[Hyrje] Ramazani është muaji në të cilin janë shënuar disa nga ngjarjet më të madhështore të cilat kanë ndryshuar rrjedhën e historisë njerëzore njëherë e përgjithmonë. Pavarësisht se kanë ndodhur shekuj më parë, ato vazhdojnë të jenë burim frymëzimi edhe sot. Një nga këto ngjarje është edhe Çlirimi i Mekkës, përvjetori i së cilës ka rastisur të jetë në këtë xhuma, andaj kjo hutbe do t’i kushtohet kësaj ngjarje të rëndësishme. Duke qenë se nga sonte hyjmë edhe në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit, që në kuptimin e përkushtimit për fitimin e faljes dhe mëshirës kanë rëndësi vendimtare pasi që në to është edhe Nata e Kadrit, atëherë pjesën e dytë të kësaj hutbe, do t’ia kushtojmë këtyre dhjetë ditëve. |
|
[Çlirimi i Mekkës] |
Çlirimi i Mekkës është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë islame dhe jo vetëm. Në Kur’an ka një kaptinë të tërë përkitazi me të, që madje edhe quhet sipas saj, kaptina el-Fet’h. Shkaqet pse ndodhi dhe mënyra se si ndodhi janë pasqyrë ku reflekton madhështia e kësaj feje dhe pejgamberit të saj. Pavarësisht që kurejshët e luftuan, Pejgamberi a.s., insistonte në paqe. Për këtë qëllim, edhe atëherë kur kurejshët e penguan nga kryerja e Umres, ai prapë ishte për paqe, madje edhe lidhi marrëveshje dhjetëvjeçare për ndalim të luftës. E kur kjo e fundit u shkel për shkak të pabesisë së idhujtarëve kurejshë, të cilët tinëzisht ndihmuan aleatët e tyre kundër aleatëve të Muhammedit a.s., duke shkaktuar vdekjen e më shumë se njëzet burrave prej tyre, atëherë Muhammedi a.s., u nis për në Mekkë për atë që Allahu e quan çlirim, ndihmë dhe fitore. ﴿إِنَّا فَتَحْنَا لَكَ فَتْحًا مُّبِينًا﴾ “Ne të dhamë ty një fitore të qartë.” [Fet’h, 1] ﴿إِذَا جَاءَ نَصْرُ اللَّـهِ وَالْفَتْحُ﴾ “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës).” [Nasr, 1] |
Si ngjarje, ka rëndësi të shumëfishtë në aspektin fetar, strategjik, social, moral, etj. – Sa i përket aspektit fetar, ajo është fitore e të vërtetës ndaj të pavërtetës ose besimit ndaj idhujtarisë. Është ligj i Allahut që e vërteta të triumfojë ani pse ajo mund të vonojë [Kur’ani: Isra, 81]. – Në aspektin strategjik, kalimi i kurejshëve në Islam ka rëndësi të madhe. Pozita prej lideri në mesin e njerëzve kurejshët i bënte fis që ndikonte shumë edhe në vendimmarrjen e fiseve tjera. Kështu, me çlirimin e Mekkës dhe hyrjen e kurejshëve në Islam, shumë nga fiset arabe e pranuan Islamin. ata mbase mund të jenë të përmendurit në Kur’an: ﴿إِذَا جَاءَ نَصْرُ اللَّـهِ وَالْفَتْحُ ﴿١﴾ وَرَأَيْتَ النَّاسَ يَدْخُلُونَ فِي دِينِ اللَّـهِ أَفْوَاجًا﴾ “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës) dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe.” [Kur’ani: Nasr, 2]. – Çlirimi i Mekkës ka motiv social. Vështruar sipas shkakut të ndodhjes, pra shkeljes së marrëveshjes dhe vrasjes së më shumë se njëzet burrave nga fisi huza’ah që ishte në aleancë me Muhammedin a.s., Çlirimi i Mekkës është kryengritje kundër dhunës, pabesisë, tradhtisë. Është mbështetje publike e të dobëtit dhe qëndrim përkrah tij. Kur një pjesëtar i fisit huza’ah, Amr bin Salimi, shkoi në Medinë dhe e informoi Pejgamberin a.s., për tradhtinë e fisit beni bekr, që ishin në aleancë me kurejshët dhe që ishin ndihmuar prej tyre për vrasjen e pjesëtarëve të fisit huza’ah, Pejgamberi .a.s, i tha: “Ngadhënjeve, o Amr bin Salim!” Kjo për shkak se luftimi i zullumit dhe padrejtësisë është mision i kësaj feje, është objektivë të cilën dëshiron ta jetësojë në mesin e njerëzve. – Çlirimi i Mekkës prezanton në mënyrë madhështore vlerat dhe tiparet e Muhammedit a.s. Pavarësisht se përjetoi ditë të rënda në Mekkë, duke rezultuar me largim të tij të dhunshëm prej saj, ai tani, kur kishte mundësinë të hakmerrej ndaj atyre që ia shkaktuan gjithë këto plagë, i fali. Për më shumë, ai refuzoi që çelësat e Qabesë t’i ketë dikush tjetër pos Uthman bin Talhasë, familja e të cilit tradicionalisht mbante këta çelësa. “Vetëm një zullumqar ua mohon këtë privilegj!”- i tha Muhammedi a.s., Uthman bin Talhasë. – Çlirimi i Mekkës shpalos vlerat e çliruesve. Pejgamberi a.s., hyri në Mekke ndërsa nuk e ngrittë kokën lart. Nga modestia dhe falënderimi i madh për Allahun, qëndronte i përulur, sepse momentet e triumfit janë momente kur duhet falënderuar Allahu për to. |
Natyrisht, mësimet e kësaj ndodhie të rëndësishme historike nuk mbarojnë me kaq. Ato janë më të shumta se që një hutbe mund t’i përfshijë. Qëllimi ynë ishte të ilustrojmë disa mësime të kësaj ngjarje, jo t’i përmbledhim ato. |
|
[Dhjetë ditët e fundit të Ramazanit] |
Dhjetë ditët e fundit të Ramazanit janë pjesa më e ndjeshme e tij për shkak të mundësive ekskluzive që ofrojnë. Në këto dhjetë ditë është edhe Nata e Kadrit dhe këtu qëndron arsyeja pse Muhammedi a.s., angazhohej më shumë në to se në ditët e mëparshme. Aisheja r.a., ka thënë: “Pejgamberi a.s., angazhohej në dhjetë ditët e fundit (me ibadet dhe vepra të mira) më shumë se që angazhohej në ditët tjera.“ (Muslimi) Porositë e Pejgamberit a.s, për këto dhjetë ditë të çmuara janë që adhurimit t’i përkushtohemi kolektivisht. Respektivisht kërkonte që familjes t’i kushtojmë rëndësi duke mos lejuar që shanset sikur Nata e Kadrit, që ka vlerë më shumë se një jetë e tërë njeriu, të kalojnë pa u shfrytëzuar. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush falet në Natën e Kadrit me besim dhe vetllogari, i falen mëkatet e mëparshme.” (Buhariu dhe Muslimi) Pra, duke iu përkushtuar adhurimit, ne mund ta fitojmë preminë e Ramazanit, faljen e mëkateve. Për këtë shkak, preferohet që këto dhjetë ditë të shmangen kontaktet e panevojshme me të tjerët. Ka qenë traditë e shokëve të Muhammedit a.s., që këto dhjetë ditë t’i kalojnë në xhami me arsyetimin se po duam ta ruajmë Ramazanin. Pra, duke qëndruar në xhami, shmangen bisedat e kota dhe qëndrimet e padobishme, kështu që kjo krijon mundësinë vetvetiu për fitim të shpërblimit. Me Natën e Kadrit do të merremi edhe xhumanë që vjen, pasi që është edhe nata e njëzeteshtatë kur shpresohet më shumë të jetë kjo natë. Megjithëkëtë, bazuar në porosinë profetike, neve na ngelet që, duke filluar nga sonte, ta rrisim intensitetin e adhurimit, sepse Nata e Kadrit mund të jetë edhe në net tjera. Pejgamberi a.s., ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit…” (Muslimi) Allahun e lusim të mos na privojë nga mirësitë e këtyre dhjetë netëve, e veçmas nga ajo e Natës së Kadrit!!! |
Ballina Shembëlltyra e njerëzimit Profeti komandant ÇLIRIMI I MEKKËS – DHJETËDITËSHI I FUNDIT I RAMAZANIT
- Shembëlltyra e njerëzimit
- Profeti komandant
- Profeti në luftë
- Sire e të Dërguarit dhe sahabëve
- Betejat e Profetit
- Çlirimi i Mekës
- Hutbe