Dashuria dhe pasimi
Jemi në muajin RebiulEvvel. Në këtë muaj ka lindur Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Andaj anë e mbanë botës islame kremtohet dita e lindjes së Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, me shume poezi dhe këndime, të cilat ose nuk janë të vërteta ose janë krejtësisht në kundërshtim me parimet bazë të besimit islam.
Andaje shohim të arsyeshme që tu drejtohemi me disa fjalë, të cilat ndoshta do të na ndihmojnë që të kuptojmë realitetin e dashurisë dhe pasimit të Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.
Një: të gjith ne duhet ta kemi të qartë sikur dielli se All-llahu, subhanehu ve teala, na e ka plotësuar këtë fe, e ka kopmletuar shpalljen e tij:
” Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe “. (El-Maide: 3).
Dy: All-llahu, subhanehu ve teala, ka vulosur ligjet me dërgimin e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i cili çdo gjë të mirë na e ka treguar dhe çdo të keqe na ka larguar nga ajo. Na ka urdhëruar ta respektojmë dhe ta pasojmë udhëzimin e tij:
“Thuaj: “Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë”. (Ali Imran: 31).
“Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni”. (El-Enam: 153).
Kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Kush shpik në këtë çeshtjen tonë, gjëra që nuk janë të saja, ato janë të refuzuara”. (Buhariu dhe Muslimi), kurse në transmetimin e Muslimit qëndron: “Kush ban ndonjë vepër e cila nuk është sipas çeshtjes tonë, ajo është e refuzuar”.
Tre: dije se All-llahu, tebareke ve teala, na e ka bërë obligim dashurinë ndaj Pejgamberit, alejhisselam. Andaj nuk qëndron besimi i një besimtari derisa nuk e do Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ma shumë se vetveten, pasurinë, fëmijët dhe mbarë njerëzit. Enesi radijall-llahu anhu, thotë: Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Pasha Ate në Dorë të të Cilit është shpirti im, askush prej jush nuk beson deri sa të jeëm më i dashur se prindërit, fëmijët dhe njerëzit në përgjithësi”. (Buhariu).
Prej gjërave që janë të lidhura ngushta me dashurinë është respekti, pasimi i udhëzimit të tij dhe mos dalja nga ligji i tij.
Katër: Dijetarët e mëhershëm edhe ata të mëvonshmit kanë sqaruar se kremtimi i lindjes së Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në këto forma, është shpikje në fe, që nuk është nga sunneti i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e as nga sunneti i katër halifeve të drejtë. Ai që ban vepër për tiu afruar All-llahut, të cilën nuk e ka bërë Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e as që ka urdhëruar të kryhet e njejta, veprimi i kësaj përmban akuzë ndaj Pejgamberit, alejhisselam, se nuk e ka sqaruar sa duhet fenë dhe përmban përgënjeshtrim të fjalës së Zotit:
” Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe “. (El-Maide: 3).
Pesë: Nëse njerëzit kanë mendime të kundërta për këtë çeshtje, atëherë sipas rregullit fetar, kërkohet që gjërat për të cilat kemi divergjenca ti referojmë Kur’ant dhe Sunnetit të Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, siç na ka mësuar All-llahu, subhanehu ve teala:
“O ju që besuat, bindjuni All-llahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë te All-llahu (te libri i Tij) dhe te i dërguari, po qe se i besoni All-llahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë”. (En-Nisa: 59).
All-llahu, subhanehu ve teala, gjithashtu thotë:
“Për çdo send që nuk pajtoheni, gjykimi për të është te All-llahu. “. (Esh-Shura: 10).
Kur tia referojmë këtë çeshtje Kur’anit vërrejmë se na urdhëron që ta pasojmë Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në atë që na urdhëron dhe të largohemi nga gjërat që ai na ndalon prej tyre. Kur’ani na tregon se All-llahu e ka plotësuar këtë fe, kurse ky festim nuk është pjesë e asaj që na e ka sjellur Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, andaj nuk është pjesë e fesë, të cilën e ka plotësuar All-llahu.
Vëlla musliman!
Gjashtë: Përkujtimi i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duhet të jetë i pranishmë në çdo kohë te muslimani. Lidhet me te çdo herë që përmendet emri i tij në ezan, ikamet, hutbe. Çdo herë që e përmend muslimani shehadetin pas abdestit dhe gjatë namazeve. Çdo herë që vepron muslimani vepër të mirë, ndonjë vaxhib ose vepër të pëlqyeshme, ai me to e përkujton Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Pra, kështu muslimani vazhdimisht e ngjallë përkujtimin e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe lidhet me te ditën deh natën dhe gjatë tërë jetës së tij, e jo vetëm në ditën e mevludit e as me gjëra të shpikura dhe që janë në kundërshtim me Sunnetin e tij.
Vëllau im musliman dije se bidati vetëm të largon nga Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.
Shtatë: Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, nuk ka nevojë për këtë manifestim dhe përkujtim të shpikur, sepse All-llahu e ka madhëruar dhe lartësuar, siç përmendet në Kur’an:
“Dhe Ne, ta ngritëm lart famën tënde?”. (El-Inshirah: 4).
Andaj çdo herë që përmendet emri i All-llahut, subhanehu ve teala, së bashku me te, përmendet edhe emri i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Pa dyshim se mjafton ky madhërim, dashuri dhe ripërtërirje e përkujtimit të tij.
Tetë: disa fjalë të selefit
Abdull-llah ibn Mesudi thotë:
“Njeriu mos ta pyet askend për vehten e tij përpos Kur’anit, nëse e do Kur’anin, ai e do All-llahun, dhe Pejgamberin”.
Sufjani, rahimehull-llah, thotë:
“Dashuri është pasimi i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem”.
Sehl Tusteriu, rahimehull-llah, thotë:
“Nuk i beson Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ai që nuk i nderon shokët e tij dhe nuk i madhëron urdhërat e tij”.
All-llahu ynë na bë pasues të fesë tënde, All-llahu ynë e ban dashurinë Tënde dhe të Pejgamberit Tënd ma të madhe se dashuria për çdo gjë tjetër. All-llahu im na furnizo pasimin e udhëzimit të Pejgamberit Tënd dhe na bë nga trashëguesit e xhennetit.
Përgaditi: Bekir Halimi
Bekir Halimi,
30.4.2004