Devijimi në kuptimin e fesë

Jemi dëshmitar të mosinteresimit të njerëzve për mësimin e fesë dhe zbatimin e tij në jetën e përditshme. Ky rregull dhe ky vlerësim i përgjithshëm nuk domethënë se nuk ka përjashtime, ato ekzistojnë, mirëpo edhe te kjo pakicë e cila interesohet për fenë dhe zbatimin e saj, ka defekte, mes tyre është edhe devijimi në kuptimin e fesë.

Dëshiroj që këtë sqarim që e bëj në këtë hutbe ta ndërlidhi me hutben me titull “Si dëmtohet pozita e fesë” dhe ta konsideroj si vazhdim i asaj që tentova ta paraqes në atë shkrim.

Hyrje

Nëse i bëjmë një retrospektivë historisë së shfaqjes së devijimeve dhe lajthitjeve të ndryshme në fe do të kuptojmë se ka patur shumë shkaqe që kanë sjellur këtë gjendje edhe ato dallojnë me dallimin e vendeve, ambientit, personave, shoqërive, fuqisë dhe dobësisë, pasurisë dhe varfërisë, dijes dhe injorancës, bashkimit apo përçarjes, etj.

Këto shkaqe sikurse tregon eksperti për këtë lëmi prof. dr. Nasir Abdul-Kerim El-Akli, në serialin e librave me titull: “Traktate dhe studime mbi epshin, përçarjen dhe bidatin dhe qëndrimin e selefit ndaj tyre”, sidomos në pjesën e dytë me titull “Marshi i karavanit të shejtanit”, ku flet për fillimin dhe shkaqet e kësaj dukurie, kategorizohen në tre kategori të mëdha:

1- Shkaqe të jashtme. Këtu hyn ndikimi i shumë popujve siç janë persianët, romakët, hindusët dhe fetë e sektet e ndryshme, siç janë hebreizmi, krishterimi, zoroastrizmi, filozofët, idhujtarët, etj.

2- Shkaqe të brendshme. Epshi, pasimi i dyshimeve dhe pasionit, braktisja e fesë dhe ligjeve të All-llahut, injoranca dhe esktremizmi, fanatizmat e ndryshme, polemikat sterile mbi fenë, etj.

3- Shkaqet metodologjike. Në këtë kategori hyne: mos marrja e fesë prej burimeve origjinale, gënjeshtra dhe shpifja e haditheve, defektet në mënyrën e argumentimit, etj.

Këto tre kategori përmbajnë në vete mëse pesëmbëdhjetë shkaqe të devijimit në kuptimin e fesë. Ne në këtë shkrim do të flasim për një shkak i cli ka shkaktuar devijimin e muslimanëve në kuptimin e fesë e ai është defekti në metodologjinë e perceptimit të fesë.

Devijimi në metodologjinë e perceptimit të fesë

Metodologjia e perceptimit të fesë domethënë mënyra me të cilën kuptohet dhe mësohet feja në kontekst të burimeve dhe mënyrës së argumentimit dhe nxjerrjes së konstantimeve.

Ehli Sunneti kanë metodologji të caktuar në perceptimin e fesë dhe ata mbështeten në Kur’an, Sunnet të saktë dhe ixhmaja, konsenzusi në bazë të Kur’anit dhe Sunnetit.

Kurse sa i përket mënyrës së kuptimit të fesë, ata në këtë drejtim:

– i nënshtrohen të gjitha argumenteve që vijnë nga All-llahu dhe Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem,

– nuk thellohen me studime dhe pyetje në gjërat e akides për të cilat nuk ka ardhur ndonjë argument,

– dijen e tyre e marrin nga dijetarët dhe imamët e tyre, sikurse e kanë marrë sahabet nga Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem,, kurse selefi nga sahabet, imamët prej imamëve të drejtë, e kështu me rradhë, duke e patur të qartë se secili mund të gabon, kurse peshojë për këtë gjë kemi Kur’anin dhe Sunnetin. Të thelluarit në dije janë ata që nxjerin argumente nga Kur’ani dhe Sunneti dhe gjykojnë sipas tyre në gjërat divergjente mes umetit.

– U përmbahen rregullave të shëndosha dhe fetare të argumentimit, etj.

Në vijë të kundërt janë të devijuarit, ata që nuk kanë ecur në rrugën e muslimanëve të parë në kuptimin e fesë, ata kanë burime të ndryshme dhe të llojllojshme për kuptimin e fesë edhe ate:

– iluzionet filozofike tek apologetët dhe filozofët, ëndërat, shija dhe zbulesa tek sufistët, “njerëzit e shenjtë” dhe ata që dinë gajbin tek sufistët dhe shiitët, burime të ndryshme të ehli kitabit, zoroatristëve, filozofëve, etj, sikurse është tek apologetët, batinitë, sufistët dhe shiitët.

Kurse sa i përket mënyrës së perceptimit të fesë, ata fenë nuk e marrin prej:

– dijetarëve të besueshëm, nuk pasojnë metodën e imamëve të dalluar, nuk i trajtojnë se janë të dalluar dhe kanë vlerë, marrin dijen prej njerëzve të vegjël dhe bidatçi, ose mësojnë pa hoxhë dhe nuk pasojnë dijetarët e thelluar në dije, por i akuzojnë dhe ofendojnë ata, zhyten në çeshtje shumë të ndërlikuara dhe të thella, futen në çeshtje të kaderit, cilësive të All-llahut, çeshtje të ndryshme të gajbit, etj, mbështeten në çdo burim që u përshtatet, nuk janë aktiv në mësimin e fesë, e nëse e mësojnë nuk e mësojnë sipas rregullave të shëndosha të sherijatit, etj.

Ky prezentim ishte i përgjithshëm, mendoj se ka nevojë për sqarim më detal të këtyre komponenteve dhe se me sqarimet detale do të kontribohet për të kuptuar shkaqet e devijimit në kuptimin e fesë dhe dëmin që sjell ky fenomen, pastaj demaskimin e njerëzve që shtiren dhe futen në mesin e dijetarëve ose të kërkuesve të dijes dhe në këtë mënyrë fusin huti dhe paqartësira në kuptimin e fesë.

Do të fillojmë ti sqarojmë shkaqet e këtij devijimi një nga një:

1- Mosmbështetja në Kur’an dhe Sunnet dhe gjurmët e selefit.

Prej shkaqeve që e largojnë njeriun nga kuptimi i shëndosh i fesë është marrja e besimeve, adhurimeve, dispozitave ligjore dhe mendimet nga burime tjera përpos shpalljes. Kjo nënkupton:

– Mbështetja në logjikë të çveshur nga çdo ndihmese.

– Dhënia përparësi logjikës para teksteve fetare.

– Pasimi i epshit dhe pasioneve.

– Mbështetja në mendime të njerëzve.

– Pretendimi se ka njerëz të pagabuar përpos Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.

– Argumentimi me ëndëra, zbulesa, shije edhe në qoftëse janë në kundërshtim me Kur’an dhe Sunnet.

– Mbështetja në libra të popujve tjerë, siç janë ehli kitabi, filozofët, sabiinët, zoroastritët, hindusët, persianët, romakët, etj.

Në vijim do të përmendi disa citate të dijetarëve të Ehli Sunnetit që e potencojnë këtë gjë.

Imam Ibën Tejmiu, rahimehull-llah, duke treguar burimet e të vërtetës thotë:

“Kur’ani, Sunneti dhe Ixhmaja, konsenzusi, kurse karshi këtyreve të tjerët kanë ëndërat, israilijatet dhe tregimet”. (“El-Fetava”, 19/5).

Imam Shatibiu, rahimehull-llah, thotë:

“Njerëzit me argument më të dobët janë ata që mbështetën në marrjen e detyrave në pozita dhe për shkak të kësaj ata i pranojnë disa gjëra dhe i kundërshtojnë, duke thënë: filanin e konsiderojmë njeri të mirë, e ai na ka thënë: leni këto vepra dhe veproni këto tjerat. Kjo zakonisht u ndodh sufive, ku në mesin e tyre ka edhe të atillë që thonë: kam parë Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në ëndër e më tha këtë gjë dhe më urdhëroi këtë gjë, kurse ky vepron dhe i le disa vepra në këtë bazë duke lënë pas dore kufinjtë fetarë. Kjo është gabim, sepse ëndërat e njerëzve që nuk jaën pejgamber nuk mund të shërbejnë si bazë për dispozita përpos se nëse krahasohen me argumentet fetare, nëse i lejon sherijati veprohet sipas tyre, përndryshe duhet lënë dhe braktisur. Kurse dobia prej tyre është vetëm myzhdeja ose vërejtjeja dhe asesi nxjerja e dispozitave prej tyre”. (“El-Itisam”, 1/260).

Shejhul-Islam Ibën Tejmiu, rahimehull-llah, thotë:

“Për këtë gjë i gjejmë mutezilitët, murxhitët, shiitët dhe bidatçitë tjerë duke e komentuar Kur’anin sipas mendimit dhe logjikës të tyre dhe sipas asaj që u ndihmon gjuha. Ata nuk mbështeten në hadithet e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, sahabeve, tabiinëve dhe imamëve të muslimanëve. Ata nuk mbështeten në Sunnet, as në ixhmanë e selefit dhe gjurmët e tyre. Ata nuk mbështeten në librat e tefsirit tradicional, me hadithe dhe gjurmë të selefit, por mbështeten në librat e letërsisë dhe apologjetikës që i kanë shkruar kokat e tyre. E këtillë është edhe mënyra e të pafeve”. (“El-Fetava”, 7/119).

Shejhul-Islam Ibën Tejmiu, rahimehull-llah, thotë:

“Ai i cili thotë: flas nga zemra ime e cila flet nga Zoti im dhe se mer direkt prej All-llahut pa ndërmjetësues dhe se mer nga atje që mer meleku, i cili ia sjell shpalljen Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ky njeri pretendon se ajo që është tek ai është më e lartë se kjo që ka treguar All-llahu:

“E kush është më gabimtar i madh se sa ai që trillon rrenë ndaj Zotit, ose thotë: “Mua po më shpallet e nuk i është shpallur asgjë, ose se sa ai që thotë: “Do të thur diçka të ngjashme me atë që e ka zbritur All-llahu”. “. (El-Enam: 93).

Është e njohur se pasuesit e Musejlem El-Kedhabit, El-Esved El-Ansiut, Tulejha El-esdiut dhe Sexhahu kanë qenë renegat, murteda dhe ka luftuar kundër tyre Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, edhe pse Musejleme ka pretenduar participim në pejgamberi dhe nuk ka pretenduar participim në hyjnitet e as që ka sjellur ndonjë Kur’an që shemb tevhidin, por ka sjellur disa fjalë që përmbajnë pretendimin e tij se participon në pejgamberi dhe fjalë të rimuar nga e cila nuk ka aspak dobi..”. (“Bugjetul-Murtad”, fq. 485-486).

Ka edhe shumë citate prej dijetarëve të ndryshëm që tregojnë devijimin e sekteve dhe frakcioneve të ndryshme që janë ndarë nga Ehli Sunneti dhe që tregojnë se gabimi i tyre në përzgjedhjen e burimeve dhe metodës ka qenë shkaku kryesor i devijimit të tyre.

2- Pyetjet e shumta dhe braktisja e mësimeve të pejgamberëve.

Pyetjet e shumta që nuk kanë qëllim mësimin e një gjëje dhe zbatimin e tyre në praksë dhe braktisja e mësimeve të pejgamberëve duke vepruar në kundërshtim me to ose duke mos i zbatuar ato është prej shkaqeve të mëdha që e devijojnë njeriun nga feja e All-llahut, subhanehu ve teala.

Transmeton Ebu Hurejre, radijall-llahu anhu, se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Më lerëni përderisa ju lë unë juve, sepse janë shkatërruar popujt para jush duke i pyetur shumë pejgamberët dhe duke i braktisur mësimet e tyre. Nëse ju urdhëroj për ndonjë gjë zbatone me aq sa keni mundësi, e nëse ju ndaloj ndonjë gjë, largohuni prej saj”. (Buhariu dhe Muslimi).

Pejgamberët e kanë marrë dijen prej All-llahut, i Cili është i Ditur dhe i Informuar dhe ka ndaluar që të pyeten pejgamberët për gjëra të cilat i ka heshtur, duke thënë:

“O ju që besuat, mos pyetni për sende që nëse u thuhet ajo (pyetja) haptazi, ju vjen keq juve, “. (El-Maide: 101).

Dhe më pastaj jep një përgjigje shumë interesante kësaj qasjeje dhe këtij veprimi duke thënë:

“Një popull që ishte para jush pat bërë aso pyetjesh, e pastaj (nuk i zbatoi) u bë mohues i tyre”. (El-Maide: 102).

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka ndaluar të pyesin njerëzit për gjëra që i ka heshtur sherijati, sepse ato gjëra që i ka heshtur sherijati, i ka heshtur nga urtësia dhe mëshira për njerëzit.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“All-llahu ka përcaktuar obligime, andaj mos i humbni ato, ka përcaktuar kufinjë mos i tejkaloni ato, ka përcaktuar ndalesa mos i shkelni ato dhe ka heshtur për disa gjëra nga mëshira për ju, e jo nga haresa, andaj mos i hulumtoni ato”. (Hakimi).

Këtu hyn edhe pyetja për çeshtjet që skanë të bëjnë me ty apo parashtrimi i pyetjeve të shumta pa nevojë.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e urren thashethëmet, pyetjet e shumta dhe harxhimin e pasurisë kot”. (Buhariu dhe Muslimi).

Aliu, radijall-llahu anhu, një ditë u tha njerëzve: Pyetni çka të doni. Ibul-Keva tha: çka është pjesa e zezë e hënës? Tha: All-llahu të vraftë, pse nuk pyet për gjëra që të bëjnë dobi në fe dhe në ahiret. Kjo është shlyerja e natës. Në transmetmin tjetër qëndron: me trego se çka domethënë: “bartëset e shiut të rëndë”? Të mos pastë nëna, pyet për të mësuar fenë e jo fanatizmi dhe pyet gjëra që të interesojnë e jo ato që nuk të interesojnë”. (Shiko: “El-Ibane”, 1/418).

Ibën Bata, rahimehull-llah, thotë:

“Dijetarët dhe njerëzit e mençur e kishin traditë që mos tu japin përgjigje madje edhe i qortonin ashpër ata që pyetnin për gjëra që skanë dobi prej tyre e as dëm, ose kur nuk mund ta kuptojnë si duhet atë çeshtje”. (Shiko: “El-Ibane”, 1/418).

Në një vend tjetër Imam Ibën Bata, rahimehull-llah, jep një këshillë dhumë të rëndësishme dhe të madhe, duke thënë:

“Vëllezërit e mi, dijeni se kam menduar për shkakun që i ka nxjerur njerëzit nga Ehli Sunneti dhe i ka shpier në bidat dhe vepra të këqija, u ka hapur derën e belas për zemrën e tij dhe ua ka mbuluar dritën e të vërtetës prej syve të tij, kam kuptuar se kjo ndodh për dy shkaqe:

Një: hulumtimi dhe pyetjet e shumta për gjëra jo të rëndësishme dhe mosnjohja e të cilave nuk i bëjnë dëm të mençurit e as kuptimi i tyre nuk i ban dobi besimtarit.

