Jemi në muajin Rebiul Evvel (sipas kalendarit hënor), muaji i cili në mesin e myslimanëve te ne njihet si muaji i lindjes së Pejgamberit alejhi selam.
Këtë muaj e karakterizojnë tri ngjarje të rëndësishme për myslimanët.
Lindja e Pejgamberit, hixhreti (shpërngulja e tij prej Mekës në Medine si dhe vdekja e tij.
Prej këtyre tri ngjarjeve më e rëndësishmja është hixhreti i Pejgamberit alejhi selam.
Për datën e lindjes së Pejgamberit nuk janë të gjithë në ujdi, dhe lindja e tij nuk do të kishte ndonjë dallim nga të tjerët sikur mos të kurorëzohej jeta e tij me shpalljen nga ana e Allahut, se ai do të jetë i Dërguari i Zotit në tokë, dhe kjo ndodhi kur ai ishte në moshën 40 vjeçare.
Vdekja e tij, e cila ndodhi në 12 Rebiul Evvel ishte një ngjarje shumë e vështirë për myslimanët. Sepse, me vdekjen e tij u ndërpre shpallja që vinte nga qielli. Ndërsa prej këtyre ngjarjeve më e rëndësishmja ishte hixhreti i Pejgamberit, i cili pas hixhretit ndërtoi një shoqëri islame, një shtet të fuqishëm, prodhoi një kulturë dhe një civilizim ta pa përsëritur në historinë e njerëzimit. Këtë ngjarje Umeri e mori edhe si pikënisje e llogaritjes së kohës, sepse ishte ngjarja më e rëndësishme te ta. Sikur që tha Umeri: “Hixhreti e ndau të vërtetën nga e pa vërteta dhe filloni matjen prej saj”.
Njerëzit jetonin në një injorancë të madhe, në një errësirë të verbër, në një fatkeqësi të rëndë. Kishin tejkaluar kufijtë e njerëzores, mësimet e librave të mëhershme, të zbritura nga Allahu i kishin ndryshuar dhe zëvendësuar me mendimet e tyre. Njerëzimi kishte nevojë për një shpëtimtarë, i cili do ti largojë këto errësira nga jeta e tyre. Kishin nevojë për një shpëtimtarë i cili e kthen njerëzimin në binarët e duhur, në adhurimin e krijuesit të tyre. Shpëtimtari i njerëzimit ishte Muhamedi alejhi selam, të cilin Allahu e dërgoi për ti nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë. Nevoja e njerëzve për këtë pejgamber ishte më e madhe se nevoja e tyre për ushqim, pije dhe frymëmarrje. Muhamedi ishte ai i cili largonte perdet e errësirës nga sytë e njerëzve. Ishte ai i cili sakrifikonte vetën e tij për të mirën e njerëzimit. Ishte ai i cili ia mësonte njerëzimit atë që është morale, e dobishme për këtë botë dhe për botën tjetër.
Detyrimet që kemi ndaj këtij njeriu janë mbi çdo detyrim ndaj ndonjë krijese. Dashuria që duhet të kem për këtë njeri duhet të jetë mbi çdo dashuri ndaj ndonjë krijese, respekti që duhet ta gëzoj ky njeri në mesin ton duhet të tejkaloj çdo respekt që bëhet ndaj ndonjë krijese, nënshtrimi dhe dëgjimi i porosive dhe fjalëve të tij duhet të tejkaloj çdo porosi apo dëgjim që kërkohet prej ndonjë krijese.
Detyrimet tona ndaj këtij njeriu janë të shumta, që çdo mysliman duhet ti njoh dhe të veproj me to. Si ka mundësi njeriu të tregoj dashuri ndaj këtij njeriu, kur nuk praktikon dhe nuk vepron me porosit e tij?!. Prej këtyre detyrimeve do të veçojmë disa prej tyre:
Besimi në të- Besimi në Muhamedin se është i Dërguar i Allahut është kusht i besimit,që nuk mund të realizohet besimi në Allahun nëse nuk besojmë në pejgamberllëkun e tij. Ai është hallka e fundit e vargut të pejgamberëve të cilët ne i besojmë. Allahu thotë në Kuran: “Prandaj besoni në Allahun, në të Dërguarin e Tij dhe në dritën (Kuranin), që ju kemi zbritur (Tegabun 8). Besimi me zemër, shprehja me gjuhë, dhe veprimi me atë që ka urdhëruar Muhamedi alejhi selam është prej gjërave që kërkohet për besimin në të. Po ashtu në atë që ai ka treguar për atë që ka me ndodhë është prej kushteve të besimit në të. Ai i cili dyshon në misionin e tij llogaritet jobesimtarë, edhe nëse pretendon se ka besuar në Allahun.
