Hutbeja e parë
Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e devijon dhe kë e largon nga rruga e vërtet Ai s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë vetëm se Allahut, azze ue xhel, që është Një dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.
O ju robërit e Allahut,
Disa prej muslimanëve në këtë kohë bashkëkohore u sprovuan me botën e materializmit. Një grup prej tyre u dhanë pas epsheve e pasioneve duke i marrë ato për zotra, e grupin tjetër e mundën dhe e kapluan dyshimet e lindjes dhe perëndimit, kështu që devijuan prej kuptimit të drejtë të ligjeve të Allahut, dyshimin e shëndrruan në argument, ndërsa për jobesimtarët thanë se e flasin gjithmonë të vërtetën dhe se ata nuk e veprojnë përveçse të mirën. Si pjellë e këtyre bindjeve, në shoqëritë muslimane u përhapën sëmundje të ndryshme që nuk njiheshin më herët tek baballarët e tyre dhe u sprovuan me skamje e varfëri, me thatësi e vërshime dhe luftëra e përçarje.
Çdo sherr dhe bela vjen si pasojë e mëkateve dhe gjynaheve. Nëpërmjet mëkatit Iblisi e shëndrron besimin në mohim, mëshirën në mallkim, xhenetin në zjarr. Popullin e Nuhit e fundosën vërshimet, popullin e Adit e shkatërroi furtuna, popullin e Themudit e goditi një zë i tmerrshëm, popullit të Lutit iu përmbysën shtëpitë dhe mbi ata u lëshuam gurë nga balta e pjekur, duke rënë vazhdimisht, si shiu. Kjo, si pasojë e mëkateve të tyre: “Ne të gjithë i dënuam për gjynahun e vet: disave u dërguam furtunë, disa syresh i goditi një zë i tmerrshëm, disa prej tyre i gëlltiti toka dhe të tjerët i përmbyti uji. Allahu nuk u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes”. Ankebut 40.
Në çdo vend ku janë paraqitur mëkatet e kanë shkatërruar atë, çdo zemër që e kanë kapluar veçse e kanë verbëruar dhe në çdo popull që janë shpërndarë veçse e kanë poshtëruar e nënçmuar. Gjurmët e tij ndikojnë thellë në shpirtra dhe familje, në tokë dhe det, në ajër dhe qiell. I devijon mendjet dhe zemrat, e rebelon robin ndaj Krijuesit dhe e zhdukë frikën prej zemrave të robërve: “E atë që e poshtëron Allahu, askush nuk mund ta bëjë të nderuar.” Haxh 18.
Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, shënon një hadith në Musnedin e tij prej Abdurrahman ibën Xhubejr ibën Nefirit i cili thotë se babai i tij ditën kur u çlirua Qiproja e kishte parë Ebu Derdan, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ishte ulur dhe qante. I thashë: “Pse qan o Ebu Derda në këtë ditë kur Allahu e ngriti Islamin dhe muslimanët?” Mu përgjigj: “I mjeri ti o Xhubejr! Populli më i përbuzur tek Allahu është ai i cili rebelohet ndaj urdhërave të Allahut. Ky popull kishte mbret të fortë dhe ushtri të fortë, mirëpo kur nuk e respektuan urdhrin e Allahut erdhën në këtë gjendje të cilën ti e sheh.”
Mëkatet dhe gjynahet janë shkaktarë të brengave, pikëllimeve dhe problemeve shpirtërore. Ato janë burim i përtacisë, i paaftësisë, i shpërndarjes së papunësisë, ku si pasojë e saj vijnë frika dhe koprracia, zhytja në borxhe dhe mundimet e njerëzve. Me veprimin e saj zhduken begatitë, lejohen ndëshkimet, vijnë sëmundjet dhe meritohet zemërimi i Allahut. Kur sprovohet robi me mëkate zemra i egërsohet, me muslimanët dhe njerëzit e mirë lidhja i dobësohet, familja dhe të afërmit i ashpërsohen. Një prej selefit thoshte: “Mëkatin që ia bëja Allahut e vëreja në sjelljen e gruas sime dhe kafshës sime.”
Kush i afrohet mëkatit dhe e vepron, në zemër i lind dashuria ndaj tij, fillon ta pranon lehtë dhe kështu vazhdon deri sa e shëmtuara e mëkatit t’i duket e mirë, e pastaj fillon ta vepron haptazi në publik. Shumica e mëkatarëve nuk i shpëtojnë kësaj gjendjeje, ashtu siç na paralajmëron edhe hadithi i Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem: “I gjithë Umeti im është i falur, përveç ata që i veprojnë mëkatet haptazi. Prej mëkateve të vepruara haptazi është kur njeriu bën diçka natën dhe Allahu ia fsheh atë, ndërsa ai me të gdhirë në mëngjes i tregon shokut të tij: “Unë mbrëmë kam bërë këtë e këtë mëkat”. Allahu e ka fshehur, ndërsa ai në mëngjes e ka publikuar atë që Allahu ia ka fshehur”.
Prej veprimit të mëkateve haptazi është kur tregtari flet për mashtrimet e tij në mallin që e shet dhe atë ta konsiderojë si shkathtësi dhe mjeshtëri. Po ashtu prej veprimit të mëkateve haptazi është përmendja e mëkatit dhe shpërndarja e tij, pastaj shpërndarja e fotove dhe fjalëve që janë në kundërshtim me virtytet e larta të moralit. Kjo është hapje e derës së belasë dhe një pjesë e madhe e fajit bie mbi mjetet e informimit. Belaja më e madhe bëhet kur mëkatari kënaqet me veprimin e mëkatit dhe me rritjen e numrit të tyre, nuk ndjen në vete frikë prej dënimit, gëzohet me fitimin dhe ngrënien e pasurisë haram, e ndoshta si shkak i mëkateve të shumta në zemrën e tij zhduket xhelozia ndaj familjes dhe të afërmve të tij, nuk e mohon të keqen dhe nuk e ndalon të shëmtuarën. Ai i cili vepron kështu në familje është krijesa më e keqe tek Allahu dhe xheneti i bëhet i ndaluar, ashtu siç na njofton edhe Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem: “Tre lloje të njerëzve nuk do të hyjnë në xhenet dhe nuk do t’i shikojë Allahu në Ditën e Kiametit: Ai i cili nuk i respekton prindërit, gruaja e cila iu përngjan burrave dhe dejuthi (ai i cili nuk e mbron nderin e familjes së tij).”
Veprimi i mëkateve të njëpasnjëshme i shkëput rrugët që çojnë deri tek nënshtrimet dhe mirësitë, prandaj zemrat dhe shpirtrat ngurtësohen dhe largohen prej pendimit të sinqertë. Argument për këtë i ke vet mëkatarët, të cilëve gjuhët u lëvizin me pendim dhe falje, mirëpo zemrat e tyre këtë e refuzojnë dhe nuk e pranojnë, i kërkojnë mëkatet dhe veprimin me to. Kjo është prej sëmundjeve më të mëdha.
O ju musliman,
Në shumë shoqëri u përhap imoraliteti, kamata, pirja e alkoolit dhe droga. U shpeshtua ngrënia prej pasurisë haram, mashtrimet morën lloj-lloj forme, dëshmitë dhe betimet e rrejshme u shtuan, muzika dhe veglat muzikore u lejuan, dhe u përhap morali i ulët dhe traditat e shëmtuara tek rinia. Deri kur kjo mungesë vëmendjeje ndaj ligjeve të Allahut? Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga ndjenja e sigurisë nga të papriturat e Allahut: “Kjo ndodh se Allahu nuk ia ndryshon kurrë një mirësi që ia ka dhënë një populli, derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në veten e tyre.” Enfal 53.
Një popull kur është i pavëmendshëm ndaj ligjeve të Allahut fundoset në epshe e pasione, e devijon rrugën e saj dhe bie në rrugë të keqe. Ky është ligj i Allahut, atëherë kur përhapen të këqijat dhe ngrihet jeta mbi mëkate e gjynahe.
Prandaj frikojuni Allahut, njihuni me ligjet e Allahut dhe largohuni prej mëkateve.
Allahu, azze ue xhel, thotë: “Sa herë që çonim të dërguar në ndonjë vendbanim, Ne i dënonim banorët e tij me skamje dhe sëmundje, në mënyrë që të përuleshin. Pastaj ua shndërronim fatkeqësinë në lulëzim. Por, kur shtoheshin e begatoheshin, ata thoshin: “Edhe etërit tanë i patën goditur hidhërimet e gëzimet”. Kështu që Ne i dënonim papritmas, pa e marrë vesh ata. Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë. A janë të sigurt banorët e këtyre qyteteve se nuk do t’iu vijë dënimi Ynë natën, ndërkohë që flenë?! A janë të sigurt ata se nuk do t’iu vijë dënimi Ynë ditën, ndërkohë që argëtohen?! A janë të sigurt ata nga të papriturat e Allahut? Vetëm ata që janë të humbur nuk u frikësohen të papriturave të Allahut.“ Earaf 94-99.
Hutbeja e dytë
Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve dhe qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.
O ju musliman,
Largojuni mëkateve dhe shtoni prej veprave të mira. Abdullah ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me ta, thoshte: “Vepra e mirë dhuron shkëlqim në fytyrë, dritë në zemër, zgjerim në furnizim, fuqi në trup, dashuri në zemrat e robërve, ndërsa vepra e keqe dhuron nxirje në fytyrë, errësirë në zemër, pakësim në furnizim, lodhje në trup dhe urrejtje në zemrat e robërve.”
Imam ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, i numëroi gjurmët të cilat paraqiten si rezultat i largimit të njeriut prej mëkateve. Prej atyre i dalloi: “Mbrojtjen e nderit, mbrojtjen e pasurisë, mbrojtjen e mendjes dhe fesë, zgjerimin e gjoksit, pakësimin e brengave dhe pikëllimeve, përmirësimin e jetesës, krenarinë me veten, lehtësimin e furnizimit, lehtësimin e problemeve dhe vështirësive, lehtësimin e kryerjes së adhurimeve, dashurinë e robërve ndaj tij, zvogëlimin e dynjasë në zemrën e tij, shijimin e kënaqësisë së adhurimeve dhe imanit, e kështu me radhë.”
O ju vëllezër musliman,
Ruajuni prej nënçmimit të mëkateve të vogla dhe zvogëlimit të rëndësisë së tyre në sytë e juaja. Sa më shumë që robi e rrit mëkatin në sytë e tij, aq më shumë zvogëlohet tek Allahu, dhe sa më shumë që robi e zvogëlon në sytë e tij aq më shumë rritet tek Allahu. Përcillet se disa prej selefit thoshin: “Mos e shiko masën e mëkatit të vepruar, por shiko madhështinë e Atij që i bëhet mëkat.”
Nga arabishtja: Irfan JAHIU