Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.
Të dashur vëllezër!
Hutbeja e sotme e mban titullin: “Çfarë të bëjmë gjatë ramazanit?“
Në një tregim thuhet se Musai (a.s.) pas një bisede me Allahun e Plotfuqishëm, mori urdhër që kur të zgjohet, gjënë e parë që sheh – ta hajë; të dytën – ta varrosë; kurse nga e treta – ta kthej kokën anash! Dhe kur u zgjua Musai (a.s.), u habit, sepse para vetes pa një kodër. Por urdhri i Allahut duhej zbatuar, andaj vendosi që të fillojë ta gëlltisë në copa. Kur e shtriu dorën drejt kodrës, me vullnetin e Allahut, ajo u shndërrua në një kokërr fiku dhe ai e futi në gojë. Mrekullia e re ishte se ai kurrë në jetën e tij nuk kishte gëlltitur asgjë më të ëmbël dhe më të shijshme. Kur vazhdoi, pa një grumbull ari dhe xhevahire. Iu kujtua se ishte urdhëruar që t’i varroste, andaj filloi ta mblidhte dheun dhe ta mbulonte thesarin, por sa më shumë që e mbulonte, aq më shumë rritej grumbulli i thesarit. Pasi u bind se nuk mund ta përfundonte dot atë pjesë të punës, vazhdoi rrugën. Gjëja e tretë që pa, ishte një qen i ngordhur që lëshonte erë të keqe. M’u urdhërua që të ktheja kokën anash, mendoi Musai (a.s.) dhe ashtu bëri. Meqë ishte kurreshtar, mezi priste ta pyeste Allahun se cila ishte urtësia në këtyre urdhrave. Kur i tha Allahut se e kishte kryer detyrën e tij, Allahu i tha: “A e ke parë sa e madhe është ajo kodër?” “Po, e kam parë”, u përgjigj Musai (a.s.). “Ajo kodër është zemërimi yt. Kur e gëlltit, bëhet e shijshme. Ai ari dhe xhevahiret janë veprat tuaja të mira. Sa më shumë t’i fshehësh nga njerëzit, aq më të vlefshme janë për Mua. Kurse qeni i ngodhur është imazhi i kësaj bote. Nëse i përkushtohesh asaj, do të dish se çfarë don.”
Të dashur vëllezër!
Ky tregim na tregon se një nga karakteristikat kryesore të besimtarit të sinqertë është vetëkontrolli, do të thotë, sundimi i vetvetes. Për të pasur sukses në cilindo segment të jetës, qoftë në rritje shpirtërore, intelektuale, biznesore apo sportive, kushti i të gjitha kushteve është pikërisht ky, që njeriu të mund t’i thotë vetvetes: “Jo!” Në fakt, njeriu bëhet njeri pikërisht atëherë, kur mbledh forcë për ta mundur veten, përndryshe, njeriu është në nivelin e kafshës.
Një dijetar islam ka thënë: “Uria është elementi i parë i vetëdisiplinës. Nëse mund ta kontrolloni veten se çfarë dhe kur të hani dhe të pini, ju mund të kontrolloni gjithçka tjetër.”
Vëllezër të dashur!
Muaji i bekuar ramazanit në të cilin jemi, është muaji i të gjitha të mirave, por edhe muaji kur njeriu duhet të tregojë se a është njeri, përkatësisht, se a mund ta fitojë atë që është shtazore tek ai: në të, mbi të dhe përreth tij. Ky është muaji kur muslimani duhet të tregojë se a është musliman, ashtu që, pavarësisht nga të gjitha sfidat e kësaj bote, që të thotë unë jam musliman; që ta lërë ushqimin, pijen dhe gjithçka që e prish agjërimin; që të bëjë sa më shumë të mira dhe që të shmanget sa më shumë nga mëkatet.
Çfarë duhet të bëjë muslimani gjatë ramazanit?
E para dhe më e rëndësishmja është agjërimi i muajit ramazan, sepse Pejgamberi (a.s.) thotë: “Kush e agjëron ramazanin duke besuar në Allahun dhe duke shpresuar në shpërblimin e Tij, atij i falen mëkatet e mëparshme.” Ai që nuk mund të agjërojë për shkaqe të arsyeshme, dhe Allahu e di nëse është e arsyeshme apo jo, ne nuk mund ta mashtrojmë Atë, ai nuk do të agjërojë, por të paktën për respekt për muajin ramazan, për respekt ndaj agjëruesve, dhe sidomos për respekt ndaj atyre që me vështirësi e përballojnë agjërimin, mund të mos hajë publikisht.
Nuk është e vërtetë ajo që thuhet shpesh “Kur e di Allahu le ta dinë edhe njerëzit!”, sepse Allahu di gjithçka, nuk ka dyshim për këtë, por njerëzit nuk kanë nevojë të dinë gjithçka.
Çështja e dytë gjatë muajit ramazan të cilës duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë është namazi. Pejgamberi (a.s.) në një hadith thotë: “O ju njerëz, erdhi një muaj i madh, në të është një natë më e vlefshme se një mijë muaj. Allahu në këtë muaj e ka bërë obligim agjërimin kurse namazin e natës e ka bërë vullnetar. Kush bën ndonjë të mirë në të, është sikur të ketë kryer një farz jashtë tij, e kush e kryen një farz në të, është sikur të ketë kryer shtatëdhjetë farze jashtë tij. Ai është muaji i durimit, kurse shpërblimi i durimit është Xheneti… E treta e parë e tij është mëshirë (rahmet), e dyta është falje (magfiret), kurse e treta e tij është shpëtim nga zjarri…”
Muaji ramazan është edhe muaji i Kuranit, andaj në këtë muaj Kurani duhet të jetë në duart tona më shumë se zakonisht. Ai që nuk di të lexojë në arabisht, mund të lexojë përkthimin, mund të marrë pjesë në mukabele, mund të meditojë rreth Kuranit…
Vëllezër të dashur!
Lutja është arma më e fortë e besimtarit, na ka thënë Pejgamberi ynë (a.s.). Të gjithë ne po shohim se muslimanët e sotëm janë si shkuma e detit, jemi shumë në numër, por jemi të dobët. Jemi sikur nuk ekzistojmë. Prandaj arma e vetme e njeriut të thjeshtë është, që në kohën e paraiftarit dhe në kohën e para syfyrit t’i ngrejë duart dhe t’i lutet Allahut, si për për veten e tij, ashtu edhe për muslimanët e tjerë në mbarë botën.
Muaji ramazan është, gjithashtu, edhe muaji kur muslimanët tregojnë merhametin e tyre. Edhe këtë ramazan, si edhe në vitet e kaluara, në xhematet tona organizohen aksione të ndryshme humanitare. Duhet të përpiqemi që sa më shumë të marrim pjesë në këto aksione. Në përgjithësi, çfarëdo veprimi humanitar dhe bamirës që t’i përgjigjemi sinqerisht, inshallah – Allahu do ta shohë dhe do të na shpërblejë me bollëk për të në botën tjetër, por edhe edhe në këtë botë, në formën e rritjes së furnizimit.
Dhe gjëja e fundit që do të doja ta përmendja sot në lidhje me muajin ramazan, por jo më pak e rëndësishme, janë marrëdhëniet tona ndërvëllezërore, ndërnjerëzore dhe ndërfqinjësore. Ramazani është mundësi ideale për të varrosur mjetin e luftës me vëllain, me kushëririn apo me fqinjin tonë. Ramazani është rast ideal për ta falur njëri-tjetrin për ndonjë gjë që ka ndodhur mes nesh, sepse ai që i prish lidhjet me të afermit, i prish edhe lidhjet me Allahun, kurse ai që i prish lidhjet me Allahun, çdo mirësi të tij e ka nën pikë pyetje të madhe!
Të dashur vëllezër!
Dua t’ju uroj të gjithëve, si dhe familjet tuaja, ditët e ramazanit me lutje drejtuar Allahut, që këto ditë të bekuara të ramazanit t’i kaloni në ibadet, shëndet dhe disponim të mirë!
Allahu ju pranoftë veprat e mira dhe ju dhuroftë çdo të mirë. Amin!!!
Përshtati: Miftar Ajdini
(Islampress)