Hutbeja e parë[1]

            Hamdin ia kushtojmë Allahut për mirësitë që na i ka dhuruar, të cilat nuk numërohen dot; Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, i Cili është i Vetëm dhe pa ortak dhe dëshmoj se zotëriu dhe pejgamberi ynë Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. E dërgoi Allahu me udhëzim dhe fe të vërtetë, e bëri sihariqtar, paralajmërues, thirrës për tek Zoti dhe pishtar ndriçues. O Allah, lavdëroje dhe shpëtojë robin dhe të dërguarin tënd Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, po njashtu edhe të gjithë ata që besuan në kumtesën e tij dhe vepruan me të deri në ditën e gjykimit. Më tej:

            Me të vërtetë, prej mirësive më madhështore për Umetin e Muhamedit, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, është mirësia e Islamit.

            Allahu e dërgoi tek ne një pejgamber nga mesi ynë, origjinën e të cilit e dimë mirëfilli, loze pas loze, denbabaden prej farës më të mirë.

            “Allahu i begatoi besimtarët me dhuratë të madhe, meqë nga mesi i tyre u dërgoi Profet i cili u lexon atyre ajetet e Tij, i pastron ata dhe ua mëson Kur’anin e diturinë e hollë. Ata, më parë, me të vërtetë, ishin në rrugë krejtësisht të gabuar.”[2]

            Me të Allahu i nxorri nga errësirat në dritë, prej përgjumjes e dremitjes në zgjim e kthjelltësi, nga padituria në dituri e njohje, nga përçarja në unitet, nga armiqësia në vëllazëri, nga poshtërsia në krenari, nga urrejtja në afërsi vëllazërore, nga lojërat e dëfrimet në seriozitet dhe punë, nga skllavëria në liri, nga shkatrrimi në shpëtim dhe nga buza e humnerës së zjarrit në kopshtet e xhenetit!

            Ua zgjodhi atyre një fe të fortë e fisnike, ligj të kompletuar, gjithpërfshirës, të përkryer dhe të mjaftueshëm sa i përket besimeve që përmban, koncepteve, adhurimeve, ritualeve, raporteve ndërnjerëzore, ekonominë, sjelljeve, moraleve, lutjeve dhe politikave. Andaj u dorëzuan të dëshpëruar armiqtë e Islamit që ta arrijnë, ta devijojnë apo mangësojnë.

            “Sot, dëshprohen ata, që nuk besojnë dhe kanë humbur çdo shpresë, që t’ju prishin dispozitat e fesë suaj. Mos u frikësoni prej tyre, por druani (vetëm) prej Meje! Sot ua përsosa dispozitat e fesë suaj dhe ua plotësova dhuntinë Time ndaj jush. Jam i kënaqur që feja islame të jetë fé e juaja.”[3]

             U plotësuan fjalët e Zotit tënd, që janë kulmi, i së vërtetës dhe i drejtësisë; fjalët e Tij askush nuk mund t’i ndryshojë. Ai dëgjon çdo gjë dhe di çdo gjë. Nëse i përulesh shumicës së njerëzve që gjenden në tokë; ata do të të shmangin nga rruga e Zotit. Ata ndjekin vetëm hamendjet. Ata vetëm gënjejnë.”[4]

            “E ai që kërkon tjetër fe përveç islamit, nuk do t’i pranohet, dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.”[5]

            Allahu i ka bërë detyrë vetvetës ta ruajë dhe mbrojë këtë fe nga tekat dhe qejfet e njerëzve të devijuar, devijimet dhe shtrembërimet e të humburve e falsikatorëve, skajshmërive të ekstremistëve, pra armiqtë e Islamit s’kanë kurrfarë mundësie ta prekin me dorë atë. Ne, me të vërtetë, kemi shpallë Kur’anin dhe, Ne, me të vërtetë, do ta ruajmë atë (origjinalitetin e tij).”[6]

            Po sikur atë ditë që ka zbritur, është edhe sot, pas kësaj një mijë e katërqind vitesh, e armiqtë s’arrin t’i bëjnë gjë, e kështu do të jetë gjithherë, inshaAllah!

            Po gjithashtu, Allahu i ka bërë detyrë vetës gjithkë që e praktikon me fjalët, veprat dhe bindjet e tij këtë fe, ta ruajë, forcojë, ndihmojë dhe t’i japë fitore dhe t’ua prishë kurthet armiqëve të tyre.

            “Allahu, u ka premtuar disave prej jush, që kanë besuar dhe që punojnë vepra të mira – se do t’i bëjë sundimtarë në Tokë, ashtu, si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur, dhe që do t’ua shndërrojë atyre – pas frikës, sigurinë. Ata, më adhurojnë Mua, e nuk më bëjnë shok asgjë. E, kush bën mohim pas kësaj, ata janë ngatërrestarë të vërtetë.”[7]

            Me të vërtetë, kjo fe ka armiq dhe hasëm, të cilët u paraqitën që në ditën e parë kur u zbrit shpallja dhe u shfaqë kumtesa pejgamberike, po edhe më pas në gjeneratat e dalluara islame, pra në çdo kohë e në çdo vend.

            “Si për ty ashtu edhe për çdo profet, Ne kemi krijuar armiq djajtë e njerëzve dhe të xhinëve, të cilët i flasin njëri-tjetrit fjalë të zbukuruara për t’i mashtruar. E, sikur të donte Zoti yt, ata nuk do të bënin atë; andaj, lëri ata dhe atë, që trillojnë ata!”[8]

            Ata, armiqtë, përpiqen në vazhdimësi që t’i ndalin muslimanët nga feja e tyre, t’u fusin dyshime në akiden e tyre dhe në rregullin e Zotit të tyre, orvaten prore t’i hallakasin ndërmjet veti, e t’iu fusin përçarje, t’ia sakatojnë unitetin, e t’ua dobësojnë forcat dhe vendosmëritë.

            As hebrenjt, as të krishterët nuk do të jenë të kënaqur me ty, për deri sa të mos pranosh besimin e tyre. Thuaju: “Vetëm drejtimi i Allahut është i drejtë!” E, në qoftë se pas asaj diturie që të ka zbritur ty, ti ndjek dëshirën e atyre, atëherë prej dënimit të Perëndisë ti nuk do të kishe kurrfarë mbrojtësi as kurrfarë ndihmëtari.”[9]

            Gjithsecili që i është kushtuar kësaj feje duke iu përmbajtur dispozitave dhe porosive të saj, gjithherë i janë vërsulur armiqtë, ngase çdo njeri që ka mirësi e begati rrezikohet nga xhelozia e ziliqarëve, e ju o muslimanë në këto toka (Gadishulli arabik, gjegjësisht Arabia Saudite) jeni në vende më të ruajtura, pra edhe për ju kanë zili, për shkak të mirësive të shumta që i keni; besimi në Allahun, veprimi sipas sunetit të të Dërguarit të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, sigurimi, stabiliteti, rahatia, shëndeti, e madje ndonjëri prej jush e lë të hapur derën e shtëpisë natë e ditë, e nuk frikësohet prej askujt përveç Allahut, sikurse edhe udhëton gjithkah do me pasurinë e tij, e flen në shkretëtirë e s’i ka frikë kujt përpos Allahut.

            Porse ju e dini se si ishte gjendja më parë: frikë, uri, hajni, grabitje, derdhje gjaku e kaos.

            E, Allahu i Madhërishëm e ndrroi atë gjendje, nga frika në siguri, nga uria në ngopje, nga kaosi në drejtësi e rend; E gjithë kjo me mirësinë e Allahut, -subhanehu ue te’ala!-, e pastaj me mirësinë e këtij pushteti i cili e bëri kushtetutë Kuranin, e sistem të vetin Islamin, pra gjykojnë me atë që e ka zbritur Allahu, punojnë me Sheriatin e Allahut, i përmbahen ritualeve të fjalës së dëlirësisë, vërtetësisë dhe tevhidit: La ilahe ilAllah, Muhammed resulullah; Morali i tij është drejtësia, urdhërimi në të mirë, ndalimi nga e keqja; I frikësohen dhe i druhen Allahut, e kështu u përhap siguria dhe Allahu ia hapi thesaret e tokës e u shtuan të mirat, e si rrjedhim vendit dhe popullit tonë iu dha një pozitë e lartë e veçanëri domethënëse në botë, e na vien të gjitha frytet e çdo gjëje në botë, nga të gjitha anët e globit.

            E gjithë kjo është prej mirësive të Allahut për ne, andaj duhet ta falënderojmë Allahun, sikurse duhet edhe t’i ruajmë e mos t’i humbasim këto begati. Pra t’i kemi frikë Allahut se si sillemi e veprojmë me këto mirësi, o ju besimtarë, druajini Allahut, pra t’ia japim hakun këtyre të mirave të Zotit.

            Prej dënimit të Allahut për këtë umet është që në krye të udhëheqësisë së tyre të vijnë njerëzit më të këqinjë dhe më mendjelehtë, gjykojnë në ta me ligje të tjera, e jo me ligjin e Allahut, i ndalojnë njerëzit nga ritualet që i ka ligjësuar Allahu për robërit e Vet, ua vjedhin pasuritë e as që mbajnë drejtësi mes popullatës.

            E më e rëndë se kjo është ajo që bëjnë disa udhëheqës duke akuzuar dinin e Allahut, e duke e refuzuar Sunetin e të Dërguarit të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, e nuk marrin porositë e imamëve të udhëzimit dhe devoshmërisë.

            Ndaj, o muslimanë, keni kujdes nga armiqtë e juaj dhe armiqtë e fesë suaj.

            “E ti, mos mendo, kurrsesi, që Allahu nuk vëren atë që punojnë zullumqarët! Ai, vetëm ua shtyen (dënimin) deri në Ditën kur sytë e tyre do të mbeten të hapur.”[10]

           

            Hutbeja e dytë

            Ç’ka duan prej Umetit?!

            Ju këshilloj juve, sikurse edhe vetvetën, t’i keni frikë Allahut, të Lartit! Dijeni se armiqtë tuaj dhe armiqtë e fesë suaj shpezojnë e harxhojnë gjithçka që posedojnë që t’ju ndalin juve dhe t’ju largojnë nga feja juaj dhe rruga e Zotit tuaj; Armiku i dukshëm e i qartë është i njohur, duhet të ruhemi prej tij. Por edhe më i rrezikshëm se ai është hipokriti që pretendon Islamin, ky armik i Islamit është ai që po tallet me fenë, e po e refuzon Sunetin e të Dërguarit të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-. E, të vërtetën e ka thënë Allahu:

            “Tregoju atyre për njeriun, të cilit Ne ia kemi dhënë argumentet Tona, e i cili është zhveshur prej tyre, e djalli e ka bërë për vete, dhe, ai është bërë i humbur. Sikur të donim Ne, do ta ngritnim atë (në shkallën e të mirëve) me argumentet Tona, por ai iu kthye tokës (kësaj jete) dhe ndoqi epshin e vet. Shembulli tij është si shembulli i qenit: nëse e ndjekë, ai e qet gjuhën, nëse largohesh, ai, përsëri e qet gjuhën. Ky është shembull i njerëzve, që i konsiderojnë gënjeshtra argumentet Tona. E, tregoju këto ngjarje, që të mendojnë ata.”[11]

Shejh Abdullah bin Muhamed bin Zahim[12]

Nga arabishtja: Mirsim Maliqi

[1] E mbajtur më 01.05.1410 (nëntor 1989), në xhaminë e të Dërguarit të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem-.

[2] Kurani, Ali-Imran:164

[3] Kurani, El-Maide: 3

[4] Kurani, El-En’am: 115-116

[5] Kurani, Ali-Imran: 85

[6] Kurani, El-Hixhër: 9

[7] Kurani, En-Nur: 55

[8] Kurani, El-En’am: 112

[9] Kurani, El-Bekare: 120

[10] Kurani, Ibrahim: 42

[11] Kurani, El-E’araf: 175-176

[12] Abdullah bin Muhamed bin Zahim, Khutabul-xhumei vel-e’ajad, vëll. 1, f. 19-24