Florim ef. Mellova
Lavd-falënderimet, frikë-rrespektet i takojnë vetëm Allahut xh.sh, Ai është i Gjithëmëshirshëm në këtë botë e Mëshirues i Posaçëm në botën tjetër, Furnizues i Përgjithshëm e i Vetmi Bereqetdhënës. Përshëndetjet, salavatet, selamet, paqja dhe bekimet e qofshin mbi më të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
O Allah ! Kërkojmë mbështetjen Tënde nga katër gjëra: prej diturisë që nuk sjell dobi; prej zemrës që nuk frikësohet; prej një nefsi që nuk ngopet dhe prej lutjes që nuk pranohet!
Në ligjëratën e kaluar treguam pesë tregues të dashurisë së Zotit xh.sh për njeriun, e ato ishin :
1.)Allahu xh.sh na e shtyn ndëshkimin për gjynahet që bëjmë me shpresë që të pendohemi.
2.) Allahu xh.sh e pranon pendimin.
3.) Allahu xh.sh një të mirë e shpërblen me dhjetë e më shumë të mira.
4.) Allahu xh.sh na jep shpërblim të madh, për gjëra të vogla, dhe
5.) Allahu xh.sh kërkon nga ne që të pendohemi
Të vazhdojmë me treguesit e tjerë, për dashurinë e Allahut xh.sh ndaj njeriut në përgjithësi, e sidomos ndaj besimtarit musliman në veçanti.
6.) Nga treguesit se Allahu xh.sh na do, është se emrat dhe cilësitë e Tij që përmbajnë mëshirë dhe falje, janë më shumë se cilësitë që përmbajnë ndëshkim.
7.) Nga treguesit se Allahu xh.sh na do, është se Ai në shumë ajete kuranore na qetëson, ku thotë:
“…Zoti juaj ia bëri ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën …” (En’am 54)
…
“Allahu dëshiron t’ju lehtësoj (dispozitat) …” (Nisa 28)
Dikush mund të pyesë, se përderisa Zoti xh.sh na dashka kaq shumë, përse na çon fatkeqësi?
Shkaku i fatkeqësive dhe sprovave varet nga njerëzit të cilët i godet.
Ndonjëherë të sprovon me qëllim që të largohesh nga gjynahet që bën.
Ndonjëherë të sprovon me qëllim që të të japë gradë të lartë në Xhenet.
Ndonjëherë të sprovon për të të fshirë një gjynah, i cili mund të të çonte në Xhehenem. Ndonjëherë të sprovon me qëllim që të të kujtojë mirësitë e Tij mbi të cilat nuk e falënderoje Zotin. Ndonjëherë të sprovon që ta kuptosh që kjo botë nuk është e përjetshme, dhe të të marrë malli për Xhenetin. Ndonjëherë të sprovon me qëllim që të të shpërblejë në Xhenet për durimin që tregon, ku Allahu xh.sh thotë:
“… Të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!”. (Zumer 10)
8.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit xh.sh ndaj njeriut, është se ndonjëherë të sprovon me fatkeqësi, me qëllim që të të japë pozitë të lartë më pas. P.sh. rasti i sprovave të Nuhut a.s, Ibrahimit a.s, Jusufit a.s, Isait a.s, Muhamedit a.s, …etj.
9.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit xh.sh ndaj njeriut është se nuk e lë që ti mbushet zemra me dashuri të kësaj bote. Për këtë Muhamedi a.s thotë:
“Allahu i Madhërishëm e mbron njeriun që e do nga dashuria për këtë botë, ashtu siç e mbroni ju të sëmurin që mos të hajë ushqim kur i bën dëm”.
10.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit xh.sh ndaj njeriut, është se e mban të përkushtuar në rrugën e fesë. Nëse e sheh që të pëlqen feja dhe kërkon që të mësosh më shumë, dije se kjo është shenjë e dashurisë së Zotit xh.sh ndaj teje, dhe nëse e sheh vetën që çdo ditë afrohesh me Zotin dhe plotëson urdhrat e Tij, dije që Allahu të donë. Për këtë Muhamedi a.s thotë:
“Zoti ia jep këtë botë atij që e do edhe atij që nuk e do, kurse fenë nuk ia jep veçse atij që e do”.
11.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit xh.sh ndaj njeriut, është që të jep mundësi që të marrësh dije fetare. Kur hyn në fe fillimisht di shumë pak gjëra, më pas shikon që të hapen dyert e dijes.
12.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit xh.sh ndaj njeriut, është se të mëson mirësjelljen dhe butësinë në marrëdhëniet me njerëzit. Ata që janë nervozë dhe të ashpër, le ta dinë që janë pak larg nga dashuria e Zotit, për këtë Muhamedi a.s thotë:
“Kur Zoti i donë njerëzit e një shtëpie, u jep butësinë mes tyre”.
13.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit xh.sh ndaj njeriut, është se ia lehtëson pranimin e fesë dhe detyrat fetare. Me një bisedë që mund të dëgjojë, fillon të vijë në xhami dhe të falet.
14.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit xh.sh ndaj njeriut, është se t’i vështirëson gjynahet. Nganjëherë shumëçka për ta vepruar një gjynah dhe nuk ia arrin dot. Nëse të ndodh kjo, dije se të mbron Zoti pasi të do.
15.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit xh.sh ndaj njeriut, është se kur i vjen vdekja e gjen duke punuar punë të mira. Ka shumë njerëz të cilët bëjnë vepra të mira, por kur u vjen vdekja, i gjen në haram dhe gjynahe, për këtë Muhamedi a.s thotë:
“Kur Zoti e donë një njeri, e ëmbëlson atë”. Shokët e pyetën: Po si e ëmbëlson, o i Dërguar i Allahut? Ai u përgjigj: “E udhëzon të veprojë punë të mira para se ti vijë vdekja, derisa të jenë të kënaqur me të edhe fqinjët”.
Dashuria më e madhe e Zotit për ty dhe për mu o njeri do të shfaqet në Xhenet inshallah, kur Allahu xh.sh të na thotë: “O robi Im, Unë jam i kënaqur me ty, po ti a je i kënaqur me Mua?”.
Allahu na e shtoftë dashurinë ndaj Zotit tonë, dhe na beftë sa më të përkushtuar ndaj Tij.
Hutbeja u mbajt me 27.04.2012
në xhaminë e Hadumit-Gjakovë