Dr. Sedat ISLAMI

DA’VEJA ISLAME VËSHTRUAR SIPAS HISTORIVE TË RRËFYERA NGA PROFETI MUHAMMED 

HYRJE RRETH TREGIMEVE NË DA’VE DHE TREGIMEVE PROFETIKE

Si gjini letrare, tregimi ka një rëndësi të veçantë. Fakti se me të depërtohet shpejt tek audienca dhe përfitohen lehtë zemrat e njerëzve, ka bërë që të përdoret që nga fillimi si metodë e shpjegimit të fesë. Në të vërtetë, është vet Kur’ani, si referenca e parë e Islamit, ai që përmban rrëfime të shumta, të cilat janë legjitimuese për aplikimin e tregimit në fushën e predikimit. Kjo seri artikujsh mëton të hedh dritë mbi tregimet profetike dhe rëndësinë e tyre në fushën e Da’ves -predikimit islam. 

1. RËNDËSIA E TREGIMEVE NË DA’VE

1.1. Klasifikimi i tregimeve në fushën e Da’ves

Tregimi klasifikohet në kuadër të mënyrave dhe mjeteve të prezantimit të fesë. Tregimi nënkupton ‘aftësinë për t’iu folur njerëzve dhe për t’i këshilluar duke u mbështetur në ngjarjet dhe rrëfimet e njerëzve të mëparshëm.’[1] Muhammed Benî Amir duke folur për tregimet në fushën e Da’ves, thotë: “Argumentimi me tregimin kur’anor në fushën e Da’ves është më se i domosdoshëm. Kjo, sigurisht, për shkak të përmasave të rëndësisë së saj. Tregimi kur’anor na prezanton personazhet, lëvizjet, moralin e tyre, bindjet, idetë, hapësirën kohore dhe gjeografike të tyre. Po kështu na prezanton sjelljet, veprat dhe diskutimet e tyre, duke ofruar kështu një imazh më të qartë dhe një ide më të pranuar tek njerëzit.”[2]

Referuar përmbajtjes edukative të tyre, tregimet janë një metodë ndërmjet urtësisë dhe këshillës së mirë.[3] Për këtë shkak: “Tregimet janë mënyrë e përsosur, artistikisht, dhe e dobishme, profesionalisht, e kumtimit të fesë nëse predikuesi ka shkathtësinë e prezantimit të tyre dhe përkufizimit në tregime që përmbajnë këshilla dhe mësime të mëdha.”[4]

1.2. Kur’ani dhe Sunneti për tregimet

Se tregimet kanë rëndësi të madhe, flasin një varg citatesh fetare, si nga Kur’ani, si nga Sunneti. Sa për ilustrim, do të përmendim disa prej tyre. Në Kur’an, Allahu na flet për profetët (a.s.) dhe përvojat që kishin me popujt e vet dhe për reflektimin që këto përvoja kanë fillimisht tek Profeti Muhammed (a.s.), si predikuesi i parë dhe mësuesi i predikuesve pas tij, e pastaj edhe tek ne, pasuesit e tij. Allahu thotë: “Ne e kemi dërguar Nuhun te populli i tij – e ai qëndroi në mesin e tyre një mijë pa pesëdhjetë vite…” [El Ankebut: 14.]

 Ajete që na shpalosin detaje nga përvojat e Profetëve (a.s.) me popujt e tyre ka goxha shumë. Ato, shprehur me terma shkencor, janë 1/3 e përmbajtjes kur’anore,[5] dhe që të gjitha, kanë qëllime të përgatitjes shpirtërore, morale dhe fizike për këtë rrugë të vështirë. Allahu na mëson: “Në tregimet e atyre (pejgamberëve) ka këshilla për ata që janë mendarë…” [Jusuf: 111.]; “Ne po t’i tregojmë ty të gjitha lajmet e pejgamberëve, për të ta forcuar zemrën…” [Hud: 120.]

