- Si çdo individ, edhe besimtari është pjesë e rëndësishme dhe e pandashme e shoqërisë dhe jetës shoqërore, ndaj së cilës ka obligime të ndryshme, varësisht nga jeta, profesioni, puna, vendi etj. Përveç detyrave ndaj Krijuesit, fesë, familjes, shoqërisë dhe rrethit ku jeton dhe vepron, ai ka detyra të rëndësishme edhe ndaj vendit ku ka lindur, ku jeton, ku vepron dhe ku gjen qetësinë dhe ndjehet komod, pra ndaj atdheut të tij.
Ç’ËSHTË ATDHEU?
Vendi ku kemi lindur dhe jetojmë ne dhe ku kanë jetuar të parët tanë, vendi ku banon prej kohësh një popull a një komb, vendi ku lind e zhvillohet diçka për herë të parë. Pra, njeriu si krijesë e Allahut xh.sh., u krijua nga dheu mbi të cilin ai do të jetojë dhe ai është vendqëndrimi i tij në këtë botë. Njeriu lind, ushqehet, jeton dhe vdes në tokë. Kjo tokë është vendi më i veçantë dhe kuptimplotë, vendi ku individi ndjehet i lirë dhe i gëzuar, pra është atdheu, toka e përbashkët, që njeriu e ndan me llojin e tij njerëzor dhe me krijesat e tjera të Allahut xh.sh .. Atdheu nuk mund të përcaktohet si një vend vetëm me anën materiale si ajri, uji, toka etj., por atdheu e ka edhe anën shpirtërore dhe është burim i tërësisë së vlerave dhe komponentëve të shumta si feja, gjuha, tradita, kultura etj .. Njëkohësisht atdheu ku njeriu është lindur, rritur dhe jeton është shtëpia dhe streha (trualli) e tij më e dashur, ndër dhuratat më të çmuara dhe të veçanta që Allahu xh.sh. i ka dhuruar në këtë botë. Çdo njeri, burimin e dashurisë, mallit, pasionit dhe përkushtimit ndaj atdheut e ka në natyrën e krijimit të tij, burim nga i cili vjen edhe besimi i pastër në Zot.
ATDHEU DHE BESIMI
Njeriu ka në natyrën e tij të pastër, pra në fitre, ndjenjën e të besuarit në Zotin xh.sh .. Në lidhje me këtë, Allahu xh. sh. thotë: “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Rum, 30). Nga ky ajet kuptohet se fitre (ndjenja fillestare për besim) është e pandryshuar, ndjenjë e cila lind dhe vdes me njeriun, e që është burim i pastër i besimit dhe njëkohësisht edhe lidhjes emocionale me atdheun dhe karakteristikat (komponentët) e tij.
Po ashtu, Allahu xh.sh., burimin e lidhjes emocionale dhe dashurisë ndaj vendlindjes na e kujton edhe përmes ajetit: “Prej asaj (tokës) Ne u krijuam ju, e ju do t’u kthejmë përsëri në të, e prej saj do t’ju nxjerrim edhe një herë:’ (Ta Ha, 55), duke na kujtuar që toka është fillimi dhe përfundimi ynë në këtë jetë. Më mirë të jetohet me skamje në vendlindje se me kamje në kurbet, ngase njerëzit më shumë se çdo lloj pasurie i kushtojnë dhe duhet t’i kushtojnë rëndësi vendit të tyre.
Shumë ngjarje dhe fakte historike dëshmojnë për përkushtimin që njerëzit kanë ndaj atdheut. Edhe në Kuran përmenden ngjarje që dëshmojnë lidhjet e fuqishme të njerëzve me tokën dhe atdheun e tyre. Në ajetin: “Sikur Ne t’i urdhëronim ata ‘vritni veten’ ose ‘lini shtëpitë tuaja’, pak prej tyre do ta bënin këtë …” (Nisa 66), Allahu xh.sh. e ka krahasuar dashurinë për jetën me dashurinë ndaj vendlindjes. Një argument tjetër që dëshmon se lidhja me atdheun është një ndjenjë e mishëruar te njeriu është ajeti: ” … e përse të mos luftojmë në rrugën e Allahut, ne që jemi dëbuar nga atdheu ynë dhe jemi ndarë nga femijët tanë?!” (El Bekare, 246), ku Allahu xh. sh. ndarjen nga femijët dhe dëbimin nga atdheu e ka konsideruar si shkak lufte.
