Vëllezër besimtarë!
Pjesa e tretë e Ramazanit, në të cilën sapo kemi hyrë, është figurativisht pjesa e fundit e garës në të cilën besimtarët, ngjashëm me garuesit, për të fituar, japin më të mirën nga vetja e tyre. Është pjesa të cilën Pejgamberi a.s., ua kujtonte besimtarëve qysh në fillim të muajit, kur edhe i uronte për ardhjen e tij. Kjo pjesë fsheh shpërblimin e madh, shpërblimin e Natës së Kadrit, andaj edhe feja thërret që të shfrytëzohet maksimalisht. Sot, në hytben e kësaj xhumaje, e treta për këtë ramazan, do të mundohemi ta shpalosim vlerën e kësaj pjese të fundit të Ramazanit me disa prej shpërblimeve ekskluzive të saj.
Besimtarë të nderuar!
Këto ditë dhe net janë të veçanta për arsye të mundësive që na ofrojnë. Në to është Nata e Kadrit e cila është më e mirë se njëmijë muaj të tërë. Allahu i madhëruar duke na folur për këtë thotë:
لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِنْ أَلْفِ شَهْرٍ
“Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!” [Kur’ani: Kadër: 3]
Pejgamberi Muhammed a.s., ka thënë:
مَن قامَ لَيْلَةَ القَدْرِ إيمانًا واحْتِسابًا غُفِرَ له ما تَقَدَّمَ مِن ذَنْبِهِ
“Kush falet Natën e Kadrit me besim (në Allahun) dhe llogaritje (në shpërblimin e Tij), i falen mëkatet e mëhershme që ka bërë.” (Buhariu dhe Muslimi)
Po kështu na ka porositur që të lutemi në këtë natë për të na u falur mëkatet. Transmetohet se Aisheja r.a. kishte kërkuar nga Pejgamberi a.s., që t’ia mësonte një lutje të cilën do ta thoshte në rast se bekohej për Natën e Kadrit. Ai i tha: “ Thuaj: Allahumme, inneke Afuvvun, tuhibbul afve, fa’fu anni – O Zoti im, Ti je Falës, e do faljen, andaj më fal mua!” (Tirmidhiu)
Për shkak të vlerës që kanë, janë përzgjedhur të jenë ditë në të cilat Allahu i madhëruar filloi t’ia shpallte Kur’anin Pejgamberit tonë, Muhammedit a.s. Në Kur’an, Allahu na tregon se këtë libër madhështor ka filluar ta shpallë pikërisht në Ramazan (Bekare: 185) e më saktësisht në Natën e Kadrit:
إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ
“Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në natën e Kadrit.” [Kur’ani: Kadër: 1]
Nëse kemi parasysh këto mirësi dhe begati e kuptojmë arsyen se përse Pejgamberi a.s., i kushtonte rëndësi të veçantë atyre. Aisheja r.a., tregon se kur vinte dhjetëshi i fundit i Ramazanit, Pejgamberi a.s., i ngjallte netët me namaz, lutje, dhikr, këndim të Kur’anit, zgjonte familjen e tij prej gjumi dhe angazhohej shumë me adhurime. Madje, për të qenë edhe më i përkushtuar në adhurim, Pejgamberi ﷺ e kalonte kohën në I’tikaf. Aisheja r.a. rrëfen:
كان رسول الله صلى الله عليه وسلم يجتهد في العشر الأواخر ما لا يجتهد في غيره
“I Dërguari i Allahut angazhohej në dhjetë ditët e fundit më shumë se në ditët e mëhershme.” (Muslimi)
Pra, ajo që na duhet në këto dhjetë ditë është vendosmëria për adhurim shtesë, për shtim të veprave të mira, veçmas atyre që kanë shpërblim të madh, si: namazi, lutja, dhikri, leximi i Kur’anit, etj. Ndërsa ajo që duhet të na motivojë më shumë për këtë regjim adhurimi është frika e privimit nga këto mirësi. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Iu erdhi Ramazani, (i cili është) muaj i bekuar…Në të Zoti ka përzgjedhë një natë e cila është më të mirë se njëmijë muaj, ai që privohet prej mirësisë së saj, ai vërtetë është i privuar!” Pra, mos shfrytëzimi i kësaj mundësie të artë për të fituar këtë shpërblim të madh është humbje e madhe. Ibën Bettali ka thënë: “…Sikur Allahu tua bënte me dije robërve se në netët e vitit ka një natë të ngjashme me Natën e Kadrit, do të ishte obligim për ta që, në kërkim të kësaj nate, t’i ngjallnin me adhurim të gjitha netët e vitit…” (Sherhu Sahihi el-Buhari, 4/159)
Besimtarë të respektuar!
Ramazani është muaj i cili i jep vlerë gjërave. Ka vepra të shumta që janë të mira e të preferuara të bëhen çdoherë porse bërja e tyre në Ramazan i bënë edhe më të veçanta. Një nga këto vepra është edhe lëmosha. Pejgamberi Muhammed ﷺ ka thënë: “Lëmosha më e mirë është në Ramazan!” Këtu mbase qëndron shpjegimi pse vetë Pejgamberi ﷺ, që ishte gjithmonë bujar, në Ramazan e shtonte bujarinë. Një nga ato lëmoshat më të veçanta që jepen në Ramazan është edhe lëmosha ose sadakaja e fitrit, e cila jepet për të pastruar agjërimin nga lëshimet e mundshme dhe për ta gëzuar një të varfër. Siç e dini, Bashkësia Islame e Kosovës, me institucionet e saja administrative dhe arsimore, funksionon edhe falë këtij kontributi që besimtarët tanë dhurojnë çdo vit, andaj, edhe kësaj radhe apelon tek të gjithë ju që këtë kontribut ta jepni në këshillat lokalë të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, për të vazhduar bashkërisht rrugën tonë drejt sukseseve, veçmas në fushën e arsimit dhe edukimit fetar.
Janë tri arsyeje që duhet të vazhdojmë ta ndihmojmë Bashkësinë Islame të Kosovës.
1. Është i vetmi institucion i besueshëm dhe i pranueshëm si nga populli ashtu edhe nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare.
2. Është i vetmi institucion në vend që në kuadrin e tij funksionon Medreseja me paralelet e saj. Pastaj, Fakulteti i Studimeve Islame që nëpërmes tij dalin kuadro të hoxhallarëve që promovojnë vlera fetare e kombëtare.
3. Është i vetmi institucion që kultivon fenë në mënyrë tradicionale të bazuar në sunetin e plotë sipas shkollës hanefite.
Me këtë rast duam t’iu kujtojmë se Bashkësia Islame vazhdon të jetë zëri juaj më besnik dhe dora juaj e zgjatur tek të varfrit. Nëpërmjet organeve tona humanitare, shoqatës ‘Bereqeti’ me theks të veçantë, ne ndihmojmë me mijëra e mijëra familje çdo vit. Kështu, ndihma juaj materiale që ofroni në këtë fundramazan, qoftë me sadakatul fitrin, qoftë me zekat, do të nënkupton një përforcim të radhëve tona në fushën e humanizmit dhe të jetës e arsimit fetar.
Allahu na e pranoftë agjërimin dhe çdo vepër të mirë që kemi bërë e do ta bëjmë në këtë muaj! Allahu na bekoftë për Natën e Kadrit, natën e shpëtimit dhe begative! Allahu çdo kontribut materiale që kemi bërë në këtë muaj, qoftë në shtrim të iftareve për familjarë, miq e dashamirë, qoftë në ndihma për të varfrit, e veçmas për këto me të cilat e mbajmë fenë gjallë në këto troje, ua shumëfishoftë dhe ua ktheftë me të mira në këtë dhe botën tjetër!