Ibn Kethiri duke shpjeguar këto ajete thotë: Ajetet në të cilat shpalosen përvojat e Profetëve (a.s.) me popujt e tyre janë mesazh për Profetin tonë që ata t’i merr shembuj dhe modele për misionin e vet.[6]

Këtë metodologji të përforcimit shpirtëror nëpërmjet rrëfimeve e gjejmë dhe në hadithe profetike. Habbab bin Eretti rrëfen të ketë shkuar tek Profeti Muhammed (a.s.) dhe t’i jetë ankuar për sprovat dhe belatë që i kishin goditur, respektivisht të kërkonte prej tij të lutej që Allahu t’ua largonte. Duke qenë se kjo rrugë nuk është pa sprova dhe këto që i përjetojnë sot këta besimtarë i kanë përjetuar edhe të parët, Profeti (a.s.) përdori tregimin si mjet motivues. Siç rrëfen Habbabi, ai iu kishte thënë atyre: «Në gjeneratat para jush, kishte burrë (besimtar) të atillëqë sillej (për tu ekzekutuar para tiranëve), i hapej një gropë në tokë (ku vendosej) ndërsa mbi kokë i vihej sharra, e cila e ndante në gjysmë, por kjo nuk e largonte atë nga feja. I krihej trupi me krehër të hekurt të cilët ia ndanin mishin nga kockat por kjo nuk e largonte nga feja e vet. Pasha Allahun, çështja (e kësaj feje) ka për tu plotësuar aq sa udhëtari do të udhëtojë nga San’aja në Hadrameut ndërsa nuk do të ketë frikë askënd përveç Allahut të Madhëruar, apo ujkut për kopenë e tij, por ju po nguteni!»[7]

Arsyeja pse Profeti (a.s.) kërkoi të mos i përshpejtonin gjërat ishte se nuk ishin të vetmit këta që duronin, edhe para tyre kishte besimtarë (profetë e të tjerë) që sprovoheshin, madje deri në këtë masë, por nuk e linin fenë. Kështu, urtësia pse ua rrëfeu këtë ngjarje nga e kaluara qëndron në forcimin e tyre për të duruar sprovat me të cilat ballafaqohen.[8] 

Natyrisht, ka edhe hadithe tjera të shumta që trajtojnë këtë aspekt. Ato edhe do të jenë objekt studimi në këtë seri.

1.3. Rëndësia dhe objektivat e përgjithshme të tregimeve fetare 

1)      Tregimet e Kur’anit janë mjet i Da’ves.[9] Tregimet arrijnë më së miri ta përcjellin mesazhin ose arrijnë në atë formë që mënyrat dhe metodat tjera nuk arrijnë dot.[10]

2)      Tregimet fetare të marra nga Kur’ani dhe Sunneti janë të sakta. Ato nuk janë fantazi por ndodhi dhe ngjarje të vërteta që janë dëshmi për historinë.[11] Për shkak të përmbajtjes edukative që kanë, ato nuk janë thjesht histori por këshilla dhe mësime.[12]

3)      Tregimet fetare janë përforcim shpirtëror dhe moral për predikuesin e ri. Ato përmbajnë këshilla dhe udhëzime të shumta dhe të ndryshme: flasin për moralin dhe përgatitjen që duhet të ketë predikuesi, përshkruajnë tiparet e audiencës, ofrojnë model të predikimit si dhe i japin kurajë predikuesit duke ia kujtuar përvojat e predikuesve nga gjeneratat para nesh. Në këtë aspekt, ato na ofrojnë, në radhë të parë, metodologjitë e Profetëve (a.s.) në Da’ve.[13]

4)      Tregimet janë dëshmi jo vetëm e aspektit praktik të fesë por edhe e mundësisë reale të aplikimit të mësimeve fetare në praktikë.[14] 

5)      Tregimet janë të lehta për tu thënë, të lehta për tu kuptuar, të shpejta për ta përcjellë mesazhin tek audienca. Këtu mbase qëndron pse njerëzit i duan dhe janë të dhënë pas tyre. 