Dashuria ndaj tij- Ky është njëri prej detyrimeve që kemi ndaj tij. Allahu ka obliguar dashurin ndaj tij dhe që kjo dashuri të jetë mbi çdo dashuri ndaj ndonjë krijese. Allahu thotë në Kuran: “Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni deri sa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e pabindur.” (Tevbe 24). I Dërguari i Allahut thotë: “ Nuk ka besuar ndonjëri prej jush deri sa të jem unë më i dashur te ju se prindit, fëmijët dhe njerëzit në përgjithësi” (shënon Buhariu). Prej shenjave të dashurisë së Pejgamberit është me i dhënë përparësi asaj që e ka dashtë Pejgamberi nga ajo që donë njeriu. Prej dashurisë ndaj Pejgamberit është besimi ndaj lajmeve të tij, respektimi dhe përkujtimi i tij kur ai përmendet në një mes.
Respektimi dhe zbatimi i urdhrave të tij- Respektimi dhe zbatimi u urdhrave të tij është detyrim prej detyrimeve më të mëdha që kemi ndaj Pejgamberit. Allahu thotë: “O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit dhe mos i çoni dëm veprat tuaja”! (Muhamed 33). “Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i arrijë ndonjë sprovë ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm” (Muhamed 63). I Dërguari i Allahut ka thënë: “Krejt ummeti im do të hyjnë në xhenet, përveç ai i cili nuk dëshiron. I thanë e kush nuk dëshiron o i Dërguari i Allahut?! Tha: Ai i cili m respekton mua ka hyrë në xhenet ndërsa ai i cili më kundërshton mua nuk dëshiron xhenetin” (shënon Buhariu). Është obligim i yni që ta respektojmë Pejgamberin në atë që ka lejuar ai dhe në atë që ka ndaluar. Sepse, ai nuk fletë nga hamendja, por atë që e thotë ai është shpallje. I Dërguari i Allahut tha: “Dijeni se atë që e ka ndaluar i Dërguari i Allahut është sikur ta ketë ndaluar Allahu” (shënon Hakimi, Tirmidhiu dhe Ibën maxheh me zinxhir të vërtetë). Prej respektimit të tij është të kapurit për sunetin (traditën e tij), ndjekjen e rrugës së tij në adhurim, në të folur, në pastrim të trupit dhe rrobave, në ngrënie dhe pije.
Pasimi i rrugës së tij- prej detyrimeve që kemi ndaj pejgamberit është pasimi i rrugës së tij. Pasimi në çështjen e besimit në të, në shprehje dhe në vepra. Që të jetë besimtari prej atyre që e donë Pejgamberin duhet të pasoj rrugën e tij dhe këtë ta bëjë me kënaqësi dhe nënshtrim të plotë. I Dërguari i Allahut tha: “Kush jeton pas meje do të sheh mospajtime të mëdha. Kapuni për rrugën time dhe rrugën e udhëheqësve të drejtë. Kapuni për të me dhëmballë”. Besimtari është i obliguar që të pasoj rrugën e Pejgamberit, mos të shpikë gjëra të reja në fe dhe të largohet nga çdo mendim, fjalë dhe veprim që kundërshton rrugën e tij.
Të jetë shembull dhe model për ne i Dërguari i Allahut- Prej detyrimeve që kemi ndaj Pejgamberit është që ai të jetë model dhe shembull në jetën ton. Të jetë shëmbëlltyrë në vetën ton, në familjen ton, në shtëpinë ton, në sjelljen dhe moralin ton, në raport me fqinjët, të afërmit, të moshuarit, të vegjlit dhe me të gjithë njerëzit në përgjithësi. Allahu thotë në Kuran: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun” (Ahzab 21).
Rruga e Pejgamberit nuk është sikur rruga e të tjerëve. Fjalët e Pejgamberit nuk janë sikur fjalët e të tjerëve. Përmendja e Pejgamberit nuk është sikur përmendja e ndonjë njeriu. Besimtari nuk kundërshton fjalën e tij, nuk e ngrit zërin e tij mbi fjalët e Pejgamberit. Kur përmendet Pejgamberi dërgon përshëndetje mbi të duke thënë Sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Besimtari i donë shokët dhe familjen e tij. Besimtari nuk lejon në asnjë mënyrë të fyhet Pejgamberi, të shpifet për të, ty, apo të cenohet nderi i tij dhe familjes së tij. Për besimtarin shpifja ndaj tij dhe familjes së tij, fyerjen ndaj tij dhe familjes është shumë më i lehtë dhe më i përballueshëm se këto gjëra të bëhen ndaj Pejgamberit. Këto janë disa nga detyrimet dhe obligimet që kemi ndaj të Dërguarit të Allahut. Kështu manifestohet jeta e tij. Kështu manifestohet pjesa e dytë e deklaratës islame se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Allahut.
Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati