Falënderimi i takon vetëm se Allahut, Atë e lavdërojmë dhe vetëm nga Ai falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut dhe paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e Pejgamberëve dhe shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin birin e Abdullahit dhe robin e Allahut.
Shumë ajete të Kuranit aludojnë në dashurinë dhe përkujdesjen e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, ku Allahu nganjëherë e lavdëron dhe e përshkruan me cilësitë më të bukura dhe më të plota, nganjëherë betohet në jetën e tij, e nganjëherë e urdhëron Umetin e tij me madhërimin dhe me respektimin e tij dhe dërgimin e salavateve të shumta mbi të.
Në vazhdim do t’i cekim disa ajete ku në to paraqitet dashuria dhe përkujdesja e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, dhe nga ato ajete e veçojmë fjalën e Allahut: “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues“. Ahzab 45-46.
Thënia “dëshmitar” sipas njërit mendim është se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, do të jetë dëshmitar vetëm se përmbi Umetin e tij kurse sipas mendimit tjetër do të jetë dëshmitar përmbi të gjitha Umetet ashtu siç tha edhe vet i Dërguari i Allahut,alejhi salatu ue selam: “Ditën e Kiametit thirret Nuhi, alejhi selam, nga Allahu dhe i thotë: A e ke përcjellur Mesazhin? Nuhi, alejhi selam, thotë: Po. Atëherë i thuhet popullit të Nuhit se a ju ka përcjellur Mesazhin? Populli thotë: Nuk na ka ardhur neve qortues. Allahu atëherë i thotë Nuhit: Kush është dëshmitar për ty? Nuhi thotë: Muhamedi, alejhi selam, dhe Umeti i tij. Atëherë dëshmojnë (Muhamedi, alejhi selam, dhe Umeti i tij) se Nuhi e ka kryer misionin e tij. Pataj e lexoi fjalën e Allahut:“Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit“. Bekare 143.
Allahu, azze ue xhel, poashtu tha: “Si do të bëhet kur prej çdo populli të sjellin dëshmitarë dhe të të sjellin ty (o Muhamed!) për dëshmitar mbi të gjithë ata?!”. Nisa 41.
Muhamedi, alejhi salatu ue selam, është përgëzues me xhenet për ata i që nënshtrohen dhe paralajmërues me dënim të rreptë për ata që nuk i nënshtrohen: “njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues“. Ahzab 46. Ai thirr në fenë e Allahut, e qartëson të vërtetën nga e kota dhe udhëzimin nga devijimi.
Allahu ia lavdëroi gjuhën e tij dhe tha: “Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij”. Nexhm 3-4.
Ia lavdëroi shikimin e tij dhe tha: “Shikimi i tij nuk u shmang dhe as nuk e kaloi masën”. Nexhm 17.
Ia lavdëroi mësuesin e tij dhe tha: “Atë ia ka mësuar atij një (engjëll) shumë i fuqishëm (Xhibrili)“. Nexhm 5.
Ia lavdëroi rrugën e tij dhe tha: “Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë”. Shura 52.
Ia lavdëroi moralin e tij dhe tha: “se ti je me virtyte madhore”. Kalem 4.
Allahu e urdhëroi Umetin e tij me nderimin dhe lavdërimin e tij dhe tha: “Me të vërtetë, Ne të kemi dërguar ty (Muhamed)dëshmitar, sjellës të lajmeve të mira dhe paralajmërues, që t’i besoni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që ta ndihmoni eta nderoni atë (Muhamedin alejhi salatu ue selam) dhe që ta lavdëroni Atë (Allahun) me namaz në mëngjes dhe mbrëmje“. Fet’h 8-9.
Nga nderimi dhe respektimi i tij është mos nxitimi para urdhrit të tij ashtu siç na mëson Allahu dhe thotë: “O ju që keni besuar! Mos nxitoni para (urdhrit të) Allahut dhe të Dërguarit të Tij“. Huxhurat 1.
Nga madhërimi dhe respektimi i tij është mos ngritja e zërit tonë mbi zërin e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, ashtu siç thotë edhe Allahu: “O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Profetit dhe mos i flisni atij me zë të lartë, siç bëni me njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos ju humbin veprat tuaja pa e ndier ju fare”. Huxhurat 2.
Nga respekti i tij është edhe mos thirrja e tij ashtu siç e thërrisnin njëri tjetrin dhe thonin: O Muhamed, o Ebu Kasim. Allahu ua ndaloi këtë dhe i urdhëroi që ta thërrasin me epitetin e Profecisë dhe filluan ta thërrasin. O lajmëtar i Allahut, o i Dërguari i Allahut.
Nga shenjë respekti i tij është dhënia e lëmoshës para këshillimit me të ashtu siç thotë edhe Allahu: “O besimtarë, kur të doni të këshilloheni me të Dërguarin, para këshillimit, jepni lëmoshë, kjo është më mirë dhe më pastër për ju. Po, nëse nuk keni, Allahu me të vërtetë, është Falës dhe Mëshirëplotë”. Muxhadeleh 12.
Nga respektimi i tij është edhe ajo kur ata gjenden me atë në një punë të përbashkët nuk largohen para se të kërkojnë leje prej tij: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe të cilët, kur gjenden me atë (të Dërguarin) në një punë të përbashkët, nuk largohen para se të kërkojnë leje prej tij”. Nur 62.
Nga respektimi tij është edhe respektimi i etikës së vizitës kur të vizitohet i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ashtu siç thotë Allahu: “O besimtarë, mos hyni në shtëpitë e të Dërguarit, përveç rastit kur ju është dhënë leje për të ngrënë, por jo të pritni përgatitjen e tij (ushqimit)!”. Ahzab 53.
Ajo që aludon në dashurinë dhe përkujdesjen e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, është thënia e Allahut:“dhe ta ngritëm lart emrin?!”. Inshirah 4.
Nga ngritja e emrit të tij është se kur robi e përmend emrin e Allahut sikurse në ezan apo hutbe apo ndokund tjetër e përmend edhe emrin e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam.
Nga ajo është edhe largimi i ofendimit dhe nënçmimit të Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, nga ana e Kurejshëve.
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell nga Muhamedi, alejhi salatu ue selam, të ketë thënë: “A nuk çuditeni se si e largon Allahu nga unë sharjen dhe mallkimin e Kurejshëve, ata e shajnë një Mudhem-mem (njeri i ultë i qortuar i palavdëruar) e une jam Muhamed (i Lavdëruari te i cili janë tubuar të gjitha cilësitë e mira).
Kurejshët kur e thërrisnin Muhamedin, alejhi salatu ue selam, ia ndërronin emrin i cili aludonte në cilësi të mira dhe të ndershme dhe thonin: Allahu e mallkoftë Mudhem-mem (njeri i ultë i qortuar i palavdëruar).
Ajo që aludon në dashurinë e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, është butësia me të, të cilën e cek Allahu në librin e Tij: “Allahu të fal ty që u lejove atyre të mungojnë”. Teube 43.
Poashtu në ajetin: “Ai u vrenjt dhe ktheu kurrizin, kur i erdhi pranë i verbri. E ku e di ti, ndoshta ai dëshironte të pastrohej (nga gjynahet) ose të merrte këshillë, e këshilla t’i sillte dobi atij?!“. Abese 1-4.
Ajo çka aludon në dashurin e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, dhe mëshirën e Tij është thënia e Allahut:“Tâ, Hâ. Ne nuk ta kemi shpallur Kuranin ty (o Muhamed), për të të munduar“. Taha 1-2.
I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, nga dashuria e madhe që e ndjente ndaj Allahut dhe adhurimit të Tij falte namaz nate deri sa ju ënjteshin këmbët e tij dhe Allahu e mëshiroi dhe e zbriti ajetin: “Tâ, Hâ. Ne nuk ta kemi shpallur Kuranin ty (o Muhamed), për të të munduar“. Taha 1-2.
Nga ajetet që aludojnë në mëshirë të Allahut ndaj tij e kemi edhe ajetin: “Ne e dimë se ty të zemëron ajo që thonë ata. Në të vërtetë, nuk je ti ai që po mohojnë ata, por keqbërësit po mohojnë shpalljet e Allahut”. Enam 33.
Nga mëshira e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, i tha që të mos mërzitet nga përgënjeshtrimi që ia bënin populli i tij dhe i zbriti ajete ku në to tha: “Ne e dimë se ty të zemëron ajo që thonë ata. Në të vërtetë, nuk je ti ai që po mohojnë ata” Enam 33. Kjo për arsye se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ishte i sinqerti dhe besniku dhe jobesimtarët e kishin besim se ai nuk gënjen për Allahun por ata i mohonin argumentet e Allahut dhe mohimi nuk bëhet vetëm se pas njohjes ashtu siç e cekë edhe Allahu në Kuran: “Kështu, ata i mohuan ato padrejtësisht dhe me mendjemadhësi, edhe pse shpirti i tyre i besonte për të vërteta”. Neml 14.