6)      Tregimet mund të inkorporohen në mjete të ndryshme: hutbe, artikull, ders, etj. Mund të inkorporohen edhe në metoda tjera, p.sh. në inkurajim dhe frikësim. Po kështu mund të manifestohen me fjalë dhe me shkrim.[15]

1.4. Kritere për aplikimin e rrëfimeve në Da’ve

Që rrëfimet të marrin miratimin fetar si metodë e pranuar e prezantimit të fesë, duhet të përmbushin disa kritere me rëndësi. Tregimet janë lehtë të përvetësuara nga injorantët, kështu që, po nuk u kushtëzuan me disa kritere dhe rregulla, ato mund të lajthisin, e bashkë me to edhe njerëzit. Nuk justifikohen tregimet e pavërteta me qëllimet e pastra, siç bëjnë disa tregimtarë që, për të motivuar njerëzit në fe, shpikin rrëfime që fare nuk qëndrojnë.

Si kritere për pranimin e tregimeve numërohen:   

1)      Tregimet fetare mund të përfitohen nga Kur’ani, Sunneti, rrëfimet për gjeneratat e para, rrëfimet nga jeta e përditshme, rrëfimet e izraelitëve.[16]

2)      Tregimet e Kur’anit dhe Sunnetit për të kaluarën dhe të ardhmen janë gajb (fshehtësi) andaj duhet të mbështeten në vahj (shpallje).[17]

3)      Tregimet fetare dallojnë nga tregimet e lira. Duke qenë se kanë karakter fetar, atëherë ato, si në temë, si në mënyrën e prezantimit, i nënshtrohen rregullave fetare. Kjo assesi nuk guxon të nënkuptohet si tendencë e zhveshjes së tyre nga veçoritë artistike gjatë prezantimit, e sidomos të veçorisë së përshkimit të gjërave.[18] 

4)      Të mos jenë tregime me probabilitet (mundësi) saktësie dhe gënjeshtre në të njëjtën kohë, siç janë ta zëmë disa israilijate që sillen në versione të ndryshme, të zgjeruara e shkurtuara, të cilat s’i pranon mendja dhe s’i miraton feja. Kështu, duhet të kufizohemi vetëm në tregimet e Kur’anit, librave të Sunnetit dhe librave të besueshme të tefsirit. Nuk i takon një tregimtari të transmetojë një hadith ndërsa nuk është në dijeni për rangun e tij, në është i saktë apo jo.

Nëse tregimet janë të vërteta, atëherë ato, referuar ndikimit që kanë, janë më se të nevojshme. Imam Ahmedi ka thënë: “Sa shumë nevojë kanë njerëzit për një tregimtar të drejtë!”[19]

5)      Trajtimi i israilijateve si tregime predikimi bëhet në tre mënyra: pranohen ato që përputhen me Kur’anin dhe Sunnetin; refuzohen ato që s’përputhen me Kur’anin dhe Sunnetin; dhe ato që janë të panjohura fillimisht anashkalohen derisa të sillet një gjykim fetar për to. Gjykimi fetar bëhet duke iu referuar kuptimeve kur’anore dhe profetike por edhe duke iu referuar logjikës së shëndoshë.[20]

6)      Të mos jenë tregime që janë me probabilitet keqkuptimi dhe keqinterpretimi, si ato që flasin për mëkatet dhe faljen e tyre, dhe të cilat mund të merren si pretekst nga mëkatarët për të justifikuar mëkatet që bëjnë. Duke qenë se tregimet e pavërteta dhe këto me mundësi keqkuptimi qenë bërë art në një kohë, të parët i urrenin ato, madje kishte raste, sikur ai i Aliut (r.a.), që të tillëve të mos iu linin fare hapësirë predikimi në xhami.[21]     

7)      Nuk lejohet thirrja në libra të tefsirit dhe nuk justifikohet kjo për rrëfimin e tregimeve të pavërteta. Nëse tregimtari nuk arrin të dallojë transmetimet e vërteta nga të tjerat, pavarësisht referencave që ka (librat e tefsirit në këtë rast), nuk i lejohet të rrëfejë tregimet që janë në to.   

8)      Në mënyrë që tregimi të jep frytet e dëshiruara, duhet përvetësuar profesionalisht. Tregimi ka rregullat dhe kriteret e veta. Një tregimtar nuk do të mund të arrijë ta bind audiencën nëse nuk arrin të shkoqisë detajet e rrëfimit dhe t’i prezantojë ato siç duhet.[22] 

Si përmbledhje, Ibn Xheuzi numëron disa prej tipare të atyre që mund rrëfejnë tregime: Të jetë dijetar dhe të zotërojë shkencat, të ketë dituri për hadithet profetike dhe të dallojë transmetimet e sakta nga të pasaktat, të ketë dituri për data dhe jetëpërshkrime të të parëve, të ketë dije për lajmet e asketëve, të kuptojë thellësisht fenë, ta njeh rrënjësisht gjuhën, dhe të synojë me veprimtarinë e tij Allahun dhe kënaqësinë e Tij dhe assesi përftimet materiale apo famën dhe popullaritetin.[23]

2. TREGIMET PROFETIKE DHE KARAKTERISTIKAT E TYRE

2.1. Çfarë synohet me tregimet profetike dhe si ndahen ato?

Tregimet profetike, për nga përmbajtja, funksioni dhe mesazhet, janë vazhdimësi e tregimeve kur’anore. Kjo ngase, si vahj që janë, kanë të njëjtin burim. Tregimet profetike trajtojnë tema nga e kaluara dhe e ardhmja. Badishah i ndan në:

1)      Histori të së shkuarës, e që janë temë e këtij libri,

2)      Histori të vet Profetit (a.s.), dhe

3)      Histori të së ardhmes.[24]

Natyrisht, ka edhe ndarje tjera, të bëra nga këndvështrime të ndryshme, si për nga tematika e tregimeve, si për nga hapësira e shtjellimit (shkurt e gjatë), gjëra këto që janë thjesht rezultat i përpjekjes dhe angazhimit (ixhtihadit) individual të studiuesve. 

2.2. Karakteristika të tregimeve profetike

1)      Tregimet janë pjesë përbërëse e haditheve profetike prej të cilave përfitohen mësime dhe këshilla.[25]

2)      Janë pjesë e haditheve xhevami, haditheve që me pak fjalë përmbledhin mësime të shumta.[26]

3)      Tregimet më të mira pas tregimeve të Kur’anit.[27]

4)      Ngjashëm me tregimet kur’anore, janë të vërteta, jo fantazi.[28]

5)      Ndryshe nga rrëfimet e zakonshme, të cilat mund të jenë dhe të mos jenë të vërteta, rrëfimet e Profetit Muhammed (a.s.) janë të vërteta. Ato janë pjesë e përgjithshme e shpalljes, madje janë nga lloji i gajbit (të fshehurës, sekretit) që nuk mund të dihet ndryshe vetëm se nëpërmjet shpalljes hyjnore. Allahu i Madhëruar duke përshkruar mësimet e Profetit Muhammed (a.s.), shpjegon se ato janë pjesë e asaj që i shpallet atij. “Ai nuk flet sipas qejfit të vet. 3. Ajo (që flet ai) është vetëm Shpallja, që i ka ardhur atij.” [En Nexh: 3-4.]

Kjo nënkupton se shtesat në tregimet profetike mund të klasifikohen si gënjeshtër ndaj Profetit Muhammed (a.s.).[29] Në këtë kontekst, nuk pranohen as rrëfimet me sened të donet që të jenë pjesë e ligjërimeve fetare.[30]

6)      Tregimet profetike, siç shpjegon Ibn Hibbani, kanë një reflektim tredimensional: lëvdata për disa vepra e tipare nga e kaluara, të cilat duhet t’i përvetësojë edhe ky ummet; përshkrimi i disa gabimeve dhe mëkateve të së kaluarës, që ky ummet nuk duhet t’i përsërisë; dhe përshkrime nga të cilat ky ummet duhet të merr mësim.[31] 

7)      Duke qenë se synojnë mësimet dhe këshillat, tregimet profetike më shumë fokusohen në ngjarje se në emra.

8)      Pavarësisht rasteve që përshkruajnë, ruajnë etikën gjuhësore.[32]

9)      Hadithet profetike përmbajnë shifër të konsiderueshme tregimesh, fakt ky që na bën të mjaftohemi me to ndaj tregimeve të pavërteta.[33]

Tregimet profetike dallojnë për nga hapësira: disa janë të shkurtra, madje përmblidhen në një fjali, derisa të tjera janë të gjata. Madje, siç thotë Izuddini[34] ato nuk kanë një formë të caktuar.

[1] AbduRrahim bin Muhammed El-Mugadh-dhevi, El-usus el-ilmijjeh li-menhexh ed-da’veti el-islamijjeh – dirasetun te’silijjetun ala dav’i el-vaki’i el-muasir, (Rijad: Dar el-hadareti li-n-neshr ve-t-teuzië, 2010), fq. 732.

[2] Muhammed Emin Hasen Muhammed Beni Amir, Esalib ed-Da’veti ve-l-Irshad, (Jordani: Universiteti i Jermukut, 1999), fq. 371.

[3] Ubejd bin Abdul Aziz bin Ubejd Es-Selemi, Ed-Da’vetu fi sureti el-Ankebut, (Rijad: Dar Ez-Zehra, 1998), fq. 247-249.

[4] Esh-Sherif Hamdan Raxhih El-Mehdi El-Hexhari, Kavaid ed-Da’veti el-Islamijjeh, (Medine Munevvere: 1995.), fq. 519.

[5] Tekijuddin Ahmed bin Abdul Halim bin Tejmije, Mexhmu el-fetava, (Medine Munevvere: Kompleksi i botimit të Kur’anit Fisnik ‘Mbreti Fehd’, 1995), 17/207.

[6] Ebu-l-Fida Ismail bin Umer bin Kethir, Tefsiru el-Kur’ani el-Adhim, (Rijad: Dar Tajjibe li-n-nesh ve-t-teuzi, 1999), 4/363.

[7] Buhariu: 3612; 6943; Ebu Davudi; 2649; Imam Ahmedi: 21057; 21073; 21217.

[8] Ebu Muhammed Mahmud bin Ahmed Bedruddin El Ajni, Umdetu el-Kari-i sherhu Sahihi el-Buhari, (Bejrut: Dar ihja et-turath el-arabi), 16/144.

[9] Muhammed bin Salih El-Munexhid, Hedharat fi-k-kasas ve-rr-rrivajat, (Xhidde: Zad Group, 2010), fq. 7.

[10] Tal’at Muhammed Afifi Salim, Muhtarat min el-kasas es-sahih fi-s-Sunneti en-Nebevijjeh – dirasetun tahlilijjetun terbevijje, (Kajro; Dar el-Iman), fq. 15.

[11] Uthman bin Muhammed El Hamis, Febihudahumuktedih – kiraetun te’silijjetun fi sijeri ve kasasi el-Enbija alejhimuselam, (Kuvajt: Dar Îlaf ed-devlijje, 2010), 35.

[12] Muhammed Emin Hasen Muhammed Beni Amir, Esalib ed-Da’veti ve-l-Irshad, vep. e cit, fq. 372.

[13] Abdul Kerim Zejdani, El-mustefadu min kasas el-Kur’ani li-d-da’veti ve-d-duati, (Bejrut: Muessesetu err-rrisale, 1998), fq. 8.

[14] Tal’at Muhammed Afifi Salim, Muhtarat min el-kasas es-sahih fi-s-Sunneti en-Nebevijjeh – dirasetun tahlilijjetun terbevijje, vep. e cit, fq. 16.

[15] Esh-Sherif Hamdan Raxhih El-Mehdi El-Hexhari, Kavaid ed-Da’veti el-Islamijjeh, vep. e cit., fq. 519.

[16] AbduRrahim bin Muhammed El-Mugadh-dhevi, El-usus el-ilmijjeh li-menhexh ed-da’veti el-islamijjeh – dirasetun te’silijjetun ala dav’i el-vaki’i el-muasir, vep. e cit., fq. 735-737.

[17] Uthman bin Muhammed El Hamis, Febihudahumuktedih – kiraetun te’silijjetun fi sijeri ve kasasi el-Enbija alejhimuselam, vep. e cit., 35.

[18] Muhammed Emin Hasen Muhammed Beni Amir, Esalib ed-Da’veti ve-l-Irshad, vep. e cit, fq. 368.

[19] Ali Mahfudh, Hidajetu el-murshidine ila turuk el-va’dhi ve-l-hatabeh, (Kajro: Dar El-I’tisam, 1979), fq. 78; 80; 81.

[20] Ibn Haxher El Askalani, Tuhfetu en-nubela min kasas el-Enbija, (EBA: Mektebetu es-Sahabe, 1998), fq. 44-45; Ali Mahfudh, Hidajetu el-murshidine ila turuk el-va’dhi ve-l-hatabeh, vep. e cit., fq. 81; Uthman bin Muhammed El Hamis, Febihudahumuktedih – kiraetun te’silijjetun fi sijeri ve kasasi el-Enbija alejhimuselam, vep. e cit., fq. 40-43; Meshhur Hasen Selman, Min kasas el-madine fi hadithi Sejjidi el-Murseline, vep. e cit., fq. 13.

[21] Ali Mahfudh, Hidajetu el-murshidine ila turuk el-va’dhi ve-l-hatabeh, vep. e cit., fq. 79-80.

[22] Esh-Sherif Hamdan Raxhih El-Mehdi El-Hexhari, Kavaid ed-Da’veti el-Islamijjeh, vep. e cit, fq. 520.

[23] Ali Mahfudh, Hidajetu el-murshidine ila turuk el-va’dhi ve-l-hatabeh, vep. e cit., fq. 81.

[24] Hafidh Muhammed Badishah, El-kissatu en-nebevijjetu: hasaisuha ve ehdafuha et-terbevijjeh, në: Majallah al-qism al-arabi – University of the Punjab, no. 22, Issue: 2015, Lahore, Pakistan, fq. 135-136.

[25] Meshhur Hasen Selman, Min kasas el-madine fi hadithi Sejjidi el-Murseline, vep. e cit., fq. 6.

[26] Tal’at Muhammed Afifi Salim, Muhtarat min el-kasas es-sahih fi-s-Sunneti en-Nebevijjeh – dirasetun tahlilijjetun terbevijje, vep. e cit, fq. 30.

[27] Umer Sulejman Abdullah El Eshkar, Sahihu el-kasasi en-nebevij, (Amamn: Dar en-nefais, 2007), fq. 14.

[28] Kemal Izzuddin, El-hadith en-nebevijj esh-sherif min el-vixheheti el-belagijjeh, (Bejrut: Dar Ikre, 1984), fq. 459.

[29] Uthman bin Muhammed El Hamis, Febihudahumuktedih – kiraetun te’silijjetun fi sijeri ve kasasi el-Enbija alejhimuselam, vep. e cit., 35.

[30] Ali bin Ibrahim Hashish, Tahdhir ed-daijeh min el-kasas el-vahije, (Aleksandri: Dar el-Akideh, 2006), fq. 5.

[31] Meshhur Hasen Selman, Min kasas el-madine fi hadithi Sejjidi el-Murseline, vep. e cit., fq. 7.

[32] Tal’at Muhammed Afifi Salim, Muhtarat min el-kasas es-sahih fi-s-Sunneti en-Nebevijjeh – dirasetun tahlilijjetun terbevijje, vep. e cit, fq. 29.

[33] Esh-Sherif Hamdan Raxhih El-Mehdi El-Hexhari, Kavaid ed-Da’veti el-Islamijjeh, vep. e cit, fq. 519.

[34] Kemal Izzuddin, El-hadith en-nebevijj esh-sherif min el-vixheheti el-belagijjeh, (Bejrut: Dar Ikre, 1984), fq. 460.