Prej gjërave që iu mungon sot myslimanëve është shëmbëlltyra e tyre për të tjerët. Ne myslimanët jemi një popull që krenohemi me të kaluarën tonë. Krenohemi me historinë tonë të ndritshme. Lexojmë në historinë tonë se popuj të ndryshëm në vendet aziatike kanë hyrë në Islam për shkak të tregtarëve mysliman, të cilët arritën me tregtinë e tyre në ato vende dhe shfaqën moralin Islam në shitblerje në raport me të të tjerët, dhe kjo është e vërteta. Por, pse sot gjejmë mysliman që hanë mallin e dikujt pa të drejtë. Gjejmë mysliman që fenë e përdorin për interesa dhe qëllime të tyre. Gjejmë mysliman që i mashtron njerëzit në emër të fesë, i besohet atij sepse e shohin duke shkuar në xhami, duke u falur në rreshtin e parë. Edhe shkuarjen në xhami e bënë për interesa personale? Pse sot gjejmë mysliman që mashtrojnë, gënjejnë, nuk iu përmbahen premtimeve dhe marrëveshje që lidhin me të tjerët? A nuk janë të gjitha këto që tërheqin hidhërimin e Allahut dhe dobësimin e myslimanëve si shoqëri? Thirrja për të qenë i Dërguari i Allahut model për ne dhe shëmbëlltyrë për ne ka qëllimin që ti pastaj të jesh shembull për të tjerët. Nuk je pasues i denjët i të Dërguarit të Allahut, nëse morali i Pejgamberit nuk ka reflektuar tek të tjerët përmes teje, përmes shembullit tënd te të tjerët. Sot në shoqërinë tonë si mysliman është një mungesë dhe zbrazëtirë e madhe e personaliteteve që vërtetë mund të merren model për ne. Po, kemi personalitete që shëmbëlltyrën e tyre për të tjerët e përdorin vetëm sa për ti arritur interesat e tyre personale, dhe pastaj del në shesh se paska qenë një model fals dhe një shëmbëlltyrë e falsifikuar. Sinqeritetin, fjalët e mira, premtimet e dhëna i ka përdorë vetëm për të arritur qëllimet e tij personale. Jo, kështu nuk je shembull i mirë për të tjerët. Njerëzit nuk të marrin për model, atëherë kur fjala e jote bie ndesh me veprën tënde. Nuk ka vlerë shëmbëlltyra nëse atë që lexon atë që kupton nuk e hedh në jetën praktike tënden. Allahu e urdhëroi të Dërguarin e Tij të marr shembull dhe model të dërguarit e më hershëm. Por kjo nuk do të ishte e mjaftuar sikur të mbeteshin vetëm porosi nga Kurani, po mos të bëhej i Dërguari i Allahut një model dhe shembull për të tjerët. Allahu fillimisht tha: “Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, andaj edhe ti (o Muhamed) ndiq rrugën e tyre.” ( Enam 90). Pastaj kërkoi prej neve që të marrim shembull të Dërguarin e Tij: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun” ( Ahzab 21). Sot myslimanët e rinj janë mes dy sfidave. Mes shëmbëlltyrave dhe modeleve që thërrasin në kundër vlera, thërrasin në shthurje dhe shfrenim, thërrasin në dukuri negative. Dhe mes shëmbëlltyrave të falsifikuara, që mundohen të jenë shembull për të tjerët aq sa është edhe interesi i tyre individual. Mungesa e një udhëheqësi model për të tjerët është prezente. Mungesa e një mësuesi, profesori model për nxënësit është prezente. Mungesa e një hoxhe model për myslimanët është prezente. Mungesa e një prindi, e një babe dhe një nëne model për fëmijët e tyre është prezente. Pra sot është një nevojë e madhe që të përhapin historinë e Pejgamberit, shëmbëlltyrën e tij në jetën e myslimanëve, që të iu japim një model se si duhet të jetë besimtari një shëmbëlltyrë për të tjerët. Thotë Imam Dhehebiu: “ Në hallkat e kuvendit të dijës në mësimet që jepte Imam Ahmedi prezantonin afër pesëmijë vetë, pesëqind prej tyre shkruanin, ndërsa të tjerë merrnin shembull nga morali dhe etika e tij”. Ne krenohemi me njerëz që kanë lënë gjurmë në historinë tonë si popull. Lexojmë jetën e tyre, lexojmë për jetën e Pejgamberit, për trimërinë e tij, lexojmë për shokët e Pejgamberit, për Halid b. Velidin, lexojmë shembuj të njerëzve të mirë. Por, ato mbeten vetëm lexim dhe asgjë tjetër, nëse nuk i marrim ata shembull në jetën tonë të përditshme. Dhe atëherë kur për ty nuk janë shëmbëlltyrë këta njerëz, atëherë ti nuk mund të jesh shembull për të tjerët.
Prej gjërave që na mungon neve si mysliman sot poashtu, është dashuria e sinqertë për njëri tjetrin. Është vështirë sot të gjesh njerëz të cilët lidhshmërinë e tyre mes njëri tjetrit, ose dashurinë për njëri tjetrin e kanë të ndërtuar mbi sinqeritetin mes tyre. Bashkimi ose ndarja mes nesh më shumë bëhet për interesa personale dhe individuale. Sinqeriteti ynë ndaj tjetrit arrin vetëm deri te interesi që ka lidhë me njëri tjetrin. Dashuria e jonë mes njëri tjetrit është vetëm deri sa të ekzistoj interesi mes njëri tjetrit. Na bashkon interesi dhe na ndan interesi. Jemi në krah të njëri tjetrit vetëm sa të jetë interesi i përbashkët mes njëri tjetrit. Atëherë kur përfundon interesi bëhemi armik të njëri tjetrit. Në vend që ne ti bashkojmë forcat, angazhimin tonë, përpjekjet tona kundër armikut, ne e harxhojmë fuqinë tonë, angazhimin tonë, përpjekjet tona kundër njëri tjetrit.
Gjëja tjetër që na mungon si mysliman është se mësojmë shumë ndoshta nga dispozitat e fesë, por zgjedhim atë që na përshtatet neve dhe ajo që nuk bie ndesh me adetet, me egot dhe me epshet tona. I copëzojmë dispozitat e fesë, bëjmë seleksionime në dispozitat e fesë. Allahu na ka urdhëruar që fenë ta marrim si tërësi, ashtu siç ka zbritur. Allahu thotë: “O besimtarë! Pranojeni Islamin me të gjitha rregullat e tij dhe mos shkoni gjurmëve të djallit, se ai është armiku juaj i përbetuar” ( Bekare 208). Ndërsa në ajetin tjetër Allahu ka tërheq vërejtjen për rrezikun e copëzimit të dispozitave të fesë. Allahu thotë: “Mos vallë, një pjesë të Librit (Teuratit) e besoni, kurse pjesën tjetër e mohoni?!” ( Bekare 84).
Prej gjërave që na mungon neve si mysliman është të vepruarit me atë që e kemi mësuar apo e mësojmë. Sot myslimanët nuk vuajnë mungesë të njohurive të fesë, sepse kjo çështje është lehtësuar. Nuk vuajnë sot nga mungesa e informacioneve fetare . Ato i gjen në libra të shkruara, i gjen me bollëk në internet, në rrjetet sociale, në grupe të ndryshme. Ajo që na mungon është të vepruarit me atë që shohim dhe lexojmë. Sheh shumë prej besimtarëve është i pari në njohuri, i pari në publikimin e tyre, i pari në postimin e tyre. Por, a është i pari edhe në praktikumin e tyre?! Allahu nuk ka përmendur imanin në Kuranë, përveçse ia ka shoqëruar edhe veprat e mira. Sepse imanin tonë nëse nuk e përkthejmë atë përmes veprave të mira në jetën tonë, ai mbetet vetëm teori e thatë. Allahu shumë e shumë herë në Kuran përsërit fjalën e Tij: “ Përveç ata që besuan dhe bënë vepra të mira”. Sot është koha pak të flasim e shumë të punojmë. Ka thënë Maruf Kerhi: “ Kujt Allahu ia do të mirën ia hap dyert e veprimit dhe ia mbyllë dyert e polemikës. Ndërsa kujt Allahu ia hap dyert e sherrit, ia mbyllë dyert e veprimit dhe ia hap dyert e polemikës”. Sot nuk është mungesë e njohurive fetare, por mungesë e të vepruarit me të. E kanë pyet Ibrahim b. Ed hemin dhe i kanë thënë: “ Çka është me ne që po i lutemi Allahut e Ai nuk po na përgjigjet, ndërsa Ai ka thënë: “ Më luteni Mua, Unë iu përgjigjem juve! Ibrahim b. Ed hemi tha: “ Kjo ndodhë për pesë gjëra. I thanë: Cilat janë ato? Tha: E njohët Zotin e nuk po ia jepni hakun Atij ( nuk po i kryeni urdhrat e Tij). Lexuat Kuranin, por nuk po veproni me të. Pretenduat se duam të Dërguarin e Allahut, por nuk po e pasoni atë. Thatë se e mallkojmë Iblisin, ndërsa ju po e respektoni atë. Ndërsa e pesta është se keni lënë të metat tuaj dhe nuk po merreni me to, ndërsa po merreni me të metat e të tjerëve”. Kanë thënë disa prej selefve: “ Nëse Allahu të jep një dije të re, bëje edhe ti një ibadet të ri, dhe mos të jetë tërë preokupimi yt vetëm tua tregosh njerëzve atë”.
Andaj sot myslimanët kanë nevojë për njerëz që dinë por edhe veprojnë, për njerëz që më pak flasin e më shumë punojnë, për njerëz që dijen e tyre e përkthejnë në jetën e tyre në praktikë, për njerëz që janë shembull dhe model për të tjerët, për njerëz që janë ndriçues dhe pishtarë të rrugës së drejtë dhe të vërtetë. Vetëm kështu mund të jetë një mysliman i kompletuar, dhe vetëm një mysliman i tillë mund të jetë shembull dhe model për të tjerët.
Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
E mbajtur, më /12/05/2023 m.| 21.sheval 1444 h Vendi:Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati