar dhe i Lartësuar je Ti; kërkoj falje prej Teje dhe pendohem tek Ti.” Pas gjithë kësaj, a mbetet vallë ndonjë papastërti mbi trupin tënd? A mbetet ndonjë njollë mëkatesh në shpirt pas gjithë këtij istigfari në lutjen e hapjes së namazit, nëse ai del nga zemra, dhe ti i lutesh Allahut me bindje të plotë në përgjigjen e Tij?

O muslimanë kudo që të jeni, pranoni dhuratën e Allahut dhe dijeni se rregullimi i gjendjes suaj, rikthimi i lavdisë dhe rimarrja e dinjitetit tuaj, kanë themel të fortë ruajtjen e namazit. Ai është shtylla e fesë: kush e mban atë, e mban fenë, e kush e lë, e rrëzon fenë. Ai është gjithashtu rruga e fitores, suksesit, lumturisë dhe shpëtimit në këtë botë dhe në botën tjetër: “Me të vërtetë, kanë shpëtuar besimtarët, ata që në namazin e tyre janë të përulur” (El-Mu’minun, 1–2). Kur besimtarin e godet një vështirësi ose e shqetëson një çështje, ai nxiton të qëndrojë para Allahut të Lartësuar: “Kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz; vërtet ai është i rëndë, përveç për të përulurit” (El-Bekare, 45). Profeti ﷺ, kur e zinte ndonjë shqetësim, falej ose i drejtohej namazit; dhe thoshte: “Na qetëso me të, o Bilal”, domethënë me namazin.

Dhurata e dytë që i zbriti Profetit tonë ﷺ në Isranë dhe Miraxhin janë ajetet përmbyllëse të sures El-Bekare, dy ajetet e fundit të saj. Allahu e nderoi Profetin e Tij ﷺ me to dhe me virtytet e tyre të mëdha, për të cilat kanë ardhur shumë hadithe. Prej tyre është hadithi i Ukbe ibn Amir el-Xhuheniut, i cili transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Lexoj dy ajetet e fundit të sures El-Bekare, sepse ato janë nga një thesar nën Arsh.” Domethënë: janë nga thesaret më të çmuara, të marra prej nën Arshin e të Gjithëmëshirshmit. Këto dy ajete janë një thesar i madh me të cilin i afrohemi Zotit të botëve. Asnjë musliman nuk mund të bëjë pa to, që të jenë mbrojtje për të dhe familjen e tij nga shejtanët, dhe që ta ruajnë nga çdo e keqe: nga zilia, syri i keq, magjia dhe çdo e papëlqyer. Profeti ﷺ ka thënë: “Dy ajetet e fundit të sures El-Bekare, kush i lexon natën, i mjaftojnë.” Imam Neveviu thotë: fjala “i mjaftojnë” ka dy kuptime, dhe ndoshta Allahu i bashkon të dyja për lexuesin me mirësinë e Tij: e para, se i mjaftojnë si shpërblim për namazin e natës, nëse nuk i është mundësuar të falet për shkak të gjumit ose lodhjes, duke i dhënë shpërblimin me mirësinë e Tij; e dyta, se e mbrojnë atë natë nga çdo e keqe, dëm dhe fatkeqësi.

Profeti ﷺ ka thënë gjithashtu: “Dy ajetet e fundit të sures El-Bekare nuk lexohen në një shtëpi tri herë, e që shejtani të mos i afrohet asaj.” Domethënë: kush i lexon tri herë në shtëpinë e tij, shejtani nuk i afrohet asaj shtëpie atë ditë. Është transmetuar nga Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “Nuk e shoh të arsyetueshëm askënd të flejë pa e lexuar Ajetul-Kursinë dhe dy ajetet e fundit të sures El-Bekare.”

Dhurata e tretë është falja e mëkateve. Profeti ynë ﷺ na ka njoftuar se ndërmjetësimi i tij është për ata pasues të umetit të tij që kanë bërë mëkate të mëdha. Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Ndërmjetësimi im është për ata që kanë bërë mëkate të mëdha nga umeti im.” Allahu i Madhëruar e bën Profetin e Tij ndërmjetës për ta, e pranon ndërmjetësimin e tij, i fal dhe i mëshiron ata; sepse Ai është më Mëshiruesi i mëshiruesve dhe më Bujari i bujarëve. Kjo është dhurata më e madhe për ju në udhëtimin e Israsë dhe Miraxhit. Kushdo që është këmbëngulës në një mëkat të madh, ose ka rënë në një të tillë, le të mos humbasë shpresën nga mëshira e Allahut, por të nxitojë në pendim. Në hadithin kudsij thuhet: “O biri i Ademit, sikur të më vije Mua me mëkate sa mbushja e tokës, e pastaj të më takoje pa Më shoqëruar asgjë, do të të vija me falje po aq sa ajo.” Domethënë: edhe sikur të vish me mëkate sa gati mbushja e tokës, nëse Më takon pa shirk, Unë do të të vij me falje po aq të madhe. Kjo është nga mirësia e Allahut ndaj këtij umeti.

Dhe kjo është një dhuratë nga miku i Allahut, Ibrahimi alejhi selam. Ai i tha Profetit ﷺ: “O Muhamed, përcille umetit tënd selamin tim dhe njoftoji se Xheneti ka dheun e mirë, ujin e ëmbël, është fushë e sheshtë, dhe se mbjellja e tij është: Subhanallah, Elhamdulilah, La ilahe il-lallah dhe Allahu Ekber” (transmeton Tirmidhiu). Në një transmetim tjetër i tha: “O Muhamed, urdhëroje umetin tënd ta shtojnë mbjelljen e Xhenetit, sepse dheu i tij është i mirë dhe toka e tij e gjerë.” U pyet: “Cila është mbjellja e Xhenetit?” Ai tha: “La havle ue la kuwwete il-la billah” (Sahih et-Tergib).

Kjo është një thënie e këndshme, e zgjedhur me kujdes dhe e pastër, e përzgjedhur nga frytet më të mira, nga gjurmët e dobishme dhe dobitë e shumta të kësaj fjale të bekuar: “Nuk ka fuqi ndryshuese dhe as forcë përveçse me Allahun”. Ajo është marrë nga tekstet e sheriatit dhe është përmbledhur që të sjellë dobi për atë që e thotë, e përhap dhe e lexon, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër, dhe të jetë shkak suksesi në të dyja. Allahut të Madhëruar i kërkoj t’i furnizojë të gjithë me dije të dobishme, me vepra të mira, me sinqeritet në to dhe me pasim të drejtë. Prandaj po ju them se kjo fjalë e bekuar dhe e pastër ka shumë fryte dhe gjurmë; prej tyre është se ajo është një thesar nga thesaret e Xhenetit.

Ebu Musa el-Esh’ariu, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se kur i Dërguari i Allahut ﷺ u nis drejt Hajberit, ose tha: kur u drejtua, njerëzit dolën mbi një luginë dhe ngritën zërat duke thënë: “Allahu Ekber, Allahu Ekber, La ilahe il-lallah”. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ulni zërat, sepse ju nuk po i luteni një të shurdhri e as një të largëti; ju po i luteni Atij që dëgjon dhe është afër, dhe Ai është me ju.” Unë isha pas kafshës së të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe po thosha: “La havle ue la kuwwete il-la billah”. Ai më tha: “O Abdullah ibn Kajs!” Thashë: “Urdhëro, o i Dërguari i Allahut!” Ai tha: “A të të tregoj për një fjalë që është nga thesaret e Xhenetit?” Thashë: “Po, o i Dërguari i Allahut, të qofshin fli babai dhe nëna ime.” Ai tha: “La havle ue la kuwwete il-la billah” (e transmeton Buhariu).

Po ashtu Ebu Musa, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton: “Ishim me Profetin ﷺ në udhëtim dhe njerëzit filluan ta ngrinin zërin me tekbir. Profeti ﷺ tha: ‘O njerëz, ulni zërat; sepse nuk po i luteni një të shurdhri e as një të largëti, por po i luteni Atij që dëgjon dhe është afër, dhe Ai është me ju.’ Unë isha pas tij dhe po thosha: ‘La haule ue la kuwwete il-la billah’. Atëherë ai tha: ‘O Abdullah ibn Kajs, a të të tregoj për një thesar nga thesaret e Xhenetit?’ Thashë: ‘Po, o i Dërguari i Allahut.’ Ai tha: ‘Thuaj: La haule ue la kuwwete il-la billah’” (transmeton Muslimi).

Nga Ebu Dherri, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: “Miku im i dashur, i Dërguari i Allahut ﷺ, më porositi me shtatë gjëra… dhe më porositi që ta shtoj shpesh thënien: La havle ue la kuwwete il-la billah, sepse ato janë nga një thesar nën Arsh.” Në një transmetim tjetër thuhet: “sepse ajo është një thesar nga thesaret e Xhenetit” (e transmeton Imam Ahmedi dhe është përfshirë në Silsiletus-Sahiha).

Po ashtu nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se Profeti ﷺ ka thënë: “A dëshiron të të tregoj për një fjalë nga nën Arshi, nga thesari i Xhenetit? Thuaj: La havle ue la kuwwete il-la billah, dhe Allahu i Madhëruar thotë: ‘Robi Im është dorëzuar dhe është nënshtruar’” (e transmetojnë Et-Tajalisiu, Ahmedi dhe Hakimi, dhe është në Silsiletus-Sahiha).

Dijetari i madh Neveviu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kuptimi i ‘thesarit’ këtu është se shpërblimi i tij është i ruajtur në Xhenet, dhe është shpërblim i çmuar, ashtu siç është thesari pasuria më e vyer e njerëzve” (Shpjegimi i Sahih Muslimit).

Shejhulislam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Thesari është pasuri e grumbulluar që nuk ka nevojë për mbledhje; dhe kjo shprehje përmban mbështetjen tek Allahu dhe varësinë e plotë ndaj Tij” (Mexhmu’ul-Fetaua).

Ajo është edhe prej fjalëve më të dashura tek Allahu i Madhëruar. Nga Ebu Dherri, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se Profeti ﷺ ka thënë: “Fjalët më të dashura tek Allahu janë: Subhanallah, la sherike leh, lehul-mulku ue lehul-hamdu ue hue ala kulli shejin kadir; la haule ue la kuwwete il-la billah; subhanallahi ue bi hamdih” (e transmeton Buhariu në El-Edebul-Mufred).

Hutbeja e dytë

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, Mbrojtësit të të devotshmëve. Paqja dhe bekimi qofshin mbi vulën e profetëve. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një dhe të Pashoq, dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij. E më pas:

Vazhdojmë me dhuratën e mikut të Allahut, Ibrahimit alejhi selam, dhe me frytet e saj madhështore; mjafton të dihet se ajo është mbjellje e Xhenetit. Ebu Ejub el-Ensari, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ, natën kur u ngrit në Isra, kaloi pranë Ibrahimit, i cili e pyeti Xhibrilin: “Kush është me ty?” Ai tha: “Ky është Muhamedi.” Atëherë Ibrahimi i tha: “Urdhëroje umetin tënd ta shtojnë mbjelljen e Xhenetit, sepse dheu i saj është i pastër dhe toka e saj e gjerë.” U pyet: “Cila është mbjellja e Xhenetit?” Ai tha: “La havle ue la kuwwete il-la billah.” Ky transmetim është shënuar nga Ahmedi dhe është vërtetuar nga Albani me dëshmi mbështetëse.

Po ashtu, nga Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Shtojeni mbjelljen e Xhenetit, sepse uji i saj është i ëmbël dhe dheu i saj i mirë; shtojeni pra mbjelljen e saj.” Ata pyetën: “O i Dërguari i Allahut, cila është mbjellja e saj?” Ai tha: “Ma sha’ Allah, la havle ue la kuwwete il-la billah.” Ky hadith është saktësuar nga Albani me dëshmi mbështetëse.

