Imam Omar Suleiman

Ky skenar po bëhet gjithnjë e më i përhapur: personi të cilit i keni besuar spiritualitetin, frymëzimin dhe ndoshta edhe sekretet, rezulton të jetë i korruptuar tragjikisht. Burri që jep leksione se si duhet trajtuar gratë është një i pamoralshëm dhe tradhtar vicioz. Predikuesi në televizion që frymëzon miliona njerëz për të qenë njerëz më të mirë, nuk mund të gjejë frymëzimin në jetën e tij personale për të mos shfrytëzuar fansat e pambrojtur apo shtypur familjen e tij.

Kjo është një nga sprovat më të vështira për besimin e dikujt: si mundet dikush që mishëroi besimin tek unë të jetë kaq i korruptuar pavarësisht nga të gjitha njohuritë e tij? A ka diçka të gabuar me fenë?

 

Fuqia e Pushtetit

Jo. Diçka nuk shkon me njerëzit, veçanërisht kur ata kanë pushtet. Dhe pushteti nuk manifestohet gjithmonë në formën e kontrollit ose autoritetit ligjor. Fuqia e ndikimit që mund të ngulfasë historitë e viktimave tuaja është shumë më e rrezikshme. Fuqia e një platforme që të lavdëron të jesh shumë më i madh se ato që të ekspozojnë. Fuqia e parasë që lidh njerëzit me ju, që të qëndrojnë me ju pavarësisht korrupsionit tuaj dhe keqtrajtimit të familjes suaj, vetëm sepse ata duan të ushqejnë familjen e tyre. Fuqia e të pasurit miq dijetar që do t’ju legjitimojnë për përfitimin e tyre, duke mos kuptuar, apo pa u kujdesur, se ata po mundësojnë korrupsionin tuaj. Fuqia e të pasurit organizata që ende ju ftojnë në programet e tyre për të mbushur vendet, pavarësisht se dinë për ju, por duke mos u interesuar vërtet për ju ose njerëzit që do të ndihmoni t’i sillni tek ata. Fuqia e të diturit se njerëzit e arsyeshëm ndoshta do t’ju mbështesin në çdo mënyrë dhe do të harrojnë se viktima mund të ketë qenë motra ose vajza e tyre.

Problemi nuk është feja; problemi është perceptimi i pushtetit që ka helmuar kaq shpesh burrat që veshin petkun e cilësdo fe. Çdo shtypës është i dehur nga iluzioni i pushtetit. Por Zoti yt nuk është i pavetëdijshëm dhe është i vetmi zotërues i vërtetë i Pushtetit. Për hir të tyre dhe tonës, gjithçka përfundimisht rrëzohet përpara se ata të mund të dëmtojnë më tej veten ose të tjerët.

Për viktimat e grabitqarëve

Nëse jeni viktimë e njërit prej këtyre njerëzve, mos kini frikë të kërkoni ndihmë. Mos u turpëroni në heshtje. Grabitqarët lulëzojnë kur mund t’ju zgjedhin në mënyrë private dhe mendojnë se nuk do t’i tregoni kurrë askujt. Detyra juaj nuk është të ruani dinjitetin e atij që ju ka turpëruar, ose të lini mënjanë lëndimin tuaj për të mbrojtur të tjerët që të mos lëndohen ndjenjat e tyre kur e marrin vesh. Ju keni një përgjegjësi për të mbrojtur njerëzit e tjerë që potencialisht mund të viktimizohen.

Vajzave që u afrohet folësi i tyre i preferuar në një konferencë, i cili shpejt fillon të kërkojë një martesë të fshehtë, ju lutemi mos e zgjedhni atë rrugë. Martesa është menduar të jetë një festë publike që mbron të drejtat tuaja. Një nikah(martesë) private që nuk plotëson kushtet që të jetë e vlefshme nuk do t’ju mbrojë fare. Ju nuk mund të njihni një person nga një skenë ose nga një video në youtube.

 

Për përfituesit e liderëve të korruptuar

Nëse jeni përfitues i njërit prej këtyre njerëzve financiarisht ose në ndonjë mënyrë tjetër, mos harroni se furnizimi vjen nga Allahu dhe jo nga këta njerëz. Ibn Tejmije ka thënë: “Kush e përkrah një zullumqar, një ditë do të sprovohet prej tij”. Natyra e asaj prove është e njohur vetëm për Allahun, por ju në fakt po mbroni familjen tuaj duke mos përkrahur një shtypje që një ditë potencialisht mund t’i dëmtojë ata. Ndonjëherë nuk është as përkrahja ndaj shtypësit, por normalizimi i sjelljes me të, që një ditë të kafshon ty ose familjen tënde.

