Sedat ef.Islami
Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
“O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!” (Ali Imran: 102)
“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se All-llahu është Mbikëqyrës mbi ju.” (en-Nisa, 1)
“O ju besimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.” (el-Ahzab, 70:71)
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Hutbeja e sotme mban titullin “Dhe thuaj erdhi e vërteta dhe u zhduk e kota..”, i cili në fakt është pjesë e shkëputur e ajetit 81 të kaptinës el-Isra:
Dhe thuaj: “Erdhi e vërteta e u zhduk e kota.” Vërtet, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur.“ (el-Isra, 81)
Arsyeja, pse sot përzgjodhëm këtë titull për hutben tonë, ka të bëjë me dy gjëra, që janë shumë aktuale.
1.
E para ka të bëjë fundin e botës më 21.12.2012, që aq shumë e hiperbolizuan si ndodhi e mundshme, saqë pati nga njerëzit të atillë që i dhanë fund jetës së tyre, derisa pati edhe të atillë që bënë gjëra nga ë të çmendurat:
– Ndërtuan anije e dhoma në formë topi të madh,
– Ndërtuan bunkere, të cilat i improvizuan sikur të ishin klube nate
– Rezervuan dhoma në vende të caktuara, në Francë, Turqi, e madje edhe në Serbi
– Shfrytëzuan rastin për të zbrazur xhepat e njerëzve edhe kësaj radhe, nëpërmjet librave për këtë ndodhi dhe filmave, madje edhe në Kosovën tonë të mjerë.
Imazhe nga bindjet dhe mentaliteti i jobesimtarëve
Hamendësimi dhe konfuzioni
Allahu i Madhëruar në Kur’anin Famëlartë na flet për kriterin me të cilin jobesimtarët i vlerësojnë gjërat. P.sh.: duke folur për besimin e tyre në jetën pas ringjalljes, thotë:
Ata edhe thanë: “Nuk ka tjetër, vetëm se kjo jetë jona në këtë botë, po vdesim dhe po lindemi dhe asgjë nuk na shkatërron tjetër pos kohës. Ata për këtë nuk dinë asgjë, ata vetëm fantazojnë.“ (el-Xhathije, 24)
Pra, e tëra që bëjnë ata është vetëm fantazia. Ata nuk kanë të vërteta. E shihni, sot është 21 dhjetori dhe nuk ka ndodhur Kiameti. Kiameti, sipas tyre, ose thënë më mirë, sipas fantazive të tyre, do të ndodhte shumë kohë më parë. Kiameti ishte paralajmëruar të ndodhë në vitin 500; 1000; 1524; 1666; 1688; 1814; 1900; 1910; 1962; 1978 ; 1994; 1997; 2000; 2001; 2003; 2010; 2011, tash 2012, ndërsa është paralajmëruar për 2013, 2060, e data tjera të fantazuara.
Kiameti është një ndodhi, të cilën askush pos Allahut të Madhëruar nuk e di. Në Kur’an, në shumë ajete, është sqaruar një gjë e tillë. Thotë Allahu i Madhëruar:
Njerëzit të pyesin për kijametin (katastrofën) e ti thuaj: “Për atë di vetëm All-llahu! E, ku mund ta dish ti, ai ndoshta është afër!“ (el-Ahzab, 63)
Paqartësia koncpetuale dhe shthurja dhe komercializmi
Për çfarë në të vërtetë bëhet fjalë? Çfarë Kiameti do të ndodhë? Shkatërrim të ç’përmasave do të sjellë? Kush do të shpëtojë? Si është forma e shpëtimit? A mund të rezistohet?
Kushdo që ka përcjellë kohëve të fundi ngjarjet përkitazi me fundin e botës ka mund të vërejë defekte të pariparueshme në konceptet e tyre për fundin e botës dhe pritjen e saj. Ndërtimi i anijeve dhe dhomave nga metali dhe mjetet tjera të forta në Kinë, ndërtimi i bunkerëve dhe dhomave nëntokë në SHBA dhe Rusi, rezervimi i vendeve në male në Francë, Turqi dhe Rusi, janë disa nga imazhet kryesore që flasin për këtë koncept të devijuar. Nëse Kiameti do të ndodhka, atëherë si mund të jesh i sigurt në nëntokë ose në det kur shkatërrimi i botës pritet të ndodhë pikërisht nga nëntoka dhe shpërthimi i deteve?! Madje tash, National Geographic, për herë të parë ka arritur që të merr një foto nga shtresa e dytë e tokës, e cila është tërësisht e zjarrtë . Allahu ka thënë:
(ndëshkon kundërshtarët) Ditën kur toka ndryshohet në tjetër tokë, e edhe qiejt (në tjerë qiej), e ata (njerëzit) të gjithë dalin sheshazi para All-llahut, Një, Mbizotërues.“ (Ibrahim, 48)
Dhe kur detet të vlojnë si zjarr i flakëruar,“ (et-Tekvir, 6)
Pra, kush mund t’i bëjë ballë kësaj?!
Ndërsa ajo që flet për shthurjen e tyre është forma se si kanë menduar ta presin. Në Rusi, bunkerët i kishin improvizuar si të ishin klube nate ndërsa biletat varionin nga 750€-1000€. Po kështu, kinematë, madje edhe tek ne këtu, kanë paralajmëruar se do ta rishfaqin filmin 2012, kuptohet për të përfituar.
A pritet kështu Kiameti?
Vet fakti se këta sharanë kanë paralajmëruar rishfaqjen e këtij filmi flet për mashtrimet e tyre. Nëse Kiameti do të ndodhka, atëherë kush do t’i përcjellë këta filma?! Përse këto paralajmërime?
Po kështu, një imazh tjetër i paqartësisë dhe devijimit koncpetual është edhe ajo se në Rusi, në këta bunkerë, ishin vendosur ekrane për të përcjellë Kiametin duke ndodhur në botë. Kjo ka pasoja tmerrësisht të mëdha:
– Depresion
– Vetëvrasje
– Përjetimin e vdekjes – shkatërrimit duke të ndjekur çast pas çastit
Këto janë pasojat e materializmit bashkëkohorë. Si shkak i kësaj ndodhën jo pak vetëvrasje.
Po ne myslimanët si e presim Kiametin?
Çfarë mjetesh kemi për ta rezistuar atë?
Pejgamberi [paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të!] kur u pyet nga një sahabijj i nderuar për ndodhinë e Kiametit, respektivisht kohën e saj, i tha:
“Po ti, çfarë vepre ke përgatitur për të?”
Sikur me këtë i tha se Kiametin nuk mund ta sfidoj askush dhe asgjë dhe se ajo me të cilën duhet përgatitur është pajisja me vepra të mira, shpërblimin e të cilave mund ta gjesh tek Allahu i Madhëruar.
Gjunjëzimi si shkak i mërisë dhe inatit ekstrem
Me gjithë që pohimet e tyre dështuan, kjo nuk mjafton që ata t’i kthehen së vërtetës. Ndonëse edhe NASA konfirmoi atë që thuhet në Kur’an se askush nuk e di fundin e botës , pranë kjo nuk mjaftoi që ata ta deklarojnë besimin në një Zot. Faktet dhe dëshmitë nuk kanë ndonjë ndikim për ta. P.sh., në kaptinën Ibrahim, Allahu ua përkujton fatin e popujve të kaluar ndërsa ata lërë që nuk marrin mësim, por edhe vazhdojnë të këmbëngulin në pabesim.
A nuk jeni të njoftuar me lajmin (ndodhinë) e atyre që ishin para jush, si populli i Nuhut, i Adit, i Themudit e edhe i atyre që erdhën pas tyre, që nuk di kush për ta pos All-llahut. Atyre u patën ardhur të dërguarit e vet me argumente, ata i venin duart e tyre (në shenjë talljeje) në gojët e veta dhe thonin: “Ne e mohojmë atë me çka jeni të dërguar dhe ne dyshojmë shumë në atë që ju na thërrisni”.“ (Ibrahim, 9)
2.
E dyta, jemi afër festës së krishtlindjeve, një datë, që tashmë është vënë në pikëpyetje edhe nga kreu i katolikëve, Papa Benedikti XVI, në librin e botuar pak kohë më parë. Ai, përveç tjerash, diskuton edhe për datën e lindjes së Isait [alejhiselam], që thotë se nuk është e vërtetë . 25 dhjetori nuk është data e lindjes së Isait [alejhiselam]. Pra, për më shumë se njëmijë vite është festuar gabimisht lindja e tij. Kjo provon – dëshmon për gabimet në fenë e krishtere si pasojë e intervenimit të aktorit njeri. Ne kemi festat e caktuara. Asnjëherë, askush nuk mund të del dhe të thotë se festa e Fitër Bajramit nuk duhet të jetë pas Ramazanit apo jo e Kurban Bajramit pas Haxhit. Kjo, për arsye se festat tona janë të caktuara prej Allahut. Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] duke folur për festat e myslimanëve dhe ndalimin e festimit të ditëve tjera, thotë:
“Vërtetë, Allahu ua ka ndërruar ato me dy ditë më të mira: Ditën e Kurban Bajramit dhe Ditën e Fitër Bajramit.”
Të krishterët ende nuk e kanë thënë të vërtetën. Nuk është e pasaktë vetëm data, por edhe vetëm bindja përkitazi me Isanë [alejhiselam]. Allahu iu drejtohet:
O ithtarët e librit, mos teproni në fenë tuaj dhe mos thuani tjetër gjë për All-llahun, përveç asaj që është e vërtetë. Mesihu, Isa, bir i Merjemes, ishte vetëm i dërguar i All-llahut. Ishte fjalë e Tij (bëhu) që ia drejtoi Merjemes dhe ishte frymë (shpirt) nga Ai. Besojeni pra All-llahun dhe të dërguarin e Tij e mos thoni: “Tre” (trini). Pushoni (së thëni), se është më mirë për ju. All-llahu është vetëm një All-llah; larg qoftë asaj që Ai të ketë fëmijë. ا’ka në qiej dhe ç’ka në tokë është vetëm e Tij. Mjafton që All-llahu është planifikues i pavarur.“ (en-Nisa, 171)
Të nderuar vëllezër!
Kjo koincidencë apo rastësi me këto dy ndodhi, pavërtetësia e të cilave u dëshmua, do të duhej të ishte merrej si një rast i mirë për ta forcuar besimin tonë, për ta shtuar atë. Kur’ani, nuk është si librat tjerë. Në të nuk ka gisht njeriu. Allahu ka thënë:
Nuk është e logjikshme të mendohet se ky Kur’an është i trilluar prej dikujt pos All-llahut, por është vërtetues i asaj (shpalljes) që ishte më parë, dhe sqarues e komentues i librit. Nuk ka farë dyshimi se është (i zbritur) nga Zoti i botëve.“ (Junus, 37)