Kjo fjalë është edhe një derë prej dyerve të Xhenetit. Transmetohet nga Kajs ibn Sa’d ibn Ubadeh se babai i tij e dërgoi tek Profeti ﷺ për ta shërbyer. Ai tregon se Profeti ﷺ kaloi pranë tij pasi kishte falur namaz dhe e preku lehtë me këmbë, duke i thënë: “A të tregoj për një derë prej dyerve të Xhenetit?” Ai tha: “Po.” Profeti ﷺ tha: “La havle ue la kuwwete il-la billah.” Ky transmetim është shënuar nga Hakimi dhe Ahmedi.

Po ashtu, nëse kjo fjalë thuhet nga ai që zgjohet natën, i falen mëkatet; e nëse falet, i pranohet namazi. Nga Ubadeh ibn Samiti, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se Profeti ﷺ ka thënë: “Kush zgjohet natën dhe thotë: ‘La ilahe il-lallah, vahdehu la sherike leh, lehul-mulku ue lehul-hamdu ue hue ala kulli shejin kadir. Elhamdulilah, subhanallah, la ilahe il-lallah, Allahu ekber, la haule ue la kuwwete il-la billah’, pastaj thotë: ‘O Allah, më fal’, ose bën lutje, i përgjigjet lutja e tij; e nëse merr abdes dhe falet, i pranohet namazi.” Ky hadith është transmetuar nga Buhariu.

Dhe prej fryteve të saj është se ajo bën pjesë në përmendjet para gjumit. Nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se Profeti ﷺ ka thënë: “Kush thotë kur shkon në shtrat: ‘La ilahe il-lallah, vahdehu la sherike leh, lehul-mulku ue lehul-hamdu ue hue ala kulli shejin kadir; la haule ue la kuwwete il-la billah; subhanallah; elhamdulilah; la ilahe il-lallah; Allahu ekber’, i falen mëkatet e tij” – ose tha: “gabimet e tij”, transmetuesi Mis’ar ka dyshuar,  “edhe sikur të jenë sa shkuma e detit”. Ky hadith është transmetuar nga Ibn Hibani në Sahihun e tij dhe nga Ibn es-Sunniu në “Veprat e ditës dhe të natës”, dhe është përfshirë në Silsiletus-Sahiha.

Po ashtu, kjo përmendje lejohet të thuhet në namaz në vend të sures El-Fatiha për atë që nuk e di përmendësh atë. Nga Abdullah ibn Ebi Uefa, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se një burrë erdhi te Profeti ﷺ dhe i tha: “Unë nuk mund të mësoj asgjë nga Kurani; më mëso diçka që të më mjaftojë.” Ai i tha: “Thuaj: Subhanallah, elhamdulilah, la ilahe il-lallah, Allahu ekber, la haule ue la kuwwete il-la billah.” Burri tha: “O i Dërguari i Allahut, kjo është për Allahun e Madhëruar; po për mua çfarë ka?” Profeti ﷺ i tha: “Thuaj: O Allah, më mëshiro, më furnizo, më jep mirëqenie dhe më udhëzo.” Kur burri u ngrit, bëri një shenjë me dorë, dhe i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Sa për këtë, ai e ka mbushur dorën me të mira.” Ky hadith është transmetuar nga Ebu Davudi, Nesaiu dhe të tjerë, dhe është saktësuar nga Albani në “El-Irva”.

O muslimanë, shtojeni shpesh thënien: “La havle ue la kuwwete il-la billah”, pranoni dhuratat, me shpresë që Allahu të na falë atë që kemi bërë më herët dhe më vonë, atë që e kemi fshehur dhe atë që e kemi shfaqur. Ai është Mbrojtësi i kësaj dhe i Plotfuqishmi për ta bërë. Kaq them; i kërkoj falje Allahut për veten time dhe për ju, e ngrituni për  namaz.

Shejh Muhamed Abdu Tevvab Suvejdan

Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve