Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Besimtarë të nderuar!

Urime Pavarësia e Kosovës dhe e trashëgofshim shtetin më të ri të Evropës dhe Botës!
Sot, në Xhumanë e parë pas shpalljes së Pavarësisë së shtetit tonë, gjënë e parë që duhet të ndalemi dhe ta trajtojmë është perspektiva dhe ardhmëria e këtij vendi. Nëse dje gëzimi kishte pushtuar zemrat tona, sot planet konkrete dhe strategjitë afatgjate për mirëqenien e qytetarëve duhet të invadojnë mendjen tonë. Kjo hutbe e sotit, gjithsesi se është një vazhdimësi e asaj të javës së kaluar, ku veç u munduam të vejmë themelet e këtyre nismave dhe iniciativave me vizion largpamës për shtetin tonë.

Vëllezër të nderuar!

Republika e Kosovës, një shtet me mbi 90% muslimanë të popullsisë së përgjithshme, në rrugën e saj drejt formimit të shtetësisë dhe institucioneve të saj, gjithsesi se atë duhet ta përshkojë edhe duke shkëputur shkëndija udhëzimi dhe drita këshille nga kandili i pashuar islam. Muhammedi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, me çlirimin e Mekkes, nuk ishte ndalur vetëm për t’u gëzuar, nuk kishte ngre dolli, madje atë nuk e bënte kurrë, jo, ai, pa bërë asnjë pushim, kishte filluar punën dhe veprimtarinë e tij në zhvillimin dhe rregullimin e Mekkes. Pas lëshimit të dekretit për falje, Muhammedi, bekimet e Allahut qofshin mbi të, kishte shkuar tek Qabeja, shtëpia e Allahut, dhe kishte filluar ta rrënojë historinë e besëtytnive, adhurimeve të kota dhe bindjeve të gabuara. Ai rrënoi putat, zotat false prej guri e druri, dhe botërisht, një herë e përgjithmonë, shpalli se Adhurimi i takon Allahut, Zotit të botëve! e jo drurëve dhe gurëve. Caktoi udhëheqësin për të mbikëqyrur punët dhe mbarëvajtjen e proceseve dhe ecurive fetare e politike të vendit.

Nëse ai e bëri këtë, atëherë ajo që liderët tanë duhet ta bëjnë është përmirësimi i gabimeve të së kaluarës, ndërrimi i politikave të gabuara, zhdukja e korrupsionit dhe largimi nga skena politike i atyre që në kurriz të popullit janë pasuruar paligjshëm. Kështu, përparon shteti dhe mbretëron harmonia e lumturia në të!

Besimtarë të nderuar!

Gëzimin tonë normalisht se duhet ta shtojë edhe fakti se tani Kosova, jo vetëm që po shkëputet nga armiku i përbetuar, fetar e kombëtar, por edhe po krijon institucione vetëqeverisëse legjitime dhe të pranuara ndërkombëtarisht. Nevoja e një gjëje të tillë, edhe fetarisht është shumë e theksuar. Pejgamberi, paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të, nevojën e udheheqësisë e kishte parë në çdo gjë, madje edhe nëse njerëzit marrin ndonjë udhëtim privat. Siç transmeton Ebu Davudi, Pejgamberi, paqja dhe shpëtimi qofshin mbi te, kishte thene: “Nëse tre veta kanë marrë një udhëtim le ta emërojnë njërin prej tyre prijës”. ([1])

Madje, anashkalimin e ndërtimit të institucioneve e kishte cilësuar si disfatë para djallit. Duke na rrëfyer për nevojën e një gjëje të tille, ai merr shembullin vijues: “Nuk ndodhë të jenë tre veta në ndonjë vendbanim (qytet) apo fshat e pastaj të mos falen me xhemat (në mënyrë kolektive-instituci onale) e të mos ketë mbizotëruar djalli mbi ta. Mbahu për kolektivit (xhematit) ngase ujku e ha delen, që i ndahet tufës”. ([2])

Nga këtu, roli i udhëheqësit të drejte është vlerësuar të kalojë edhe suazat e ndikimit të çfarëdo ideologjie tjetër. Ka thënë Uthman b. Affani, kryetari i tretë i Shtetit Islam pas vdekjes së Muhammedit, alejhi’s selam: “Atë që mbjell-bën imami (udhëheqësi) s’mund ta mbjell Kur’ani”, dhe “Atë, që Allahu e bën nëpërmjet imamit (udhëheqësit) nuk e bën as nëpërmjet Kur’anit”.
Megjithatë, ky gëzim nuk guxon të kthehet në zhgënjim, kjo buzëqeshje nuk guxon të kthehet në vaj. E them këtë për faktin se udhëheqësit janë ata që kanë marrë përsipër udhëheqjen e vendit andaj duhet ta kenë në hatër këtë. Ndryshe, siç edhe është konstatuar, udhëheqësit janë ata që kanë lënë mbrapa shtetet me politikat e tyre të gabuara. Ka thënë Mustafa Muhammed Tahhan: “Provat kanë dëshmuar se vendi i sëmundjes në trupin e ummetit është në vendin e udheheqësisë, pa të cilën ummeti nuk mund ta përmbledh veten e të rilind. Mu për këtë, kontrollimi dhe mbikëqyrja e udhëheqësve është nevojë e patjetërsueshme për mbarëvajtjen e kësaj udhëheqësie…”. ([3])

Robër të Allahut!

Kosova nuk është vetëm e politikanëve, ajo është e të gjithë qytetarëve të saj, dhe nisur nga këtu, përgjegjësitë për çuarjen para të saj, nuk janë vetëm të liderëve tanë. Secili qytetar duhet ta ndërgjegjësoje veten se, krahas të drejtave të tij, ai ka edhe obligime karshi shtetit. Kështu ka caktuar i Madhi Allah në ligjin e Tij. Nëse mendon se nuk mund të kontribuosh, atëherë të paktën, mos u bë shkaktar i ngecjes së tij prapa, në çfarëdo sfere qoftë!

Xhematlinjë të nderuar!

Edhe pse fetarisht jemi të urdhëruar që të punojmë në kolektiv, megjithatë as roli individual në përparimin e shtetit nuk mohohet. Secili prej nesh mund të bëj diç të mirë për vendin e vet. Nëse shohim ndonjë dukuri negative, nuk duhet të presim që shteti ta largoje atë, por duhet që me metoda dhe mënyra të pranuara, jo me brutalitet, ta largojmë atë. Kështu realizohet miqësia e vërtetë dhe arrihet lumturia e dëshiruar dhe ëndërruar, të cilën Allahu e përshkroi në Kur’an. Thotë Allahu: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja…”. ([4])

Besimtarë të nderuar!

Shteti nuk mund të ec para përderisa drejtësia të mos e ketë në dorë timonin e tij. Kriminelët dhe shkelësit e ligjit duhen ndëshkuar kushdo që të jenë ata. Ndryshe, nëse drejtësia në kuptimin e ekzekutimit të kodeve penale dhe masave ndëshkuese për ata që prishin rendin dhe cenojnë të drejtat e të tjerëve, nuk zbatohet vetëm se ndaj të dobëte dhe atyre pa krahë, atëherë ne kemi fituar epitetin dhe imazhin e një populli, që Allahu, në Kuran, dhe Muhammedi, alejhi’s selam në Sunnet, na rrëfyen për dështimin e tyre. Merreni model fjalën e njeriut që vuri themelet e drejtësisë në tokë, Muhammedit, paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të, i cili me një rast kur një grua nga një familje autoritative kishte vjedhur dhe iu ishte kërkuar ta anashkaloje këtë rast, kishte thënë: Sikur dhe vajza ime, Fatimeja, të vjedhke, do t’ia prisja dorën (do t’ia shqiptoja masën ndëshkuese adekuate!)”.([5])

Të nderuar xhematë!

Kosova nuk duhet ta harroje realitetin e saj! Ajo duhet ta dijë se edhe për fenë e shumicës së qytetarëve të saj duhet të punojë, madje, kjo sipas premtimit të Allahut, është garanci e madhe për një shtet të stabilizuar, të qetë dhe të lumtur. Thotë Allahu: “Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, All-llahu u premtoi se do t’i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si i pat bërë zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t’ju dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas kësaj mohon, të tillët janë ata më të prishurit”. ([6])

Allahu bekoftë Republikën e Kosovës! Allahu ndërgjegjësoftë liderët tanë! O Zoti ynë, ne të lusim që liderët të jenë njerëzit tanë më të zgjedhur e të mos jenë njerëzit më mendjelehte! Udhëzoji ata që nëpërmjet tyre të udhëzohet edhe populli, drejtoji ata që të drejtohet edhe populli! Zot i qiejve dhe tokës, bëje vendin tonë vend të sigurisë, paqes dhe qetësisë e assesi mos e bë vend të trazirave, rrëmujës dhe dhunës! Na drejto në rrugën Tënde dhe na bë të vdesim si besimtarë!

21-2-2008, e enjte
Vushtrri, Kosovë
_____________________________________
[1] Transmeton Ebu Davudi ndërsa hadithi sipas Shejh Albanit është hasen
[2] Hadithin e transmeton Ebu Davudi ndërsa Shejh Albani ne Sahihu Ve Daifu Suneni Ebi Davud e ka cilësuar hasen
[3] Esh shura ve devruha fi islahi’l ferdi ve’l muxhtemea, Dr. Mustafa Mahmud Tahhan, Ittihadu’l munedh-dhamati’ t tul-labijjeh, bot.1, 2002, f: 15-16
[4] et-Teube, 71
[5] Buhariu dhe Muslimi
[6] en-Nur, 55