Florim ef. Mellova
Lavd-falënderimet, frikë-rrespektet i takojnë vetëm Allahut xh.sh, Ai është i Gjithëmëshirshëm në këtë botë e Mëshirues i Posaçëm në botën tjetër, Furnizues i Përgjithshëm e i Vetmi Bereqetdhënës. Përshëndetjet, salavatet, selamet, paqja dhe bekimet e qofshin mbi më të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Gjithmonë kur flasim mbi dashurinë e Zotit, mendja na shkon menjëherë tek dashuria që ndjen dhe duhet të ndjejë njeriu për Zotin. Në shumë libra gjejmë shembuj të shumtë të njerëzve të mirë, të cilët e donin Zotin dhe sakrifikonin çdo gjë në rrugë të Allahut xh.sh.
Kurse kjo temë do të jetë mbi dashurinë e Zotit për njeriun.
Shumë njerëz janë mësuar që marrëdhëniet dhe lidhjet e tyre me Zotin, t’i ndërtojnë vetëm në bazë të bindjes dhe zbatimit të urdhërave të Zotit. Qëllimi i kësaj teme është që ta ndryshojmë këtë koncept. Qëllimi është që të themi se veç obligimeve që kemi ndaj Zotit, është edhe diçka tjetër që quhet dashuri e ndërsjellë.
Qëllimi është që adhurimet të mos i kryejmë si rutinë, por të kryhen me dëshirë dhe pasion, pasi e ndjen dashurinë e Zotit. Muhamedi a.s na tregon dashurinë e Zotit xh.sh ndaj njeriut ku thotë: “Nëse Zoti e don një njeri, e thërret Xhibrilin. O Xhibril, Unë e dua filanin, prandaj duaje edhe ti! dhe e don edhe Xhibrili. Më pas Xhibrili thërret: O banorët e qiellit, Zoti e don filanin, prandaj duajeni edhe ju dhe e duan edhe banorët e qiellit. Më pas dashuria i vendoset edhe në mes të njerëzve të tokë”.
Allahu xh.sh në këtë hadith na tregon që kur e don një nga robërit e Tij, nuk mjafton vetëm me kaq, por kërkon që këtë t’ia tregojë edhe Xhibrilit, i cili edhe ai e don dhe nuk e fsheh këtë dashuri, por ua tregon edhe melaqeve të tjera që edhe ato ta duan. Jo vetëm kaq, por dashuria për këtë njeri, vendoset edhe në zemrat e njerëzve në tokë.
Shumë ajete të Kuranit, Zoti xh.sh i mbyll me dashurinë e Tij ndaj disa grupe njerëzish:
“…Allahu i don ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta” (Bekare 222)
“… S’ka dyshim se Allahu i don të devotshmit”. (Tevbe 4)
“… Allahu i don të drejtit”.(Maide 42)
Allahu i Madhërishëm në një hadith kudsij thotë: “Kush i shkakton dhimbje një njeriu që Unë e dua i kam shpallur luftë atij”.
Përkufizimin e një njeriu që e don Zoti xh.sh, na e jep vetë Kurani ku thotë:
“Ta keni të ditur se të dashurit e Allahut (evliatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër) e as kurrfarë brengosje? (Ata janë ata) Të cilët besuan dhe ishin të ruajtur”. (Junus 62)
Allahu i Madhërishëm në një hadith kudsij thotë: “Unë me xhinët dhe njerëzit jam në hall të madh, i krijoj kurse ata adhurojnë dikë tjetër, i furnizoj, kurse ata falënderojnë dikë tjetër. Të mirat e Mia zbresin tek robërit e Mi, kurse të këqijat e tyre ngjiten tek Unë. Miqësohem me ta me mëshirën Time, megjithëse nuk kam nevojë për ta, kurse ata bëhen të urryer tek Unë me gjynahet që bëjnë, megjithëse janë në kulmin e nevojës për Mua. Ata që më kujtojnë janë njerëzit më të afert më Mua, prandaj kush dëshiron të jetë i afërt me Mua, le të më kujtojë. Atyre që bëjnë gjynahe, nuk ua këpus shpresat nga mëshira Ime. Nëse pendohen Unë jam i dashuri i tyre, nëse refuzojnë, Unë jam sprovuesi i tyre. I sprovoj më fatkeqësi, që t’i pastroj nga të metat. Kush më vjen i penduar, e pres nga larg dhe kush më kthen shpinën i thërras nga afër, duke i thënë: Ku po shkon, a ke zot tjetër veç Meje?! E mira tek Unë konsiderohet sa dhjetë të tilla dhe i shtoj më shumë. Kurse e keqja tek Unë është vetëm një dhe ia fali. Betohem në krenarinë dhe madheshtinë Time, nëse do më kërkonin t’ua fal, do ua falja të gjitha”.
Zoti na don neve pasi Ai vetë na ka krijuar. Kur dikush e prodhon diçka me duart e tij, e don më shumë se diçka të blerë. Secili prej nesh i duam fëmijët tanë më shumë se fëmijët e tjerë, pasi ne jemi shkaku që lindën.
Nëse do të pyesnim dikë se a e do Zotin do të thoshte menjëhërë: “Po, e dua”. Por nëse do e pyesje nëse falej apo agjëronte do të thoshtëe që jo.
Pra, net hemi që e duam Zotin por vetëm me gojë, nuk kemi tregues që ta vërtetojmë dashurinë tonë ndaj Zotit. Kurse Allahu xh.sh e shpreh dashurinë e tij ndaj nesh dhe e vërteton këtë me tregues të cilët janë:
1.) Na e shtyn ndëshkimin për gjynahet që bëjmë me shpresë që të pendohemi. Zoti xh.sh thotë:
“Zoti yt është që falë shumë dhe bën mëshirë të madhe, sikur t’i ndëshkonte ata për atë që kanë vepruar, do t’ua ngutte atyre tash denimin …” (Kehf 58)
2.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit për ne, është pranimi i pendimit.
Zoti xh.sh në Kuran thotë:
“ (Allahu është ai) i Cili fal mëkatin dhe pranon pendimin …” (Gafir 3)
3.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit për ne, është se një të mirë e shpërblen me dhjetë të mira, Zoti xh.sh në Kuran thotë:
“ Kush më vjen me një të mirë Unë ia shumfishojë me dhjetë të tilla, …” (En’am 160)
4.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit për ne, është se na jep shpërblim të madh për gjëra të vogla, ku Muhamedi a.s thotë:
“Kush thotë 100 herë “Subhanallahi ve bihamdihi” i falen gjynahet edhe sikur të jenë si shkuma e detit”.
“Kush thotë në mëngjes dhe në mbrëmje: Jam i kënaqur me Allahun për Zot, me Islamin si fe dhe me Muhamedin si pejgamber, është detyrë e Zotit që ta kënaqë për atë ditë”.
“Ai që thotë: Kërkoj ndihmë nga Zoti dhe fjalët e Tij nga çdo e keqe që ka krijuar, Zoti e ruan atë ditë nga të këqijat”.
5.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit për ne, është se Ai vetë kërkon prej nesh që t’i lutemi, Zoti xh.sh në Kuran thotë:
“Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem …” (Gafir 60)
O Allah! O Zot i botëve! Na jep përkrahjen dhe mbrojtjen Tënde, e mos na largo nga kujdesi Yt!
Hutbeja u mbajt me 20.04.2012
në xhaminë e Hadumit-Gjakovë