Një ndër argumentet më të fuqishme të përkushtimit dhe dashurisë që besimtari duhet të ketë për atdheun e tij është porosia e Jusufit a.s. që trupin e tij të vdekur ta dërgojnë për ta varrosur në atdheun e të parëve të tij, të Jakubit, Is’hakut e Ibrahimit a.s .. Duke i ditur vuajtjet e Jusufit a.s. dhe vështirësitë e tij me vendin e tij, edhe pse vdiq si udhëheqës i Egjiptit, kërkoi që trupi i tij të varroset në vendlindjen e tij.
Dashurinëpër atdheun e kishte të brumosur në shpirt edhe i Dërguari a.s., i cili për dashurinë që kishte ndaj vendlindjes së tij, Mekës së bekuar, është shprehur: “Sa vend i bukur që je, sa e dashur më je! Sikur populli yt të mos më nxirrnin me dhunë prej teje, kurrë nuk do të kisha banuar diku tjetër.” (Tirmidhiu, Menakib, 68). Andaj, besimtari duhet që ta ketë në konsideratë lidhjen burimore të besimit dhe ndjenjës së fuqishme që kanë njerëzit që nga lindja ndaj vendlindjes, dhe si të tillë ta ruajë paralelen e respektit, dashurisë dhe përkushtimit ndaj tyre.
DETYRAT PARËSORE NDAJ ATDHEUT
Besimtari ka për detyrë, që krahas devotshmërisë ndaj Allahut xh.sh. dhe të Dërguarit të Tij, si dhe ndjekjes së parimeve fetare, të jetë i përkushtuar me bindje dhe vepra edhe ndaj atdheut të tij, duke kryer obligimet dhe detyrat që ka ndaj tij. Të gjitha vendet ndërtohen e zhvillohen mbi bazën e dashurisë që njerëzit kanë për to. Andaj besimtari përveç dashurisë dhe lidhjes emocionale ndaj atdheut, duhet të kryej edhe obligimet dhe detyrat ndaj tij prej të cilave mund të veçohen:
DASHURIA
Më sipër u potencua se dashuria ndaj atdheut është e rrënjosur nga Allahu xh.sh. në zemrën dhe gjenet e çdo njeriu. Dashuria ndaj atdheut kërkon sakrificë, vetëflijim, kontribut dhe angazhim maksimal për të mirën e atdheut. Dashuria ndaj atdheut kërkon individë të ngritur shpirtërisht, të ditur, syhapur, të vëmendshëm, prindër të mirë dhe profesionist, të përgatitur e shumë të përgjegjshëm.
DIJA DHE EDUKIMI
Dituria, dija, arsimimi dhe edukimi i drejtë është obligim për çdo besimtar. Me qindra herë në Kuran dhe hadithe të Pejgamberit a.s. është përmendur vlera, nevoja dhe rëndësia e dijes, arsimimit dhe edukimit. Urdhri i parë që ka zbritur, është urdhri për të lexuar, studiuar dhe medituar. Një realitet i njohur për pozitën e diturisë në Islam është po ashtu lirimi i robërve të luftës, të cilët ia kanë mësuar shkrim-leximin një myslimani. Andaj besimtari para së gjithash duhet që të jetë i ditur, të edukoj ë dhe nxisë të rinjtë për të mësuar, studiuar dhe edukuar në frymën shkencore, sepse kështu ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin dhe avancimin e atdheut të tij. Edukimi në frymën fetare dhe kombëtare është një traditë e të gjithë prijësve fetarë të trojeve tona. Andaj këtë traditë duhet ta vazhdojnë me këmbëngulje edhe besimtarët bashkëkohorë.
BESNIKËRIA
Prej virtyteve të larta dhe të pandara të besimtarit është edhe besnikëria, e cila përfshinë adhurimet, detyrat fetare dhe morale, me një fjalë, të gjitha sferat e jetës. Besnikëria e cila fuqishëm mbështetet në sinqeritet dhe ndershmëri, ishte cilësi e çiltër e secilit pejgamber dhe secilit besimtar të devotshëm në jetën e tyre. Standardi i tyre madhor i besnikërisë duhet të jetë model për besimtarin në çdo çështje të jetës, duke ju referuar gjithnjë parimeve fetare (urdhrave të Allahut dhe porosive të të Dërguarit a.s.).
Padyshim se besimtari ka detyrë të jetë besnik edhe ndaj atdheut të tij, që përmes saj të kontribuojë në ngritjen dhe zhvillimin e shtetit dhe kombit të tij, si dhe të ngritë besueshmërinë dhe sinqeritetin në shoqëri. Islami ndalon në çdo aspekt tradhtinë dhe hipokrizinë. Përmes besnikërisë, edhe në çështjen e atdheut, besimtari ka për detyrë të ndalojë tradhtinë dhe hipokrizinë.
MBROJTJA
Duke pasur parasysh që atdheu është vendi ku mbrohen të drejtat, vendi ku njeriu ndihet i lirë dhe i sigurt, vendi ku nuk duhet të ketë shtypje dhe dhunë, Islami ka nxitur besimtarët që të mbrojnë atdheun, duke e konsideruar këtë si një detyrë dhe virtyt të lartësuar dhe të dinjitetshëm. Allahu xh.sh. në Kuran na ka treguar se përgatitja dhe gatishmëria për mbrojtjen e atdheut është obligim: “E ju përgatituni sa të keni mundësi forcë, (mjete luftarake), e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të, (me përgatitje), ta frikësoni armikun e Allahut, armikun tuaj dhe të tjerët, të cilët ju nuk i dini (se kush janë), e Allahu i di ata …” (El Enfal, 60). Për virtytin e mbrojtjes së atdheut, i Dërguari a.s. ka thënë: “Një ditë e një natë roje është më e mirë se agjërimi i një muaji se bashku me faljen e natës. Në qoftë se personi vdes në roje (për shkak se ka vdekur në roje), do t’i vazhdojnë sevapet edhe risku edhe me tej dhe do të jetë i sigurt kur të merret në pyetje nga melekët në varr.”(Muslim, Imare, 163).
Mbrojtja e atdheut nga ana e besimtarit duhet të përfshijë mbrojtjen e tokave, jetës, pasurisë, fesë dhe nderit të njerëzve që jetojnë në atë vend, duke siguruar liri dhe siguri për të gjithë banorët. E shpërblimin e këtij virtyti të lartë më së miri na e tregon i Dërguari i Allahut ku thotë: “Ka dy sy që nuk i prek zjarri i Xhehenemit, syri që qan nga frika ndaj Allahut dhe syri që natën e kalon në roje për Allahun,” (Tirmidhiu, 12). Prandaj, në Islam, mbrojtja e atdheut, me pasuri e me trup, është parim i fesë, dhe numërohet kontribut i shenjtë, i cili gradohet lart dhe shpërblehet shumë nga Zoti. Pikërisht për këtë, sipas mësimeve të Islamit, dëshmorët nuk vdesin.