Nga ajo që aludon në dashurinë e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, kënaqësia e Allahut me të ashtu siç thotë edhe Allahu në Kuran: “Ne të pamë ty (Muhamed) që vazhdimisht drejtoje shikimin nga qielli. Mirë pra, Ne do të të kthejmë ty nga kibla që të kënaq ty. Prandaj, ktheje fytyrën tënde nga Xhamia e Shenjtë (Qabeja)!”. Bekare 144.
I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, në fillim u fal kah Bejtul Makdesi shtatëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetë muaj dhe dëshira e tij ishte që të kthehet kah Qabeja e Ndershme dhe Allahu i zbriti ajete ku tha: “Ne të pamë ty (Muhamed) që vazhdimisht drejtoje shikimin nga qielli”. Bekare 144.
Nga ajo që aludon në dashurinë e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, është edhe surja Duha. Thuhet se shkaku i zbritjes së këtij ajeti ka qenë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e kishte pas lënë namazin e natës për disa arsye të disa pengesave që i kishte në ato momente dhe Umu Xhemil, gruaja e Ebu Lehebit, kishte pas thënë se ky shoku i juaj e ka lënë namazin dhe Allahu e zbriti në mbrojtje të Dërguarit të Tij suren Duha.
Nga ajo që aludon në dashurinë e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, është se Allahu është betuar në jetën e tij dhe ka thënë: “Betohem për jetën tënde (o Muhamed), se ata ishin vërtet të përhumbur në dehjen e tyre!”. Hixhr 72.
Imam Taberiu, Allahu e mëshiroftë, thotë. “Allahu nuk është betuar në jetën e askujt tjetër përveç se në jetën e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, dhe jeta e tij është meritore për të betuar në të duke pasur parasysh hajrin e përgjithshëm dhe të veçantë në të”.
Nga ajo që aludon në dashurinë dhe respektin e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, është edhe thënia e Allahut: “Betohem për këtë vend, në të cilin ti je i lirë (o Muhamed)“. Beled 1-2.
Vendi i cekur në ajet është Mekja. Ky është vendi më i ndershëm dhe është rritur ndershmëria e tij me qëndrimin e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, në të.
Nga ajo që aludon në dashurinë dhe respektin e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, është se Allahu na urdhëroi me një çështje nga e cila Ai vet filloi i pari e pastaj melekët e Tij dhe nuk ka në gjithë Kuranin ndonjë urdhër ligjor në këtë formë: “Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam“!. Ahzab 56.
Nga ajo që aludon në dashurinë dhe përkujdesjen e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, është thënia e Allahut: “I Cili e sheh qëndrimin tënd në këmbë (gjatë namazit) dhe lëvizjet e tua midis atyre që përulen në sexhde”.Shuara 218-219.
Nga ajo që aludon në dashurinë dhe përkrahjen e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, është thënia e Allahut:“Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin, alejhi salatu ue selam), Allahu tashmë e ka ndihmuar ditën kur atë e dëbuan mohuesit vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne”. Teube 40.
Nga ajo që aludon në dashurinë dhe respektin e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, është thënia e Allahut:“Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që të tallin”. Hixhr 95.
Allahu garantoi se Ai do t’i dënon të gjithë ata që tallen me të Dërguarin e Tij, alejhi salatu ue selam.
Kur i tha atij Ebu Lehebi tu thafshin duart tërë ditën a për këtë na tubove? Allahu zbriti ajete ku tha: “Ju thafshin duart Ebu Lehebit dhe u thaftë në gjithçka! Nuk do ta ndihmojnë atë as pasuria dhe as fitimet e tjera. Ai, me siguri, do të hidhet në zjarrin me flakë të tërbuara, po ashtu edhe gruaja e tij, që mbart drutë e zjarrit, në qafën e saj do të ketë një litar prej fijesh palme”. Mesed 1-5.
Çdo musliman deri Ditën e Kiametit do ta lexon këtë ajet: “Ju thafshin duart Ebu Lehebit”. Mesed 1.
Poashtu ia mbrojti nderin të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, në rastin e shpifjes ndaj Aishes, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, dhe zbriti ajete të cilat do të lexohen deri Ditën e Kiametit.
SHEJH AHMED FERID
Nga arabishtja: Irfan JAHIU