Dy: Ndeja me atë që nuk je i sigurtë nga sprova e tij dhe që shoqërimi me te ta prish zemrën”. (Shiko: “El-Ibane”, 1/418).

3- Braktisja e marrjes së dijes nga dijetarët dhe mos ndeja me ta

Në këtë drejtim është edhe mosmarrja e dijes nga dijetarët shembëlltyrë, mospjesmarrja në ligjeratat e tyre, injorimi i tyre, etj.

Këtë veçori e gjejmë tek kokat e bidatçive sikurse ishte Xhehm Ibën Sfvani.

Transmeton Lalekaiu se Halef ibën Sulejmani ka thënë: Xhehm ibën Safvani jetonte afër urës në Tirmidh, me origjinë nga Kufa dhe elekuent, nuk posedonte dije e as që rrinte me dijetarë “. ((Shiko: “El-Ibane”, 1/390).

Të këtillë kanë qenë havarixhët, shiitët, xhehmitë, mutezilitë, apologetët, etj. Ata nuk merrnin dijen prej prijësve të udhëzimit por njëri prej tjetrit, madje as që merrnin dije, e nëse merrte pjesë në ndonjë tubim të dijetarëve qëndronte aty me mendjemadhësi dhe mburrje.

4- Marrja e dijes prej njerëzve të vegjël.

Në origjina dija e fesë merret prej dijetarëve të mëdhenjë dhe të vjetër, prej atyreve që e praktikojnë atë që ua mësojnë tjerëve, prej atyreve që kapen për Sunnet dhe përqëndrojnë në fe dhe nuk lejohet të merret prej bidatçive dhe epsharakëve dhe të rinjve që akoma nuk u është plotësuar kuptimi i tyre ndaj fesë. All-llahu, subhanehu ve teala, nuk na ka bërë të nevojshëm për dijen e tyre sepse na e ka ruajtur Kur’anin dhe Sunnetin e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe gjurmët e selefit dhe vazhdimin e ekzistimit të një grupi të kapur për fe deri në Ditën e Kijametit, në kokë të së cilit grup janë dijetarët, prijësit e drejtë dhe të përpikt.

Ai që analizon historikun e epsheve dhe devijimit do të kupton se prej shkaqeve më të mëdha të përhapjes së tyre është marrja e fesë nga bidatçitë dhe epsharakët apo tolerimi i kësaj vepre.

Imam Shatibiu, rahimehull-llah, thotë:

“Omeri, radijall-llahu anhu, thotë: “Kam kuptuar se kur shkatërrohen njerëzit. Kur të marrin fikhun prej të vegjlive, gjë që është e papranueshme për të madhin. Kurse kur të merret fikhu prej të madhit dhe në këtë e pason i vogli udhëzohen që të dy”.

Abdullah ibën Mesudi, radijall-llahu anhu, thotë:

“Njerëzit do të jenë të mirë përderisa dijen e marrin prej të mëdhenjve, kurse kur do të fillojnë ta marrin nga të vegjlit dhe më të këqinjtë, atëherë do të shkatërrohen”.

Dijetarët kanë dhënë komente të ndryshme rreth qëllimit të Omerit, radijall-llahu anhu, me të vegjlit. Ibën Mubareku ka thënë se ata janë bidatçitë dhe kjo është e saktë, sepse ata janë të vegjël në dije, andaj edhe janë bërë bidatçi.

Baxhiu ka thënë: janë ata që skanë dije.

Janë ata që skanë pozitë e as gjendje, kurse kjo ndodh kur të braktiset zbatimi i fesë dhe edukatës, kurse ai që kapet për fe dhe për edukatë detyrimisht do të ngritet dhe do të ketë pozitë të lakmueshme”. (“El-Itisam”, 2/ 174).

5- Mësimi i fesë nga ata që nuk janë soj dhe të paaftë.

Nëse e mëson fenë ai që ska aftësi ose i papërgaditur nuk do ti kupton çeshtjet ashtu si duhet, ose do ti kuptojë në kundërshtim me atë që duhet, nuk do ti dijë të gjitha argumentet mbi atë çeshtje dhe nuk i di rregullat e argumentimit, ska dyshim se kjo ndikon shumë në devijimin e njerëzve në kuptimin e fesë.

Në këtë kategori të njerëzve hynë: njerëzit e poshtër, të pasoj, njerëzit jointelegjentë, masa e gjërë, beduinët, ata që se njohin gjuhën arabe, etj.

Mekhuli, rahimehull-llah, ka thënë:

“Kur ta mësojnë fenë çobanët, prishet feja, kurse kur ta mësojnë fenë njerëzit e poshtër, prishet dynjaja”.

Ferjabiu thotë: Sufjani kur i shihte njerëzit e poshtër dhe pa peshë që shkruajnë mësimet i ndryshohej fytyra. I thash: po të shohim që të ndryshohet fytyra kur i shkruajnë mësimet këta njerëz. Tha: dija ishte te arabët dhe të zotërinjtë e tyre, e kur doli prej tyre dhe ra në duart e këtyre, u ndryshua feja”.

Imam Shatibu duke komentuar këto fjalë të këtyre dijetarëve thotë:

” ai që se njeh sa duhet gjuhën arabe do ta kupton gabimisht Kur’anin ashtu sikurse edhe ai që nuk i ka kuptuar objektivat e sherijatit do ta kupton gabimisht sherijatin”. ((“El-Itisam”, 2/175).

6- Marrja e fesë nga burimet të huaja për fenë

Shumë është me rëndësi në kuptimin e shëndosh të fesë mënyra se si e mëson fenë. Nëse dikush fillon tia mëson fenë dikujt duke filluar me libra të filozofisë, apologjetikës, librave të bidatçive, historisë, letërsisë, etj, ska dyshim se kjo do të le ndikim të madh në mentalitetin e nxënësit.

Shumica e atyreve që kanë kaluar nga medhhebi i tyre në medhhebin e selefit vërejmë se kanë mbetur te ata akoma mbeturina të medhhebit të vjetër, edhe pse shumë rrallë ndodh që të pendohet dikush prej bidateve.

Në këtë kohë bashkëkohore xhematet nuk duhet të mbushin mendjen dhe mentalitetin e fëmijëve me botëkuptime të gabuara mbi fenë, sepse ata nëse rriten në besime dhe bindje të gabuara, me kalimin e kohës dhe kuptimit të fesë, ata sërish do të mundohen me vetëdije ose pa vetëdije që tekstet e shëndosha të sherijatit ti shfrytëzojë për qëllime të caktuara të veta dhe konform botëkuptimeve të tyre të gabuara që i kanë marrë që në fëmijëri.

Andaj njeriu duhet ta mësoja fenë duke e marrë nga burimet e veta origjinale, duke filluar me mësimin e Kur’anit, Sunnetit, Fikhut, gjuhës arabe, prej dijetarëve eminent dhe të njohur. Pastaj pas rregullimit të sistemit të imunitetit nga devijimi le të fillon me specializimin e tij në atë lëmi që më së shumti ia ka ëndja ose në atë lëmi që më së shumti ka nevojë.

7- Marrja e fesë nga Ehli Kitabi

Mbshtetja në librat e mëhershmë në kuptimin e fesë është shkak prej shkaqeve të devijimit në kuptimin e fesë.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e ka ndaluar umetin e vet që të bie në këtë gabim.

Një ditë Omeri, radijall-llahu anhu, erdhi me një copë të tevratit te Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e i tha: kjo është një pjesë e tevratit. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, heshti. U lexua Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, nga fytyra, sepse iu ndryshua. Atëherë Ebu Bekri, radijall-llahu anhu, tha: vaj për ty, a nuk po sheh fytyrën e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Kur e pa Omeri, radijall-llahu anhu, fytyrën e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tha: strehohem te Ti o All-llahu nga hidhërimi i yt dhe i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, jam dakord që All-llahun ta kem Zot, Islamin ta kem fe, kurse Muhammedin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, Pejgamber. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tha:

“Pasha Ate që në Dorë të Tij është shpirti i Muhammedit, po tu shfaqej Musai, alejhisselam, e ta pasonit dhe të më linit mua do të devijonit nga rruga e drejtë, sepse po të ishte edhe ai gjall në kohën time do të më pasonte”. (Hasen, Ahmedi).

8- Pasimi i gabimit të një dijetari

Zakonisht kur njeriu nuk është i pastër dhe i mungon sinqeriteti mundohet të kapet edhe fije të kashtës për të dëshmuar se mendimi apo qëndrimi i tij është i saktë.

Në këtë drejtim është edhe kapja e shumë bidatçive për ndonjë qëndrim apo mendim të gabuar të ndonjë dijetari eminent dhe me famë, të ndonjë zahidi, apo njeriu të mirë.

Dijetarët e mëhershëm duke parë rezikun e madh që ka pasimi i gabimeve të dijetarëve apo rrëshqitjeve të tyre kanë tërhjekur vëretjen me të madhe nga kjo dukuri, pasiqë janë shkaku për rënien e shumë njerëzve në bidate dhe në devijim. All-llahu, azze ve xhel-le, i ka urdhëruar besimtarët që të pyesin dijetarët dhe ata ti pasojnë e nëse një dijetar gabon dhe rrëshqet, kjo gjë për ata që e pasojnë bëhet fitne e madhe. Andaj All-llahu, tebareke ve teala, Kur’anin dhe Sunnetin e ka bërë peshojë dhe kriter, kurse ata që nuk mund të marrin dispozitat e fesë nga këto burime i pyesin dijetarët, kurse nëse një dijetar i kundërshton dijetarët tjerë dhe dallohet me një mendim të vetin duhet pasuar mendimin e shumicës së dijetarëve. Secili dijetar mund të ketë ndonjë gabim apo rrëshqitje, sepse ata nuk janë të pagabueshëm. Këtë gjë e gjykojnë dijetarët dhe ata çdo herë do të jenë mjaft, falë i qofshin All-llahut, deri në Ditën e Kijametit.

Zijad ibën Hudejri thotë: Omeri, radijall-llahu anhu, ka thënë: A e di se çka e shemb Islamin? I thashë: jo. Tha: e shemb Islamin rrëshqitja e dijetarit, polemika e munafikut rreth Kur’anit dhe pushteti i prijësve të devijuar”. (Daremiu, 1/71).

Nëse një dijetarë i njohur dhe me famë gabon dikund, kjo nuk domethënë që të braktiset i tëri dhe nuk duhet ndaluar tjerët nga pasimi i tij, porse nuk duhet pasuar ate në këtë gabim të tij. Arsyetohet në këtë gabim të tij, nuk lejohet të ofendohet, as të ngacmohet e as të trajtohet si bidatçi, sepse ky gabim dhe rrëshqitje e tij nuk ka qenë nga epshi apo bidati.

Abdullah ibën Mubareku, rahimehull-llah, thotë:

“Ndodh që ndonjë njeri të ketë peshë në Islam dhe gjurmë të mira, mirëpo të ketë edhe gabim dhe rrëshqitje, andaj nuk duhet pasuar ate në gabimin dhe rrëshqitjen e tij”. (“El-Istikame”, 1/219).

Pra këto do të kishin qenë disa shkaqe që e shpiejnë njeriun në devijim në kuptimin e fesë. Qëllimi nga paraqitja e këtyre shkaqevë është largimi prej tyre dhe mbrojtja prej tyre. Pajisja me sistem të imunitetit që na mbron nga devijimi dhe rënia në shpikje dhe epshe.

E lusim All-llahun që të na dhurojë dije të dobishme dhe vepra të mira, kuptim të shëndosh dhe frikë nga All-llahut, subhanehu ve teala. Amin

Bekir Halimi

Bekir Halimi,
17.3.2006