SAKRIFICA
Sakrifica si urtësi dhe një cilësi trimërie është pjesë e pandashme e jetës së njeriut. Në shumë faza të jetës kërkohet që njeriu të jetë i gatshëm për të flijuar për një çmim apo shpërblim më të madh. Andaj edhe besimtari ndjenjën për të flijuar dhe sakrifikuar e ka të brumosur në qenien dhe shpirtin e tij. Të dërguarit e Allahut xh. sh., si Ibrahimi a.s., Ismaili a.s., Muhamedi a.s. etj., si dhe shumë besimtarë të devotshëm ishin më së shumti të sprovuar me sakrificë dhe vetëflijim. Gatishmëria për të kontribuar për atdhe, në rast se kërkohet edhe dhënia e jetës janë prej virtyteve të pandashme të besimtarit. Besimtari ka për detyrë që kur i kërkohet të luftojë, të japë jetën dhe të flijojë për atdhe, të punojë dhe të veprojë për të mirën e përgjithshme të atdheut dhe t’i shërbejë popullit dhe shoqërisë. Përsiatja e besimtarëve rreth sakrificës dhe flijimit duhet të bëhet preokupiin i vazhdueshëm, që të gjejë mënyrën dhe rrugën që personalisht të sakrifikojë dhe të japë maksimumin për fe dhe atdhe. Sakrifica e besimtarit për atdhe është dëshmi e sinqeritetit dhe përkushtimit ndaj tij.
BAMIRËSIA
Një prej detyrave të besimtarit ndaj atdheut të tij është edhe bamirësia. Bamirësia ndaj atdheut është një detyrë e përhershme, pa marrë parasysh qasjen dhe padrejtësinë e të tjerëve, veçanërisht të pushtetit, ngase atdheu nuk mund të krahasohet me askënd, e as me pushtetin, ashtu siç është urdhëruar dashuria ndaj prindërve, pavarësisht kryerjes së detyrave të tyre ndaj fëmijëve. Nëse prindërit e lënë pas dore detyrimin e tyre për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve dhe nuk e kryejnë siç duhet, kjo nuk e mohon detyrimin për të qenë bamirës ndaj tyre. E njëjta gjë është edhe me atdheun. Njësoj siç nuk mund të justifikohet me asgjë mosbindja ndaj prindërve, po ashtu nuk mund të justifikohet me asgjë pakujdesia jonë ndaj atdheut. Andaj, në çdo kohë besimtari është i detyruar të jetë bamirës ndaj atdheut të tij dhe të kontribuojë për të.
PËRFUNDIM
Krahas detyrimeve që ka ndaj fesë, besimtari ka detyrime dhe obligime edhe ndaj vendlindjes së tij dhe vendit ku ai jeton e vepron. Lidhja emocionale me atdheun dhe dashuria ndaj tij janë të krijuara dhe të brumosura bashkë me krijimin e njeriut. Besimtari duhet të dijë që paralelja mes besimit dhe dashurisë ndaj atdheut duhet ruajtur dhe respektuar. Gjatë tërë jetës së tij duhet që të angazhohet për mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë dhe vendit në të cilin ai jeton. Këtë më së miri mund ta bëjë duke kryer detyrat dhe obligimet ndaj atdheut të tij të përmendura më lartë, si dhe të kujdeset në veçanti për respektimin dhe zbatimin e ligjeve të atdheut të tij, të mos lejojë refuzimin e atdheut dhe çështjeve që lidhen me të dhe të japë maksimumin për zhvillimin dhe avancimin e tij.
Literatura e konsultuar:
Kurani, përkthim dhe komentim nga Sherif Ahmeti
Qazim Qazimi, Histori e qytetërimit islam, Prishtinë 2018
Kontributi i Prijësve Myslimanë në Formimin e Vetëdijes dhe Identitetit Kombëtar, Konferencë Shkencore 28-29 shtator 2012, Tiranë 2013
Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë, Islami nëpërmjet haditheve, Islam Ansiklopedisi, ISAM,
M. Abdullah Draz, Kuran Ahlaki, Istanbu 2009.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Fjalori i shqipes së sotme, Tiranë 2002. Nexhat Ibrahimi, Fjalë pas fjale, Logos-A 2016.
Sead Paqarizi
Dituria Islame 386/387