Falënderimi i takon Zotit të gjithë botëve, salavatet dhe selamet i takojnë të Dërguarit të Tij, familjes, shokëve dhe gjithë atyre që e pasojnë për të mirë deri në ditën e gjykimit.
Allahu i Madhërim në Kur’anin famëlartë thotë:
“… Ai ju zgjodhi ju (ju përcaktoi për rrugën e Tij) dhe nuk ju obligoi në fé me ndonjë vështirësi, në fenë e babait tuaj, Ibrahimit.” (El-Haxh, 78).
Muhammedi a.s. thotë: “Muhaxhir i vërtetë është ai i cili e braktis mëkatin vetëm për hirë të Allahut xh.sh.” (Buhariu, Muslimi)
Të dashur vëllezër, të nderuara motra!
Edhe në këtë xhuma dua të qëndroj te roli dhe domethënie e madhe që ka Hixhreti i Muhammedit a.s. Nëse ne do të ndalemi dhe ta shikojmë çështjen nga aspekti historik, ne nuk do të përfitojmë asgjë, porse do të mbetemi edhe më tutje në lashtësi. E kaluara do të na ndihmonte sot, vetëm nëse do ta shikonim si mësuesen tonë. E kaluara na mëson si ta jetojmë të sotmen dhe si ta planifikojmë të ardhmen. Javën e kaluar thash se Hixhreti është matësi apo vlerësuesi ynë i përvjetshëm i gjendjes sonë, si individë, si familje, si xhemat, si shoqëri, si shtet, dhe në fund si një Ummet. Hixhreti i Pejgamberit a.s., dhe normalisht edhe i shokëve të tij, as’habëve, na ofrojnë neve një mësim të madh. Cili, pra, është mësimi?
Statusi i Muhammedit a.s., kur e bëri hixhretin dhe pasi erdhi në Medine, dukej kështu: Ai për muslimanët ishte Pejgamber, ndërsa për jehuditë, sabejët, të krishterët dhe për jomuslimanët e tjerë, ishte po ashtu pejgamber, por i muslimanëve dhe jo i tyre, kurse për ta ishte vetëm Muhammedi i biri i Abdullahit. Mirëpo, ata, përsëri, e patën pranuar, thënë me fjalorin e gjuhës së sodit, si kryetar komune. Por, vallë, çfarë bëri Muhammedi a.s. në Medine dhe si e formoi qeverinë, gjegjësisht shoqërinë?
Në fakt, do të doja edhe një nënpyetje ta parashtroja: Çfarë tjetër kishte pasur mundësi të ndërtonte Muhammedi a.s. në Medine? P.sh., para së gjithash, do të kishte pasur mundësi të jepte urdhër, që të gjithë mekasve, refugjatëve, t’u ndërtohej nga një shtëpi në Medinë, pasi në Meke lanë gjithëçka që kishin. Muhaxhirët në Meken e bekuar, në vendin e tyre të lindjes, lanë shtëpitë, familjet, punët, bizneset, mallin, dhe me vete morën gjënë më të shenjtë dhe më të rëndësishme, e ajo ishte feja. E tani, a nuk kishte të drejtë Pejgamberi a.s. që të kërkonte t’u bëhej nga një shtëpi mekasve nga palmat dhe qerpiçët e Medines? Sigurisht që kishte të drejtë, por një gjë të tillë ai nuk e bëri. Ai e bëri një tjetër gjë, që nuk di historia njerëzore diç të ngjashme ta ketë bërë dikush më përpara. Ai mbolli dashuri në zemrat e medinasve, dhe kërkoi prej tyre të solidarizohen, dhe atë që e posedonin, ta ndanin përgjysmë me njerëzit e ardhur nga Mekeja. Kështu, Ensarët me zemërgjerësi ndanë me muhaxhirët shtëpitë, dhomat, tokat, punët, sofrat, dhe shumë gjëra të tjera. Dhe më pas, të gjithë së bashku, ndërtuan shtëpinë e madhe të tyren, shtëpinë e lavdishme, xhaminë, Xhaminë e Pejgamberit a.s., brenda së cilës nuk u ndërtuan vetëm xhematlinjë që faleshin, por edhe sistem që funksiononte, shoqëri që gjallëronte, rend dhe shtet të së drejtës.
Pejgamberi a.s. në Medine nuk bëri shtëpia dhe vila, por bëri kushtetutën, respektivisht Kartën e Medines. Me këtë akt ai lidhi marrëveshje me fiset hebreje, me fjalë të tjera ai ndërtoi raporte midis njerëzve, dhe kështu ndërtoi qytet-shtetin e atëhershëm. Andaj, prej një bashkësie të këtillë, do të lind një shoqëri e fuqishme, e cila, për gati dy dekada, arriti të çlirojë gjysmën e botës, me aq sa në atë kohë njihej ajo.
E çfarë bëri populli ynë? Çfarë bëjmë ne si muslimanë sot, si pasues të këtij Pejgamberi të madh që jemi? Cilët shtete i bëmë siç duhet? Cilët njerëz lamë të na udhëheqin? Çfarë shkolla ndërtuam për fëmijët tanë? Sa është shoqëria jonë sot islame? A vetëm se jemi tubuar sot në xhuma jemi muslimanë? Ku mbeti përgjegjësia jonë për shoqërinë, për fenë, për atdheun, për të paudhëzuarit, për të rinjtë dhe të rejat, për rrugët që nuk janë islame, për lagjet që nuk janë islame, për shtëpitë që nuk janë islame, për veshjen dhe stilin e jetesës, që aspak nuk është islame. Sot, ka ardhur puna të ngushtohesh kur t’i thirrësh njerëzit për në xhami, e të mos flasim për ndonjë ftesë më të madhe dhe më të rëndë se sa kjo, si fjala bie të ndërtojmë shtet, të nxjerrim kryetarë komunash, drejtorë shkollash, të bëjmë kulturën dhe të zhvillojmë qytetërimin tonë.
Të dashur xhemat, po e përmbyll këtë hutbe me një konstatim, që dëshiroj ta mbani mend mirë. Muhammedi a.s. pati mundësinë që në Medinë të investonte dhe të ndërtonte vetëm në planin arkitektonik. Por një gjë të tillë nuk e bëri. Ai, në radhë të parë, ndërtoi njerëz, kurse në shpirtra të tyre besimin; ai ndërtoi sistem, kurse brenda tij bindjen; ai ndërtoi shtetin, kurse në të drejtësinë dhe përparimin. Ja, pra, ky ishte Hixhreti i Muhammedi a.s. dhe i sahabëve të tij. Allahu ynë, mos u na u hidhro me gjendjen tonë; të lutëmi na ndihmo dhe na jep forcën e duhur! Amin.
(Hutbe e mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St.Gallen të Zvicrës)
Hfz. Mehas Alija