Për institucionet fetare që ofrojnë mbulim për shtypësit, ju keni përgjegjësi ndaj anëtarëve tuaj që të mos i dëmtoni ata. Përgjegjësia e parë e një bariu është të mbrojë kopenë e tij nga ujqërit. Nëse nuk  kemi marr mësim nga institucionet e tjera fetare që mbulojnë dhe fshehin veprimtari të tilla, dijeni se personi dhe institucioni do të vuajnë nëse gjërat nuk korrigjohen siç duhet. Nëse do të rivendosim besimin në institucionet fetare, do të duhet të rifitojmë ngadalë besimin e njerëzve duke treguar zero tolerancë ndaj keqpërdorimit.

Dijetarëve dhe mësuesve që mbulojnë kolegët e tyre, kini frikë Allahun se po tradhtoni jo vetëm popullin por edhe traditën. Mos e lini peng traditën njerëzve për ta shfrytëzuar për qëllime të liga. Edhe ju do të mbani përgjegjësi për legjitimimin e një shtypësi dhe për vënien në rrezik të njerëzve. Nëse njerëzit e shohin shoqatën tuaj si një përgënjeshtrim të kërkesave, ju jeni streha më e fortë që ka një kriminel.

 

Mos u bëni kalimtarë

Për dijetarët dhe mësuesit që janë të neveritur nga kjo sjellje – bëni gjënë e duhur. Ju duhet të keni parasysh Allahun subhanehu ue teala (i lavdëruar dhe lartësuar qoftë Ai) sepse askush prej nesh nuk është i sigurt nga komplotet e shejtanit dhe nga e keqja e dëshirave tona. Gjëja e parë që duhet të bëjmë kur shohim dikë që i bie fama, është të kërkojmë strehim tek Allahu që të mos hasim në një fat të ngjashëm. Çdo person me autoritet fetar duhet të jetë vigjilent me veten e tij. Mbroni veten me një regjim të fortë shpirtëror, mentorim që mund t’ju mbajë përgjegjës dhe mos e vendosni veten në një situatë ku mund të humbisni. Jepini gjithmonë përparësi familjes suaj dhe jini tepër të kujdesshëm në ndërveprimet tuaja.

Familjeve dhe miqve të këtyre njerëzve që nuk duan të ndihen sikur po zhgënjejnë dikë që e duan, mos bini viktimë e besnikërisë së gabuar të ditëve të injorancës. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: përkrahe vëllanë tënd kur ai është zullumqar duke e penguar atë nga shtypja. Nëse vërtet e doje atë, do ta ndaloje që ta shkatërrojë ahiretin e tij edhe më shumë, sepse drejtësia e kësaj bote është shumë më e lehtë se drejtësia e dhënë në ahiret. Nëse vërtet e doje atë, do të doje që ai të korrigjohej dhe të merrte ndihmë në mënyrë që të kthehet tek Allahu dhe të fillojë të korrigjohet. Ndalimi i shtypësit është për të mirën e tij.

Allahu e di dhe feja e Allahut është e pastër

Së fundi, për shikuesit që janë dëmtuar kur skandalet për mësuesit e tyre të preferuar fillojnë të dalin në shesh. Ti nuk je vetëm. Disa prej jush mund të jenë bërë muslimanë për shkak të këtij personi. Disa prej jush mund të kenë shpenzuar ditë, javë apo edhe vite në mësimet e tyre. Nëpërmjet internetit, ata janë bërë pjesë e familjes suaj. Por këtu është çështja, ajo që ju bëri t’i doni ata ishte se ata ju afruan me Allahun subḥānehu ue teala (i lavdëruar dhe lartësuar qoftë Ai). Ju nuk po i dëgjonit ata të këndonin këngë apo të bënin filma, po i dëgjonit t’ju mësonin për shpalljen hyjnore. Objekt i dashurisë suaj le të mbetet feja dhe njerëzit thjesht vetëm një enë. Në këtë mënyrë, nëse një enë prishet, përmbajtja duhet të transferohet. Feja mbetet e përsosur dhe e shëndoshë, edhe kur ata që e përfaqësojnë atë nuk arrijnë që ti përmbahen asaj. Lutuni që Allahu t’i korrigjojë ata që ju mësuan fenë, t’i mbështesë viktimat e tyre dhe le të jetë ky një mësim se askush pas Profetëve alejhi-selam (paqja qoftë mbi ta) nuk është i pagabueshëm. Shpresat dhe pritjet tuaja le të jenë vetëm tek Allahu subhanehu ue teala (i lavdëruar dhe lartësuar qoftë Ai).

 

Dhe meqë ra fjala, mësues të mirë ende ka. Sado zemërthyer nga kaq shumë skandale, ende reflektoj për mësueset dhe kolegët e bukur që kam njohur e që janë modele transparence dhe besnikërie. Ata ekzistojnë ende, por të shëmtuarat duket se e errësojnë bukurinë.

Mos lejoni që dështimi i disave t’ju bëjë të ndaloni së shikuari bukurinë tek shumë të tjerë.

Allahu i ruajtë zemrat, familjet dhe komunitetet tona. Amin

Imam Omar Suleiman | muslimmaters.com

Solli në shqip:

Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve | Thirrja.org